Add parallel Print Page Options

24 Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur.

Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri.

Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.

Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme.

Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?

Ai nuk ështe këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile,

duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë.”

Dhe ato kujtonin fjalët e tij.

kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve.

10 Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to.

11 Por këto fjalë atyrë iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre.

12 Megjithatë Pjetri u çua, vrapoi te varri, u përkul dhe nuk pa tjetër përveç çarçafëve që dergjeshin vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur.

13 Po ate ditë, dy nga ata po shkonin drejt një fshati, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit.

14 Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur.

15 Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta.

16 Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin.

17 Dhe ai u tha atyre: “Ç’janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?.”

18 Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: “Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?.”

19 Dhe ai u tha atyre: “Cilat?.” Ata i thanë: “Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit.

20 Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar.

21 Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por, megjithkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra.

22 Por edhe disa gra në mes nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri,

23 dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë nië vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton.

24 Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si kishin treguar gratë, por atë nuk e panë.”

25 Atëherë ai u tha atyre: “O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!

26 Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?.”

27 Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.

28 Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.

29 Por ata e detyruan duke thënë: “Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron.” Edhe ai hyri që të rrijë me ta.

30 Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.

31 Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.

32 Dhe ata i thanë njeri tjetrit: “Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?.”

33 Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta.

34 Ata thoshnin: “Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit.”

35 Ata atëherë treguan ç’u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës.

36 Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto gjëra, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: "Paqja me ju!.”

37 Por ata, të tmerruar dhe gjithë frikë, mendonin se po shihnin një frymë.

38 Atëherë ai u tha atyre: “Pse jeni shqetësuar Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime?

39 Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!.”

40 Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët.

41 Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: “A keni këtu diçka për të ngrënë?.”

42 Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti.

43 Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre.

44 Pastaj u tha atyre: “Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet.”

45 Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet,

46 dhe u tha atyre: “Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë,

47 dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi.

48 Dhe ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave.

49 Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit deri sa të visheni me pushtet nga lart.”

50 Pastaj iu priu jashtë deri në Betani dhe, si i ngriti lart duart, i bekoi.

51 Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell.

52 Dhe ata, pasi e adhuruan, u kthyen në Jeruzalem me gëzim të madh.

53 Dhe rrinin vazhdimisht në tempull duke lavdëruar dhe bekuar Perëndinë. Amen!

20 Por ditën e parë pas së shtunës, në mëngjes, kur ishte ende errët, Maria Magdalena shkoi te varri dhe pa se guri ishte hequr nga varri.

Atëherë rendi te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, të cilin Jezusi e donte, dhe u tha atyre: “E kanë hequr Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e vunë.”

Atëherë Pjetri dhe dishepulli tjetër dolën jashtë dhe u nisën për te varri.

Rendnin të dy bashkë, por dishepulli tjetër rendi përpara, më shpejt se Pjetri dhe arriti i pari te varri.

Dhe, si u përkul, pa pëlhurat prej liri që ishin në varr, por nuk hyri aty.

Arriti edhe Simon Pjetri që po e ndiqte, hyri në varr dhe pa pëlhurat prej liri që ishin përtokë,

dhe rizën, që qe vënë mbi kokën e Jezusit; ajo nuk ishte bashkë me pëlhurat, por ishte e palosur në një vend, veç.

Atëherë hyri edhe ai dishepull tjetër që kishte arritur i pari te varri, pa dhe besoi.

Ata në fakt, nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin, sipas të cilit ai duhet të ringjallej së vdekurish.

10 Pastaj dishepujt u kthyen përsëri në shtëpi.

11 Por Maria kishte mbetur jashtë varrit, dhe po qante. Dhe, duke qarë, u përkul brenda varrit,

12 dhe pa dy engjëj, të veshur me të bardha, ndenjur njëri te kryet dhe tjetri te këmbët e vendit, ku qe trupi i Jezusit.

13 Ata i thanë: “O grua, pse po qan?.” Ajo u përgjigj atyre: “Sepse e kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di ku e kanë vënë.”

14 Si tha këtë, ajo u suall prapa dhe pa Jezusin, që qëndronte në këmbë; por ajo nuk e dinte se ishte Jezusi.

15 Jezusi i tha: “O grua, pse po qan? Kë kërkon?.” Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: “Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr.”

16 Jezusi i tha: “Mari!.” Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: “Rabboni!,” që do të thotë: Mësues.

17 Jezusi i tha: “Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj.”

18 Atëherë Maria Magdalena shkoi t’jua njoftojë dishepujve se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë këto gjëra.

