Add parallel Print Page Options

26 "Nuk do të bëni idhuj, nuk do të ngrini figura të gdhendura ose ndonjë kolonë dhe nuk do të vendosni në vendin tuaj asnjë gur të stolisur me figura, me qëllim që të përuleni para tij; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.

Do të respektoni të shtunat e mia dhe do të respektoni shenjtëroren time. Unë jam Zoti.

Në rast se silleni simbas statuteve të mia, në se respektoni urdhrat e mia dhe i zbatoni në praktikë,

unë do t’ju jap shirat simbas stinëve, toka do të japë prodhimin e saj dhe drurët e fshatit do të japin frytet e tyre.

Të shirat do të vazhdojnë deri në kohën e vjeljes së rrushit dhe vjelja e rrushit do të vazhdojë deri në kohën e mbjelljeve; do të hani bukën tuaj sa të ngopeni dhe do të banoni të sigurt në vendin tuaj.

Unë do të bëj që të mbretërojë paqja në vend; do të bini në shtrat dhe askush nuk ka për t’ju trembur; do të zhduk nga vendi juaj kafshët e këqia dhe shpata nuk ka për të kaluar nëpër vendin tuaj.

Ju do t’i ndiqni armiqtë tuaj dhe ata do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata.

Pesë prej jush do të ndjekin njëqind prej tyre, dhe njëqind prej jush do të ndjekin dhjetë mijë prej tyre, dhe armiqtë tuaj do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata.

Unë do të kthehem nga ju, do t’ju bëj pjellorë dhe do t’ju shumzoj, dhe kështu do të vërtetoj besëlidhjen time me ju.

10 Ju do të hani nga prodhimi i vjetër, i ruajtur për një kohë të gjatë dhe do ta hiqni atë për t’i bërë vend prodhimit të ri.

11 Unë do ta vendos banesën time midis jush dhe nuk do t’ju përzë.

12 Do të eci midis jush dhe do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im.

13 Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit, që të mos ishit më skllevërit e tij; e kam thyer zgjedhën tuaj dhe kam bërë që të ecni me kokën lart.

14 Por në rast se nuk më dëgjoni dhe nuk zbatoni në praktikë të gjitha urdhërimet e mia,

15 në rast se përçmoni statutet e mia dhe shpirti juaj hedh poshtë dekretet e mia, duke mos zbatuar në praktikë të gjithë urdhërimet e mia, duke shkelur besëlidhjen time,

16 edhe unë do ta bëj këtë për ju: do të çoj kundër jush tmerrin, ligështimin dhe ethet, të cilët do të konsumojnë sytë tuaj dhe do ta bëj jetën tuaj të meket; dhe do ta mbillni kot farën tuaj, sepse do ta hanë armiqtë tuaj.

17 Do ta kthej fytyrën time kundër jush dhe armiqtë tuaj do t’ju mundin; do të sundoheni prej atyre që ju urrejnë dhe do t’ua mbathni këmbëve pa qenë të ndjekur nga askush.

18 Dhe në qoftë se edhe mbas kësaj nuk më dëgjoni, unë do t’ju dënoj shtatë herë më tepër për mëkatet tuaja.

19 Do ta thyej kryelartësinë e forcës suaj, do ta bëj qiellin tuaj si hekur dhe tokën tuaj si bakër.

20 Forca juaj do të konsumohet më kot, sepse toka juaj nuk do të japë më prodhimet e saj, dhe drurët e fushës nuk do të japin më frutat e tyre.

21 Dhe në rast se silleni si armiq të mi dhe nuk doni të më dëgjoni, unë do t’ju godas shtatë herë më tepër me plagë, simbas mëkateve tuaja.

22 Do të dërgoj kundër jush bishat e fushës, që do të rrëmbejnë fëmijët tuaj, do të shfarosin bagëtinë tuaj, do t’ju pakësojnë shumë dhe do t’i bëjnë të shkreta rrugët tuaja.

23 Dhe në se, me gjithë këto gjëra, nuk do të ndreqeni për t’u kthyer tek unë, por me sjelljen tuaj

24 silleni si armiq të mi, edhe unë do të bëhem armiku juaj, dhe do t’ju godas shtatë herë më tepër për mëkatet tuaja.

25 Dhe do të sjell kundër jush shpatën që do të kryejë hakmarrjen e besëlidhjes sime; ju do të mblidheni në qytetet tuaja, por unë do të dërgoj në mes jush murtajën dhe do të bini në duart e armikut.

26 Kur do t’ju heq bukën e gojës, dhjetë gra do të pjekin bukën tuaj në të njëjtën furrë dhe do të racionojnë bukën tuaj, duke e shpërndarë me peshë; ju do të hani, por nuk do të ngopeni.

27 Dhe në se, me gjithë këtë nuk do të më dëgjoni, por do të silleni si armiq të mi,

28 edhe unë do të bëhem armiku i juaj plot mëri dhe do t’ju dënoj shtatë herë më shumë për mëkatet tuaja.

