Add parallel Print Page Options

15 I prunë edhe disa fëmijë të vegjël që t’i prekte; por dishepujt, kur panë këtë, i qortuan.

16 Atëherë Jezusi i thirri fëmijët pranë vetes dhe tha: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.

17 Në të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë atje.”

18 Një nga krerët e pyeti duke thënë: “Mësues i mirë, ç’duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?.”

19 Dhe Jezusi i tha: “Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.

20 Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rrem, ndero atin tënd dhe nënën tënde".”

21 Dhe ai tha: “Të gjitha këto i kam zbatuar që nga rinia.”

22 Si e dëgjoi, Jezusi i tha: “Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq.”

23 Por ai, kur i dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë, sepse ishte shumë i pasur.

24 Atëherë Jezusi, kur pa se ai ishte trishtuar shumë, tha: “Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!

25 Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”

26 Dhe ata që e dëgjonin thanë: “Po kush, pra, mund të shpëtohet?.”

27 Por ai tha: “Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë.”

28 Pastaj Pjetri tha: “Ja, ne kemi lënë çdo gjë dhe të kemi ndjekur.”

29 Dhe ai u tha atyre: “Në të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që të ketë lënë shtëpinë ose prindërit, ose vëllezërit, ose gruan ose fëmijët, për mbretërinë e Perëndisë,

30 që të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në kohën e ardhshme jetën e përjetshme.”

31 Pastaj i mori me vete të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe të gjitha ato që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushen.

32 Ai, pra, do t’u dorëzohet paganëve, do të fyhet e do të poshtërohet dhe do ta pështyjnë.

33 Dhe, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, por ai do të ringjallet të tretën ditë.”

34 Por ata nuk morën vesh asgjë nga të gjitha këto: këto fjalë për ta ishin fshehtësi dhe ata nuk kuptonin ato që u ishin thënë.

35 Tani ndërsa ai po i afrohej Jerikos, një i verbër ishte ulur përgjatë rrugës dhe po lypte;

36 dhe kur dëgjoi se po kalonte turma, pyeti çfarë ishte;

37 iu përgjigjën se po kalonte Jezusi nga Nazareti.

38 Atëherë ai bërtiti duke thënë: “O Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua.”

39 Ata që ecnin përpara i bërtitën të heshtte, por ai bërtiste edhe më fort: “O Bir i Davidit: ki mëshirë për mua.”

40 Atëherë Jezusi ndaloi dhe urdheroi t’ia sillnin dhe, kur ai iu afrua, e pyeti

41 duke thëne: “Çfarë dëshiron të bëj për ty?.” Dhe ai tha: “Zot, të rimarr dritën e syve.”

42 Dhe Jezusi i tha: “Rimerr dritën e syve, Besimi yt të shëroi.”

43 Në çast rimori dritën e syve dhe e ndiqte duke përlëvduar Perëndinë; dhe gjithë populli, kur pa këtë, i dha lavdi Perëndisë.

19 Pastaj Jezusi hyri në Jeriko dhe po kalonte nëpër qytet;

dhe ja, një njeri i quajtur Zake, i cili ishte kryetari i tagrambledhësve dhe ishte i pasur.

Ai kërkonte të shihte kush ishte Jezusi, por nuk mundte për shkak të turmës, sepse ishte i shkurtër nga shtati.

Atëherë rendi përpara dhe u ngjit në një fik për ta parë, sepse ai duhet të kalonte andej.

Dhe kur Jezusi arriti në atë vend, i çoi sytë, e pa dhe i tha: “Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde.”

Dhe ai zbriti me nxitim dhe e priti me gëzim.

Kur panë këtë, të gjithë murmuritën, duke thënë: “Ai shkoi të rrijë në shtëpinë e një njeriu mëkatar.”

Por Zakeu u çua dhe i tha Zotit: “Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime dhe, po të kem marrë ndonjë gjë nga ndonjëri me mashtrim, do t’ia kthej katërfish.”

Dhe Jezusi i tha: “Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.

10 Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur.”

11 Dhe, ndërsa ata po i dëgjonin këto, Jezusi vazhdoi të tregojë një shëmbëlltyrë, sepse ai ishte afër Jeruzalemit dhe ata mendonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë.

12 Tha, pra: “Një njeri fisnik shkoi në një vend të largët për të marrë në dorëzim një mbretëri e pastaj të kthehej.

13 Dhe, si i thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mina dhe u tha atyre: "Tregtoni deri sa të kthehem".

14 Por qytetarët e vet e urrenin dhe i dërguan pas një përfaqësi duke thënë: "Nuk duam që ky të mbretërojë përmbi ne".

15 Dhe kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t’i thërresin ata shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë paratë për të marrë vesh sa kishte fituar secili duke tregtuar.

