Add parallel Print Page Options

21 Zoti i tha akoma Moisiut: "Folu priftërinjve, bijve të Aaronit, dhe u thuaj: Asnjë prift të mos ndotet për një të vdekur në mes të popullit të tij,

veç se po të jetë një i afërm i tij i një gjaku: nëna, ati, biri, bija, vëllai

dhe motra e tij ende e virgjër që jeton me të, dhe që nuk është martuar ende; për atë mund të ndotet.

Duke qënë një udhëheqës në mes të popullit të tij, nuk do të ndotet duke përdhosur veten e tij.

Priftërinjtë nuk do të bëjnë tonsurën mbi kokën e tyre, nuk do të rruajnë mjekrën e tyre dhe nuk do të bëjnë prerje mbi mishin e tyre.

Do të jenë të shenjtë për Perëndinë e tyre dhe nuk do të përdhosin emrin e Perëndisë së tyre, sepse i ofrojnë flijime Zotit, të përgatitura me zjarr dhe bukën Perëndisë së tyre; prandaj do të jenë të shenjtë.

Nuk do të marrin për grua një kurvë, as edhe një grua faqenxirë; nuk do të marrin një grua të ndarë nga burri, sepse janë të shenjtë ndaj Perëndisë së tyre.

Ti do ta konsiderosh priftin të shenjtë, sepse ai i ofron bukën Perëndisë tënd; ai ka për të qënë i shenjtë për ty, sepse unë, Zoti që ju shenjtëroj, jam i shenjtë.

Në rast se bija e një prifti humb nderin duke u bërë kurvë, ajo turpëron të atin: ajo do të digjet me zjarr.

10 Por ai që është kryeprift midis vëllezërve të tij, mbi kokën e të cilit është vënë vaji i vajosjes dhe që është shenjtëruar për të veshur rrobat e shenjta, nuk do të zbulojë kokën dhe nuk do të shqyejë rrobat.

11 Nuk do t’i afrohet asnjë kufome; nuk do të ndotet as për të atin, as për të ëmën.

12 Nuk do të dalë nga shenjtërorja dhe nuk do të përdhosë shenjtëroren e Perëndisë së tij, sepse shenjtërimi i vajosjes nga ana e Perëndisë është mbi të. Unë jam Zoti.

13 Do të marrë për grua një virgjëreshë.

14 Nuk do të marrë as grua të ve, as të ndarë nga burri, as grua faqenxirë, as kurvë; por do të marrë për grua një virgjëreshë nga populli i tij.

15 Nuk do të turpërojë trashëgimtarët e tij në mes të popullit; sepse unë jam Zoti që ju shenjtëron".

16 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

17 "Foli Aaronit dhe i thuaji: Në brezat e ardhshëm asnjë burrë nga fisi yt, që ka ndonjë gjymtim, nuk do të mund të afrohet për të ofruar bukën e Perëndisë së tij;

18 sepse asnjë njeri që ka ndonjë gjymtim nuk do të mund të afrohet: as i verbri, as i çali as ai që ka një fytyrë të përçudnuar, ose ka një gjymtyrë të deformuar,

19 një thyerje të këmbës apo të dorës,

20 as gungaçi as shkurtabiqi as ai që ka një njollë në sy apo një ekzemë, a zgjeben apo herdhet të shtypura.

21 Asnjë burrë nga fisi i priftit Aaron që ka ndonjë gjymtim nuk do të afrohet për t’i ofruar flijimet e bëra me zjarr Zotit. Ka një gjymtim; të mos afrohet për të ofruar bukën e Perëndisë së tij.

22 Ai do të mund të hajë bukën e Perëndisë së tij, gjëra shumë të shenjta dhe gjëra të shenjta;

23 nuk do t’i afrohet velit as edhe altarit, sepse ka një gjymtim. Nuk do të përdhosë vendet e mia të shenjta, sepse unë jam Zoti që i shenjtëroj".

24 Dhe Moisiu ia tha këto gjëra Aaronit, bijve të tij dhe gjithë bijve të Izraelit.

22 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

"Folu Aaronit dhe bijve të tij që të heqin dorë nga gjërat e shenjta që më janë shenjtëruar nga bijtë e Izraelit dhe të mos përdhosin emrim tim të shenjtë. Unë jam Zoti.

