Add parallel Print Page Options

23 Atëherë Jezusi u foli turmave dhe dishepujve të vet,

duke thënë: “Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut.

Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t’ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë.

Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe ua vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan të luajnë vetë as me gisht.

Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t’u dukur nga njerëzit; i zgjërojnë filateritë e tyre dhe i zgjatin thekët e rrobave të tyre.

Duan kryet e vendit në gostira dhe vendet e para në sinagoga,

si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabbi, rabbi nga njerëzit.

Por ju mos lejoni që t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm një është mësuesi juaj: Krishti, dhe ju të gjithë jeni vëllezër.

Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej.

10 As mos lejoni që t’ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti.

11 Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj.

12 Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet.

13 Por mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; sepse as ju nuk hyni, as nuk i lini të hyjnë ata që janë për të hyrë.

14 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata; për këtë arsye ju do të pësoni një dënim më të rreptë.

15 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë prozelitë, dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenas dhe dy herë më të keq se ju!

16 Mjerë ju, udhëheqës të verbër, që thoni: "Në qoftë se dikush betohet për tempullin, kjo s’është gjë; por në qoftë se betohet për arin e tempullit, është i detyruar".

17 Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh: ari apo tempulli që e shenjtëron arin?

18 Dhe në qoftë se dikush betohet për altarin, s’është gjë; por ne qoftë se betohet për ofertën që është mbi të, është i detyruar".

19 Të marrë dhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, oferta apo altari që e shenjtëron ofertën?

20 Ai, pra, që betohet për altarin, betohet për të dhe për çdo gjë që është përmbi të!

21 Ai që betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon atje.

22 Dhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që është ulur mbi të.

23 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t’i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat.

24 Udhëheqës të verbër, që sitni mushkonjën dhe kapërdini devenë!

25 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse pastroni anën e jashtme të kupës dhe të pjatës, ndërsa përbrenda janë plot me grabitje dhe teprime.

26 Farise i verbër! Pastro më parë përbrenda kupën dhe pjatën, që edhe përjashta të jetë e pastër.

27 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhuara (me gëlqere), që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish.

28 Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi.

29 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ndërtoni varrezat e profetëve dhe zbukuroni monumentet e të drejtëve,

30 dhe thoni: "Po të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve".

31 Duke folur kështu, ju dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bijtë e atyre që vranë profetët.

32 Ju e kaloni masën e etërve tuaj!

33 O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t’i shpëtoni gjykimit të Gehenas?

34 Prandaj, ja unë po ju dërgoj profetë, dijetarë dhe skribë; ju disa prej tyre do t’i vritni dhe do t’i kryqëzoni, disa të tjerë do t’i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t’i persekutoni nga një qytet në tjetrin,

35 që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i drejtë i derdhur mbi dhe, nga gjaku i të drejtit Abel, deri te gjaku i Zaharias, birit të Barakias, që ju e vratë ndërmjet tempullit dhe altarit.

36 Në të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brez.

37 Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!

38 Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.

39 Sepse unë po ju them, se tash e tutje nuk do të më shihni më deri sa të thoni: "I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!".”

20 Dhe në një nga ato ditë ndodhi që, ndërsa ai po mësonte popullin në tempull dhe predikonte ungjillin, erdhën krerët e priftërinjve dhe skribët bashkë me pleqtë,

dhe i thanë: “Na trego me ç’autoritet i bën këto gjëra; ose kush është ai që ta dha ty këtë pushtet?.”

Dhe ai duke u përgjigjur, u tha atyre: “Edhe unë do t’ju pyes një gjë dhe ju m’u përgjigjni:

Pagëzimi i Gjonit vinte nga qielli apo nga njerëzit?.”

Dhe ata arsyetonin në mes tyre duke thënë: “Po të themi prej qiellit, ai do të na thotë: "Atëherë përse nuk i besuat?".

Kurse po t’i themi prej njerëzve, gjithë populli do të na vrasë me gurë, sepse ai është i bindur se Gjoni ishte një profet.”

Prandaj u përgjigjen se nuk dinin nga vinte.

Atëherë Jezusi u tha atyre: “As unë nuk po ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra.”

Pastaj filloi t’i tregojë popullit këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri mbolli një vresht, ua besoi disa vreshtarëve dhe iku larg për një kohë të gjatë.

