Add parallel Print Page Options

Ndodhi që një të shtunë, pas së shtunës së madhe, ai po ecte nëpër arat me grurë, dhe dishepujt e vet këputnin kallinj, i shkoqnin me dorë dhe i hanin.

Dhe disa nga farisenjtë u thanë atyre: “Përse bëni atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?.”

Por Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi dhe ata që ishin bashkë me të kur i mori uria?

Si hyri në shtëpinë e Perëndisë, ai mori bukët e paraqitjes, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin bashkë me të, ndonëse nuk ishte e lejueshme për asnjërin t’i hante, përveç priftërinjve?.”

Pastaj u tha atyre: “Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës".

Një të shtunë tjetër ndodhi që ai hyri në sinagogë dhe po mësonte; atje ishte një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë.

Dhe farisenjtë dhe skribët rrinin dhe e ruanin nëse ai do ta shëronte të shtunën, që pastaj ta paditnin.

Por ai ua njihte mendimet e tyre dhe i tha njeriut me dorë të tharë: “Çohu dhe dil këtu në mes.” Dhe ai u ngrit në këmbë.

Pastaj Jezusi u tha atyre: “Unë po ju pyes: A është e lejueshme, të shtunave, të bësh mirë apo keq, të shpëtosh një njeri apo ta vrasësh?.”

10 Dhe si i vështroi të gjithë rreth e rrotull, i tha atij njeriu: “Shtrije dorën tënde!.” Dhe ai veproi kështu dhe dora e tij iu shëndosh si tjetra.

11 Ata u tërbuan dhe diskutonin me njëri-tjetrin se ç’mund t’i bënin Jezusit.

12 Në ato ditë ndodhi që ai shkoi në mal për t’u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë.

13 Dhe kur zbardhi dita, thirri pranë vetes dishepujt e vet dhe zgjodhi prej tyre dymbëdhjetë, të cilëve u dha edhe emrin apostuj:

14 Simonin, të cilit i vuri emrin Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin dhe Bartolomeun,

15 Mateun dhe Thomain, Jakobin e Alfeut dhe Simonin, që e quanin Zelota,

16 Judën, vëllanë e Jakobit dhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.

17 Pastaj, pasi zbriti bashkë me ta, ndaloi në një vend të sheshtë, me turmën e dishepujve të vet dhe me një numër të madh njerëzish nga gjithë Judea, nga Jeruzalemi dhe nga bregdeti i Tiros dhe i Sidonit, të cilët kishin ardhur për ta dëgjuar atë dhe për t’u shëruar nga sëmundjet e veta;

18 Por edhe ata që i mundonin frymërat e ndyrë shëroheshin.

19 E gjithë turma kërkonte ta prekte, sepse prej tij dilte një fuqi që i shëronte të gjithë.

20 Ai, si i drejtoi sytë nga dishepujt e vet, thoshte: “Lum ju, të varfër, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë.”

21 Lum ju, që tani keni uri, sepse do të ngopeni. Lum ju, që tani qani, sepse do të qeshni.

22 Lum ju, kur njerëzit do t’ju urrejnë, do t’ju mallkojnë dhe do t’ju fyejnë, do ta shpallin emrin tuaj si të keq, për shkak të Birit të njeriut.

23 Gëzohuni atë ditë dhe hidhuni nga gëzimi, sepse ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell; në të njëjtën mënyrë, pra, etërit e tyre i trajtonin profetët.

24 Por mjerë ju, o të pasur, sepse e keni ngushëllimin tuaj!

25 Mjerë ju, që jeni të ngopur, sepse do të keni uri. Mjerë ju, që tani qeshni, sepse do të hidhëroheni e do të qani!

26 Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë.

27 Por unë po ju them juve që më dëgjoni: “T’i doni armiqtë tuaj; u bëni të mirë atyre që ju urrejnë.

28 Bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë.

29 Nëse dikush të bie në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën; dhe atij që të merr mantelin, mos e pengo të të marrë edhe tunikën.

30 Jepi kujtdo që kërkon prej teje; dhe në se dikush merr gjënë tënde, mos kërko të ta kthejë.

31 Por, ashtu siç dëshironi që t’ju bëjnë juve njerëzit, po ashtu bëni me ta.

32 Por po t’i doni ata që ju duan, ç’meritë do të keni nga kjo? Sepse edhe mëkatarët i duan ata që i duan.

33 Dhe në se u bëni të mirë atyre që ju bëjnë të mirë, çfarë merite do të keni nga kjo? Të njëjtën gjë bëjnë edhe mëkatarët.

34 Dhe nëse u jepni hua atyre që shpresoni t’jua kthejnë, çfarë merite do të keni nga kjo? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t’u kthehet aq sa dhanë.

35 Por ju t’i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Shumë të Lartit, sepse ai është mirëdashës me mos-mirënjohësit dhe të mbrapshtët.

36 Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.

37 Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni dhe nuk do të dënoheni; falni dhe do të jeni të falur.

