Add parallel Print Page Options

27 Kur erdhi mëngjesi, të gjithë krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit bënin këshill kundër Jezusit për ta vrarë.

Dhe, mbasi e lidhën, e çuan dhe e dorëzuan në duart e Ponc Pilatit, guvernatorit.

Atëherë Juda, që e kishte tradhtuar, kur pa se e dënuan Jezusin, u pendua dhe ua ktheu krerëve të priftërinjve dhe pleqve të tridhjetë siklat prej argjendi,

duke thënë: “Mëkatova duke tradhtuar gjakun e pafaj.” Por ata thanë: “Po ne ç’na duhet? Punë për ty!.”

Dhe ai, mbasi i hodhi siklat prej argjendi në tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar.

Por krerët e priftërinjve i mblodhën këta denarë dhe thanë: “Nuk është e ligjshme t’i vëmë në thesarin e tempullit, sepse është çmim gjaku.”

Dhe, mbasi bënin këshill, me këtë denar blenë arën e poçarit për varreza të të huajve.

Prandaj këtë arë e quajtën deri ditën e sotme: "Ara e gjakut".

Atëherë u përmbush ç’ishte thënë nga profeti Jeremia që thotë: “Dhe i morën të tridhjetë monedhat prej argjendi, çmimin e atij që e çmuan, siç kishin çmuar bijtë e Izraelit;

10 dhe i shpenzuan për arën e poçarit, ashtu si më urdhëroi Zoti.”

11 Dhe Jezusi qëndroi para guvernatorit; dhe qeveritari e pyeti duke thënë: “A je ti mbreti i Judenjve?.” Dhe Jezusi i tha: “Ti po thua!.”

12 Pastaj krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzuan, por ai nuk u përgjigjej fare.

13 Atëherë Pilati i tha: “A nuk po dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?.”

14 Por ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që guvernatori u çudit shumë.

15 Tani me rastin e festave guvernatori e kishte zakon t’i lironte popullit një të burgosur, atë që populli kërkonte.

16 Kishin në ato kohë një të burgosur me nam, me emër Baraba.

17 Kur u mblodhën njerëzit, Pilati i pyeti ata: “Kë doni t’ju liroj, Barabën apo Jezusin, që quhet Krisht?.”

18 Sepse ai e dinte mirë se atë ia kishin dorëzuar nga smira.

19 Dhe ndërsa ai po rrinte në gjykatë, gruaja e tij i çoi fjalë: “Mos u përziej aspak me çështjen e atij të drejti, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij.”

20 Por krerët e priftërinjve dhe pleqtë ia mbushën mendjan turmës që të kërkonte Barabën, dhe Jezusi të vritej.

21 Dhe guvernatori duke vazhduar u tha atyre: “Cilin nga të dy doni që t’ju liroj?.” Ata thanë: “Barabën!.”

22 Pilati u tha atyre: “Ç’të bëj, pra, me Jezusin, që quhet Krisht?.” Të gjithë i thanë: “Të kryqëzohet!.”

23 Por guvernatori tha: “Po ç’të keqe ka bërë?.” Mirëpo ata po bërtisnin edhe më fort: “Të kryqëzohet!.”

24 Atëherë Pilati, duke parë se nuk po arrinte gjë, madje se trazimi po shtohej gjithnjë e më shumë, mori ujë dhe i lau duart para turmës, duke thënë: “Unë jam i pafaj për gjakun e këtij të drejti; mendojeni ju.”

25 Dhe gjithë populli duke u përgjigjur tha: “Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!.”

26 Atëherë ai ua liroi atyre Barabën; dhe mbasi e fshikulloi Jezusin, ua dorëzoi, që të kryqëzohet.

27 Atëherë ushtarët e guvernatorit, mbasi e çuan Jezusin në pretoriumin e guvernatorit, mblodhën rreth tij gjithë kohortën.

28 Dhe, pasi e zhveshën, i hodhën mbi trup një mantel të kuq.

29 Dhe i thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e përqeshnin duke thënë: “Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!.”

