Add parallel Print Page Options

Burrat e Efraimit i thanë Gedeonit: "Pse je sjellë në këtë mënyrë me ne, duke mos na thirrur kur shkove të luftosh kundër Madianit?". Dhe patën një grindje të ashpër me të.

Ai iu përgjegj atyre: "Por çfarë kam bërë unë kundër jush? Qëmtimi i Efraimit nuk vlen vallë më tepër se sjellja e Abiezerit?

Perëndia ju dha në dorë princat e Madianit, Orebin dhe Zeebin; çfarë mund të bëja për ju?". Kur tha këto fjalë, zemërimi i tyre kundër tij u fashit.

Gedeoni arriti pastaj në Jordan dhe e kaloi atë me të treqind burrat që ishin me të; megjthëse të lodhur ata vazhdonin ta ndiqnin armikun.

Atyre të Sukothit u tha: "Ju lutem, u jepni bukë njerëzve që më vijnë pas, sepse janë të lodhur, dhe unë jam duke ndjekur Zebahun dhe Tsalmunain, mbretër të Madianit".

Por krerët e Sukothit u përgjegjën: "Mos vallë Zebahu dhe Tsalmunai janë në dorën tënde, që ne të duhet t’i japim bukë ushtrisë tënde?".

Atëherë Gedeoni tha: "Për këtë, kur Zoti të më japë në dorë Zebahun dhe Tsalmunain, do të copëtoj trupin tuaj me gjembat dhe me ferrat e shkretëtirës.

Që andej shkoi në Penuel dhe u foli në të njëjtën mënyrë banorëve të tij; burrat e Penuelit iu përgjigjën në të njëjtën mënyrë si ata të Sukothit.

Kështu ai u foli edhe burrave të Penuelit, duke u thënë: "Kur të kthehem në paqe, do të rrëzoj këtë kala".

10 Zebahu dhe Tsalmunai ndodheshin në Karkor me gjithë ushtrinë e tyre prej rreth pesëmbëdhjetë mijë burrash, ajo që mbetej nga tërë ushtria e bijve të lindjes, sepse njëqind e njëzet mijë njerëz që mbanin shpatë i kishin vrarë.

11 Gedeoni shkoi nëpër rrugët e atyre që banonin në çadra, në lindje të Nobahut dhe të Jogbehahut, dhe mundi ushtrinë që e pandehte veten në siguri.

12 Dhe Zebahu dhe Tsalmunai ikën me vrap; por ai i ndoqi dhe i zuri të dy mbretërit e Madianit, Zebahun dhe Tsalmunain, dhe e shpartalloi tërë ushtrinë.

13 Pastaj Gedeoni, bir i Joashit, u kthye në fushën e betejës nëpër të përpjetën e Heresit.

14 Kapi një të ri nga njerëzit e Sukothit dhe e mori në pyetje, dhe ky i dha me shkrim emrat e krerëve dhe të pleqve të Sukothit, gjithsej shtatëdhjetë e shtatë burra.

15 Pastaj shkoi te njerëzit e Sukothit dhe tha: "Ja, Zebahu dhe Tsalmunai, në lidhje me të cilët jeni tallur me mua, duke thënë: "Mos vallë Zebahu dhe Tsalmunai janë në dorën tënde, që ne të duhet t’u japim bukë njerëzve të tu të lodhur?"".

16 Mori pastaj pleqtë e qytetit dhe me gjembat dhe ferrat e shkretëtirës u dha një mësim burrave të Sukothit.

17 Rrëzoi gjithashtu kalanë e Penuelit dhe vrau njerëzit e qytetit.

18 Pastaj u tha Zebahut dhe Tsalmunait: "Si ishin njerëzit që keni vrarë në Tabor?". Ata u përgjigjën: "Ishin si ti; secili prej tyre kishte pamjen e birit të një mbreti".

19 Ai vazhdoi: "Ishin vëllezërit e mi, bij të nënes sime; ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, po të mos i kishit vrarë, unë nuk do t’ju vrisja!".

20 Pastaj i tha Jetherit, birit të tij të parë: "Çohu dhe vriti!". Por i riu nuk e nxori shpatën, sepse kishte frikë, ishte ende i ri.

21 Atëherë Zebahu dhe Tsalmunai thanë: "Çohu ti vetë dhe na godit, sepse si të jetë burri ashtu është edhe forca e tij". Kështu Gedeoni u ngrit dhe vrau Zebahun dhe Tsalmunain, dhe shtiu në dorë gjysmëhënat që devetë e tyre mbanin në qafë.

22 Atëherë burrat e Izraelit i thanë Gedeonit: "Mbretëro mbi ne ti, biri yt dhe i biri i birit tënd, sepse na ke çliruar nga sundimi i Madianit".

