Add parallel Print Page Options

22 Atëherë i paraqitën një të idemonizuar, që ishte i verbër dhe memec; dhe ai e shëroi, kështu që i verbëri e memeci fliste dhe shikonte.

23 Dhe mbarë turmat çuditeshin dhe thonin: “A mos është ky i Biri i Davidit?.”

24 Por farisenjtë, kur e dëgjuan këtë, thanë: “Ky i dëbon demonët vetëm me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve.”

25 Dhe Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, u tha: “Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit; dhe çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë.

26 Atëherë, në qoftë se Satani dëbon Satanë, ai është përçarë në vetvete, dhe si mund të qëndrojë mbretëria e tij?

27 Dhe në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebubit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.

28 Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.

29 Ose, si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fuqishmit dhe t’i grabisë pasurinë, po të mos e ketë lidhur më parë të fuqishmin? Vetëm atëherë ai do të mund t’ia plaçkisë shtëpinë.

30 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.

31 Prandaj unë po ju them: Çdo mëkat dhe blasfemi do t’u falet njerëzve; por blasfemia kundër Frymës nuk do t’u falet atyre.

32 Dhe kushdo që flet kundër Birit të njeriut do të falet; por ai që flet kundër Frymës së Shenjtë nuk do të falet as në këtë botë as në atë të ardhme.”

33 “Ose bëjeni të mirë pemën dhe fryti i saj do të jetë i mirë, ose bëjeni të keqe pemën dhe fryti i saj do të jetë i keq; sepse pema njihet nga fryti.

34 O pjellë nepërkash! Si mund të flisni mirë, kur jeni të këqij? Sepse ç’ka zemra qet goja.

35 Njeriu i mirë nga thesari i mirë i zemrës nxjerr gjëra të mira; por njeriu i keq nxjerr gjëra të këqija nga thesari i tij i keq.

36 Por unë po ju them se ditën e gjyqit njërëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë.

37 Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh, dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh.”

38 Atëherë disa skribë dhe farisenj e pyetën duke thënë: “Mësues, ne duam të shohim ndonjë shenjë prej teje.”

39 Por ai duke iu përgjigjur u tha atyre: “Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t’i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.

40 Në fakt ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës.

41 Banorët e Ninivit do të ringjallen në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan me predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është një më i madh se Jona.

42 Mbretëresha e jugut do të ringjallet në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji më i largët i tokës për të dëgjuar diturinë e Salomonit; dhe ja, këtu është një më i madh se Salomoni.

43 Tani kur fryma e ndyrë ka dalë nga një njeri, endet nëpër vende të thata, duke kërkuar qetësi, por nuk e gjen.

44 Atëherë thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time, nga kam dalë"; po kur arrin e gjen të zbrazët, të pastruar dhe të zbukuruar;

45 atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjera më të liga se ai, të cilët hyjnë dhe banojnë aty; kështu gjendja e fundit e këtij njeriut bëhet më e keqe nga e mëparshmja. Kështu do t’i ndodhë edhe këtij brezi të mbrapshtë.”

46 Ndërsa ai vazhdonte t’u fliste turmave, ja nëna e tij dhe vëllezërit e tij po rrinin jashtë dhe kërkonin të flisnin me të.

47 Dhe dikush i tha: “Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të flasin me ty.”

48 Por ai duke iu përgjigjur, i tha atij që e kishte lajmëruar: “Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?.”

49 E shtriu dorën e vet drejt dishepujve të vet dhe tha: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.

50 Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë.”

Read full chapter