10 Në kohën e të vjelave, dërgoi një shërbëtor tek ata vreshtarë që t’i jepnin pjesën e vet nga prodhimi i vreshtit; por vreshtarët e rrahën atë dhe e kthyen duarbosh.

11 Ai dërgoi përsëri një shërbëtor tjetër; por ata, pasi e rrahën dhe e shanë edhe atë, e kthyen duarbosh.

12 Ai dërgoi edhe një të tretë, por ata e plagosën edhe atë dhe e përzunë.

13 Atëherë i zoti i vreshtit tha: "Çfarë duhet të bëj? Do të dërgoj djalin tim të dashur. Ndoshta, duke e parë atë, do ta respektojnë!".

14 Por vreshtarët, kur e panë, thanë midis tyre: "Ky është trashëgimtari; ejani e ta vrasim që trashëgimia të na mbetet neve".

15 Kështu e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. Ç’do t’u bëjë, pra, këtyre, i zoti i vreshtit?

16 Ai do të vijë, do t’i vrasë ata vreshtarë dhe do t’ua japë vreshtin të tjerëve.” Por ata, kur e dëgjuan këtë, thanë: “Kështu mos qoftë.”

17 Atëherë Jezusi, duke i shikuar në fytyrë, tha: “Ç’është, pra, ajo që është shkruar: "Guri që ndërtuesit e kanë hedhur poshtë u bë guri i qoshes"?

18 Kushdo që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë, dhe ai mbi të cilin do të bjerë guri, do të dërrmohet.”

19 Në këtë moment, krerët e priftërinjve dhe skribët kërkuan të vënë dorë në të, sepse e morën vesh se ai e kishte treguar atë shëmbëlltyrë për ata, por kishin frikë nga populli.

20 Ata e përgjonin me kujdes dhe i dërguan disa spiunë të cilët, duke u paraqitur si njerëz të drejtë, ta zinin në gabim në ndonjë ligjëratë dhe pastaj t’ia dorëzonin pushtetit dhe autoritetit të guvernatorit.

21 Këta e pyetën duke thënë: “Mësues ne e dimë se ti flet dhe mëson drejt dhe që nuk je aspak i anshëm, por mëson rrugën e Perëndisë në të vërtetë.

22 A është e lejueshme për ne t’i paguajmë taksë Cezarit apo jo?.”

23 Por ai, duke e kuptuar ligësinë e tyre, u tha atyre: “Përse më provokoni?

24 Më tregoni një denar: e kujt është fytyra dhe mbishkrimi që ka?.” Dhe ata, duke përgjigjur, thanë: “E Cezarit.”

25 Atëherë ai u tha atyre: “I jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë.”

26 Dhe nuk mundën ta zënë në gabim në ligjëratën e tij përpara popullit dhe, të habitur nga përgjigjja e tij, heshtën.

27 Pastaj iu afruan disa saducej, të cilët mohojnë se ka ringjallje, dhe e pyetën,

28 duke thënë: “Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vëllai i dikujt vdes kishte grua dhe vdiq pa lënë fëmijë, i vëllai ta marrë gruan e tij dhe t’i ngjallë pasardhës vëllait të vet.

29 Tashti, ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë.

30 I dyti e mori për grua dhe vdiq edhe ai pa lënë fëmijë.

31 E mori pastaj i treti; dhe kështu që të shtatë vdiqën pa lënë fëmijë.

32 Dhe pas tyre vdiq edhe gruaja.

33 Atëherë, në ringjallje, e kujt do të jetë grua? Sepse që të shtatë e patën grua.”

34 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha atyre: “Bijtë e kësaj bote martohen dhe martojnë;

35 por ata që do të gjenden të denjë të kenë pjesë në botën tjetër dhe në ringjalljen e të vdekurve, nuk martohen dhe nuk martojnë;

36 ata as nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëjt dhe janë bij të Perëndisë, duke qenë bij të ringjalljes.

37 Dhe se të vdekurit do të ringjallen, e ka deklaruar vetë Moisiu në pjesën e ferrishtes, kur e quan Zot, Perëndinë e Abrahamit, Perëndinë e Isakut dhe Perëndinë e Jakobit.

