Add parallel Print Page Options

14 Dhe ndodhi që një ditë të shtunë, kur ai hyri në shtëpinë e një kryetari të farisenjve për të ngrënë bukë, ata po e përgjonin;

dhe ja, para tij ishte një njeri hidropik.

Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur mësuesve të ligjit dhe farisenjve, tha: “A është e lejueshme të shërosh ditën e shtunë?.”

Por ata heshtën. Atëherë ai e mori për dore atë, e shëroi dhe e nisi të shkojë.

Pastaj, duke iu përgjigjur atyre, tha: “Cili nga ju, po t’i bjerë gomari i vet ose kau në një pus, nuk e nxjerr menjëherë jashtë ditën e shtunë?.”

Por ata nuk mund të përgjigjeshin asgje për këto gjëra.

Dhe, duke vënë re se ata zgjidhnin vendet e para në tryezë, Jezusi u thoshte atyre këtë shëmbëlltyrë duke thënë:

“Kur je ftuar në dasmë, mos u ul në krye të vendit, sepse ai njeri mund të ketë ftuar një tjetër që është më i rëndësishëm se ti,

dhe ai që të ftoi ty dhe atë të të mos vijë e të thotë: "Lëshoja vendin këtij". Dhe atëherë ti, plot turp, do të shkosh të zësh vendin e fundit.

10 Por, kur je ftuar, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka ftuar, të thotë: "O mik, ngjitu më lart". Atëherë do të jesh i nderuar përpara atyre që janë në tryezë bashkë me ty.

11 Sepse kushdo që e larton veten do të poshterohet, dhe kush e poshtëron veten do të lartohet.”

12 Ai i tha edhe atij që e kishte ftuar: “Kur shtron drekë a darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, se mos ata një herë të të ftojnë ty, dhe kështu ta kthejnë shpërblimin.

13 Por, kur të bësh një gosti, thirr lypësit, sakatët, të çalët, të verbërit;

14 dhe do të jesh i lum, sepse ata nuk kanë se si të ta kthejnë shpërblimin; por shpërblimi do të të jepet në ringjallje të të drejtëve.”

15 Dhe një nga të ftuarit, si i dëgjoi këto gjëra, i tha: “Lum kush do të hajë bukë në mbretërinë e Perëndisë.”

16 Atëherë Jezusi i tha: “Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe ftoi shumë veta;

17 dhe, në kohë të darkës, dërgoi shërbëtorin e vet t’u thotë të ftuarve: Ejani, sepse gjithçka tashmë është gatii".

18 Por të gjithë, pa përjashtim, filluan të kërkojnë ndjesë. I pari i tha: Bleva një arë dhe më duhet të shkoj ta shoh; të lutem, të më falëshh".

19 Dhe një tjetër tha: "Bleva pesë pendë qe dhe po shkoj t’i provoj; të lutem, të më falësh".

20 Dhe një tjetër akoma tha: "Mora grua e prandaj nuk mund të vij".

21 Kështu shërbëtori u kthye dhe ia dëftoi të gjitha zotit të vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, plot zemërim, i tha shërbëtorit të vet: "Shpejt, shko nëpër sheshet dhe nëpër rrugët e qytetit e sill këtu lypës, sakatë, të çalë dhe të verbër".

22 Pastaj shërbëtori i tha: "Zot, u bë ashtu siç urdhërove ti, por ka vend edhe më".

23 Atëherë zoti i tha shërbëtorit: "Dil nëpër udhë dhe përgjatë gardheve dhe detyroji të hyjnë që të mbushet shtëpia ime.

24 Sepse unë po ju them se asnjë nga ata njerëz që ishin të ftuar, nuk do ta shijojë darkën time".”

25 Dhe turma të mëdha shkonin me të. Ai u kthye nga ata dhe tha:

26 “Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.

27 Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im.

28 Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar?

29 Që atëherë, kur t’i ketë hedhur themelet e të mos mundë ta përfundojë, të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë e të tallen,

30 duke thënë: "Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta përfundojë".

31 Ose cili mbret, kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë në se mund ta përballojë me dhjetë mijë atë që po i vjen kundër me njëzet mijë?

32 Në mos, ndërsa ai është ende larg, i dërgon një delegacion për të biseduar për paqe.

33 Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im.

34 Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhët e amësht, me se do të mund t’i kthehet shija?

35 Ajo nuk vlen as për tokë, as për pleh, por hidhet tutje. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.”

15 Pastaj të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin për ta dëgjuar.

Dhe farisenjtë dhe skribët murmuritnin duke thënë: “Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta.”

Atëherë ai u tha këtë shëmbëlltyrë:

“Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?

Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz;

dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur..

Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen.

Ose, cila grua që ka dhjetë dhrahmi dhe humbet një nga ato, nuk ndez llambën, nuk e fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes derisa ta gjejë?

Dhe, kur e gjen, fton tok shoqet dhe fqinjët, duke thënë: "Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta dhrahminë që kisha humbur".

10 Po kështu po ju them: do të ketë gëzim në mes të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet.”

11 Tha akoma: “Një njeri kishte dy bij.

12 Më i riu i tyre i tha babait: "Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon". Dhe i ati ua ndau mes tyre pasurinë.

13 Mbas pak ditësh biri më i ri mblodhi çdo gjë, shkoi në një vend të largët dhe atje e prishi gjithë pasurinë, duke bërë një jetë të shthurur.

14 Por, si i shpenzoi të gjitha, në atë vend ra një zi e madhe buke, dhe ai filloi të jetë në hall.

15 Atëherë shkoi e iu ngjit pas një banori të atij vendi, i cili e çoi në arat e tij që të ruajë derrat.

16 Dhe ai dëshironte të mbushte barkun me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte.

17 Atëherë erdhi në vete dhe tha: "Sa punëtorëve mëditës të atit tim u tepron buka, kurse unë po vdes nga uria!

18 Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t’i them: Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje;

19 nuk jam më i denjë të quhem yt bir; trajtomë si një nga mëditësit e tu".

20 U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi.

21 Dhe i biri i tha: "O atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt".

22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: "Sillni këtu rrobën më të bukur dhe visheni, i vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë.

23 Nxirrni jashtë viçin e majmur dhe thereni; të hamë dhe të gëzohemi,

24 sepse ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri". Dhe filluan të bënin një festë të madhe.

25 Djali i tij i madh ishte në ara; dhe kur u kthye dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle.

26 Atëherë thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ishte e gjitha kjo.

27 Dhe ai i tha: "U kthye yt vëlla dhe yt atë theri viçin e majmur, sepse iu kthye djali shëndoshë e mirë".

28 Kur i dëgjoj këto, ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; atëherë i ati doli dhe iu lut të hynte.

29 Por ai iu përgjigj të atit dhe tha: "Ja, u bënë kaq vite që unë të shërbej dhe kurrë s’kam shkelur asnjë nga urdhërat e tu, e megjithëatë kurrë s’më dhe një kec për të bërë një festë me miqtë e mi.

30 Por, kur u kthye ky djali yt, që prishi pasurinë tënde me prostituta, ti there për të viçin e majmur".

31 Atëherë i ati i tha: "O bir, ti je gjithmonë me mua, dhe çdo gjë që kam është jotja.

32 Por duhet të festojmë dhe të gëzohemi, sepse ky vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri".”