Add parallel Print Page Options

Në ato ditë, duke qenë se u mblodh një turmë shumë e madhe dhe s’kishin ç’të hanin, Jezusi i thirri dishepujt e vet dhe u tha atyre:

“Kam mëshirë për këtë turmë, sepse u bënë tri ditë që po rri me mua, dhe nuk ka ç’të hajë.

Dhe po t’i nis të pa ngrënë në shtëpitë e tyre, do të mbeten udhës; disa prej tyre kanë ardhur që nga larg.”

Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: “Si do të mund t’i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?.”

Dhe ai i pyeti: “Sa bukë keni?.” Ata i thanë: “Shtatë.”

Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t’ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë.

Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t’i shpërndahen turmës.

Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan.

Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi.

10 Dhe menjëherë hypi në barkë me dishepujt e vet dhe shkoi në rrethinën e Dalmanutës.

11 Atëherë erdhën farisenjtë dhe nisën të diskutojnë me të, duke i kërkuar një shenjë nga qielli për ta vënë në provë.

12 Por ai, duke psherëtirë në frymë, tha: “Përse ky brez kërkon një shenjë? Në të vërtetë po ju them se këtij brezi nuk do t’i jepet asnjë shenjë.”

13 Atëherë i la, hipi përsëri në barkë dhe kaloi në bregun tjetër.

14 Tani dishepujt kishin harruar të marrin bukë me vete, dhe në barkë s’kishin asgjë përveç një buke.

15 Dhe Jezusi i qortoi duke thënë: “Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit!.”

16 Por ata diskutonin midis tyre duke thënë: “Nuk kemi bukë.”

17 Jezusi e vuri re dhe u tha: “Përse dis-kutoni që s’keni bukë? Ende nuk po e kuptoni e nuk e merrni vesh? Ende e keni zemrën të ngurtë?

18 Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni? Dhe nuk po mbani mend?

19 Kur ndava të pesë bukët për të pesë mijtë, sa kosha plot me copa mblodhët?.” Ata thanë: “Dymbëdhjetë.”

20 “Po kur theva të shtatë bukët për të katër mijtët, sa shporta plot me bukë mblodhët?.” Dhe ata thanë: “Shtatë.”

21 Dhe ai u tha atyre: “Po si, ende nuk po kuptoni?.”

22 Pastaj arriti në Betsaida; dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte.

23 Atëherë e mori për dore të verbërin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë.

24 Dhe ai, duke hapur sytë, tha: “Po shoh njerëz si pemë që ecin.”

25 Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart; dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka.

26 Dhe Jezusi e nisi të shkojë në shtëpinë e tij duke i thënë: “Mos hyr në fshat dhe mos ia trego askujt në fshat.”

27 Pastaj Jezusi shkoi bashkë me dishepujt e vet ndër fshatrat e Cesaresë së Filipit; dhe gjatë rrugës i pyeti dishepujt e vet duke u thënë atyre: “Kush thonë njerëzit se jam unë?.”

28 Ata u përgjigjën: “Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, dhe të tjerë një nga profetët.”

29 Dhe ai u tha atyre: “Po ju, kush thoni se jam?.” Dhe Pjetri, duke iu përgjigjur i tha: “Ti je Krishti.”

30 Atëherë ai i urdhëroi rreptësisht që të mos i tregojnë askujt për të.

31 Pastaj nisi t’u mësojë atyre se Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet.

32 Dhe ai i tha këto gjëra haptas. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë.

33 Por ai u kthye, shikoi dishepujt e vet dhe e qortoi Pjetrin, duke thënë: “Largohu nga unë, Satana, se ti nuk ke shqisën për gjërat e Perëndisë, por për gjërat e njerëzve!.”

34 Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: “Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë,

35 sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë.

36 Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?

37 Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet?

38 Sepse kujtdo që do t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë.”

Pastaj u tha atyre: “Në të vërtetë ju them se midis jush që jeni këtu ka disa që nuk do ta shijojnë vdekjen para se të shohin të vijë me fuqi mbretëria e Perëndisë.”

Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në vetmi, vetëm ata, mbi një mal të lartë; dhe u shpërfytyrua përpara tyre.

Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t’i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë.

Dhe atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po bisedonin me Jezusin.

Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe i tha Jezusit: “Mësues, për ne është mirë të jemi këtu; bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian!.”

Në fakt ai nuk dinte çfarë thoshte, sepse ata ishin të trembur.

Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!.”

Dhe menjëherë ata shikuan rreth e qark, por nuk panë më asnjëri, përveçse Jezusi fill i vetëm me ta.

Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri.

10 Ata e mbajtën porosinë dhe diskutonin mes tyre se ç’do të thoshte të ringjallesh prej së vdekuri.

11 Pastaj e pyetën duke thënë: “Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?.”

12 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Elia me të vërtetë duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë; por, ashtu siç është shkruar për Birin e njeriut, ai duhet të vuajë shumë gjëra dhe të përçmohet.

