Add parallel Print Page Options

Profecia mbi Niniven. Libri i vegimit të Nahumit nga Elkoshi.

Zoti është një Perëndi xheloz dhe hakmarrës; Zoti është hakmarrës dhe plot tërbim. Zoti hakmerret me kundërshtarët e tij dhe e ruan zemërimin për armiqtë e tij.

Zoti është i ngadalshëm në zemërim dhe pushtetmadh, por nuk e lë pa e ndëshkuar aspak të ligun. Zoti vazhdon rrugën e tij në shakullimë dhe në furtunë dhe retë janë pluhuri i këmbëve të tij.

Ai e qorton rëndë detin dhe e than, i bën të thahen të gjithë lumenjtë. Bashani dhe Karmeli thahen dhe lulja e Libanit fishket.

Malet dridhen para tij, kodrat treten; në prani të tij toka ngrihet, po, bota dhe tërë banorët e saj.

Kush mund t’i rezistojë indinjatës së tij dhe kush mund të durojë zjarrin e zemërimit të tij? Tërbimi i tij derdhet si zjarr dhe shkëmbinjtë janë prej tij të thërmuara.

Zoti është i mirë, është një fortesë në ditën e fatkeqësisë; ai i njeh ata që kërkojnë strehë tek ai.

Por me një përmbytje të madhe ai do të kryejë një shkatërrim të plotë të vendit të tij dhe armiqtë e tij do të përndiqen nga terri.

Çfarë projektoni kundër Zotit? Ai do të kryejë një shkatërrim të plotë: fatkeqësia nuk do të ndodhë dy herë.

10 Edhe sikur të ishin si ferrat e dendura edhe të dehur nga vera që kanë pirë, ata do të gllabërohen si kashta fare e thatë.

11 Prej teje doli ai që ka kurdisur të keqen kundër Zotit, ai që ka konceptuar ligësinë.

12 Kështu thotë Zoti: "Edhe sikur të ishin plot forcë dhe të shumtë, do të kositen dhe do të zhduken. Ndonëse të kam pikëlluar, nuk do të pikëlloj më.

13 Tani do të thyej zgjedhën e saj nga trupi yt dhe do t’i shkul lidhjet e tua".

14 Por lidhur me ty Zoti ka dhënë këtë urdhër: "Emri yt nuk do të përjetësohet më. Nga tempulli i perëndive të tua do të zhduk figurat e gdhendura dhe ato të derdhura. Do të të përgatis varrin se je i neveritshëm".

15 Ja mbi male këmbët e atij që njofton lajme të mira dhe që shpall paqen! Kremto festat e tua solemne, o Judë, plotëso betimet e tua, sepse i ligu nuk do të kalojë më në mes teje; ai do të shfaroset krejt.

Ka dalë kundër teje një shkatërrues. Ruaje mirë fortesën, mbikqyr rrugën, forco ijët e tua, mblidh tërë forcat e tua.

Sepse Zoti do të rivendosë lavdinë e Jakobit dhe lavdinë e Izraelit, sepse cubat i kanë plaçkitur dhe kanë shkatërruar shermendet e tyre.

Mburoja e trimave të tij është ngjyrosur me të kuq, trimat e tij janë veshur me rroba të kuqe; ditën që ai përgatit hekuri i qerreve do të nxjerrë shkëndi si zjarri dhe do të vringëllojnë ushtat e qiparisit.

Qerret do të lëshohen me tërbim nëpër rrugë do t’u bien kryq e tërthor shesheve; do të duken si pishtarë, do të vetëtijnë si rrufe.

Ai do të kujtojë burrat e tij të fuqishëm, por ata do të pengohen në marshimin e tyre, do të sulen drejt mureve dhe mbrojtja do të përgatitet.

Portat e lumenjve do të hapen dhe pallati do të shembet.

Atë që rrinte palëvizur do ta zhveshin dhe do ta marrin; shërbëtoret e saj do të vajtojnë me zë si të pëllumbeshës, duke i rënë gjoksit.

Ndonëse Ninive i kohëve të kaluara ishte si një rezervuar uji, tani ata ikin. "Ndaluni, ndaluni!," bërtasin, por askush nuk kthehet.

Plaçkitni argjendin, plaçkitni arin! Ka thesare pa fund, pasuri të çfarëdo sendi të çmuar.

10 Ai është i shkretuar, bosh dhe i rrënuar; zemra ligështohet, gjunjët dridhen, ka një dhembje të madhe në të gjitha ijët dhe tërë fytyrat e tyre zverdhen.