29 Do të hani mishin e bijve tuaj dhe do të hani mishin e bijave tuaja.

30 Unë do të shkatërroj vendet tuaja të larta, do të rrëzoj idhujtë tuaj dhe do t’i hedh kufomat tuaja mbi gërmadhat pa jetë të idhujve tuaj; dhe do t’ju urrej.

31 Do t’i katandis qytetet tuaja në shkretëtira, do të shkretoj vendet tuaja të shenjta dhe nuk do të thith më erën e këndshme të parfumeve tuaja.

32 Do të shkretoj vendin; dhe armiqtë tuaj që banojnë në të do të mbeten të habitur.

33 Do t’ju shpërndaj midis kombeve dhe do të nxjerr shpatën kundër jush; vendi juaj do të shkretohet dhe qytetet tuaja do të jenë të shkretuara.

34 Atëherë toka do të gëzojë të shtunat e saj për gjithë kohën që do të jetë e shkretuar dhe ju do të jeni në vendin e armiqve tuaj; kështu toka do të pushojë dhe do të gëzojë të shtunat e saj.

35 Për gjithë kohën që do të mbetet e shkretuar do të gëzojë pushimin që nuk pati në të shtunat tuaja, kur banonit në të.

36 Atyre prej jush që do të shpëtojnë do t’u kall në zemër tmerrin në vendin e armiqve të tyre; fërfërima e një gjethi që lëviz do t’i bëjë që t’ua mbathin këmbëve; do të turren ashtu siç iket përpara shpatës dhe do të bien pa i ndjekur askush.

37 Do të përplasen njëri me tjetrin, ashtu si përpara shpatës, pa i ndjekur askush; dhe nuk do të mund të qëndroni përpara armiqve tuaj.

38 Do të shuheni midis kombeve dhe vendi i armiqve tuaj do t’ju gëlltisë.

39 Ata prej jush që do të mbijetojnë do të përgjërohen për shkak të paudhësisë së tyre në vendin e armiqve; edhe do të përgjërohen gjithashtu për shkak të paudhësisë së etërve të tyre.

40 Por në se do të pranojnë paudhësinë e tyre dhe paudhësinë e etërve të tyre në shkeljet që kanë kryer kundër meje dhe gjithashtu sepse janë sjellë si armiq të mi,

41 sa që më kanë shtyrë të bëhem armik i tyre dhe t’i çoj në vendin e armiqve të tyre; në rast se zemra e tyre e parrethprerë do të përulet dhe do të pranojë ndëshkimin e paudhësisë së tyre,

42 atëherë unë do të kujtohem për besëlidhjen time të lidhur me Jakobin, do të kujtohem për besëlidhjen time të lidhur me Isakun dhe për besëlidhjen time me Abrahamin dhe do të kujtohem për vendin;

43 sepse vendi do të braktiset prej tyre dhe do të gëzojë të shtunat e tij, ndërsa do të jetë i shkretuar pa ta; kështu ata do të pranojnë ndëshkimin e paudhësisë së tyre për faktin se kanë përçmuar dekretet e mia dhe kanë kundërshtuar statutet e mia.

44 Megjithatë kur do të ndodhen në vendin e armiqve të tyre, unë nuk do t’i përçmoj dhe nuk do t’i urrej aq sa t’i asgjësoj krejt dhe të prish besëlidhjen time që kam lidhur me ta; unë jam Zoti, Perëndia i tyre;

45 por për dashuri ndaj tyre do të kujtohem për besëlidhjen e lidhur me stërgjyshërit e tyre, që i nxora nga vendi i Egjiptit para syve të kombeve për të qënë Perëndia i tyre. Unë jam Zoti".

46 Këto janë statutet, dekretet dhe ligjet që Zoti vendosi midis tij dhe bijve të Izraelit, mbi malin Sinai me anë të Moisiut.

27 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

"Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur një njeri lidh një kusht të rëndësishëm për t’i shenjtëruar Zotit një person dhe mendon t’i japë një barasvlerë,

në rast se vlerësimi yt ka të bëjë me një mashkull njëzet vjeç e lart, deri në gjashtëdhjetë vjeç, atëherë vlerësimi yt do të jetë pesëdhjetë sikla argjendi, simbas siklit të shenjtërores.

Po të jetë se ka të bëjë me një grua, vlerësimi yt do të jetë tridhjetë sikla.

Për ata që janë pesë vjeç e lart, deri njëzet vjeç, vlerësimi yt do të jetë njëzet sikla për një mashkull dhe dhjetë sikla për një femër.

Nga një muajsh e lart deri në pesë vjeç, vlerësimi yt do të jetë pesë sikla argjendi për një mashkull dhe tri sikla argjendi për një femër.

Nga gjashtëdhjetë vjeç e lart vlerësimi yt do të jetë pesëmbëdhjetë sikla për një mashkull dhe dhjetë sikla për një femër.

Por në se ai është tepër i varfër për të paguar shumën e kërkuar nga vlerësimi yt, atëherë do të paraqitet para priftit dhe ky do të bëjë vlerësimin. Prifti do ta bëjë vlerësimin duke pasur parasysh mjetet që ka ai që ka lidhur kushtin.