U thuaj atyre: "Cilido burrë i fisit tuaj që në brezat e ardhshme do t’u afrohet në gjendje papastërtie gjërave të shenjta, që bijtë e Izraelit ia kanë shenjtëruar Zotit, do të shfaroset nga prania ime. Unë jam Zoti.

Asnjë burrë nga fisi i Aaronit, i sëmurë nga lebra ose me fluks qoftë, nuk do të hajë gjëra të shenjta deri sa të bëhet i pastër. Gjithashtu ai që prek çfarëdo gjë që është bërë e papastër nga kontakti me një kufomë, apo ai që ka pasur një lëshim fare,

ose ai që ka prekur një zvarranik që e ka bërë të papastër, ose një njeri që i ka komunikuar një papastërti të çfarëdo lloji,

personi që ka prekur këto gjëra do të jetë i papastër deri në mbrëmje dhe nuk ka për të ngrënë gjëra të shenjta para se të ketë larë trupin e tij me ujë;

mbas perëndimit të diellit do të jetë i pastër dhe do të mund të hajë gjëra të shenjta, sepse janë ushqimi i tij.

Prifti nuk do të hajë mish kafshe të ngordhur në mënyrë të natyrshme apo të shqyer, për të mos u bërë i papastër. Unë jam Zoti.

Priftërinjtë do të respektojnë, pra, atë që kam urdhëruar, përndryshe do të mbajnë dënimin e mëkatit të tyre dhe do të vdesin sepse kanë përdhosur gjërat e shenjta. Unë jam Zoti që i shenjtëroj.

10 Asnjë i huaj nuk do të hajë gjëra të shenjta; as një mik i priftit, as një rrogtar nuk do të mund të hajë gjërat e shenjta.

11 Por në rast se prifti ble një person me paratë e tij, ky do të mund të hajë nga ky ushqim ashtu si edhe ata që kanë lindur në shtëpinë e tij; këta mund të hanë nga ushqimi i tij.

12 Bija e priftit që është martuar me një të huaj nuk do të hajë gjëra të shenjta të ofruara për ngritje.

13 Por në qoftë se bija e priftit ka mbetur e ve, apo është ndarë nga burri dhe nuk ka fëmijë, dhe është kthyer të rrijë me të atin ashtu si kur ishte e re, do të mund të hajë nga buka e atit të saj; po asnjë i huaj nuk do ta hajë atë.

14 Në qoftë se dikush ha gabimisht një gjë të shenjtë, do t’i japë priftit gjënë e shenjtë, duke i shtuar një të pestën.

15 Priftërinjtë nuk do të përdhosin, pra, gjërat e shenjta të bijve të Izraelit, që ata i ofrojnë Zotit për ngritje,

16 dhe nuk do të bëjnë që ata të mbajnë dënimin e mëkatit për të cilin do të bëheshin fajtorë, duke ngrënë gjërat e tyre të shenjta; sepse unë, Zoti, i shenjtëroj"".

17 Zoti i foli akoma Moisiut duke i thënë:

18 "Folu Aaronit, bijve të tij dhe gjithë bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kushdo nga shtëpia e Izraelit ose nga të huajt në Izrael, që paraqet si olokaust për Zotin një ofertë për çfarëdo kushti ose çfarëdo dhurate sipas dëshirës;

19 për të qënë i mirëpritur, do të ofrojë një mashkull, pa të meta, të marrë nga qetë, nga dhentë apo nga dhitë.

20 Nuk do të ofroni asgjë që ka një të metë, sepse nuk do të ishte e pëlqyer.

21 Kur dikush i ofron Zotit një flijim falënderimi, që është marrë nga kopeja apo nga tufa, qoftë për të përmbushur një kusht, qoftë si ofertë vullnetare, viktima për t’u pëlqyer duhet të jetë e përsosur; nuk duhet të ketë asnjë të metë.

22 Nuk do t’i ofroni Zotit një viktimë të verbër, të çalë apo të gjymtuar, apo që ka ulcera, ekzemë ose zgjebe; dhe nuk do të bëni mbi altar flijime me zjarr për Zotin.