30 Pastaj e pështynë, ia morën kallamin dhe me të i binin në kokë.

31 Dhe, mbasi e përqeshën, ia hoqën mantelin dhe e veshën me rrobat e tij; dhe e çuan për ta kryqëzuar.

32 Dhe duke dalë, takuan një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan ta mbartë kryqin e Jezusit.

33 Dhe, kur arritën në vendin që quhej Golgota, domethënë "Vendi i kafkës,"

34 i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, mbasi e provoi, nuk deshi ta pinte.

35 Mbasi e kryqëzuan, i ndanë me short rrobat e tij, që të përmbushej ç’ishte thënë nga profeti: “I ndanë ndërmjet tyre rrobat e mia dhe hodhën short mbi tunikën time.”

36 Pastaj u ulën dhe e ruanin.

37 Përmbi krye të tij, i vunë gjithashtu motivacionin e shkruar të dënimit të tij: “KY ÉSHTÉ JEZUSI, MBRETI I JUDENJVE.”

38 Atëhere u kryqëzuan bashkë me të dy cuba, njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën.

39 Dhe ata që kalonin andej e fyenin duke tundur kokën,

40 dhe duke thënë: “Ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëto vetveten; në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!.”

41 Po ashtu, edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe me pleqtë, duke e tallur, i thonin:

42 “Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të;

43 ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë".”

44 Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin kryqëzuar me të.

45 Që nga ora gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi gjithë vendin.

46 Rreth orës nëntë, Jezusi briti me zë të lartë duke thënë: “Eli, Eli, lama sabaktani?.” Domethënë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?.”

47 Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thanë: “Ky po thërret Elian.”

48 Dhe në atë çast një nga ata vrapoi, mori një sfungjer, e zhyti në uthull dhe, mbasi e vuri në majë të një kallami, ia dha për ta pirë.

49 Por të tjerët thonin: “Lëre, të shohim në se do të vijë Elia për ta shpëtuar.”

50 Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë.

51 Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund; toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë;

52 varret u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve që flinin u ringjallën;

53 dhe, të dalë nga varret mbas ringjalljes së Jezusit, hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumëkujt.

54 Tani centurioni dhe ata që bashkë me të ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, u trembën shumë dhe thanë: “Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!.”

55 Ishin aty edhe shumë gra që vërenin nga larg; ato e kishin ndjekur Jezusin që nga Galilea për t’i shërbyer;

56 midis tyre ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe e Ioseut; dhe nëna e bijve të Zebedeut.

57 Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea, me emër Jozef, i cili ishte edhe vet dishepull i Jezusit.

58 Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezusit. Atëherë Pilati dha urdhër që t’ia dorëzonin trupin.

59 Dhe Jozefi, mbasi e mori trupin, e mbështolli me një pëlhurë të pastër,

60 dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që ai kishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur të madh në hyrje të varrit dhe u largua.

61 Dhe Maria Magdalena dhe Maria tjetër rrinin aty, ulur përballë varrit.

62 Dhe të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati,

63 duke thënë: “Zot, na ra në mend se ai mashtruesi, sa ishte gjallë, tha: "Pas tri ditësh unë do të ringjallem".

64 Prandaj urdhëro që varri të ruhet mirë deri në ditën e tretë, se mos vijnë dishepujt e tij natën e ta vjedhin trupin dhe pastaj t’i thonë popullit: "U ringjall së vdekuri"; kështu mashtrimi i fundit do të ishte më i keq se i pari.”

65 Por Pilati u tha atyre: “Rojen e keni; shkoni dhe e siguroni varrin, si t’ju duket më mirë.”

66 Dhe ata, pra, shkuan dhe e siguruan varrin dhe, përveç rojës, vulosën gurin.

15 Dhe herët në mëngjes krerët e priftërinjve me pleqtë, skribët dhe gjithë sinedrit bënin këshill, e lidhën Jezusin e çuan jashtë e ia dorëzuan Pilatit.

Dhe Pilati e pyeti: “A je ti mbreti i Judenjve?.” Dhe ai, duke u përgjigjur, i tha: “Ti e thua!.”

Dhe krerët e priftërinjve e akuzonin për shumë gjëra; por ai nuk përgjigjej aspak.

Pilati e pyeti përsëri, duke thënë: “Nuk po përgjigjesh fare? Shih për sa gjëra të akuzojnë!.”

Por Jezusi nuk u përgjigj më asgjë, aq sa Pilati mbeti i çuditur.

