Add parallel Print Page Options

Zoti thirri Moisiun dhe i foli nga çadra e mbledhjes, duke thënë:

"Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur dikush nga ju sjell një ofertë për Zotin, sillni si fli tuajën një kafshë të marrë nga kopeja e bagëtisë së trashë ose të imët.

Në rast se oferta e tij është një olokaust i një koke bagëtie nga kopeja, le të ofrojë një mashkull pa të meta; ta çojë në hyrjen e çadrës së mbledhjes me vullnetin e tij përpara Zotit.

Do të vërë pastaj dorën e tij mbi kokën e olokaustit, që do të pranohet në vend të tij, për të shlyer dënimin në vend të tij.

Pastaj do të therë demin e vogël para Zotit; dhe priftërinjtë, bijtë e Aaronit, do të sjellin gjakun dhe do ta spërkatin rreth e qark altarit, që ndodhet në hyrje të çadrës së mbledhjes;

do ta rrjepë olokaustin dhe do ta presë në copa.

Dhe bijtë e priftit Aaron do të vënë zjarr mbi altar dhe do të sistemojnë drutë mbi zjarrin.

Pastaj priftërinjtë, bijtë e Aaronit, do të vendosin copat, kokën dhe dhjamin mbi drutë e vëna mbi zjarrin që gjendet mbi altarin;

por do t’i lajnë me ujë zorrët dhe këmbët, dhe prifti do të tymosë çdo gjë mbi altar, si një olokaust, një flijim që është bërë me zjarr me erë të këndshme për Zotin.

10 Në qoftë se oferta e tij është një olokaust nga kopeja: dele ose dhi, të ofrojë një mashkull pa të meta.

11 Do ta therë nga krahu verior i altarit, përpara Zotit; dhe priftërinjtë, bijtë e Aaronit, do të spërkasin gjakun e tij rreth e qark altarit.

12 Pastaj do ta presë në copa bashkë me kokën dhe dhjamin e tij, dhe prifti do t’i vërë mbi drutë që ndodhen mbi zjarrin që është mbi altar;

13 por do t’i lajë zorrët dhe këmbët me ujë, dhe prifti do të paraqesë çdo gjë dhe do ta tymosë mbi altar. Ky është një olokaust, një flijim i bërë me zjarr me erë të këndshme për Zotin.

14 Në qoftë se ofrimi i tij për Zotin është një olokaust zogjsh, të sjellë turtuj ose pëllumba të rinj.

15 Prifti do t’i paraqesë në altar, do t’u këpusë kokën, do t’i tymosë këto mbi altar, dhe gjaku i tij do të rrjedhë mbi një krah të altarit.

16 Pastaj do t’u heqë gushën me gjithë puplat dhe do t’i hedhë pranë altarit, në drejtim të lindjes, në vendin e hirit.

17 Do t’i thyejë pastaj duke i mbajtur nga krahët, por pa i ndarë në dy pjesë, dhe prifti do t’i tymosë mbi altar, mbi drutë e vëna mbi zjarr. Ky është një olokaust, një flijim i bërë me zjarr me erë të këndshme për Zotin".

"Kur dikush i sjell si fli Zotit një blatim, oferta e tij të jetë nga maja e miellit; le të derdhë vaj mbi të dhe t’i vërë temjan sipër.

Do t’ia çojë priftërinjve, bijve të Aaronit; prifti do të marrë prej saj një grusht majë mielli dhe vaji me gjithë temjanin dhe do ta tymosë mbi altar si kujtim. Éshtë një flijim i bërë me zjarr me erë të këndshme për Zotin.

Ajo që mbetet nga blatimi do të jetë për Aaronin dhe bijtë e tij; është një gjë shumë e shenjtë e bërë me zjarr për Zotin.

Kur çon si fli një blatim ushqimesh të pjekura në furrë, do të jetë me kulaç prej maje mielli, pa maja, të zëna me vaj dhe me revani pa maja të lyer me vaj.

Por në qoftë se ofrimi jote është një blatim ushqimi të pjekur në skarë, do të jetë prej majës së miellit të përzier me vaj dhe pa maja.

Do ta ndash në copa dhe do të derdhësh vaj mbi të; është një blatim ushqimor.

Por në rast se flija jote është një blatim ushqimi i gatuar në tigan, do të jetë prej majës së miellit me vaj.

Do t’i çosh Zotit blatimin ushqimor të përgatitur me këto gjëra; do t’i paraqitet priftit, që do ta çojë në altar.

Prifti do të marrë nga blatimi pjesën që do të shërbejë si kujtim dhe do ta tymosë mbi altar. Éshtë një flijim i bërë me zjarr me erë të këndshme për Zotin.

10 Ajo që mbetet nga blatimi i ushqimit do të jetë për Aaronin dhe bijtë e tij; është një gjë shumë e shenjtë ndër flijimet e bëra me zjarr për Zotin.

11 Çdo blatim ushqimor që do t’i çoni Zotit do të jetë pa maja, sepse nuk do të tymosni asgjë që përmban maja ose mjaltë, si flijim që bëhet me zjarr për Zotin.

12 Mund t’ia çoni Zotit si një blatim të prodhimeve të para, por ato nuk do të vihen mbi altarin si oferta me erë të këndshme.

13 Çdo blatim ushqimor që do të ofrosh, do ta ndreqësh me kripë; nuk do ta lësh mangut kripën nga blatimet e tua, sipas besëlidhjes me Perëndinë. Mbi të gjitha ofertat e tua do të ofrosh kripë.

14 Në rast se i ofron Zotit një blatim ushqimesh nga prodhimet e tua të para, do të ofrosh si blatim ushqimor të prodhimeve të tua të para kallinj të thekur në zjarr, kokrra gruri të shtypura nga kallinj të plotë.

15 Dhe do të vësh mbi to vaj dhe temjan; është një blatim ushqimor.

16 Pas kësaj prifti do të tymosë si kujtim një pjesë të grurit dhe një pjesë të vajit, së bashku me tërë temjanin. Éshtë një flijim i bërë me zjarr për Zotin".

"Kur një njeri ofron një flijim falënderimi, po të jetë se ofron një bagëti të trashë të marrë nga kopeja, qoftë mashkull apo femër, do ta ofrojë pa të meta përpara Zotit.

Do të vërë dorën mbi kokën e ofertës së tij dhe do ta therë në hyrje të çadrës së mbledhjes; pastaj priftërinjtë, bijtë e Aaronit, do të shpërndajnë gjakun rreth e qark mbi altarin.

Nga ky flijim falënderimi do të paraqesë, si flijim të bërë me zjarr për Zotin, dhjamin që mbulon zorrët dhe të gjithë dhjamin që rri ngjitur me zorrët,

të dy veshkat dhe dhjamin që është mbi ato rreth ijeve, por do të shkëpusë bulën me dhjamë të mëlçisë së zezë që ndodhet mbi veshkat.

Pas kësaj bijtë e Aaronit do ta tymosin në altarin mbi olokaustin, që ndodhet mbi drutë e vëna mbi zjarr. Éshtë një flijim i bërë me zjarr me erë të këndshme për Zotin.

Në rast se oferta e tij, si flijim falënderimi për Zotin, është një bagëti e imët, qoftë mashkull apo femër, do ta ofrojë pa të meta.

Në rast se paraqet si flijm e tij një qengj, do ta ofrojë përpara Zotit.

Do të vërë dorën e tij mbi kokën e ofertës së tij dhe do ta therë në hyrje të çadrës së mbledhjes; pastaj bijtë e Aaronit do ta shpërndajnë gjakun rreth e qark mbi altarin.

Nga flijimi i falënderimit do të paraqitet, si flijim i bërë me zjarr për Zotin, dhjami i tij; ai do të shkëpusë tërë bishtin e majmë afër shtyllës kurrizore, dhjamin që mbulon zorrët dhe të gjithë dhjamin që rri ngjitur me zorrët,

10 të dy veshkat dhe dhjamin që është mbi to rreth ijeve, por do të shkëpusë bulën e majme të mëlçisë mbi veshkat.