13 Por unë po ju them se Elia erdhi dhe me të bënë ç’deshën, ashtu siç është shkruar për të.”

14 Mbasi u kthye te dishepujt, pa një turmë të madhe rreth tyre dhe disa skribë që po grindeshin me ta.

15 Dhe menjëherë e gjithë turma, kur e pa, u habit dhe erdhi me vrap për ta përshëndetur.

16 Atëherë ai i pyeti skribët: “Për çfarë po diskutoni me ta?.”

17 Dhe dikush nga turma, duke u përgjigjur, tha: “Mësues, të prura djalin tim që ka një frymë memece,

18 dhe e kap kudo, e përplas dhe ai shkumon, kërcëllon dhëmbët dhe i ngrijnë gjymtyrët. Dhe u thashë dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata s’e bënë dot.

19 Dhe ai duke u përgjigjur tha: “O brez që s’beson, deri kur do të jem me ju? Deri kur do t’ju duroj? Ma sillni këtu!.”

20 Dhe ata ia prunë. Por, sapo e pa, fryma e përplasi me forcë dhe fëmija, që kishte rënë përtokë, rrokullisej duke shkumuar.

21 Dhe Jezusi e pyeti babanë e atij: “Sa kohë ka që i ndodh kështu?.” Dhe ai tha: “Që në fëmijëri.

22 Shpesh e ka hedhur në zjarr dhe në ujë për ta shkatërruar por, nëse mund të bësh diçka, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo!.”

23 Dhe Jezusi i tha: “Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson.”

24 Menjëherë babai i fëmijës, duke bërtitur me lot, tha: “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim.”

25 Atëherë Jezusi, duke parë se po vinte turma me vrap, e qortoi frymën e ndyrë duke thënë: “O frymë memece dhe e shurdhët, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos hyr më kurrë tek ai!.”

26 Dhe demoni, duke bërtitur dhe duke e sfilitur fort, doli prej tij. Dhe fëmija mbeti si i vdekur, saqë shumë njerëz thoshin: “Ka vdekur.”

27 Por Jezusi e zuri për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë.

28 Kur Jezusi hyri në shtëpi, dishepujt e vet e pyetën veçmas: “Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?.”

29 dhe ai u tha atyre: “Ky lloj frymërash nuk mund të dëbohet ndryshe, përveç, se me lutje dhe agjërim.”

30 Mbasi u nisën prej andej, kaluan nëpër Galile; dhe ai nuk donte që ta merrte vesh njeri.

31 Ai, në fakt, i mësonte dishepujt e vet dhe u thoshte atyre: “Së shpejti Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve dhe ata do ta vrasin; dhe, pasi të jetë vrarë, ai do të ringjallet ditën e tretë.”

32 Por ata nuk i kuptonin këto fjalë dhe kishin frikë ta pyesnin.

33 Dhe arritën në Kapernaum; dhe kur hyri në shtëpi, i pyeti: “Për çfarë diskutonit ndërmjet jush rrugës?.”

34 Dhe ata heshtën, sepse rrugës kishin diskutuar se cili ndër ta ishte më i madhi.

35 Atëherë ai u ul, i thirri të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Nëse dikush don të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.”

36 Dhe mori një fëmijë të vogël dhe e vuri në mes të tyre; pastaj e mori në krahë dhe u tha atyre:

37 “Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua; dhe kushdo që më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar”

38 Atëherë Gjoni mori fjalën dhe i tha: “Mësues, ne pamë një njeri që nuk na ndjek, që i dëbonte demonët në emrin tënd dhe ia ndaluam sepse ai nuk na ndjek.”

39 Por Jezusi tha: “Mos ia ndaloni, sepse s’ka njeri që mund të bëjë një vepër të fuqishme në emrin tim, dhe fill pas kësaj të flasë keq për mua.

40 Sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne.

41 Në fakt, kushdo që do t’ju japë të pini një gotë ujë në emrin tim, sepse jeni të Krishtit, në të vërtetë po ju them se me siguri nuk do ta humbasë shpërblimin e vet.”

42 “Dhe kush do të skandalizojë një nga këta të vegjël që besojnë në mua, do të ishte më mirë për të t’i varet në qafë një gur mulliri dhe të hidhet në det.

43 Tani nëse dora jote të skandalizon për mëkat, preje; është më mirë për ty të hysh dorëcung në jetë, sesa të kesh dy duar dhe të shkosh në Gehena, në zjarrin e pashueshëm,

44 atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zja-rri nuk fiket.

45 Dhe nëse këmba jote të skandalizon për mëkat, preje; është më mirë për ty të hysh i çalë në jetë, se sa të kesh dy këmbë dhe të të hedhin në Gehena, në zjarrin e pashueshëm,

46 atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk fiket.

47 Dhe nëse syri yt të skandalizon për mëkat, nxirre; është më mirë për ty të hysh me një sy në jetë sesa të kesh dy sy dhe të të hedhin në Gehenën e zjarrit,

48 atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zja-rri nuk fiket.

49 Sepse gjithkush duhet të kripet me zjarr, dhe çdo fli duhet të kripet me kripë.

50 Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhet e amësht, me se do t’i jepni shijen? Kini kripë në vetvete dhe jetoni në paqe njëri me tjetrin!.”