A A A A A
Bible Book List

Mateu 20-21 Albanian Bible (ALB)

20 “Mbretëria e qiejve i ngjan, pra, një zot shtëpie, që doli herët në mëngjes për të pajtuar me mëditje punëtorë për vreshtin e vet.

Mbasi ra në ujdi me punëtorët për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet.

Pastaj doli rreth orës së tretë dhe pa të tjerë që rrinin në shesh, të papunë.

Dhe u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe unë do t’ju jap sa është e drejtë". Dhe ata shkuan.

Doli përsëri rreth orës së gjashtë dhe orës së nëntë dhe bëri po ashtu.

Kur doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti disa të tjerë, të papunë, dhe u tha: "Përse rrini gjithë ditën këtu pa bërë asgjë?".

Ata i thanë: "Sepse askush nuk na ka marrë me mëditje". Ai u tha atyre: Shkoni edhe ju në vresht dhe do të merrni aq sa është e drejtëë".

Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: "Thirri punëtorët dhe jepu mëditjen e tyre, duke filluar nga ata të fundit e deri te të parët".

Dhe kur erdhën ata të orës njëmbëdhjetë, morën nga një denar secili.

10 Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë, por edhe ata morën nga një denar secili.

11 Duke e marrë, murmurisnin kundër zotit të shtëpisë,

12 duke thënë: "Këta të fundit punuan vetëm një orë, dhe ti i trajtove si ne që hoqëm barrën dhe vapën e ditës".

13 Por ai duke u përgjigjur i tha njerit prej tyre: "Mik, unë nuk po të ha hakun; a nuk re në ujdi me mua për një denar?

14 Merr atë që të takon ty dhe shko; por unë dua t’i jap këtij të fundit aq sa ty.

15 A nuk më lejohet të bëj me timen ç’të dua? Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?".

16 Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit, sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.”

17 Pastaj, kur Jezusi po ngjitej në Jeruzalem, i mori mënjanë të dymbëdhjetë dishepujt gjatë rrugës dhe u tha atyre:

18 “Ja, ne ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve, dhe ata do ta dënojnë me vdekje.

19 Do t’ua dorëzojnë pastaj në duart e paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë; por ai ditën e tretë do të ringjallet.”

20 Atëherë nëna e bijve të Zebedeut iu afrua bashkë me bijtë e vet, ra përmbys para tij dhe i kërkoi diçka.

21 Dhe ai i tha: “Çfarë do?.” Ajo u përgjigj: “Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde.”

22 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur tha: “Ju nuk dini çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem? Ata i thanë: “Po, mundemi.”

23 Atëherë ai u tha atyre: “Ju me të vërtetë do ta pini kupën time dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem; por nuk është në dorën time që të uleni në të djathtën time ose në të majtën time, por u është rezervuar atyre, të cilëve u është përgatitur nga Ati im.”

24 Kur i dëgjuan këto fjalë, të dhjetët të tjerët u indinjuan kundër të dy vëllezërve.

25 Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: “Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato,

26 por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj;

27 dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.

28 Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.

29 Kur po dilnin nga Jeriko, një turmë e madhe e ndoqi.

30 Dhe ja, dy të verbër që uleshin gjatë rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezusi, filluan të bërtasin duke thënë: “Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit.”

31 Por turma i qortoi që të heshtnin; por ata bërtisnin edhe më fort duke thënë: “Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit!.”

32 Atëherë Jezusi ndaloi, i thirri dhe tha: “Çfarë doni të bëj për ju?.”

33 Ata i thanë: “Zot, të na hapen sytë!.”

34 Dhe Jezusi pati mëshirë për ta dhe ua preku sytë e tyre; dhe në atë çast u erdhi drita e syve dhe ata e ndiqnin.

21 Kur iu afruan Jeruzalemit dhe arritën në Betfage, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy dishepuj,

duke u thënë atyre: “Shkoni në fshatin që ndodhet përballë jush; aty do të gjeni menjëherë një gomare të lidhur dhe një pulishtë me të; zgjidhini dhe m’i sillni!

Dhe nëse dikush ju thotë gjë, i thoni se Zoti ka nevojë për to, por do t’i kthejë shpejt.”

Tani kjo ndodhi për të përmbushur ç’ishtë thënë nga profeti, që thotë:

“I thoni bijës së Sionit: Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë, hipur mbi një gomare, madje një pulishtë, pjellë e një kafshe barrë.”

Dishepujt shkuan dhe vepruan ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi.

Sollën gomaren dhe pulishtin, shtruan mbi to mantelet e tyre, dhe ai u hipi.

Dhe një turmë shumë e madhe shtronte mantelet e veta gjatë rrugës, ndërsa të tjerë thyenin degë nga pemët dhe i shtronin mbi rrugë.