11 Ku është strofka e luanëve, vendi ku ushqeheshin luanët e vegjël, ku silleshin luani, luanesha dhe të vegjëlit e saj dhe askush nuk i trembte?

12 Luani shqyente për të vegjëlit e tij, mbyste për luaneshat e tij dhe mbushte strofkat e tij me gjah dhe strofullat me gjënë e grabitur.

13 "Ja, unë jam kundër teje," thotë Zoti i ushtrive, "unë do t’i djeg dhe do t’i bëj tym qerret e tua dhe shpata do të gllabërojë luanët e tu të vegjël; unë do të zhduk grabitjen tënde nga dheu dhe zëri i lajmëtarëve të tu nuk do të dëgjohet më".

Mjerë qyteti gjakatar, që është plot me hile dhe me dhunë dhe që nuk po heq dorë nga grabitjet!

Kërcet kamxhiku, zhurmë shurdhuese rrotash, kuajsh që vrapojnë dhe qerresh që hovin,

kalorës në sulm shpata flakëruese, ushta që shndritin, një shumicë e madhe të vrarësh, të vdekur të shumtë, kufoma pa fund; pengohesh te kufomat.

Të gjitha këto për shkak të kurvërimeve të shumta të prostitutes joshëse, mjeshtre në artet magjike që i shiste kombet me kurvërimet e saj dhe popujt me artet e saj magjike.

"Ja, unë jam kundër teje," thotë Zoti i ushtrive, "unë do të ngre cepat e rrobës sate deri në fytyrë dhe do t’u tregoj kombeve lakuriqësinë tënde dhe mbretërive turpin tënd.

Do të të hedh përsipër ndyrësi, do të të bëj të neveritshme dhe do të të nxjerr te shtylla e turpit.

Do të ndodhë që të gjithë ata që do të të shikojnë do të largohen prej teje dhe do të thonë: "Ninive është shkretuar! Kujt do t’i vijë keq për të?". Ku t’i kërkoj ngushëllonjësit e saj?".

A je më e bukur se No-Amoni, që ndodhet midis kanaleve të Nilit, i rrethuar nga ujërat dhe që e kishte detin si ledh dhe detin si mur?

Etiopia dhe Egjipti ishin forca e tij dhe nuk kishin kufi; Puti dhe Libianët ishin aleatët e tij.

10 Megjithatë edhe ai u internua, shkoi në robëri; edhe fëmijët e tij u bënë copë-copë në hyrje të çdo rruge; kanë hedhur shortin mbi fisnikët e tij dhe tërë të mëdhenjtë e tij u lidhën me zinxhirë.

11 Ti gjithashtu do të jesh e dehur dhe do të fshihesh; ti gjithashtu do të kërkosh një vend të fortifikuar përpara armikut.

12 Tërë fortesat e tua do të jenë si druri i fikut me fiq të parë; po t’i shkundësh, bien në gojë të atij që i ha.

13 Ja, trupat e tua në mes teje janë si gra; portat e vendit tënd janë të hapura përpara armiqve të tu; zjarri ka gllabëruar hekurat e portave të tua.

14 Mblidh për vete ujin e nevojshëm për rrethimin, përforco fortifikimet e tua, ngjeshe argjilën, punoje llaçin, ndreqe furrën për tulla.

15 Atje zjarri do të të gllabërojë, shpata do të të shkatërrojë, do të të hajë si një larvë karkaleci; shumohu si larvat e karkalecave, shumohu si karkalecat.

16 I ke shumuar tregjet e tua më tepër se yjet e qiellit; larvat e karkalecave zhveshin çdo gjë dhe pastaj fluturojnë tutje.

17 Princat e tu janë si karkalecat, oficerët e tu si mizëri karkalecash që ndalen midis gjerdheve në ditët e ftohta; po, kur del dielli, fluturojnë tutje, por nuk dihet se ku kanë shkuar.

18 O mbret i Asirisë, barinjtë e tu po flenë, fisnikët e tu pushojnë; populli yt u shpërnda ndër male dhe kurrkush nuk po i mbledh.

19 Nuk ka ilaç për plagën tënde, plaga jote është vdekjeprurëse; të gjithë ata që do të dëgjojnë të flitet për ty, do të përplasin duart për fatin tënd. Sepse mbi kë nuk është ushtruar vazhdimisht ligësia jote?