38 Ai nuk është perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për të.”

39 Atëherë disa skribë morën fjalën dhe thanë: “Mësues, mirë fole.”

40 Dhe nuk guxuan më t’i bëjnë asnjë pyetje.

41 Dhe ai i tha atyre: “Vallë, si thonë se Krishti është Bir i Davidit?

42 Vetë Davidi, në librin e Psalmeve, thotë: "Zoti i tha Zotit tim: Ulu në të djathtën time,

43 derisa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua".

44 Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë bir i tij?.”

45 Dhe, ndërsa gjithë populli po e dëgjonte, ai u tha dishepujve të vet:

46 “Ruhuni nga skribët, të cilët shëtisin me kënaqësi me rroba të gjata, duan t’i përshëndesin nëpër sheshe, të jenë në vendet e para në sinagoga dhe në kryet e vendit nëpër gosti;

47 ata gllabërojnë shtëpitë e te vejave dhe, për t’u dukur, bëjnë lutje të gjata. Ata do të marrin një dënim më të rëndë.”

21 Pastaj Jezusi i çoi sytë dhe pa pasanikët që qitnin dhuratat e tyre në arkën e thesarit,

dhe pa edhe një të ve të varfër që qiti dy pare të vogla

dhe tha: “Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët.

Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar.”

Pastaj, kur disa po flisnin për tempullin dhe vinin në pah se ishte i stolisur me gurë të bukur dhe me oferta, ai tha:

“Nga të gjitha këto gjëra që ju admironi, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar.”

Atëherë ata e pyetën duke thënë: “Mësues, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja se këto janë duke u kryer?.”

Dhe ai tha: “Ruhuni se mos ju mashtrojnë, sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim duke thënë: "Unë jam," dhe: "Erdhi koha". Mos shkoni, pra, pas tyre.

Dhe kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për trazira, mos u trembni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin më parë, por mbarimi nuk do të vijë menjëherë.”

10 Atëherë u tha atyre: “Do të ngrihet kombi kundër kombit; dhe mbretëria kundër mbretërisë;

11 do të ngjajnë tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme; do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

12 Por, para të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t’ju përndjekin dhe do t’ju dorëzojnë në sinagoga e do t’ju futin në burg; dhe do t’ju nxjerrin përpara mbretërve dhe guvernatorëve për shkak të emrit tim,

13 por kjo do t’ju japë rastin që të dëshmoni.

14 Ta vini, pra, në zemrën tuaj që të mos mendoni më parë se si do përgjigjeni për t’u mbrojtur,

15 sepse unë do t’ju jap një gojë e një dituri të tillë të cilën të gjithë kundërshtarët tuaj nuk do të jenë në gjendje ta kundërshtojnë ose t’i rezistojnë.

16 Dhe ju madje do t’ju tradhtojnë edhe prindërit, dhe vëllezërit, dhe farefisi dhe miqtë; dhe disa prej jush do t’i vrasin.

17 Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.

18 Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t’ju humbasë.

19 Me durimin tuaj ju do t’i fitoni shpirtrat tuaj.”

20 “Dhe kur do të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i saj është afër.

21 Atëherë ata që janë në Jude, të ikin në male; dhe ata që janë në qytet të largohen; dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të.

22 Sepse ato janë ditë të hakmarrjes, që të përmbushen të gjitha ato gjëra që janë shkruar.

23 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëndin në ato ditë, sepse do të ketë mjerim të madh në vend dhe mëri mbi këtë popull.

24 Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t’i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jeruzalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve.”

25 “Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi tokë ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij;

26 njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfare do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden.

27 Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi një re, me fuqi dhe lavdi të madhe.

28 Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër.”

29 Pastaj u tha atyre një shëmbëlltyrë: “Vini re fikun dhe të gjitha pemët.

30 Kur ata nisin e mugullojnë, duke i parë, ju vete e kuptoni se vera është afër;

31 kështu edhe ju, kur do të shikoni se po ndodhin këto, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër.

32 Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të kalojë ky brez, derisa të gjitha këto gjëra të kenë ndodhur.

33 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.”

34 “Tani kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi.

35 Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut.

36 Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut.”

37 Gjatë ditës ai mësonte në tempull, dhe natën dilte dhe e kalonte jashtë, në malin e Ullinjve.

38 Dhe gjithë populli, herët në mëngjes, erdhi tek ai në tempull për ta dëgjuar.