38 Jepni dhe do t’ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t’ju derdhet në gji, sepse me atë masë që do të matni, do t’ju matet edhe juve gjithashtu.”

39 Pastaj ai u tha një shëmbëlltyrë: “Një i verbër a mund t’i prijë një të verbri tjetër? Vallë nuk do të bien të dy në gropë?

40 Dishepulli nuk ia kalon mësuesit të vet, madje çdo dishepull që ka mësuar do të jetë si mësuesi i vet.

41 Po pse ti e shikon lëmishtën në sy të vëllait tënd dhe nuk e sheh traun në syrin tënd?

42 Ose, si mund t’i thuash vëllait tënd: "Vëlla, më lër të të heq lëmishtën që ke në syrin tënd," kur ti vetë nuk e sheh traun në syrin tënd? O hipokrit, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të mund të shohësh mirë për të nxjerrë lëmishtën nga syri i vëllait tënd.

43 Sepse nuk ka pemë të mirë që të japë fryt të keq, as pemë të keqe që të japë fryt të mirë.

44 Çdo pemë, pra, njihet nga fryti i vet, sepse nuk mblidhen fiq nga gjembat dhe nuk vilet rrush nga ferra.

45 Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së vet; dhe njeriu i mbrapshtë e nxjerr të mbrapshta nga thesari i keq i zemrës së vet, sepse goja e njërit flet nga mbushullia e zemrës.

46 Përse më thirrni, "Zot, Zot" dhe nuk bëni atë që ju them?

47 Çdo njëri që vjen tek unë dhe dëgjon fjalët e mia dhe t’i vë në praktikë, unë do t’ju tregoj kujt i ngjan.

48 Ai i ngjan njeriut që, kur ndërtoi shtëpinë e vet, gërmoi shumë thellë dhe e vendosi themelin mbi shkëmb. Erdhi një vërshim, përroi u sul mbi atë shtëpi, por s’e tundi dot, sepse e kishte themelin mbi shkëmb.

49 Përkundrazi, ai që e dëgjoi dhe nuk i vuri në praktikë, i ngjan njeriut që e ndërtoi shtëpinë mbi tokë, por pa themel; kur iu sul përroi, ajo u shemb menjëherë dhe rrënimi i saj qe i madh.”

Si e përfundoi gjithë këtë ligjëratë drejtuar popullit që e dëgjoi, hyri në Kapernaum.

Tani një centurion kishte një shërbëtor që e donte shumë; e kishte të sëmurë keq për vdekje.

Dhe centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, i dërgoi disa pleq Judenj që ta lusnin të vinte e të shëronte shërbëtorin e tij.

Si arritën te Jezusi, ata e lutën me ngulm duke i thënë: “Ai e meriton që ti ta pranosh këtë gjë,

sepse ai e do popullin tonë dhe ai na e ndërtoi sinagogën.”

Atëherë Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo shumë larg shtëpisë, centurioni dërgoi disa miq të tij për t’i thënë: “Zot, mos u shqetëso, sepse unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën pullazin tim.

Për këtë shkak nuk e çmova veten të denjë të vij tek ti; por ti fol një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.

Sepse edhe unë jam një njeri nën autoritetin e tjetërkujt dhe kam nën urdhër ushtarë; dhe i them njerit: "Shko," dhe ai shkon; dhe një tjetri: Eja,," dhe ai vjen; dhe shërbëtorit tim: "Bëjë këtë," dhe ai e bën.”

Kur i dëgjoi këto fjalë, Jezusi u mrekullua prej tij, dhe, duke iu drejtuar turmës që i vinte pas, tha: “Unë po ju them se as në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh.”

10 Dhe, kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, shërbëtorin, që kishte qenë i sëmurë, e gjetën të shëruar.

11 Dhe të nesërmen ai shkoi në një qytet që quhej Nain; dhe bashkë me të shkonin shumë nga dishepujt e vet dhe një turmë e madhe.

12 Dhe, kur iu afrua portës së qytetit, ja që po çonin për ta varrosur një të vdekur, djalin e vetëm të nënës së tij, që ishte e ve; dhe një turmë e madhe nga qyteti ishte me të.

13 Posa e pa, Zoti pati dhemshuri për të dhe i tha: “Mos qaj!”

14 U afrua, preku arkivolin, dhe ata që e bartnin u ndalën; atëherë ai tha: “Djalosh, unë të them, çohu!.”

15 Dhe i vdekuri u çua ndenjur dhe filloi të flasë. Dhe Jezusi ia dha së ëmës.

16 Atëherë të gjithë u mrekulluan dhe lëvdonin Perëndinë duke thënë: “Midis nesh doli një profet i madh” dhe: “Perëndia e vizitoi popullin e vet.”

17 Dhe kjo e thënë për të u përhap nëpër gjithë Judenë dhe anembanë krahinës përreth.

18 Gjoni u informua prej dishepujve të vet për të gjitha këto gjëra.

19 Dhe Gjoni thirri pranë tij dy nga dishepujt e vet, i dërgoi te Jezusi për t’i thënë: “A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?.”

