Add parallel Print Page Options

“Mos gjykoni, që të mos gjykoheni.

Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t’ju masin të tjerët.

Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd?

Ose, si mund t’i thuash vëllait tënd: "Dale të të heq lëmishten nga syri," kur ke një tra në syrin tënd?

O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd.

Mos u jepni qenve ç’është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen kundër jush dhe t’ju shqyejnë.

Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet.

Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket.

A ka midis jush ndonjë njeri që, po t’i kërkojë i biri bukë, t’i japë një gur?

10 Ose po t’i kërkojë një peshk, t’i japë një gjarpër?

11 Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.

12 Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre, sepse ky është ligji dhe profetët.

13 Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të.

14 Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!

15 Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.

16 Ju do t’i njihni nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga murrizat?

17 Kështu çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija.

18 Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira.

19 Çdo dru që nuk jep fryt të mirë pritet dhe hidhet në zjarr.

20 Ju, pra, do t’i njihni profetët nga frytet e tyre.

21 Jo çdo njeri që më thotë: "Zot, Zot" do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.

22 Shumë do të më thonë atë ditë: "O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?".

23 Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: "Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi".

24 Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb.

25 Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb.

26 Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë.

27 Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh.”

28 Tani kur Jezusi i mbaroi këto fjalë, turmat mbetën të habitura nga doktrina e tij,

29 sepse ai i mësonte, si një që ka autoritet dhe jo si skribët.

Tani kur Jezusi zbriti nga mali, turma të mëdha e ndiqnin.

Dhe ja, një lebroz erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: “O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh.”

Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Po, unë dua, shërohu.” Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij.

Atëherë Jezusi i tha: “Ruhu se ia tregon kujt; por shko, paraqitu te prifti, bëj flijimin që ka urdhëruar Moisiu, me qëllim që kjo të jetë dëshmi për ta.”

Kur Jezusi hyri në Kapernaum i erdhi një centurion duke iu lutur,

dhe duke thënë: “O Zot, shërbëtori im rri shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë.”

Dhe Jezusi i tha: “Do të vij dhe do ta shëroj.”

Centurioni duke u përgjigjur i tha: “Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.

Sepse unë jam një njeri nën urdhërin e të tjerëve, dhe i kam ushtarët nën vete; dhe, po t’i them dikujt: "Shko," ai shkon; dhe po t’i them një tjetri: Eja,," ai vjen; dhe po t’i them shërbëtorit tim: "Bëje këtë," ai e bën.”

10 Dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: “Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh.

11 Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isaakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve,

12 por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi dhëmbëve.”

13 Dhe Jezusi i tha centurionit: “Shko dhe u bëftë ashtu si besove!.” Dhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.

14 Pastaj Jezusi hyri në shtëpinë e Pjetrit dhe pa që e vjehrra ishte në shtrat me ethe.

15 Dhe ai ia preku dorën dhe ethet e lanë; dhe ajo u ngrit dhe nisi t’u shërbejë.

16 Dhe kur u ngrys, i sollën shumë të pushtuar nga demonë; dhe ai, me fjalë, i dëboi frymërat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët,

17 që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: “Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona.”

18 Tani Jezusi, duke parë rreth tij turma të mëdha, urdhëroi që të kalonin në bregun tjetër.

19 Atëherë një skrib iu afrua dhe i tha: “Mësues, unë do të ndjek kudo që të shkosh.”

20 Dhe Jezusi i tha: “Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën.”

21 Pastaj një tjetër nga dishepujt e tij i tha: “O Zot, më jep më parë leje të shkoj të varros atin tim.”

22 Por Jezusi i tha: Më ndiq, dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e vet.”

23 Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.

24 Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte.

25 Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: “O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!”

26 Por ai u tha atyre: “Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?.” Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.

27 Atëherë njërëzit u mrekulluan dhe thoshnin: “Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?.”

28 Dhe kur arriti në bregun tjetër, në krahinën e Gergesenasve, i dolën para dy të demonizuar, që kishin dalë nga varret, dhe ishin aq të tërbuar sa që askush nuk mund të kalonte në atë udhë.

29 Dhe ja, ata filluan të bërtasin duke thënë: “Ç’është mes nesh dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë? Mos ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?.”

30 Jo larg tyre një tufë e madhe derrash po kulloste.

31 Dhe demonët iu lutën duke i thënë: “Në qoftë se na dëbon, na lejo të shkojmë në atë tufë derrash.”

32 Dhe ai u tha atyre: “Shkoni!.” Kështu ata, pasi dolën, hynë në atë tufë derrash; dhe ja, gjithë ajo tufë u hodh nga gremina në det, dhe u mbyt në ujë.

33 Dhe ata që i kullotnin ikën dhe, kur shkuan në qytet, i treguan të gjitha këto gjëra, duke përfshirë ngjarjen e të demonizuarve.

34 Dhe ja, gjithë qyteti i doli para Jezusit; dhe, kur e panë, iu lutën që të largohej prej vendit të tyre.