Add parallel Print Page Options

10 Mbasi u nis prej andej, Jezusi shkoi në krahinën e Judesë gjatë Jordanit dhe përsëri u mblodhën rreth tij turma; ai përsëri filloi t’i mësojë, siç e kishte zakon.

Dhe farisenjtë, për ta vënë në provë, e pyetën: “A është e ligjshme që burri ta lë gruan?.”

Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Çfarë ju ka urdhëruar Moisiu?.”

Ata thanë: “Moisiu ka lejuar të shkruhet letra e shkurorëzimit dhe ta lësh gruan.”

Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Për shkak të ngurtësisë së zemrës suaj ai e shkroi atë rregull;

por në fillim të krijimit, Perëndia i bëri mashkull e femër.

Për këtë arsye njeriu do ta braktisë babanë e tij dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij;

dhe të dy do të jenë një mish i vetëm; kështu nuk janë më dy, por një mish i vetëm.

Prandaj njeriu të mos ndajë atë që Perëndia e ka bashkuar!.”

10 Dhe në shtëpi dishepujt e vet e pyetën përsëri për këtë çështje.

11 Atëherë ai u tha atyre: “Ai që lë gruan e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën me të.

12 Po ashtu, nëse gruaja lë burrin e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën.

13 Atëherë i prunë disa fëmijë të vegjël që ai t’i prekte ata; por dishepujt i qortonin ata që i prunë.

14 Kur Jezusi e pa këtë, i indinjuar, u tha atyre: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.

15 Në të vërtetë po ju them se kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të.”

16 Dhe, si i mori në krahë, i bekoi duke vënë duart mbi ta.

17 Tani kur po bëhej gati për rrugë, i doli përpara dikush me vrap; u gjunjëzua para tij dhe e pyeti: “Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?.”

18 Dhe Jezusi i tha: “Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.

19 Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde".”

20 Dhe ai, duke iu përgjigjur, i tha: “Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që në fëmijërinë time.”

21 Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të dhe i tha: “Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq.”

22 Por ai u trishtua për këto fjalë dhe u largua me keqardhje, sepse kishte shumë pasuri.

23 Atëherë Jezusi, mbasi e hodhi vështrimin përreth, u tha dishepujve të vet: “Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!.”

24 Dishepujt u habitën shumë nga këto fjalë të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha atyre: “O bij, sa e vështirë është që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që mbështeten te pasuria.

25 Éshtë më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre, se sa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë.”

26 Dhe ata u çuditën edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Atëherë kush vallë mund të shpëtohet?.”

27 Por Jezusi, duke i ngulur sytë mbi ta, u tha: “Kjo për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse gjithçka është e mundur për Perëndinë.”

28 Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe tha: “Ja, ne lamë çdo gjë dhe të kemi ndjekur.”

29 Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “Në të vërtetë po ju them që nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin,

30 që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje, dhe në botën e ardhshme, jeta e përjetshme.

31 Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe shumë të fundit do të jenë të parët.”

32 Ata ishin në udhëtim për t’u ngjitur në Jeruzalem, dhe Jezusi i paraprinte. Dhe ata ishin të tronditur dhe e ndiqnin me ndrojtje. Dhe ai i mblodhi përsëri të dymbëdhjetët mënjanë dhe nisi t’u thotë çfarë do t’i ndodhte:

33 “Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve; dhe ata do ta dënojnë me vdekje dhe do ta dorëzojnë në duar të paganëve,

34 të cilët do ta tallin, do ta fshikullojnë, do ta pështyjnë dhe do ta vrasin, por ai, ditën e tretë, do të ringjallet.”

35 Atëherë Jakobi dhe Gjoni, bij të Zebedeut, iu afruan dhe i thanë: “Mësues, ne dëshirojmë që ti të bësh për ne atë që do të të kërkojmë.”

36 Dhe ai u tha atyre: “Çfarë doni të bëj për ju?”

37 Ata i thanë: “Na lejo që të ulemi njëri në të djathtën tënde dhe tjetri në të majtën tënde në lavdinë tënde.”

38 Dhe Jezusi u tha atyre: “Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund të pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë jam pagëzuar?.” Ata i thanë: “Po, mundemi.”

39 Dhe Jezusi u tha atyre: “Vërtetë ju do të pini kupën që unë po pij dhe do të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin jam pagëzuar,

40 por nuk më takon mua të vë dikë të ulet në të djathtën time ose në të majtën time, por është për ata për të cilët është përgatitur.”

41 Kur i dëgjuan këto, të dhjetë të tjerët filluan të indinjohen kundër Jakobit dhe Gjonit.

42 Por Jezusi i thirri pranë vetes dhe tha: “Ju e dini që ata që konsiderohen sundues të kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë mbi to pushtetin e tyre;

43 por kjo s’duhet të ndodhë midis jush; madje ai nga ju që do të dojë të bëhet i madh, do të jetë shërbëtori juaj;

44 dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, do të jetë skllavi i të gjithëve.

45 Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave.”

46 Kështu arritën në Jeriko. Kur ai po dilte nga Jeriko me dishepujt e tij dhe me një turmë të madhe, biri i Timoteut, Bartimeu i verbër, ishte ulur gjatë rrugës dhe lypte.

47 Kur dëgjoi se ai që po kalonte ishte Jezusi Nazareas, filloi të bërtasë dhe të thotë: “Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!.”

48 Shumë e qortonin që të heshte, por ai bërtiste edhe më fort: “Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!.”

49 Dhe Jezusi qëndroi dhe urdhëroi që ta thërrasin. Ata e thirrën, pra, të verbërin duke i thënë: “Merr zemër, çohu, ai po të thërret!.”

