Add parallel Print Page Options

17 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

"Foli Aaronit, bijve të tij dhe të gjithë bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar, duke thënë:

Kushdo nga shtëpia e Izraelit ther një ka ose një qengj apo një dhi brenda kampit, ose jashtë kampit,

dhe nuk e çon në hyrjen e çadrës së mbledhjes për ta paraqitur si një ofertë për Zotin përpara tabernakullit të Zotit, do të mbahet si fajtor gjaku; ka derdhur gjak dhe ky njeri do të shfaroset në mes të popullit të tij;

dhe kjo me qëllim që bijtë e Izraelit, në vend që të flijojnë flitë e tyre në fusha, t’ia çojnë Zotit në hyrje të çadrës së mbledhjes, priftit, dhe t’ia ofrojnë Zotit si flijim falënderimi.

Prifti do të spërkasë gjakun mbi altarin e Zotit, në hyrje të çadrës së mbledhjes, dhe do të tymosë dhjamin me erë shumë të këndshme për Zotin.

Ata nuk do t’i ofrojnë më flijimet e tyre demonëve, prapa të cilëve janë poshtëruar. Ky do të jetë për ta një ligj i përjetshëm, për gjithë brezat e tyre.

U thuaj akoma: "Cilido burrë i shtëpisë së Izraelit ose nga të huajt që banojnë midis jush të ofrojë një olokaust apo një flijim,

dhe po të mos e çojë në hyrjen e çadrës së mbledhjes për t’ia ofruar Zotit, ky njeri do të shfaroset në mes të popullit të tij.

10 Në rast se dikush nga shtëpia e Izraelit apo nga të huajt që banojnë midis jush ha çfarëdo lloj gjaku, unë do ta kthej fytyrën time kundër atij që ha gjak dhe do ta shfaros në mes të popullit të tij.

11 Sepse jeta e mishit është në gjak. Prandaj ju kam urdhëruar ta vini mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj, sepse është gjaku që bën shlyerjen e fajit për jetën.

12 Prandaj u kam thënë bijve të Izraelit: asnjëri prej jush nuk ka për të ngrënë gjak; as i huaji që banon midis jush nuk ka për të ngrënë gjak".

13 Dhe në qoftë se ndonjë prej bijve të Izraelit ose të të huajve që banojnë midis jush zë në gjah një kafshë ose një zog që mund të hahet, do të derdhë gjakun e tij dhe do ta mbulojë me dhe;

14 sepse është jeta e çdo mishi; gjaku i tij mban jetën e tij. Prandaj u kam thënë bijve të Izraelit: "Nuk do të hani gjakun e asnjë mishi, sepse jeta e çdo mishi është gjaku i tij; kushdo që do ta hajë do të shfaroset".

15 Dhe çfarëdo personi, qoftë i lindur në vend apo i huaj, që ha një kafshë të ngordhur në mënyrë natyrale apo të shqyer, do të lajë rrobat dhe do të lahet vetë me ujë, dhe ka për të qenë i papastër deri në mbrëmje; pastaj do të jetë i pastër.

16 Por në rast se nuk lan rrobat e tij dhe nuk lan trupin e tij, do të mbajë fajin e paudhësisë së tij".

18 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

"Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

Nuk do të bëni siç bëjnë në vendin e Egjiptit, ku keni banuar, dhe nuk do të bëni siç bëjnë në vendin e Kanaanit ku po ju çoj; ju nuk do të ndiqni zakonet e tyre.

Do të zbatoni dekretet e mia dhe do të respektoni statutet e mia, duke iu përmbajtur atyre. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

Do të respektoni statutet dhe dekretet e mia, me anën e të cilave, kushdo që i zbaton në praktikë, ka për të jetuar. Unë jam Zoti.

Asnjë nga ju nuk do t’i afrohet ndonjë të afërmi nga gjaku për të zbuluar lakuriqësinë e tij. Unë jam Zoti.

Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e atit tënd apo lakuriqësinë e nënës sate; ajo është nëna jote; nuk do të zbulosh lakuriqësinë e saj.

Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e gruas së atit tënd; ajo është lakuriqësia e atit tënd.

Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës sate, bijë e atit tënd ose bijë e nënës sate, qoftë e lindur në shtëpi ose jashtë saj.

10 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e bijës së birit tënd apo të bijës së bijës sate, sepse lakuriqësia e tyre është vetë lakuriqësia jote.

11 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e bijës së gruas të atit tënd, e lindur nga ati yt; është motra jote; mos zbulo lakuriqësinë e saj.

12 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës së atit tënd; është një e afërme e ngushtë e atit tënd.

13 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës së nënës sate, sepse është një e afërme e ngushtë e nënës sate.

14 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e vëllait të atit tënd; nuk do t’i afrohesh gruas së tij; ajo është halla jote.