20 Këta njerëz, pra, shkuan te ai dhe i thanë: “Gjon Pagëzori na dërgoi te ti për të të thënë: "A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?".”

21 Dhe në atë orë Jezusi shëroi shumë veta nga sëmundjet, nga fatkeqësitë dhe nga frymërat e lig, dhe shumë të verbërve ua dhuroi të parit.

22 Dhe Jezusi duke u përgjegjur u tha atyre: “Shkoni dhe i thoni Gjonit ç’keni parë e dëgjuar: të verbërit fitojnë përsëri të parit, të çalët ecin, lebrozët po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen, dhe ungjilli u shpallet të varfërve.

23 I lumi ai që nuk do të skandalizohet prej meje!.”

24 Kur lajmëtarët e Gjonit u larguan, ai filloi t’u thotë turmave për Gjonin: “Ç’dolët të shihni në shkreti? Një kallam që e tund era?

25 Po, ç’dolët të shihni? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ja, ata që veshin rroba të shkëlqyera dhe jetojnë në bollëk banojnë në pallatet e mbretërve.

26 Por, ç’dolët të shihni? Një profet? Po, unë po ju them: akoma më shumë se një profet.

27 Ai është ai për të cilin u shkrua: "Ja, unë po dërgoj përpara fytyrës tënde lajmëtarin tim, që do ta përgatitë rrugën sate para teje".

28 Sepse unë po ju them që nga të lindurit prej gruaje nuk ka asnjë profet më të madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai.”

29 Dhe gjithë populli që e dëgjoi dhe tagrambledhësit e pranuan drejtësinë e Perëndisë dhe u pagëzuan me pagëzimin e Gjonit.

30 Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit e refuzuan planin e Perëndisë për ta dhe nuk u pagëzuan.

31 Atëherë Zoti tha: “Me çfarë t’i krahasoj, pra, njerëzit e këtij brezi? Dhe kujt i ngjajnë?

32 U ngjajnë fëmijëve që ulen ndër sheshe dhe i bërtasin njëri-tjetrit duke thënë: "Ne i kemi rënë fyellit për ju dhe ju nuk keni kërcyer; ne kemi kënduar vajtime për ju dhe ju nuk keni qarë".

33 Erdhi, pra, Gjon Pagëzori, që nuk ha bukë dhe as pi verë dhe ju thoni: Ai ka një demonn".

34 Erdhi Biri i njeriut që ha dhe pi, dhe ju thoni: "Ja grykësi dhe pijaneci, miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve".

35 Por urtisë i japin të drejtë gjithë bijtë e saj.”

36 Një nga farisenjtë e ftoi atë të hajë bashkë me të; dhe ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë.

37 Dhe ja, një grua nga ai qytet, që ishte një mëkatare, kur mori vesh se ai ishte në tryezën e shtëpisë së një fariseu, solli një enë alabastri plot me vaj erëkëndshëm.

38 Dhe, duke qëndruar prapa te këmbët e tij dhe duke qarë, filloi t’ia lajë me lot këmbët dhe t’ia fshijë me flokët e kokës së saj; dhe t’ia puthte e t’ia vajoste me vaj erëkëndshëm.

39 Kur e pa këtë gjë, fariseu që e kishte ftuar, tha me vete: “Nëse ky do të ishte një profet, do ta dinte çfarë lloj njeriu është gruaja që po e prek, sepse ajo është një mëkatare.

40 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Simon, kam diçka për të të thënë.” Dhe ai tha: “Fol, Mësues.”

41 Dhe Jezusi i tha: “Një huadhënës kishte dy huamarrës; njëri i kishte borxh pesëqind denarë dhe tjetri pesëdhjetë.

42 Meqë ata nuk kishin të paguanin, ai ua fali borxhin të dyve. Sipas teje, cili nga ata do ta dojë më shumë?.”

43 Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: “Ma do mendja, ai, të cilit i fali më shumë.” Dhe Jezusi i tha: “Gjykove drejt.”

44 Pastaj, si u suall nga gruaja, i tha Simonit: “A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde dhe ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët; ajo, përkundrazi, m’i lau këmbët me lot dhe m’i fshiu me flokët e kresë.

45 Ti nuk më dhe as edhe një puthje; por ajo, qysh se hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia.

46 Ti nuk ma vajose kokën me vaj; kurse ajo m’i vajosi këmbët me vaj erëkëndshëm.

47 Prandaj unë po të them se mëkatet e saj të shumta i janë falur, sepse ka dashur shumë; por kujt i falen pak, do pak.”

48 Pastaj i tha asaj: “Mëkatet e tua të janë falur.”

49 Atëherë ata që ishin në tryezë bashkë me të filluan të thonin me vete: “Po kush qenka ky që po falka edhe mëkatet?.”

50 Por Jezusi i tha asaj gruaje: “Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe!.”