Add parallel Print Page Options

22 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

"Folu Aaronit dhe bijve të tij që të heqin dorë nga gjërat e shenjta që më janë shenjtëruar nga bijtë e Izraelit dhe të mos përdhosin emrim tim të shenjtë. Unë jam Zoti.

U thuaj atyre: "Cilido burrë i fisit tuaj që në brezat e ardhshme do t’u afrohet në gjendje papastërtie gjërave të shenjta, që bijtë e Izraelit ia kanë shenjtëruar Zotit, do të shfaroset nga prania ime. Unë jam Zoti.

Asnjë burrë nga fisi i Aaronit, i sëmurë nga lebra ose me fluks qoftë, nuk do të hajë gjëra të shenjta deri sa të bëhet i pastër. Gjithashtu ai që prek çfarëdo gjë që është bërë e papastër nga kontakti me një kufomë, apo ai që ka pasur një lëshim fare,

ose ai që ka prekur një zvarranik që e ka bërë të papastër, ose një njeri që i ka komunikuar një papastërti të çfarëdo lloji,

personi që ka prekur këto gjëra do të jetë i papastër deri në mbrëmje dhe nuk ka për të ngrënë gjëra të shenjta para se të ketë larë trupin e tij me ujë;

mbas perëndimit të diellit do të jetë i pastër dhe do të mund të hajë gjëra të shenjta, sepse janë ushqimi i tij.

Prifti nuk do të hajë mish kafshe të ngordhur në mënyrë të natyrshme apo të shqyer, për të mos u bërë i papastër. Unë jam Zoti.

Priftërinjtë do të respektojnë, pra, atë që kam urdhëruar, përndryshe do të mbajnë dënimin e mëkatit të tyre dhe do të vdesin sepse kanë përdhosur gjërat e shenjta. Unë jam Zoti që i shenjtëroj.

10 Asnjë i huaj nuk do të hajë gjëra të shenjta; as një mik i priftit, as një rrogtar nuk do të mund të hajë gjërat e shenjta.

11 Por në rast se prifti ble një person me paratë e tij, ky do të mund të hajë nga ky ushqim ashtu si edhe ata që kanë lindur në shtëpinë e tij; këta mund të hanë nga ushqimi i tij.

12 Bija e priftit që është martuar me një të huaj nuk do të hajë gjëra të shenjta të ofruara për ngritje.

13 Por në qoftë se bija e priftit ka mbetur e ve, apo është ndarë nga burri dhe nuk ka fëmijë, dhe është kthyer të rrijë me të atin ashtu si kur ishte e re, do të mund të hajë nga buka e atit të saj; po asnjë i huaj nuk do ta hajë atë.

14 Në qoftë se dikush ha gabimisht një gjë të shenjtë, do t’i japë priftit gjënë e shenjtë, duke i shtuar një të pestën.

15 Priftërinjtë nuk do të përdhosin, pra, gjërat e shenjta të bijve të Izraelit, që ata i ofrojnë Zotit për ngritje,

16 dhe nuk do të bëjnë që ata të mbajnë dënimin e mëkatit për të cilin do të bëheshin fajtorë, duke ngrënë gjërat e tyre të shenjta; sepse unë, Zoti, i shenjtëroj"".

17 Zoti i foli akoma Moisiut duke i thënë:

18 "Folu Aaronit, bijve të tij dhe gjithë bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kushdo nga shtëpia e Izraelit ose nga të huajt në Izrael, që paraqet si olokaust për Zotin një ofertë për çfarëdo kushti ose çfarëdo dhurate sipas dëshirës;

19 për të qënë i mirëpritur, do të ofrojë një mashkull, pa të meta, të marrë nga qetë, nga dhentë apo nga dhitë.

20 Nuk do të ofroni asgjë që ka një të metë, sepse nuk do të ishte e pëlqyer.

21 Kur dikush i ofron Zotit një flijim falënderimi, që është marrë nga kopeja apo nga tufa, qoftë për të përmbushur një kusht, qoftë si ofertë vullnetare, viktima për t’u pëlqyer duhet të jetë e përsosur; nuk duhet të ketë asnjë të metë.

22 Nuk do t’i ofroni Zotit një viktimë të verbër, të çalë apo të gjymtuar, apo që ka ulcera, ekzemë ose zgjebe; dhe nuk do të bëni mbi altar flijime me zjarr për Zotin.

