Add parallel Print Page Options

11 Dhe ndodhi që duke udhëtuar për në Jeruzalem, ai kaloi nëpër Samari dhe Galile.

12 Dhe, kur po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrozë, të cilët ndaluan larg,

13 dhe duke ngritur zërin, thanë: “Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne.”

14 Dhe ai, si i pa, u tha atyre: “Shkoni e paraqituni te priftërinjtë.” Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.

15 Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.

16 Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte Samaritan.

17 Jezusi atëherë filloi të thotë: “A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?

18 A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?.”

19 Dhe i tha atij: “Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi.”

20 Tani kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, ai u përgjigj atyre dhe tha: “Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme;

21 dhe as nuk do të mund të thuhet: "Ja, këtu," ose: "Ja, atje"; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush.”

22 Pastaj u tha dishepujve të vet: “Do të vijnë ditë kur ju do të dëshironi të shihni një nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni.

23 Dhe do t’ju thonë: "Ja, është këtu" ose: "Ja, është atje," por ju mos shkoni dhe mos i ndiqni.

24 Sepse ashtu si rrufeja, që vetëtin nga njëri skaj i qiellit te tjetri e ndriçon, kështu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij.

25 Por më parë i duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga ky brez.

26 Dhe, ashtu siç ndodhi në kohën e Noes, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut.

27 Njerëzit hanin, pinin, martonin dhe martoheshin, deri ditën kur Noeu hyri në arkë; dhe erdhi përmbytja dhe i zhduku të gjithë.

28 Po kështu ndodhi në kohën e Lotit: njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin dhe ndërtonin;

29 por ditën kur Loti doli nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i zhduku të gjithë.

30 Kështu do të jetë edhe atë ditë kur Biri i njeriut do të shfaqet.

31 Në atë ditë, ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë të mos zbresë në shtëpi për të marrë gjërat e tij; e po kështu ai që ndodhet në ara, të mos kthehet prapa.

32 Kujtoni gruan e Lotit.

33 Ai që do të kërkojë të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë, do ta shpëtojë.

34 Unë po ju them: atë natë dy veta do të jenë në një shtrat; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.

35 Dy gra do të bluajnë bashkë; njëra do të merret e tjetra do të lihet.

36 Dy burra do të jenë në ara: njëri do të merret e tjetri do të lihet.”

37 Atëherë dishepujt u përgjigjën dhe thanë: “Ku, o Zot?” Dhe ai u tha atyre: “Ku të jetë trupi, atje do të mblidhen shqiponjat.”

18 Pastaj u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur,

duke thënë: “Në një qytet ishte një gjykatës që nuk kishte frikë nga Perëndia dhe nuk kishte respekt për njeri.

Tani po në atë qytet ishte një grua e ve që shkonte tek ai duke thënë: Ma jep të drejtën para kundërshtarit timm".

Për një farë kohe ai nuk deshi ta bënte, por pastaj tha me vete: Megjithse nuk kam frikë nga Perëndia dhe s’kam respekt për asnjeri,,

duke qenë se kjo grua e ve po vazhdon të më mërzitë, do t’ia jap të drejtën, sepse, duke më ardhur vazhdimisht, do të më rraskapitë".”

Dhe Zoti tha: “Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë.

Vallë Perëndia nuk do të marrë hak për të zgjedhurit e tij që i këlthasin atij ditë e natë? A do të vonojë, vallë, të ndërhyjë në favor të tyre?

Po, unë ju them se ai do t’ua marrë hakun së shpejti. Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?.”

Ai tha edhe këtë shëmbëlltyre për disa që pretendonin se ishin të drejtë dhe i përbuznin të tjerët.

10 “Dy njerëz u ngjitën në tempull për t’u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës.

11 Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: "O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës.

12 Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam".

13 Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t’i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: "O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit".

14 Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar; sepse kushdo që lartohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartohet.”