23 Por Gedeoni u përgjegj: "Unë nuk do të mbretëroj mbi ju, as edhe biri im!".

24 Pastaj Gedeoni u tha: "Por dua t’ju kërkoj diçka: secili prej jush të më japë vathët e plaçkës së tij". Ata kishin vathët prej ari sepse ishin Ismaelitë.

25 Ata u përgjigjën: "Ne i japim me gjithë qejf". Kështu ata shtrinë një mantel dhe secili hodhi vathët e plaçkës së tij.

26 Pesha e vathëve prej ari që ai kishte kërkuar ishte njëmijë e shtatëqind sikla ari, përveç gjysmëhënëzave, varëseve dhe rrobave të purpurta që vishnin mbretërit e Madianit, përveç qaforeve që devetë e tyre mbanin në qafë.

27 Pastaj Gedeoni me to bëri një efod, dhe e vendosi në Ofrah, në qytetin e tij; tërë Izraeli shkoi atje dhe u kurvërua me të dhe kështu u shndërrua në një lak për Gedeonin dhe shtëpinë e tij.

28 Kështu Madiani u poshtërua përpara bijve të Izraelit dhe nuk ngriti më kokë; dhe vendi pati paqe dyzet vjet me radhë, gjatë gjithë jetës së Gedeonit.

29 Pastaj Jerubaali, bir i Joashit, u kthye të banojë në shtëpinë e tij.

30 Gedeoni pati shtatëdhjetë fëmijë që dolën nga ijet e tij, sepse pati shumë gra.

31 Por konkubina e tij që banonte në Sikem, i lindi edhe ajo një djalë, të cilit i vuri emrin Abimelek.

32 Pastaj Gedeoni, bir i Joashit, vdiq në pleqëri të mbarë dhe u varros në varrin e Joashit, të atit të tij, në Ofrah të Abiezeritëve.

33 Pas vdekjes së Gedeonit, bijtë e Izraelit filluan përsëri të kurvërohen përpara Baalit dhe zgjodhën Baal-Berithin si zot të tyre.

34 Bijtë e Izraelit nuk u kujtuan fare për Zotin, Perëndinë e tyre, që i kishte çliruar nga të gjithë armiqtë që i rrethonin,

35 dhe nuk u treguan fare mirënjohës ndaj shtëpisë së Jerubaalit (domethënë të Gedeonit) për gjithë ato të mira që i kishte bërë Izraelit.

Abimeleku, bir i Jerubaalit, shkoi në Sikem te vëllezërit e nënes së tij dhe foli me ta dhe me gjithë familjen e atit të nënes së tij, duke thënë:

"U thoni gjithë banorëve të Sikemit: "Ç’është më e mirë për ju, që të gjithë shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit të mbretërojnë mbi ju, apo të mbretërojë mbi ju vetëm një?". Dhe mos harroni që unë rrjedh nga kocka dhe mishi juaj".

Vëllezërit e nënes së tij i përhapën këto fjalë të tij tërë banorëve të Sikemit; dhe zemra e tyre anoi në dobi të Abimelekut, sepse thanë: "Éshtë vëllai ynë".

Kështu i dhanë shtatëdhjetë sikla argjendi, që i tërhoqën nga tempulli i Baal-Berithit, me të cilat Abimeleku rekrutoi njerëz pa kurrfarë vlere, por trima; dhe ata i shkuan pas.

Pastaj ai shkoi në shtëpinë e atit të tij në Ofrah dhe vrau mbi po atë gur vëllezërit e tij, të shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit. Por Jothami biri më i vogël i Jerubaalit, shpëtoi sepse ishte fshehur.

Atëherë tërë banorët e Sikemit dhe tërë shtëpia e Milos u mblodhën dhe shkuan ta shpallin mbret Abimelekun, pranë lisit të monumentit që gjendet në Sikem.

Kur Jothami u informua për këtë gjë, shkoi dhe zuri në majën e malit Gerezim dhe, duke ngritur zërin, thirri: "Dëgjomëni, banorë të Sikemit, dhe Perëndia të mund t’ju dëgjojë!

Një ditë drurët u nisën për të vajosur një mbret që të mbretëronte mbi ta; dhe i thanë ullirit: "Mbretëro mbi ne".

Por ulliri u përgjegj me këto fjalë: "A duhet të heq dorë nga vaji im metë cilin Perëndia dhe njerëzit nderohen, dhe të shkoj të shqetësohem për drurët?".

10 Atëherë drurët i thanë fikut: "Eja ti të mbretërosh mbi ne".

11 Por fiku iu përgjegj atyre: "A duhet të heq dorë nga ëmbëlsia ime dhe nga fruti im shumë i shijshëm dhe të shkoj të shqetësohem për drurët?".