23 Do të mund të paraqesësh si ofertë vullnetare një ka ose një dele që ka një këmbë shumë të gjatë apo shumë të shkurtër; por si kusht nuk do të ishte i mirëpritur.

24 Nuk do t’i ofrosh Zotit asnjë kafshë me herdhe të vrara, a të shtypura, të këputura apo të prera; flijime të tilla nuk do të bëni në vendin tuaj.

25 Nuk do pranoni nga i huaji asnjë nga këto viktima për ta ofruar si bukë të Perëndisë tuaj, sepse në to ka gjymtime dhe të meta; nuk do të pëlqeheshin për ju.

26 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

27 "Kur do të lindë një viç, a një qengj a një kec, do ta lini shtatë ditë me të ëmën; nga dita e tetë e tutje do të pëlqehet si flijim i bërë me zjarr për Zotin.

28 Nuk do të therni një lopë apo një dele me gjithë të voglin e saj në të njëjtën ditë.

29 Kur do t’i ofroni Zotit një flijim falënderimi, paraqiteni në mënyrë që të pëlqehet.

30 Viktima do të hahet po atë ditë; nuk do të lini asgjë deri në mëngjes. Unë jam Zoti.

31 Do të respektoni, pra, urdhërimet e mia dhe do t’i vini në zbatim. Unë jam Zoti.

32 Nuk do të përdhosni emrin tim të shenjtë, por do të shenjtërohem në mes të bijve të Izraelit. Unë jam Zoti që ju shenjtëron,

33 që ju nxori nga vendi i Egjiptit për të qënë Perëndia juaj. Unë jam Zoti".

23 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

"Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Ja festat e Zotit, që ju do t’i shpallni si mbledhje të shenjta. Festat e mia janë këto:

Do të punohet gjashtë ditë, por dita e shtatë është një e shtunë pushimi dhe mbledhjeje të shenjtë. Atë ditë nuk do të bëni asnjë punë; është e shtuna e shenjtëruar Zotit në të tëra vendet ku do të banoni.

Këto janë festat e Zotit, mbledhjet e shenjta që ju do t’i shpallni në kohën e tyre.

Muajin e parë, ditën e katërmbëdhjetë të muajit, midis dy mbrëmjeve, bien Pashkët e Zotit;

dhe ditën e pesëmbëdhjetë të po atij muaji bie festa e bukës së ndorme për nder të Zotit; për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme.

Ditën e parë do të bëni një mbledhje të shenjtë; nuk do të bëni atë ditë asnjë punë të rëndë;

dhe për shtatë ditë do t’i ofroni Zotit flijime të bëra me zjarr. Ditën e shtatë do të bëhet një mbledhje e shenjtë; gjatë asaj dite nuk do të bëni asnjë punë të rëndë".

Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

10 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj: Kur do të hyni në vendin që unë po ju jap dhe do të kryeni të korrat, do t’i çoni priftit një demet si prodhim i parë i korrjes suaj;

11 Ai do ta tundë demetin përpara Zotit për ju, me qëllim që të pëlqehet; prifti do ta tundë një ditë pas së shtunës.

12 Ditën gjatë së cilës do të tundni demetin, do t’i ofroni një qengj motak, pa të meta, si olokaust për Zotin.

13 Blatimi i ushqimit që do ta shoqërojë do të jetë dy të dhjeta të efës majë mielli të përzier me vaj, si flijim i bërë me zjarr, me një erë të këndshme për Zotin; libacioni do të jetë një çerek hin verë.

14 Nuk do të hani as bukë, as grurë të pjekur, as kallëza të freskëta, deri në atë ditë, deri sa të mos keni çuar ofertën e Perëndisë tuaj. Ky është një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaja, në të gjitha vendet ku do të banoni.

15 Nga dita pas së shtunës, domethënë nga dita që keni çuar demetin e ofertës së tundur, do të numëroni shtatë të shtuna të plota.

16 Do të numëroni pesëdhjetë ditë deri në ditën pas së shtunës së shtatë, pastaj do t’i ofroni Zotit një blatim të ri ushqimi.

17 Do të çoni në banesat tuaja dy bukë për një ofertë të tundur prej dy të dhjeta të efës majë mielli; ato do të jenë pjekur me maja, si prodhime të para të ofruara për Zotin.

18 Së bashku me këto bukë do të ofroni shtatë qengja motakë pa të meta, një dem të vogël dhe dy desh; ata do të jenë një olokaust për Zotin së bashku me blatimet e tyre ushqimore dhe me libacionet e tyre; do të jetë një flijim me erë të këndshme i bërë me zjarr për Zotin.