Në rast se është puna për kafshë që mund t’i paraqiten si ofertë Zotit, çdo kafshë e ofruar Zotit do të jetë gjë e shenjtë.

10 Ai nuk do të mund as ta zëvendësojë, as ta këmbejë, as një të mirë me një të keqe, as një të keqe me një të mirë; por, edhe sikur të këmbente një kafshë me një tjetër, që të dyja do të jenë gjë e shenjtë.

11 Por në qoftë se është puna për një kafshë të papastër, që mund t’i ofrohet Zotit, atëherë ai do ta paraqesë kafshën para priftit;

12 dhe prifti do të bëjë vlerësimin, qoftë kafsha e mirë apo e keqe; çfarëdo vlerësimi të bëjë prifti, ai do të vlejë.

13 Por në qoftë se dikush dëshiron ta shpengojë, duhet të shtojë një të pestën e vlerësimit.

14 Në rast se dikush shenjtëron shtëpinë e tij për ta bërë gjë të shenjtë për Zotin, prifti do të bëjë vlerësimin, qoftë ajo e mirë apo e keqe; çfarëdo vlerësimi të bëjë prifti ai do të vlejë.

15 Dhe në se ai që ka shenjtëruar shtëpinë e tij dëshiron ta shpengojë, duhet t’i shtojë një të pestën e vlerësimit dhe ajo do të bëhet e tij.

16 Në qoftë se dikush i shenjtëron Zotit një arë, pronë e tij, vlerësimi i saj do të bëhet në bazë të farës së nevojshme për të: pesëdhjetë sikla argjendi për një omer farë elbi.

17 Në rast se e shenjtëron arën e tij nga viti i jubileut, çmimi do të mbetet ai i caktuar nga vlerësimi yt;

18 por në rast se e shenjtëron arën e tij pas jubileut, prifti do të vlerësojë çmimin e saj duke llogaritur vitet që mbeten deri në jubile, duke pasur parasysh vlerësimin tënd.

19 Dhe në qoftë se ai që ka shenjtëruar arën do ta shpengojë, duhet t’i shtojë një të pestën vlerësimit tënd dhe ajo do të mbetet e tij.

20 Por në rast se nuk dëshiron ta shpengojë arën e tij ose ia ka shitur një tjetri, nuk do të mund ta shpengojë më;

21 dhe ara, kur shpengohet në jubile, do të jetë e shenjtë për Zotin si një arë që i është caktuar Perëndisë, dhe do të bëhet pronë e priftit.

22 Në rast se dikush i shenjtëron Zotit një arë të blerë prej tij dhe që nuk bën pjesë në pronën e tij,

23 prifti do të caktojë vlerësimin e tij për të deri në vitin e jubileut, dhe ai person do të paguajë po atë ditë çmimin e caktuar, si një gjë të shenjtë për Zotin.

24 Vitin e jubileut ara do t’i kthehet atij që i qe blerë dhe pasurisë së cilës ajo bënte pjesë.

25 Të gjitha vlerësimet e tua do të bëhen në sikla të shenjtërores; një sikël vlen njëzet gere.

26 Por asnjeri nuk mund t’i shenjtërojë pjelljet e para të bagëtisë, sepse si të parëlindur i përkasin Zotit; qoftë ka apo qengj, ai i takon Zotit.

27 Në rast se është puna për një kafshë të papastër, do ta shpengojë simbas çmimit të caktuar nga vlerësimi yt, duke i shtuar një të pestën; në rast se nuk shpengohet, do të shitet me çmimin e caktuar simbas vlerësimit tënd.

28 Megjithatë nuk do të mund të shitet a të shpengohet asgjë nga ato që i janë caktuar Zotit dhe që dikush ka caktuar për Zotin, midis tërë gjërave që i përkasin, qoftë një person, një kafshë o një copë toke nga pasuria e tij; çdo gjë e caktuar Perëndisë është një gjë shumë e shenjtë për Zotin.

29 Asnjë person i caktuar të shfaroset nuk mund të shpengohet; ai duhet të vritet.

30 Çdo e dhjetë e tokës, qoftë nga prodhimet e tokës, qoftë nga pemët e drurëve, i takon Zotit; është një gjë e shenjtëruar Zotit.

31 Në se dikush do të shpengojë një pjesë të së dhjetës së vet, do t’i shtojë një të pestën.

32 Dhe për të dhjetën e bagëtive të trasha dhe të imta, koka e dhjetë e të gjitha kafshëve që kalojnë nën shufrën do t’i shenjtërohet Zotit.

33 Nuk do të bëjë dallim midis së mirës dhe të keqes, as do të bëjë këmbime; dhe po të këmbejë njërën me tjetrën, të dyja do të jenë gjë e shenjtë; nuk do të mund të shpengohen.

34 Këto janë urdhërimet që Zoti i dha Moisiut për bijtë e Izraelit në malin Sinai.