23 Do të mund të paraqesësh si ofertë vullnetare një ka ose një dele që ka një këmbë shumë të gjatë apo shumë të shkurtër; por si kusht nuk do të ishte i mirëpritur.

24 Nuk do t’i ofrosh Zotit asnjë kafshë me herdhe të vrara, a të shtypura, të këputura apo të prera; flijime të tilla nuk do të bëni në vendin tuaj.

25 Nuk do pranoni nga i huaji asnjë nga këto viktima për ta ofruar si bukë të Perëndisë tuaj, sepse në to ka gjymtime dhe të meta; nuk do të pëlqeheshin për ju.

26 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

27 "Kur do të lindë një viç, a një qengj a një kec, do ta lini shtatë ditë me të ëmën; nga dita e tetë e tutje do të pëlqehet si flijim i bërë me zjarr për Zotin.

28 Nuk do të therni një lopë apo një dele me gjithë të voglin e saj në të njëjtën ditë.

29 Kur do t’i ofroni Zotit një flijim falënderimi, paraqiteni në mënyrë që të pëlqehet.

30 Viktima do të hahet po atë ditë; nuk do të lini asgjë deri në mëngjes. Unë jam Zoti.

31 Do të respektoni, pra, urdhërimet e mia dhe do t’i vini në zbatim. Unë jam Zoti.

32 Nuk do të përdhosni emrin tim të shenjtë, por do të shenjtërohem në mes të bijve të Izraelit. Unë jam Zoti që ju shenjtëron,

33 që ju nxori nga vendi i Egjiptit për të qënë Perëndia juaj. Unë jam Zoti".

28 Tani në fund të së shtunave, kur po zbardhte dita e parë e javës, Maria Magdalena dhe Maria tjetër shkuan për të parë varrin.

Dhe ja, ra një tërmet i madh, sepse një engjëll i Zotit zbriti nga qielli, erdhi dhe e rrokullisi gurin nga hyrja e varrit dhe u ul mbi të.

Pamja e tij ishte si vetëtima dhe veshja e tij e bardhë si bora.

Dhe nga frika e tij, rojet u drodhën dhe mbetën si të vdekur;

por engjëlli, duke iu drejtuar grave, u tha atyre: “Mos kini frikë, sepse unë e di se ju kërkoni Jezusin, që u kryqëzua.

Ai nuk është këtu, sepse u ringjall, sikurse kishte thënë; ejani, shikoni vendin ku qe vënë Zoti.

Shkoni shpejt t’u thoni dishepujve të tij se ai u ringjall së vdekuri; dhe ja, po shkon përpara jush në Galile; atje do ta shihni; ja, jua thashë.”

Ato, pra, u larguan me të shpejtë nga varri me frikë dhe me gëzim të madh; dhe rendën ta çojnë lajmin te dishepujt e tij.

Dhe, ndërsa po shkonin për t’u thënë dishepujve, ja Jezusi u doli përpara dhe tha: “Tungjatjeta!.” Atëherë ato u afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan.

10 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Mos kini frikë, shkoni të lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile dhe atje do të më shohin.”

11 Ndërsa ato po shkonin, ja që disa nga rojtarët arritën në qytet dhe u raportuan krerëve të priftërinjve të gjitha ato që kishin ndodhur.

12 Atëherë këta bënë këshill me pleqtë dhe vendosën t’u japin ushtarëve një shumë të madhe denarësh,

13 duke u thënë atyre: “Thoni: Dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën, ndërsa ne po flinim.

14 Dhe në qoftë se kjo i shkon në vesh guvernatorit, ne do ta bindim dhe do të bëjmë në mënyrë që ju të mos kini merak.”

15 Dhe ata i morën denarët dhe bënë ashtu si i kishin mësuar, dhe kjo e thënë u përhap ndër Judenjtë deri ditën e sotme.

16 Pastaj të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në atë mal që u kishte caktuar Jezusi

17 dhe, kur e panë, e adhuruan; por disa dyshuan.

18 Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.

19 Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,

20 dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen.”