12 Atëherë drurët iu drejtuan hardhisë: "Eja ti të mbretërosh mbi ne".

13 Por hardhia u përgjegj kështu: "A duhet të heq dorë nga vera ime e ëmbël që gëzon Perëndinë dhe njerëzit, dhe të shkoj të shqetësohem për drurët?".

14 Atëherë tërë drurët i thanë ferrës: "Eja ti të mbretërosh mbi ne".

15 Ferra iu përgjegj me këto fjalë drurëve: "Në rast se doni me të vërtetë të më vajosni si mbret për të sunduar mbi ju, ejani të strehoheni nën hijen time; përndryshe daltë një zjarr nga ferra dhe përpiftë kedrat e Libanit!".

16 Por ju nuk u suallët me besnikëri dhe me ndershmëri duke e shpallur mbret Abimelekun, nuk mbajtët një qëndrim të mirë ndaj Jerubaalit dhe shtëpisë së tij dhe nuk e keni trajtuar siç e meritonte,

17 sepse im atë ka luftuar për ju, ka rrezikuar jetën e vet dhe ju ka çliruar nga sundimi i Madianit.

18 Kurse sot ju keni ngritur krye kundër shtëpisë së atit tim, keni vrarë të shtatëdhjetë bijtë e tij mbi po atë gur dhe keni shpallur mbret të Sikemitëve Abimelekun, birin e shërbëtores, sepse është vëllai juaj.

19 Në rast se sot keni vepruar me besnikëri dhe ndershmëri ndaj Jerubaalit dhe shtëpisë së tij, atëherë e gëzofshi Abimelekun dhe ai u gëzoftë me ju!

20 Por në rast se punët nuk janë kështu, le të dalë nga Abimeleku një zjarr që të gllabërojë banorët e Sikemit dhe shtëpinë e Milos, dhe le të dalë nga banorët e Sikemit dhe nga shtëpitë e Milos një zjarr që të gllabërojë Abimelekun".

21 Pastaj Jothemi iku, ia mbathi dhe shkoi të banojë në Beer nga frika e vëllait të tij Abimelek.

22 Abimeleku sundoi tre vjet mbi Izraelin.

23 Pastaj Perëndia dërgoi një frymë të keq midis Abimelekut dhe banorëve të Sikemit, dhe banorët e Sikemit e tradhtuan Abimelekun,

24 me qëllim që dhuna e ushtruar kundër të shtatëdhjetë bijve të Jerubaalit të zgjidhej dhe gjaku i tyre të binte mbi vëllanë e tyre Abimelek, që i kishte vrarë dhe mbi banorët e Sikemit, që e kishin ndihmuar të vriste vëllezërit e tij.

25 Banorët e Sikemit vunë njerëz në pritë kundër tij në majën e maleve, dhe këta plaçkitën tërë ata që kalonin në rrugë afër tyre. Abimeleku u informua për këtë.

26 Pastaj Gaali, bir i Ebedit, dhe vëllezërit e tij erdhën dhe u transferuan në Sikem, dhe banorët e Sikemit krijuan besim tek ai.

27 Ata dolën në ara, mblodhën rrushin në vreshtat e tyre, e shtypën dhe bënë festë. Pastaj hynë në shtëpinë e zotit të tyre, hëngrën, pinë dhe mallkuan Abimelekun.

28 Gaali, bir i Ebedit, tha: "Kush është Abimeleku dhe çfarë përfaqëson Sikemi, pse duhet t’i shërbejmë? A nuk është vallë bir i Jerubaalit, dhe a nuk është Zebuli mëkëmbësi i tij? Më mirë u shërbeni njerëzve të Hamorit atit të Sikemit! Po pse u dashka që ne t’i shërbejmë këtij njeriu?

29 Po ta kisha këtë popull nën urdhrat e mia, unë do ta kisha dëbuar Abimelekun!". Pastaj i tha Abimelekut: "Forcoje ushtrinë tënde dhe më dil përpara!".

30 Kur Zebuli, qeveritar i qytetit, dëgjoi këto fjalë të Gaalit, birit të Ebedit, u zemërua shumë,

31 dhe i dërgoi fshehurazi lajmëtarë Abimelekut për t’i thënë: "Ja, Gaali, bir i Ebedit, dhe vëllezërit e tij kanë ardhur në Sikem; ata po e ngrenë qytetin kundër teje.

32 Prandaj çohu natën, ti dhe njerëzit e tu, dhe zëru pritë në fushë;

33 dhe nesër në mëngjes, sa të lindë dielli do të ngrihesh dhe do t’i sulesh qytetit. Kur pastaj Gaali me gjithë njerëzit që janë me të do të dalë kundër teje, ti do t’i bësh atë që beson se është më e përshtatshme".