Dhe në çdo festë ishte zakon t’u lëshohej atyre një i burgosur, këdo që ata do kërkonin.

Por ishte në burg një njeri që quhej Baraba, bashkë me shokë të tjerë rebelë, të cilët kishin bërë një vrasje gjatë një kryengritjeje.

Dhe turma, duke bërtitur, filloi të kërkojë që të bënte ashtu siç kishte vepruar gjithnjë për ta.

Atëherë Pilati iu përgjigj atyre duke thënë: “A doni t’ju liroj mbretin e Judenjve?.”

10 Sepse e dinte që krerët e priftërinjve ia kishin dorëzuar nga smira.

11 Por krerët e priftërinjve e nxitën turmën që të kërkojë që t’u lironte atyre Barabanë.

12 Dhe Pilati e mori përsëri fjalën dhe u tha atyre: “Çfarë doni, pra, të bëj me atë që ju e quani mbret të Judenjve?.”

13 Dhe ata bërtitën përsëri: “Kryqëzoje!.”

14 Dhe Pilati u tha atyre: “Po ç’të keqe ka bërë?.” Atëherë ata bërtitën edhe më fort: “Kryqëzoje!.”

15 Prandaj Pilati, duke dashur ta kënaqë turmën, ua lëshoi Barabanë. Dhe, mbasi e fshikulluan Jezusin, ua dorëzoi atyre që të kryqëzohej.

16 Atëherë ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm domëthënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën.

17 E veshën në purpur dhe, si thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye.

18 Pastaj nisën ta përshëndesin duke i thënë: “Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!.”

19 Dhe e goditnin në krye me një kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e adhuronin.

20 Pasi e tallën, ia hoqen purpurën, e veshën me rrobat e tij dhe e nxorën jashtë për ta kryqëzuar.

21 Ata e detyruan një kalimtar, një farë Simoni nga Kirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandrit dhe i Rufit, që ta mbante kryqin e tij.

22 Pastaj e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: Vendi i Kafkëss".

23 I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.

24 Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t’i binte secilit.

25 Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan.

26 Dhe mbishkrimi që tregonte shkakun e dënimit, i cili ishte vënë përmbi të, thoshte: "Mbreti i Judenjve".

27 Bashkë me të kryqëzuan edhe dy vjedhës, njërin në të djathtën e tij dhe tjetrin në të majtën e tij.

28 Kështu u përmbush Shkrimi që thotë: “Ai u përfshi ndër keqbërësit.”

29 Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: “Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë,

30 shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!.”

31 Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshnin njeri tjetrit: “Të tjerët i shpëtoi, por veten s’mund ta shpëtojë.

32 Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë.” Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë.

33 Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë.

34 Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: “Eloi, Eloi; lama sabaktani?,” që e përkthyer do të thotë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?.”

35 Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshnin: “Ja, ai po thërret Elian!.”

36 Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: “Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë.”

37 Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën.

38 Atëherë veli i tempullit u ça më dysh nga maja deri në fund.

39 Dhe centurioni që qëndronte përballë Jezusit, kur pa se, pasi Jezusi bërtiti ashtu, kishte dhënë shpirt, tha: “Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!.”

40 Aty ishin gjithashtu edhe gra që shikonin nga larg; midis tyre ishin Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit të vogël të Joses dhe Salomeja,

41 të cilat e kishin ndjekur dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile; dhe kishte edhe shumë të tjera që ishin ngjitur bashkë me të në Jeruzalem.

42 Pastaj, u afrua tashmë mbrëmja, sepse ishte Përgatitja, domethënë vigjilja e së shtunës,

43 Jozefi nga Arimatea, një këshilltar i respektuar, i cili priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë, me guxim hyri te Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit.

44 Dhe Pilati u çudit që tashmë kishte vdekur. Dhe thirri centurionin dhe e pyeti nëse kishte vdekur prej shumë kohe.

45 Dhe si u sigurua nga centurioni, ia la trupin Jozefit.

46 Ky, mbasi bleu një çarçaf, e zbriti Jezusin nga kryqi, e mbështolli në çarçaf dhe e vuri në një varr që ishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur para hyrjes së varrit.

47 Dhe Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Joses, vërenin ku e vunë.