19 Pastaj do të ofroni një cjap si fli për mëkatin dhe dy qengja motakë si flijim falënderimi.

20 Prifti do t’i tundë bashkë me bukën e prodhimit të parë dhe me dy qengjat, si ofertë e tundur përpara Zotit; ata do t’i shenjtërohen Zotit dhe do t’i takojnë priftit.

21 Po atë ditë do të shpallni një mbledhje të shenjtë. nuk do të bëni atë ditë asnjë punë të rëndë. Éshtë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj, në të gjitha vendet ku do të banoni.

22 Kur do të korrni të mbjellat e tokës suaj, nuk do të korrni deri në cepat e arës sate dhe nuk do të mblidhni kallinjtë që kanë mbetur pas; do t’i lini për të varfrin dhe për të huajin. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".

23 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

24 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj: Në muajin e shtatë, ditën e parë të muajit do të bëni një pushim solemn, një kremtim festiv të njoftuar me buri, një mbledhje të shenjtë.

25 Nuk do të bëni në atë ditë asnjë punë të rëndë dhe do t’i ofroni Zotit disa flijime të bëra me zjarr".

26 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

27 "Dita e dhjetë e këtij muaji të shtatë do të jetë dita e shlyerjes së mëkateve. Do të ketë për ju një mbledhje të shenjtë; do të përulni shpirtin tuaj dhe do t’i ofroni Zotit një flijim të bërë me zjarr.

28 Gjatë kësaj dite nuk do kryeni asnjë punë, sepse është dita e shlyerjes për ju përpara Zotit, Perëndisë tuaj.

29 Sepse çdo njeri që në këtë ditë nuk përulet, do të shfaroset në mes të popullit të tij.

30 Dhe çdo person që gjatë kësaj dite do të bëjë çfarëdo pune, unë, këtë person do ta shfaros në mes të popullit të tij.

31 Nuk do të kryeni asnjë punë. Éshtë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj, në të gjitha vendet ku do të banoni.

32 Do të jetë për ju një e shtunë pushimi, gjatë së cilës do të përulni shpirtin tuaj; ditën e nëntë të muajit, nga mbrëmja deri në mbrëmjen vijuese, do të kremtoni të shtunën tuaj".

33 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

34 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Dita e pesëmbëdhjetë e këtij muaji të shtatë do të jetë festa e kasolleve për shtatë ditë, për nder të Zotit.

35 Ditën e parë do të bëhet një mbledhje e shenjtë; nuk do të bëni gjatë kësaj dite asnjë punë të rëndë.

36 Shtatë ditë me radhë do t’i ofroni Zotit një flijim të bërë me zjarr. Ditën e tetë do të keni një mbledhje të shenjtë dhe do t’i ofroni Zotit një flijim të bërë me zjarr. Éshtë dita e kuvendit madhështor, nuk do të bëni gjatë kësaj dite asnjë punë të rëndë.

37 Këto janë festat e Zotit që ju do t’i shpallni si mbledhje të shenjta, për t’i ofruar Zotit një flijim të bërë me zjarr, një olokaust dhe një blatim ushqimi, një viktimë dhe libacione, çdo gjë në ditën e caktuar,

38 përveç të shtunave të Zotit, përveç dhuratave dhe kushteve tuaja sipas dëshirës që do t’i paraqisni Zotit.

39 Përveç kësaj ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të shtatë, kur të keni vjelur prodhimet e tokës, do të kremtoni një festë për Zotin shtatë ditë me radhë; dita e parë do të jetë një ditë pushimi dhe dita e tetë do të jetë gjithashtu një ditë pushimi.

40 Ditën e parë do të mblidhni frutat e drurëve madhështorë: degë palme, degë me gjethe të dendura dhe shelgje përrenjsh, dhe do të gëzoheni përpara Zotit, Perëndisë tuaj, shtatë ditë me radhë.

41 Do ta kremtoni këtë festë për nder të Zotit shtatë ditë për çdo vit. Éshtë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj. Do ta kremtoni muajin e shtatë.

42 Do të banoni në kasolle shtatë ditë me radhë; të gjithë ata që kanë lindur në Izrael do të banojnë në kasolle,

43 me qëllim që pasardhësit tuaj të dinë që unë i kam detyruar bijtë e Izraelit të banojnë në kasolle, kur i nxora nga vendi i Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".

44 Kështu Moisiu u njoftoi bijve të Izraelit festat e Zotit.