50 Atëherë ai hodhi tej rrobën e tij, u ngrit dhe erdhi te Jezusi.

51 Dhe Jezusi mori fjalën dhe i tha: “Çfarë do që unë të të bëj?.” I verbëri i tha: “Rabboni, që të më kthehet të parit!.”

52 Dhe Jezusi i tha: “Shko, besimi yt të shëroi.” Dhe në çast atij iu kthye të parit dhe nisi të ndjekë Jezusin në udhë.

11 Tani kur iu afruan Jeruzalemit, drejt Betfage dhe Betania, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy nga dishepujt e vet,

duke u thënë: “Shkoni në fshatin përballë dhe, posa të hyni aty, do të gjeni një kërriç të lidhur, mbi të cilin akoma nuk ka hipur askush; zgjidheni dhe ma sillni.

Dhe në se ndokush iu thotë: "Pse po veproni kështu?," përgjigjuni: "I duhet Zotit. Ai do ta kthejë menjëherë këtu".”

Ata shkuan dhe e gjetën kërriçin të lidhur afër një dere, në rrugë, dhe e zgjidhën.

Disa nga të pranishmit u thanë atyre: “Ç’po bëni? Pse po e zgjidhni kërriçin?.”

Këta iu përgjigjën ashtu si u kishte thënë Jezusi dhe ata i lanë të shkojnë.

Atëherë ia çuan Jezusit kërriçin, vunë mbi të mantelet e tyre dhe ai u ul mbi të.

Shumë njerëz i shtronin rrobat e tyre rrugës dhe të tjerë pritnin degë nga pemët dhe i hidhnin rrugës.

Dhe si ata që pararendnin, edhe ata që ndiqnin Jezusin, thërrisnin dhe thonin: “Hosana! Bekuar është ai që vjen në emër të Zotit!

10 E bekuar është mbretëria e Davidit, atit tonë, që vjen në emër të Zotit. Hosana në vendet shumë të larta!.”

11 Kështu hyri Jezusi në Jeruzalem dhe në tempull; dhe, mbasi shikoi mirë çdo gjë, duke qenë se ishte vonë, doli bashkë me të dymbëdhjetët në drejtim të Betanias.

12 Të nesërmen, kur dolën nga Betania, ai kishte uri.

13 Dhe, duke parë nga larg një fik që kishte gjethe, shkoi për të parë në se mund të gjente diçka atje; por, kur iu afrua, s’gjeti asgjë përveç gjetheve, sepse nuk ishte koha e fiqve.

14 Atëherë Jezusi, duke iu drejtuar fikut, tha: “Askush mos ngrëntë kurrë fryt prej teje përjetë.” Dhe dishepujt e tij e dëgjuan.

15 Kështu arritën në Jeruzalem. Dhe Jezusi, mbasi hyri në tempull, filloi t’i dëbojë ata që shisnin dhe blinin brenda tempullit dhe përmbysi tavolinat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave.

16 Dhe nuk lejoi asnjë që të mbartte sende nëpër tempull.

17 Dhe i mësonte duke u thënë atyre: “Vallë nuk është shkruar: "Shtëpia ime do të quhet shtëpi e lutjes për të gjithë kombet"? Ju, përkundrazi, e keni bërë shpellë kusarësh!.”

18 Tani skribët dhe krerët e priftërinjve kur i dëgjuan këto fjalë kërkonin mënyrën se si ta vrisnin, por kishin frikë prej tij, sepse gjithë turma ishte e mahnitur nga doktrina e tij.

19 Dhe kur u bë darkë, Jezusi doli jashtë qytetit.

20 Të nesërmen në mengjes, duke kaluar, panë se fiku ishte tharë me gjithë rrënjë.

21 Dhe Pjetri, duke u kujtuar, i tha: “Mësues, ja, fiku që ti mallkove qenka tharë.”

22 Atëherë Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Kini besimin e Perëndisë!

23 Sepse ju them në të vërtetë se nëse dikush do t’i thotë këtij mali: Luaj vendit dhe hidhu në det,," dhe nuk do të ketë dyshime në zemër të vet, por do të besojë se ajo që po thotë do të ndodhë, çdo gjë që të thotë do t’i bëhet.

24 Prandaj po ju them: Të gjitha ato që ju kërkoni duke lutur, besoni se do t’i merrni dhe ju do t’i merrni.

25 Dhe kur nisni të luteni, nëse keni diçka kundër ndokujt, faleni, që edhe Ati juaj që është në qiejt, t’ju falë mëkatet tuaja.

26 Por në se ju nuk falni, as Ati juaj, që është në qiejt, nuk do t’jua falë mëkatet tuaja.”

27 Pastaj ata erdhën përsëri në Jeruzalem; dhe ndërsa ai po ecte nëpër tempull, krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë iu afruan,

28 dhe i thanë: “Me ç’pushtet i bën ti këto gjëra? Kush ta dha këtë pushtet për t’i kryer këto gjëra?.”

29 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Edhe unë do t’ju pyes diçka; më jepni përgjigje, pra, dhe unë do t’ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra.

30 Pagëzimi i Gjonit a ishte nga qielli apo nga njerëzit? Më jepni përgjigje.

31 Ata filluan të arsyetonin midis tyre: “Po të themi "nga qielli," ai do të thotë: "Atëherë pse ju nuk i besuat?".

32 Por po t’i themi "nga njerëzit," kemi frikë nga populli, sepse të gjithë e konsideronin Gjonin se ishte me të vërtetë një profet.”

33 Prandaj, duke iu përgjigjur, i thanë Jezusit: “Nuk e dimë.” Dhe Jezusi duke u përgjigjur, u tha atyre: “As unë nuk po ju them se me çfarë pushteti i bëj këto gjëra.”