16 Atëherë doli i pari dhe tha: "Zot, mina jote dha dhjetë mina të tjera";

17 dhe ai tha: "Mirë, o shërbëtor i mirë, sepse ke qenë besnik në gjëra të vogëla, merr sundimin mbi dhjetë qytete".

18 Pastaj erdhi i dyti duke thënë: "Zot, mina jote dha edhe pesë mina";

19 dhe ai i tha edhe këtij: "Edhe ti ji sundimtar mbi pesë qytete".

20 Atëherë erdhi një tjetër i cili tha: "Zot, ja mina jote që e ruajta në një shami,

21 sepse kisha frikë nga ti, që je njeri i rreptë; ti merr atë që nuk ke vënë dhe korr atë që nuk ke mbjellë".

22 Dhe zoti i tij i tha: "Do të të gjykoj nga vetë fjalët e tua, o shërbëtor i keq; ti e dije se jam njeri i rreptë, që marr atë që nuk kam vënë dhe korr atë që nuk kam mbjellë;

23 përse nuk e vure paranë time në bankë që, kur të kthehem, ta marr bashkë me përqindje?".

24 Pastaj u tha të pranishmëve: "Merrjani minën dhe ia jepni atij që ka dhjetë mina".

25 Dhe ata i thanë: "Zot, po ai ka dhjetë mina".

26 Unë po ju them se atij që ka, do t’i jepet; por atij që s’ka do t’i hiqet edhe ajo që ka.

27 Veç kësaj, i sillni këtu armiqtë e mi, të cilët nuk donin që unë të mbretëroja mbi ta dhe i vritni përpara meje!".”

28 Mbasi tha këto gjëra, ai shkoi përpara duke u ngjitur në Jeruzalem.

29 Dhe, si iu afrua Betfagës dhe Betanias, afër malit që quhet i Ullinjve, dërgoi dy nga dishepujt e vet,

30 duke u thënë: “Shkoni në fshatin përballë dhe, kur të hyni, do të gjeni aty një kërriç të lidhur, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri; zgjidheni atë dhe ma sillni.

31 Dhe nëse ndokush ju pyet: "Përse po e zgjidhni?," u thoni atyre kështu: Zoti ka nevojëë".”

32 Dhe ata që ishin dërguar shkuan dhe e gjetën ashtu siç u kishte thënë.

33 Dhe, ndërsa ata po e zgjidhnin kërriçin, të zotët e tij u thanë atyre: “Përse po e zgjidhni kërriçin?.”

34 Dhe ata thanë: “Zoti ka nevojë.”

35 Dhe e prunë, pra, te Jezusi dhe, mbasi i hidhnin rrobat e veta mbi kërriçin, e hipën Jezusin mbi të.

36 Dhe, ndërsa ai ecte kështu përpara, ata shtronin rrobat e tyre në rrugë.

37 Dhe kur ai iu afrua teposhtës së malit të Ullinjve, gjithë turma e dishepujve filloi me gëzim të lavdërojë Perëndinë me zë të lartë për të gjitha veprat e pushtetshme që kishin parë,

38 duke thënë: “Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit; paqe në qiell dhe lavdi në vendet shumë të larta.”

39 Dhe disa farisenj që ishin midis turmës i thanë: “Mësues, qorto dishepujt e tu!.”

40 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin.”

41 Dhe kur ai po afrohej, e pa qytetin dhe qau mbi të,

42 duke thënë: “Oh, sikur ti, pikërisht ti, të njihje të paktën në ditën tënde ato që janë te nevojshme për paqen tënde! Por tashti ato janë të fshehura për sytë e tu.

43 Sepse përmbi ty do të vijnë ditë kur armiqtë e tu do të të qarkojnë me ledh, do të të rrethojnë dhe do të të zënë nga të gjitha anët.

44 Dhe do të të rrëzojnë përtokë ty dhe bijtë e tu në ty; dhe s’do të lënë në ty gur mbi gur, sepse ti nuk e ke njohur kohën kur je vizituar.”

45 Pastaj, mbasi hyri në tempull, filloi t’i dëbojë jashtë ata që shistin e blinin,

46 duke u thënë atyre: “Éshtë shkruar: "Shtëpia ime është shtëpi e lutjes, por ju e bëtë shpellë kusarësh".”

47 Çdo ditë ai mësonte në tempull. Dhe krerët e priftërinjve, skribët dhe krerët e popullit kërkonin ta vrisnin.

48 Dhe nuk arrinin dot të vendosnin çfarë të bënin; sepse gjithë populli e dëgjonte me vemendje të madhe.