Turmat që vinin përpara dhe ato që e ndiqnin brohoritnin, duke thënë: “Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!.”

10 Dhe kur hyri Jezusi në Jeruzalem, gjithë qyteti u ngrit në këmbë dhe tha: “Kush është ky?.”

11 Dhe turmat thonin: “Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë.

12 Pastaj Jezusi hyri në tempullin e Perëndisë, i dëboi të gjithë ata që shisnin dhe blinin në tempull dhe përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave.

13 Dhe u tha atyre: “Éshtë shkruar: "Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje," por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh.”

14 Atëherë iu paraqitën të verbër dhe të çalë, dhe ai i shëroi.

15 Por krerët e priftërinjve dhe skribët, kur panë mrekullitë që ai kishte bërë dhe fëmijët që brohoritnin në tempull duke thënë: “Hosana Birit të Davidit!,” u zemëruan,

16 dhe i thanë: “A po dëgjon ti çfarë thonë këta?.” Jezusi u tha atyre: “Po! A nuk keni lexuar kurrë: "Nga goja e të vegjëlve dhe të foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi"?.”

17 Dhe, mbasi i la ata, doli nga qyteti për në Betani, dhe atje kaloi natën.

18 Në mëngjes, kur po kthehej në qytet e mori uria.

19 Dhe gjatë rrugës pa një fik dhe iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve; dhe i tha: “Mos u lidhtë më kurrë fryt prej teje përjetë!.” Dhe fiku u tha menjëherë.

20 Kur e panë këtë, dishepujt u çuditën dhe thanë: “Qysh u tha fiku në çast?.”

21 Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: “Në të vërtetë ju them që, po të keni besim dhe të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që unë i bëra fikut, por, edhe sikur t’i thoni këtij mali: "Hiqu andej dhe hidhu në det," kjo do të ndodhë.

22 Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni.”

23 Kur hyri në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit iu afruan, ndërsa i mësonte, dhe i thanë: “Me ç’pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?.”

24 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Edhe unë do t’ju bëj një pyetje, dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë gjithashtu do t’ju them me ç’pushtet i kryej këto gjëra.

25 Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?.” Dhe ata arsyetonin midis tyre duke thënë: “Po t’i themi nga qielli, do të na thotë: Përse atëhërë nuk i besuat??".

26 Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma, sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet.”

27 Dhe iu përgjigjën Jezusit duke thënë: “Nuk e dimë.” Atëhërë ai u tha atyre: “As unë nuk do t’ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra".

28 “Ç’mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: Bir, shko sot të punosh në vreshtin timm";

29 por ai u përgjigj dhe tha: "Nuk dua"; por më vonë, i penduar, shkoi.

30 Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: "Po, imzot, do ta bëj," por nuk shkoi.

31 Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?.” Ata i thanë: “I pari.” Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve.

32 Sepse Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, dhe iu nuk i besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t’i besuar.”

33 “Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: Ishte një pronar shtëpie, i cili mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend ku të shtrydhte rrushin, ndërtoi një kullë dhe, mbasi ua besoi disa vreshtarëve, u nis në një vend të huaj.

34 Dhe kur erdhi koha e të vjelave, ai dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët, për të marrë frutat e tij,

35 por vreshtarët i kapën shërbëtorët e tij, njërin e rrahën, një tjetër e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë.

36 Përsëri, ai dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, dhe këta vreshtarët i trajtuan në të njëjtën mënyrë.

37 Më në fund ai i dërgoi atyre birin e vet duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt!".

38 Por vreshtarët, kur e panë të birin, i thanë njeri tjetrit: "Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe marrim si pronë trashëgiminë e tij".

39 Dhe e kapën, e nxorën jashtë nga vreshti dhe e vranë.

40 Tani, kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?.”

41 Ata i thanë: “Ai do t’i vrasë keqas ata faqezinj dhe do t’ua besojë vreshtin vreshtarëve të tjerë, të cilët do t’i japin prodhimet në kohën e vet.”

42 Jezusi u tha atyre: “A nuk keni lexuar kurrë në Shkrimet: "Guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm, u bë guri i qoshes. Kjo është vepër e Zotit, dhe është e mrekullueshme në sytë tonë"?

43 Prandaj unë po ju them se juve do t’ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t’i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt.

44 Dhe ai që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copëcopë; dhe ai mbi të cilin do të bjerë ai do të jetë i thërrmuar.”

45 Dhe krerët e priftërinjve dhe farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e kuptuan se po fliste për ta.

46 Dhe kërkonin ta kapnin, por kishin frikë nga turmat, sepse ato e konsideronin profet.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes