Add parallel Print Page Options

Si qëndron vallë i vetmuar qyteti që ishte plot e përplot me popull? E madhja midis kombeve është bërë si një e ve; princesha midis provincave i është nënshtruar haraçit.

Ajo qan me hidhërim natën, lotët vijëzojnë faqet e saj; midis gjithë atyre që e donin nuk ka njeri që ta ngushëllojë; tërë miqtë e saj e kanë tradhëtuar, janë bërë armiq të saj.

Juda ka shkuar në robëri, mbi të rëndojnë pikëllimi dhe një skllavëri e rëndë; ai banon midis kombeve, nuk gjen prehje; tërë përndjekësit e tij e kanë arritur midis fatkeqësive.

Rrugët e Sionit mbajnë zi, sepse askush nuk vjen më në festat solemne; tërë portat e tij janë të shkreta, priftërinjtë e tij psherëtijnë, virgjëreshat e tij hidhërohen dhe ai është në trishtim.

Kundërshtarët e tij janë bërë sundimtarë, armiqtë e tij begatohen, sepse Zoti e ka mjeruar për shkak të morisë së shkeljeve të tij; fëmijët e tij kanë shkuar në robëri përpara armikut.

Vajza e Sionit ka humbur tërë madhështinë e saj; krerët e tij janë bërë si drerë që nuk gjejnë kullotë; ecin pa forca përpara atyre që i ndjekin.

Në ditët e trishtimit të tij dhe të endjes Jeruzalemi kujton tërë të mirat e çmuara që zotëronte qysh nga ditët e lashta. Kur populli i tij binte në dorë të armikut dhe askush nuk i vinte në ndihmë, kundërshtarët e tij e shikonin dhe qeshnin me shkatërrimin e tij.

Jeruzalemi ka mëkatuar rëndë, prandaj është bërë një gjë e fëlliqur; tërë ata që e nderonin e përçmojnë, sepse e kanë parë lakuriq, po, ai psherëtin dhe kthehet prapa.

Fëlliqësia e tij ishte në cepat e rrobave të tij, nuk mendonte për fundin e tij; prandaj ra në mënyrë të habitshme, pa pasur njeri që ta ngushëllojë: Shiko, o Zot, dëshpërimin tim sepse armiku po ngrihett".

10 Kundërshtari ka shtrirë dorën mbi të gjitha thesaret e tua, sepse pa kombet të hyjnë në shenjtëroren tënde; pikërisht ata që ti u kishe urdhëruar të mos hynin në kuvendin tënd.

11 Tërë populli i tij psherëtin duke kërkuar bukë; japin gjërat e tyre më të çmuara për ushqim me qëllim që të rifitojnë jetën. "Shiko, o Zot, dhe kqyr sa jam bërë i neveritshëm!". pranimi i mëkateve të tij dhe pasojat e tyre

12 "Asgjë e tillë mos t’ju ndodhë, o ju që kaloni afër. Soditni dhe shikoni, në se ka një dhimbje të ngjashme me dhembjen time, ajo që më brengos dhe që Zoti më ka dhënë ditën e zemërimit të tij të zjarrtë.

13 Nga lart ka dërguar një zjarr në kockat e mia, i kaplon ato; ka shtrirë një rrjetë në këmbët e mia, më ka kthyer prapa, më ka shkretuar në kapitjen e ditëve të mia.

14 Nga dora e tij është lidhur zgjedha e shkeljeve të mia, që lidhen bashkë dhe rëndojnë mbi qafën time; më ka pakësuar forcën time; Zoti më ka lënë në duart e atyre të cilëve nuk mund t’u bëj ballë.

15 Zoti ka rrëzuar në mesin tim tërë trimat e mi; ka thirrur kundër meje një kuvend për të shtypur të rinjtë e mi; Zoti ka shtypur si në një butinë bijën e virgjër të Judës.

16 Prandaj unë qaj; sytë e mi, vetë sytë e mi shkrihen ndër lot, sepse ngushëlluesi që do të mund të më jepte përsëri jetën është larg meje. Bijtë e mi janë të dëshpëruar, sepse armiku doli fitimtar".

17 Sioni zgjat duart e tij, por nuk ka njeri që ta ngushëllojë. Përsa i përket Jakobit, Zoti ka urdhëruar që ata që janë rreth tij të bëhen armiq të tij. Jeruzalemi është bërë në mes tyre si një gjë e papastër.

18 Zoti është i drejtë, sepse jam rebeluar kundër fjalës së tij. Dëgjoni, pra, o popuj mbarë, dhe shikoni dhimbjen time! Virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë shkuar në robëri.

19 Thirra dashnorët e mi, por ata më kanë mashtruar; priftërinjt e mi dhe pleqtë e mi nxorën frymën e fundit në qytet, ndërsa kërkonin ushqim për të shpëtuar jetën e tyre.

20 Shiko, o Zot, unë jam në ankth. Zorrët e mia dridhen, zemra ime është e tronditur brenda meje, sepse kam qënë rebele e madhe. Jashtë shpata më la pa bij, në shtëpi është si të jetë vdekje.

21 Më dëgjojnë që psherëtij, askush nuk më ngushëllon. Tërë armiqtë e mi e kanë mësuar fatkeqësinë time dhe janë të kënaqur që ti ke bërë këtë gjë. Ti do të sjellësh ditën që ke lajmëruar, dhe atëherë do të jenë si unë.

22 Le të vijë para teje tërë ligësia e tyre, dhe trajtoi ashtu si më ke trajtuar mua për shkak të të gjitha shkeljeve të mia. Sepse të shumta janë psherëtimat e mia dhe zemra ime lëngon.

Si bëhet që në zemërimin e tij Zoti ka mbuluar me një re bijën e Sionit? Ai ka hedhur nga qielli në tokë lavdinë e Izraelit dhe nuk u kujtua për ndenjësen e këmbëve të tij ditën e zemërimit të tij.

Zoti i ka shkatërruar pa mëshirë të gjitha banesat e Jakobit; në zemërimin e tij ka shembur fortesat e bijës së Judës, i ka hedhur për tokë duke përdhosur mbretërinë dhe krerët e saj.

Me një zemërim të zjarrtë ka thyer tërë fuqinë e Izraelit, ka tërhequr të djathtën e tij përpara armikut, ka djegur në mes të Jakobit si një zjarr flakërues që gllabëron gjithçka rreth e qark.

Ka nderur harkun e tij si një armik, ka ngritur dorën e djathtë si një kundërshtar, ka shkatërruar të gjitha ato që ishin të këndshme për sytë në çadrën e bijës së Sionit, e ka derdhur zemërimin e tij si një zjarr.

Zoti u bë si një armik; përpiu Izraelin, përpiu tërë pallatet e tij, shkatërroi fortesat e tij, shumëfishoi të qarat dhe vajtimet tek e bija e Judës.

Shkatërroi tabernakullin e tij si një kopësht, prishi vendin ku mblidhet kuvendi; Zoti bëri të harrohen në Sion festat solemne dhe të shtunat dhe gjatë tërbimit e të zemërimit të tij hodhi poshtë mbretër dhe priftërinj.

Zoti braktisi altarin e tij, hodhi poshtë shenjtëroren e tij, dorëzoi në dorë të armikut muret e fortesave të tij; ata lartuan britma në shtëpinë e Zotit si në një ditë feste solemne.

Zoti vendosi të shkatërrojë muret e bijës së Sionit; vuri litarin, nuk ka hequr dorë nga shkatërrimi; ka bërë të vajtojnë fortesa dhe mure; që të dyja lëngojnë.

Portat e tij janë fundosur në dhe; ai ka prishur dhe ka copëtuar shufrat e tyre; mbreti i tij dhe krerët e tij ndodhen midis kombeve; nuk ka më ligj, dhe profetët e tij nuk marrin asnjë vegim nga Zoti.

10 Pleqtë e bijës së Sionit ulen për tokë në heshtje; kanë hedhur pluhur mbi kokën e tyre, kanë ngjeshur trupin me thes; virgjëreshat e Jeruzalemit ulin deri në tokë kokën e tyre.

11 Sytë e mi konsumohen nga të qarat, zorrët e mia drithërohen, mëlçia ime përhapet për tokë për shkak të shkatërrimit të bijës së popullit tim, për ligështimin e fëmijëve dhe të foshnjave në gji në sheshet e qytetit.

12 Ata u kërkonin nënave të tyre: "Ku është gruri dhe vera?," ndërsa po ligështoheshin si të plagosur për vdekje në sheshet e qytetit dhe jepnin shpirt në prehrin e nënave të tyre.

13 Si mund të të jap zemër? Në çfarë do të të ngjas, o bijë e Jeruzalemit? Çfarë gjë do të krahasoj me ty që të të ngushëlloj, o bijë e virgjër e Jeruzalemit? Sepse shkatërrimi yt është i madh si deti; kush mund të të shërojë?

14 Profetët e tu kanë pasur për ty vegime të rreme dhe të paarsyeshme; nuk kanë zbuluar lakuriq paudhësinë tënde që të largojnë robërinë prej teje; ata kanë shqiptuar për ty profeci të rreme dhe mashtruese.

15 Tërë kalimtarët i rrahin duart kundër teje; fërshëllejnë dhe tundin kokën kundër bijës së Jeruzalemit: "Ky qënka qyteti që e quanin "bukuri e përsosur," "gëzimi i tërë tokës"?".

16 Tërë armiqtë e tu hapin gojën kundër teje; fërshëllejnë dhe kërcëllijnë dhëmbët, dhe thonë: "E kemi gëlltitur! Po, kjo është dita që prisnim; arritëm ta shohim".

17 Zoti ka realizuar atë që kishte menduar; ka mbajtur fjalën që kishte dekretuar në ditët e lashta. Ka shkatërruar pa asnjë mëshirë, ka vepruar në mënyrë që armiku të gëzohet me ty, ka lavdëruar fuqinë e kundërshtarëve të tu.

18 Zemra e tyre i bërtet Zotit: "O mure të bijës së Sionit, bëni që të derdhen lotët si një përrua ditën e natën. Mos i jepni qetësi vetes, mos paçin çlodhje bebet e syve tuaj.

19 Çohuni, bërtisni natën, në fillim të çdo vigjiljeje. Derdhni si ujë zemrën tuaj përpara fytyrës së Zotit. Ngrini duart në drejtim të tij për jetën e fëmijëve tuaj, që mpaken nga uria në hyrje të të gjitha rrugëve".

20 "Shiko, o Zot, dhe shqyrto. Cilin ke trajtuar në këtë mënyrë? A duhet të hanin gratë frytin e barkut të tyre, fëmijët që përkëdhelnin? A duhet të vriteshin prifti dhe profeti në shenjtëroren e tij?

21 Të vegjëlit dhe pleqtë dergjen për tokë nëpër rrugë; virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë rënë nga shpata; ti i ke vrarë ditën e zëmërimit tënd, i ke masakruar pa mëshirë.

22 Ti ke mbledhur si për një ditë feste tmerret që më rrethojnë nga çdo anë. Në ditën e zemërimit të Zotit nuk pati as ikanak as të mbetur. Ata që kisha ushqyer me gji dhe që kisha rritur, i shfarosi armiku im".

Unë jam njeriu që pa hidhërimin nën thuprën e tërbimit të tij.

Ai më ka udhëhequr dhe më ka bërë të eci nëpër terr dhe jo në dritë.

Po, kundër meje ai ka kthyer disa herë dorën e tij tërë ditën.

Ai ka konsumuar mishin tim dhe lëkurën time, ka coptuar kockat e mia.

Ka ndërtuar fortesa kundër meje, më ka rrethuar me hidhërim dhe me ankth.

Ka bërë që unë të banoj në vende plot errësirë, ashtu si të vdekurit prej shumë kohe.

Më ka ndërtuar një mur rreth e qark, me qëllim që unë të mos dal; e ka bërë të rëndë zinxhirin tim.

Edhe kur bërtas dhe kërkoj ndihmë me zë të lartë, ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time.

Ai i ka mbyllur rrugët e mia me gurë të prerë, i ka bërë shtigjet e mia plot me prita.

10 Ai ka qenë për mua si një ari në pritë, si një luan në vende të fshehta.

11 Ka devijuar rrugët e mia, më ka coptuar dhe më ka dëshpëruar.

12 Ka nderur harkun e tij dhe më ka bërë objekt të shigjetave të tij.

13 Ka bërë të depërtojnë në zemrën time shigjetat e kukurës së tij.

14 Jam bërë tallja e tërë popullit tim, kënga e tij e tërë ditës.

15 Më ka ngopur me hidhërim, më ka bërë të pij pelin.

16 Më ka coptuar dhëmbët me zall, më ka mbuluar me hi.

17 Ke larguar shpirtin tim nga paqja, kam harruar mirëqënien.

18 Kam thënë: "Éshtë zhdukur besimi im dhe shpresa ime tek Zoti".

19 Kujtohu për pikëllimin dhe për endjen time, për pelinin dhe hidhërimin.

20 Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje.

21 Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj.

22 Éshtë një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.

23 Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote.

24 "Zoti është pjesa ime," thotë shpirti im, "prandaj do të kem shpresë tek ai.

25 Zoti është i mirë me ata që kanë shpresë tek ai, me shpirtin që e kërkon.

26 Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.

27 Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij.

28 Le të ulet i vetmuar dhe të qëndrojë në heshtje kur Perëndia ia imponon.

29 Le ta vërë gojën e tij në pluhur, ndofta ka ende shpresë.

30 Le ti japë faqen atij që e godet, të ngopet me fyerje.

31 Sepse Zoti nuk hedh poshtë për gjithnjë;

32 por, në rast se të hidhëron, do ti vijë keq sipas shumicës së zemërmirësive të tij,

33 sepse nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve.

34 Kur dikush shtyp nën këmbët e tij tërë robërit e dheut,

35 kur dikush shtrëmbëron të drejtën e një njeriu në prani të Më të Lartit,

36 kur dikujt i bëhet një padrejtësi në çështjen e tij, a nuk e shikon Zoti?