19 Pastaj në mbrëmje të po asaj dite, dita e parë e javës, ndërsa dyert e vendit ku qenë mbledhur dishepujt ishin të mbyllura nga frika e Judenjve, erdhi Jezusi dhe u prezantua në mes tyre dhe u tha atyre: “Paqja me ju!.”

20 Dhe, si i tha këto, u tregoi atyre duart e veta dhe brinjën. Dishepujt pra, kur e panë Zotin, u gëzuan.

21 Pastaj Jezusi u tha atyre përsëri: “Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.”

22 Dhe, si tha këto fjalë, hukati mbi ta dhe tha: “Merrni Frymën e Shenjtë!

23 Kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i jenë falur, kujt do t’ia mbani, do t’i jenë mbajtur.”

24 Por Thomai, i quajtur Binjaku, një nga të dymbëdhjetët, nuk ishte me ta kur erdhi Jezusi.

25 Dishepujt e tjerë, pra, i thanë: “Kemi parë Zotin.” Por ai u tha atyre: “Po nuk e pashë në duart e tij shenjën e gozhdave, dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj.”

26 Dhe tetë ditë më vonë, dishepujt ishin përsëri në shtëpi dhe Thomai ishte me ta. Jezusi erdhi, ndonëse dyert ishin të mby-llura, dhe u prezantua midis tyre dhe tha: “Paqja me ju!.”

27 Pastaj i tha Thomait: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!.”

28 Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: “Zoti im dhe Perëndia im!.”

29 Jezusi i tha: “Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!.”

30 Jezusi bëri edhe shumë shenja të tjera në prezencën e dishepujve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër.

31 Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.

21 Pas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve pranë Detit të Tiberiadës; dhe u shfaq në këtë mënyrë:

Simon Pjetri, Thomai i quajtur Binjaku, Natanaeli nga Kana e Galilesë, të bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë.

Simon Pjetri u tha atyre: “Po shkoj të peshkoj.” Ata i thanë: “Po vijmë edhe ne me ty.” Dolën dhe hipën menjëherë në barkë; por atë natë nuk zunë asgjë.

Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu; megjithatë dishepujt nuk e kuptuan se ishte Jezusi.

Dhe Jezusi u tha atyre: “O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?.” Ata iu përgjigjën: “Jo!.”

Dhe ai u tha atyre: “Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni.” E hodhën, pra, dhe s’mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve.

Atëherë dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Éshtë Zoti.” Simon Pjetri, kur dëgjoi se ishte Zoti, u mbështoll me rrobë (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det.

Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq.

Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë.

10 Jezusi u tha atyre: “Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani!.”

11 Simon Pjetri hipi përsëri në barkë dhe nxori në tokë rrjetën, plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe, megjithse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye.

12 Jezusi u tha atyre: “Ejani të hani mëngjes.” Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: “Kush je?,” duke ditur se ishte Zoti.

13 Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun.

14 Kjo ishte e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të vet, mbasi ishte ringjallur së vdekuri.

15 Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: “Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?.” Iu përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Kulloti qengjat e mi!.”

16 Përsëri e pyeti për të dytën herë: “Simon nga Jona, a më do ti mua?.” Iu përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Ki kujdes për delet e mia.”

17 E pyeti për të tretën herë: “Simon nga Jona, a më do ti mua?.” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: “A më do ti mua?,” dhe iu përgjigj: “Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Kulloti delet e mia.

18 Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kur ti ishe i ri, e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t’i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje.”

19 I tha këto fjalë për të bërë të ditur se me ç’vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë. Dhe, si i tha këto, i tha: “Ndiqmë.”

20 Dhe Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte dishepulli, të cilin Jezusi e donte, ai që gjatë darkës ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezusit dhe kishte pyetur: “Zot, kush është ai që po të tradhton?.”

21 Kur Pjetri e pa, i tha Jezusit: “Zot, dhe me të ç’do të bëhet?.”

22 Jezusi iu përgjigj: “Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ç’të duhet? Ti ndiqmë!.”

23 Atëherë u hap zëri midis vëllezërve se ai dishepull nuk do të vdiste; por Jezusi nuk i kishte thënë Pjetrit se ai nuk do të vdiste, por: “Nëse unë dua që ky të mbetet derisa të vij unë, ç’të duhet?.”

24 Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që ka shkruar këto gjëra; dhe ne dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.

25 Janë edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat, po të shkruheshin një nga një, unë mendoj se nuk do të mjaftonte mbarë bota që t’i nxinte librat që do të mund të shkruheshin. Amen.