11 Pastaj prifti do ta tymosë mbi altarin si ushqim. Éshtë një ofertë e bërë me zjarr për Zotin.

12 Në rast se oferta e tij është një dhi, do ta ofrojë para Zotit.

13 Do të vërë dorën e tij mbi kokën e saj dhe do ta therë në hyrje të çadrës së mbledhjes; pastaj bijtë e Aaronit do të shpërndajnë gjakun rreth e qark mbi altarin.

14 Prej saj do të paraqesë, si flijim të bërë me zjarr për Zotin, dhjamin që mbulon zorrët dhe tërë dhjamin që rri ngjitur me zorrët,

15 të dy veshkat dhe dhjamin që është mbi to rreth ijeve, por do të shkëpusë bulën e majme të mëlçisë mbi veshkat.

16 Pastaj prifti do t’i tymosë mbi altar si ushqim. Éshtë një ofertë e bërë me zjarr me erë të këndshme. E tërë yndyra i përket Zotit.

17 Ky është një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj, në të gjitha vendet ku do të banoni: nuk do të hani as yndyrë, as gjak".

Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

"Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Në rast se dikush kryen mëkat nga padituria kundër çfarëdo urdhërimi, duke bërë diçka që nuk duhet të bënte,

në rast se mëkaton prifti që ka qënë vajuar, duke e bërë kështu popullin fajtor, t’i ofrojë Zotit për mëkatin e kryer një dem të vogël pa të meta, si flijim për mëkatin.

Do ta çojë demin e vogël në hyrje të çadrës së mbledhjes përpara Zotit; do të vërë dorën e tij mbi kokën e demit të vogël dhe do ta therë demin e vogël përpara Zotit.

Pastaj prifti që ka qënë vajosur do të marrë gjak nga demi i vogël dhe do ta çojë atë në çadrën e mbledhjes;

prifti do të ngjyejë gishtin e tij në gjak dhe do të spërkasë pak nga ky gjak shtatë herë para Zotit, përballë velit të shenjtërores.

Pastaj prifti do të vërë pak nga ai gjak mbi brirët e altarit të temjanit të parfumuar para Zotit, që ndodhet në çadrën e mbledhjes; do të derdhë mbetjen e gjakut të demit të vogël mbi bazën e altarit të olokausteve, që ndodhet në hyrje të çadrës së mbledhjes.

Do të heqë prej tij tërë dhjamin e flisë së mëkatit të demit të vogël: dhjamin që mbulon zorrët dhe tërë dhjamin që rri ngjitur me zorrët,

të dy veshkat dhe dhjamin që ndodhet mbi ta rreth ijeve, por do të shkëputë bulën e majme të mëlçisë mbi veshkat,

10 ashtu siç veprohet për demin e vogël të flijimit të falënderimit; pastaj prifti do t’i tymosë ato mbi altarin e olokausteve.

11 Por lëkurën e demit të vogël dhe tërë mishin e tij, së bashku me kokën e tij, këmbët e tij, zorrët e tij dhe fëlliqësirat e tij,

12 gjithë demin e vogël, do ta çojë jashtë kampit, në një vend të pastër, ku hidhet hiri; dhe do ta djegë mbi dru me zjarr; do të digjet aty ku hidhet hiri.

13 Në rast se gjithë asambleja e Izraelit kryen mëkat nga padituria, dhe kjo gjë mbahet e fshehtë nga sytë e asamblesë, ajo ka bërë diçka që Zoti e ka ndaluar të bëhet dhe kështu është bërë fajtore;

14 kur mëkati i bërë do të bëhet i njohur, asambleja do të ofrojë si fli për mëkatin një dem të vogël dhe do ta çojë përpara çadrës së mbledhjes.

15 Pleqtë e asamblesë do të vënë duart e tyre mbi kokën e demit të vogël përpara Zotit; pastaj demi i vogël do të theret përpara Zotit.