34 Abimeleku dhe tërë njerëzit që ishin me të u ngritën natën dhe zunë një pritë kundër Sikemit, të ndarë në katër grupe.

35 Kur Gaali, bir i Ebedit, doli dhe u ndal në hyrjen e portës së qytetit, Abimeleku doli nga prita me gjithë njerëzit që ishin me të.

36 Duke i parë ata njerëz, Gaali i tha Zebulit: "Ja, disa njerëz që zbresin nga maja e maleve". Por Zebuli iu përgjegj: "Hijet e maleve të duken ty si njerëz".

37 Gaali nisi përsëri të flasë, duke thënë: "Shiko, ka njerëz që zbresin nga majat e lartësive të vendit, dhe një grup tjetër po vjen nga rruga e lisit të shortarëve".

38 Atëherë Zebuli i tha: "Ku e ke kapadaillëkun, kur thoje: "Kush është Abimeleku, pse duhet t’i shërbejmë?". A nuk është ky popull që ti përçmoje? Dil, pra, përpara dhe lufto kundër tij!".

39 Atëherë Gaali doli në krye të banorëve të Sikemit dhe i nisi betejën kundër Abimelekut.

40 Por Abimeleku e ndoqi dhe ai iku me vrap para tij; shumë njerëz ranë për tokë të plagosur për vdekje deri në hyrje të portës.

41 Abimeleku u ndal pastaj në Arumah, dhe Zebuli dëboi Gaalin dhe vëllezërit e tij, që nuk qëndruan dot më në Sikem.

42 Të nesërmen populli i Sikemit doli nëpër fusha; Abimeleku u informua për këtë.

43 Atëherë ai mori njerëzit e tij, i ndau në tre grupe dhe zuri pritë në fusha; kur pa që populli po dilte nga qyteti, ai u hodh kundër tij dhe bëri kërdinë.

44 Pastaj Abimeleku dhe njerëzit që ishin me të u sulën përpara dhe zunë hyrjen e portës së qytetit, kurse dy grupet e tjera u sulën mbi tërë ata që ishin nëpër fusha dhe bënë kërdinë.

45 Abimeleku e pushtoi me sulm po atë ditë qytetin dhe vrau popullin që gjendej në të; pastaj e sheshoi qytetin dhe aty hodhi kripë.

46 Kur të gjithë banorët e kalasë së Sikemit dëgjuan këtë ngjarje, u tërhoqën në kullën kryesore të tempullit të perëndisë Berith.

47 Kështu i thanë Abimelekut që tërë banorët e kalasë së Sikemit ishin mbledhur bashkë.

48 Atëherë Abimeleku u ngjit në malin Tsalmon, ai vetë bashkë me njerëzit e tij; pastaj Abimeleku kapi një sëpatë, preu degën e një druri, e ngriti dhe e vuri mbi shpatullat e tij; padstaj u tha njerëzve që ishin me të: "Atë që patë që unë bëra, bëjeni shpejt edhe ju!".

49 Kështu secili prej tyre preu një degë dhe shkoi pas Abimeleku; i vendosën degët përballë kullës kryesore dhe e dogjën atë. Kështu gjetën vdekjen gjithë njerëzit e kalasë së Sikemit, pothuajse një mijë veta, gra e burra.

50 Pastaj Abimeleku shkoi në Thebets, e rrethoi dhe e pushtoi.

51 Në mes të qytetit kishte një kullë të fortifikuar, ku ishin strehuar tërë njerëzit e qytetit, gra e burra; u mbyllën brenda dhe hipën mbi çatinë e kullës.

52 Kështu Abimeleku arriti në këmbët e kalasë dhe e sulmoi; iu afrua pastaj portës së kalasë për t’i vënë flakën.

53 Por një grua hodhi poshtë pjesën e sipërme të një mokre mbi kokën e Abimelekut dhe i theu kafkën.

54 Ai thirri menjëherë të riun që i mbante armët dhe i tha: "Nxirre shpatën dhe më vrit, që të mos thonë: "E vrau një grua!"". Kështu i riu e shpoi tejembanë dhe ai vdiq.

55 Kur Izraelitët panë që Abimeleku kishte vdekur, secili u kthye në shtëpinë e tij.

56 Kështu Perëndia ia shkarkoi Abimelekut të keqen që kishte bërë kundër atit të tij, duke vrarë shtatëdhjetë vëllezërit e tij.

57 Perëndia bëri që të binte mbi kokën e njerëzve të Sikemit tërë e keqja e bërë; kështu kundër tyre u realizua mallkimi i Jothamit, birit të Jerubaalit.