Add parallel Print Page Options

Jerubaali, pra, (domethënë Gedeoni) dhe gjithë njerëzit që ishin me të u ngritën herët në mëngjes dhe fushuan pranë burimit të Harodit. Kampi i Madianit ndodhej në veri të tyre, pranë kodrës së Morehut, në luginë.

Atëherë Zoti i tha Gedeonit: "Për mua njerëzia që është me ty është tepër e madhe, që unë të jap Madianin në duart e tij; Izraeli do të mund të mburrej para meje duke thënë: "Éshtë dora ime që më ka shpëtuar".

Prandaj shpalli tërë popullit, duke i thënë: "Ai që ka frikë dhe dridhet, le të kthehet prapa dhe të largohet nga mali i Galaadit"". Atëherë u kthyen prapa njëzet e dy mijë burra dhe mbetën në vend dhjetë mijë.

Zoti i tha Gedeonit: "Njerëzit janë përsëri shumë; bëji të zbresin në ujë dhe atje do t’i vë në provë për ty. Ai për të cilin do të them: "Ky të vijë me ty," ka për të ardhur me ty; dhe ai për të cilin do të them: "Ky mos të vijë me ty, nuk ka për të ardhur".

Gedeoni i vuri njerëzit të zbrisnin në ujë; dhe Zoti tha: "Tërë ata që do të lëpijnë ujin me gjuhë, ashtu siç e lëpinë qeni, do t’i vësh mënjanë; dhe kështu do të veprosh edhe me të gjithë ata që do të gjunjëzohen për të pirë ujë".

Numri i atyre që lëpinë ujin duke e çuar në gojë me dorë arriti në treqind veta; gjithë të tjerët u gjunjëzuan për të pirë ujë.

Atëherë Zoti i tha Gedeonit: "Me anë të treqind burrave që lëpinë ujin unë do t’ju shpëtoj dhe do t’i jap Madianitët në duart e tua. Gjithë të tjerat le të kthehen në shtëpitë e tyre".

Atëherë treqind burrat morën në duart e tyre ushqimet dhe boritë e tyre; kështu Gedeoni i ktheu tërë burrat e tjerë të Izraelit, secilin në çadrën e tij, por mbajti me vete treqind burrat. Kampi i Madianit gjendej poshtë tij, në luginë.

Po atë natë Zoti i tha Gedeonit: "Çohu dhe bjeri kampit, sepse unë ta kam lënë ty në dorë.

10 Por në rast se ke frikë ta bësh, zbrit në kamp me Purahun, shërbëtorin tënd,

11 dhe do të dëgjosh çfarë thonë; mbas kësaj, duart e tua do të forcohen dhe do të jesh në gjendje të sulmosh kampin". Ai zbriti, pra, deri në pozicionet e përparuara të kampit bashkë me Purahun, shërbëtorin e tij.

12 Por Madianitët, Amalekitët dhe tërë bijtë e lindjes ishin shpërndarë në luginë si një mori karkalecash dhe devetë e tyre të panumërta ishin si rëra që ndodhet mbi bregun e detit.

13 Kur arriti Gedeoni, një burrë po i tregonte një shoku të vet një ëndërr që kishte parë dhe thoshte: "Sapo pashë një ëndërr; më dukej sikur kisha përpara një bukë prej elbi që rrokullisej në drejtim të kampit të Madianit, arrinte në çadër dhe e godiste duke e përmbysur dhe duke e rrëzuar".

14 Atëherë shoku i tij iu përgjegj dhe i tha: "Kjo nuk është tjetër veçse shpata e Gedeonit, birit të Joashit, burrë i Izraelit; në duart e tij Perëndia e ka lënë Madianin dhe tërë kampin".

15 Mbasi dëgjoi tregimin e ëndrrës dhe interpretimin e saj, Gedeoni ra përmbys në shenjë adhurimi; pastaj u kthye në kampin e Izraelit dhe tha: Çohuni se Zoti ka dhënë në duart tuaja kampin e Madianit!!".