16 Pastaj prifti që ka qënë vajuar do të sjellë pak gjak nga demi i vogël në çadrën e mbledhjes;

17 pas kësaj prifti do të ngjyejë gishtin e tij në gjak dhe do ta spërkasë atë shtatë herë përpara Zotit, përballë velit.

18 Do të vërë pak nga ai gjak mbi brirët e altarit që është përpara Zotit, në çadrën e mbledhjes; dhe do të derdhë mbetjen e gjakut në bazën e altarit të olokaustit, që është në hyrjen e çadrës së mbledhjes.

19 Së këtejmi do të heqë tërë dhjamin dhe do ta tymosë mbi altar.

20 Do të veprojë me këtë dem të vogël ashtu siç pat vepruar me demin e vogël të ofruar për mëkatin; do të bëjë të njëjtën gjë. Kështu prifti do të bëjë shlyerjen për anëtarët e asamblesë dhe këta do të jenë të falur.

21 Pastaj do ta çojë demin e vogël jashtë kampit dhe do ta djegë ashtu siç ka djegur demin e parë të vogël. Ky është flijimi i mëkatit për asamblenë.

22 Në rast se një ndër krerët ka kryer një mëkat dhe nga padituria ka bërë një nga gjërat që Zoti, Perëndia e tij, e ka ndaluar të bëhet, duke u bërë, pra, fajtor,

23 kur ai bëhet i vetëdijshëm për mëkatin që ka kryer, do të çojë si ofertë të tij një cjap mashkull, pa të meta.

24 Do të vërë dorën mbi kokën e cjapit dhe do ta therë në vendin ku theren olokaustet përpara Zotit. Éshtë një flijim për mëkatin.

25 Pastaj prifti do të marrë me gishtin e tij pak gjak nga flijimi për mëkatin dhe do ta vërë mbi brirët e altarit të olokausteve, dhe do të derdhë gjakun e cjapit mbi bazën e altarit të olokaustit;

26 pastaj do të tymosë tërë dhjamin e tij mbi altar, si dhjamin e flijimit të falënderimit. Kështu prifti do të bëjë shlyerjen për atë, dhe mëkati do t’i falet.

27 Në rast se dikush nga populli kryen një mëkat nga padituria kundër çfarëdo urdhërimi të Zotit, duke bërë një diçka që nuk duhet të bënte, duke u bërë, pra, fajtor,

28 kur ai bëhet i vetëdijshëm për mëkatin që ka kryer, do të sjellë si ofertë një dhi femër, pa të meta, për mëkatin e kryer.

29 Do të vërë dorën mbi kokën e flisë për mëkatin dhe do ta therë flinë për mëkatin në vendin e olokaustit.

30 Pastaj prifti do të marrë me gishtin e tij pak nga gjaku i tij dhe do ta vërë mbi brirët e altarit të olokaustit, dhe do të derdhë mbetjen e gjakut të tij mbi bazën e altarit.

31 Do të marrë tërë dhjamin e tij, ashtu si mori dhjamin nga flijimi i falënderimit; pastaj prifti do ta tymosë atë mbi altar si një erë të këndshme për Zotin. Kështu prifti do të bëjë shlyerjen dhe ai do të falet.

32 Në qoftë se ai sjell një qengj si fli të tij për mëkatin, duhet të sjellë një femër pa të meta.

33 Do të vërë dorën mbi kokën e flisë për mëkatin dhe do ta therë si fli për mëkatin në vendin ku theren olokaustet.

34 Pastaj prifti do të marrë me gishtin e tij pak gjak nga gjaku i flisë për mëkatin dhe do ta vërë mbi brirët e altarit të olokaustit, dhe do të derdhë mbetjen e gjakut të tij mbi bazën e altarit.

35 Do të marrë tërë dhjamin, siç merret dhjami i qengjit të flijimit të falënderimit; pastaj prifti do ta tymosë mbi altar, mbi flijimet e bëra me zjarr për Zotin. Kështu prifti do të kryejë shlyerjen për shkak të mëkatit që ka kryer, dhe ai do të jetë falur".