15 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e nuses së birit tënd; ajo është gruaja e djalit tënd; mos zbulo lakuriqësinë e saj.

16 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e gruas së vëllait tënd; është lakuriqësia e vëllait tënd.

17 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e një gruaje dhe të bijës së saj; nuk do të marrësh bijën e birit të saj, as bijën e bijës së saj për të zbuluar lakuriqësinë; janë të afërm të ngushtë të saj; është një incest.

18 Nuk do të marrësh një grua bashkë me të motrën për ta bërë shemër, duke zbuluar lakuriqësinë e saj ndërsa tjetra është akoma gjallë.

19 Nuk do t’i afrohesh një gruaje për të zbuluar lakuriqësinë e saj në periudhën e papastërtisë së saj të shkaktuar nga zakonet.

20 Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me gruan e fqinjit tënd për t’u ndotur me të.

21 Nuk do të lejosh që asnjë prej trashëgimtarëve të tu t’i ofrohet Molekut; dhe nuk do të përdhosësh emrin e Perëndisë tënd. Unë jam Zoti.

22 Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me një burrë, ashtu si bëhet me një grua; është një gjë e neveritshme.

23 Nuk do të bashkohesh me asnjë kafshë duke u ndotur me të; gjithashtu asnjë grua të mos i afrohet një kafshe për t’u bashkuar me të; është një degjenerim i neveritshëm.

24 Mos u ndotni me asnjë nga këto gjëra, sepse me gjithë këto gjëra janë ndotur kombet që po bëhem gati t’i përzë përpara jush.

25 Vendi është ndotur; prandaj unë do ta dënoj për paudhësinë e tij, dhe vendi do të vjellë banorët e tij.

26 Ju, pra, do të respektoni statutet dhe dekretet e mia dhe nuk do të kryeni asnjë nga ato gjëra të neveritshme, as ai që ka lindur në vend ashtu edhe i huaji që banon midis jush,

27 (sepse të gjithë këto gjëra të neveritshme i kanë bërë banorët e vendit që ishin para jush, dhe vendi është ndotur),

28 që edhe ju, po të jetë se e ndotni, vendi të mos ju vjellë ashtu si ka vjellë kombin që ishte para jush.

29 Sepse cilido që kryen ndonjë prej këtyre gjërave të neveritshme, personat që i kryejnë do të shfarosen në mes të tyre.

30 Do të respektoni, pra, urdhërimet e mia, nuk do të ndiqni asnjë nga zakonet e neveritshme që janë para jush dhe nuk do të ndoteni me to. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".

27 Atëherë ushtarët e guvernatorit, mbasi e çuan Jezusin në pretoriumin e guvernatorit, mblodhën rreth tij gjithë kohortën.

28 Dhe, pasi e zhveshën, i hodhën mbi trup një mantel të kuq.

29 Dhe i thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e përqeshnin duke thënë: “Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!.”

30 Pastaj e pështynë, ia morën kallamin dhe me të i binin në kokë.

31 Dhe, mbasi e përqeshën, ia hoqën mantelin dhe e veshën me rrobat e tij; dhe e çuan për ta kryqëzuar.

32 Dhe duke dalë, takuan një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan ta mbartë kryqin e Jezusit.

33 Dhe, kur arritën në vendin që quhej Golgota, domethënë "Vendi i kafkës,"

34 i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, mbasi e provoi, nuk deshi ta pinte.

35 Mbasi e kryqëzuan, i ndanë me short rrobat e tij, që të përmbushej ç’ishte thënë nga profeti: “I ndanë ndërmjet tyre rrobat e mia dhe hodhën short mbi tunikën time.”

36 Pastaj u ulën dhe e ruanin.

37 Përmbi krye të tij, i vunë gjithashtu motivacionin e shkruar të dënimit të tij: “KY ÉSHTÉ JEZUSI, MBRETI I JUDENJVE.”

38 Atëhere u kryqëzuan bashkë me të dy cuba, njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën.

39 Dhe ata që kalonin andej e fyenin duke tundur kokën,

40 dhe duke thënë: “Ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëto vetveten; në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!.”

41 Po ashtu, edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe me pleqtë, duke e tallur, i thonin:

42 “Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të;

43 ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë".”

44 Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin kryqëzuar me të.

45 Që nga ora gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi gjithë vendin.

46 Rreth orës nëntë, Jezusi briti me zë të lartë duke thënë: “Eli, Eli, lama sabaktani?.” Domethënë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?.”

47 Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thanë: “Ky po thërret Elian.”

48 Dhe në atë çast një nga ata vrapoi, mori një sfungjer, e zhyti në uthull dhe, mbasi e vuri në majë të një kallami, ia dha për ta pirë.

49 Por të tjerët thonin: “Lëre, të shohim në se do të vijë Elia për ta shpëtuar.”

50 Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë.

Read full chapter