16 Pastaj i ndau të treqind burrat në tre grupe dhe i dorëzoi secilit prej tyre bori dhe enë boshe me nga një pishtar brenda;

17 dhe u tha: "Shikomëni mua dhe veproni ashtu si do të veproj unë; kur të kem arritur në kufijtë e kampit, ju do të veproni pikërisht si unë.

18 Kur do t’i bie borisë, unë dhe të gjithë ata që janë me mua, edhe ju do t’i bini borive rreth e qark gjithë kampit dhe do të bërtisni: "Për Zotin dhe për Gedeonin"".

19 Gedeoni dhe njëqind burrat që ishin me të arritën në buzë të kampit në prag të mesnatës, fill pas ndërrimit të rojeve. Ata u ranë borive dhe thyen enët që mbanin në dorë.

20 Atëherë të tre grupimet u ranë borive dhe thyen enët duke mbajtur me dorën e majtë pishtarët dhe me atë të djathtë boritë, dhe filluan të bërtisnin: "Shpata e Zotitt dhe e Gedeonit!".

21 Secili prej tyre qëndroi në vendin e tij rreth kampit; e tërë ushtria armike përkundrazi filloi të rendë, të bërtasë dhe të ikë me vrap.

22 Ndërsa treqind burrat u binin borive, Zoti e ktheu shpatën e secilit kundër shokut të tij në tërë kampin. Ushtria armike ia mbathi në Beth-Shitah në drejtim të Tserahut, deri në buzë të Abel-Meholahut pranë Tabathit.

23 Atëherë Izraelitët e Neftalit, të Asherit dhe të tërë Manasit u mblodhën dhe i ndoqën Madianitët.

24 Gedeoni dërgoi pastaj lajmëtarë në të gjithë krahinën malore të Efraimit për të thënë: "Zbrisni kundër Madianitëve dhe shtini në dorë vatë e lumenjve deri në Beth-Barah dhe në Jordan". Kështu tërë burrat e Efraimit u mblodhën dhe zunë vatë e lumenjve deri në Beth-Barah dhe në Jordan.

25 Dhe zunë dy princa të Madianit, Orebin dhe Zeebin; Orebin e vranë në shkëmbin e Orebit dhe Zeebin në grykën e Zeebit. I ndoqën Madianitët dhe ia çuan kokat e Orebit dhe të Zeebit Gedeonit në krahun tjetër të Jordanit.

Burrat e Efraimit i thanë Gedeonit: "Pse je sjellë në këtë mënyrë me ne, duke mos na thirrur kur shkove të luftosh kundër Madianit?". Dhe patën një grindje të ashpër me të.

Ai iu përgjegj atyre: "Por çfarë kam bërë unë kundër jush? Qëmtimi i Efraimit nuk vlen vallë më tepër se sjellja e Abiezerit?

Perëndia ju dha në dorë princat e Madianit, Orebin dhe Zeebin; çfarë mund të bëja për ju?". Kur tha këto fjalë, zemërimi i tyre kundër tij u fashit.

Gedeoni arriti pastaj në Jordan dhe e kaloi atë me të treqind burrat që ishin me të; megjthëse të lodhur ata vazhdonin ta ndiqnin armikun.

Atyre të Sukothit u tha: "Ju lutem, u jepni bukë njerëzve që më vijnë pas, sepse janë të lodhur, dhe unë jam duke ndjekur Zebahun dhe Tsalmunain, mbretër të Madianit".

Por krerët e Sukothit u përgjegjën: "Mos vallë Zebahu dhe Tsalmunai janë në dorën tënde, që ne të duhet t’i japim bukë ushtrisë tënde?".

Atëherë Gedeoni tha: "Për këtë, kur Zoti të më japë në dorë Zebahun dhe Tsalmunain, do të copëtoj trupin tuaj me gjembat dhe me ferrat e shkretëtirës.

Që andej shkoi në Penuel dhe u foli në të njëjtën mënyrë banorëve të tij; burrat e Penuelit iu përgjigjën në të njëjtën mënyrë si ata të Sukothit.

Kështu ai u foli edhe burrave të Penuelit, duke u thënë: "Kur të kthehem në paqe, do të rrëzoj këtë kala".

10 Zebahu dhe Tsalmunai ndodheshin në Karkor me gjithë ushtrinë e tyre prej rreth pesëmbëdhjetë mijë burrash, ajo që mbetej nga tërë ushtria e bijve të lindjes, sepse njëqind e njëzet mijë njerëz që mbanin shpatë i kishin vrarë.

11 Gedeoni shkoi nëpër rrugët e atyre që banonin në çadra, në lindje të Nobahut dhe të Jogbehahut, dhe mundi ushtrinë që e pandehte veten në siguri.

12 Dhe Zebahu dhe Tsalmunai ikën me vrap; por ai i ndoqi dhe i zuri të dy mbretërit e Madianit, Zebahun dhe Tsalmunain, dhe e shpartalloi tërë ushtrinë.

13 Pastaj Gedeoni, bir i Joashit, u kthye në fushën e betejës nëpër të përpjetën e Heresit.

14 Kapi një të ri nga njerëzit e Sukothit dhe e mori në pyetje, dhe ky i dha me shkrim emrat e krerëve dhe të pleqve të Sukothit, gjithsej shtatëdhjetë e shtatë burra.

15 Pastaj shkoi te njerëzit e Sukothit dhe tha: "Ja, Zebahu dhe Tsalmunai, në lidhje me të cilët jeni tallur me mua, duke thënë: "Mos vallë Zebahu dhe Tsalmunai janë në dorën tënde, që ne të duhet t’u japim bukë njerëzve të tu të lodhur?"".

16 Mori pastaj pleqtë e qytetit dhe me gjembat dhe ferrat e shkretëtirës u dha një mësim burrave të Sukothit.

17 Rrëzoi gjithashtu kalanë e Penuelit dhe vrau njerëzit e qytetit.

18 Pastaj u tha Zebahut dhe Tsalmunait: "Si ishin njerëzit që keni vrarë në Tabor?". Ata u përgjigjën: "Ishin si ti; secili prej tyre kishte pamjen e birit të një mbreti".

19 Ai vazhdoi: "Ishin vëllezërit e mi, bij të nënes sime; ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, po të mos i kishit vrarë, unë nuk do t’ju vrisja!".

20 Pastaj i tha Jetherit, birit të tij të parë: "Çohu dhe vriti!". Por i riu nuk e nxori shpatën, sepse kishte frikë, ishte ende i ri.

21 Atëherë Zebahu dhe Tsalmunai thanë: "Çohu ti vetë dhe na godit, sepse si të jetë burri ashtu është edhe forca e tij". Kështu Gedeoni u ngrit dhe vrau Zebahun dhe Tsalmunain, dhe shtiu në dorë gjysmëhënat që devetë e tyre mbanin në qafë.

22 Atëherë burrat e Izraelit i thanë Gedeonit: "Mbretëro mbi ne ti, biri yt dhe i biri i birit tënd, sepse na ke çliruar nga sundimi i Madianit".

23 Por Gedeoni u përgjegj: "Unë nuk do të mbretëroj mbi ju, as edhe biri im!".

24 Pastaj Gedeoni u tha: "Por dua t’ju kërkoj diçka: secili prej jush të më japë vathët e plaçkës së tij". Ata kishin vathët prej ari sepse ishin Ismaelitë.

25 Ata u përgjigjën: "Ne i japim me gjithë qejf". Kështu ata shtrinë një mantel dhe secili hodhi vathët e plaçkës së tij.

26 Pesha e vathëve prej ari që ai kishte kërkuar ishte njëmijë e shtatëqind sikla ari, përveç gjysmëhënëzave, varëseve dhe rrobave të purpurta që vishnin mbretërit e Madianit, përveç qaforeve që devetë e tyre mbanin në qafë.

27 Pastaj Gedeoni me to bëri një efod, dhe e vendosi në Ofrah, në qytetin e tij; tërë Izraeli shkoi atje dhe u kurvërua me të dhe kështu u shndërrua në një lak për Gedeonin dhe shtëpinë e tij.

28 Kështu Madiani u poshtërua përpara bijve të Izraelit dhe nuk ngriti më kokë; dhe vendi pati paqe dyzet vjet me radhë, gjatë gjithë jetës së Gedeonit.

29 Pastaj Jerubaali, bir i Joashit, u kthye të banojë në shtëpinë e tij.

30 Gedeoni pati shtatëdhjetë fëmijë që dolën nga ijet e tij, sepse pati shumë gra.

31 Por konkubina e tij që banonte në Sikem, i lindi edhe ajo një djalë, të cilit i vuri emrin Abimelek.

32 Pastaj Gedeoni, bir i Joashit, vdiq në pleqëri të mbarë dhe u varros në varrin e Joashit, të atit të tij, në Ofrah të Abiezeritëve.

33 Pas vdekjes së Gedeonit, bijtë e Izraelit filluan përsëri të kurvërohen përpara Baalit dhe zgjodhën Baal-Berithin si zot të tyre.

34 Bijtë e Izraelit nuk u kujtuan fare për Zotin, Perëndinë e tyre, që i kishte çliruar nga të gjithë armiqtë që i rrethonin,

35 dhe nuk u treguan fare mirënjohës ndaj shtëpisë së Jerubaalit (domethënë të Gedeonit) për gjithë ato të mira që i kishte bërë Izraelit.

Dhe ndodhi që Jezusi, kur po ndodhej në bregun e liqenit të Gjenezaretit e ndërsa turma po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë,

pa dy barka të lidhura në breg të liqenit, nga të cilat kishin dalë peshkatarët dhe po lanin rrjetat.

Atëherë hyri në një nga ato barka, në atë që ishte e Simonit, dhe iu lut që të largohej pak nga bregu. U ul dhe mësonte turmat nga barka.

Dhe kur mbaroi së foluri i tha Simonit: “Shko në të thella, dhe hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.”

Dhe Simoni, duke u përgjigjur, i tha: “Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë; por, për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën.

Dhe, si bënë kështu, zunë një sasi aq të madhe peshku, sa po shqyhej rrjeta.

Atëherë u bënë shenjë shokëve të tyre që ishin në barkën tjetër, që të vinin e t’i ndihmonin. Dhe ata erdhën dhe i mbushën të dy barkat aq sa gati po fundoseshin.

Simon Pjetri, kur pa këtë, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: “Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar.”

Në të vërtetë Pjetri dhe të gjithë ata që ishin me të, habiteshin për shkak të sasisë së peshkut që kishin zënë.

10 E njëjta gjë u ngjau edhe Jakobit dhe Gjonit, bijve të Zebedeut, që ishin shokë të Simonit. Atëherë Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë; tash e tutje ti do të jesh peshkatar njerëzish të gjallë.”

11 Pastaj ata, si i nxorën në breg barkat, lanë çdo gjë dhe ndiqnin.

12 Ndodhi që, ndërsa Jezusi ndodhej në një nga ato qytete, erdhi një njeri i mbushur plot me lebër, i cili, kur e pa Jezusin, ra me fytyrë për dhe dhe iu lut duke thënë: “Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh.”

13 Atëherë ai e zgjati dorën, e preku duke thënë: “Po, e dua, qofsh i pastruar.” Dhe menjëherë lebra iu zhduk.

14 Dhe Jezusi e urdhëroi: “Mos ia trego kurrkujt; por shko, paraqitu te prifti dhe bëj një ofertë për pastrimin tënd, sikurse e ka përshkruar Moisiu, që kjo t’u shërbejë si dëshmi.”

15 Dhe fama e tij po përhapej gjithnjë e më shumë; dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar dhe për t’u shëruar prej tij nga sëmundjet e veta.

16 Por ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej.

Read full chapter