Add parallel Print Page Options

Këto janë kombet që Zoti la me qëllim që me anë të tyre të vinte në provë Izraelin, domethënë tërë ata që nuk kishin njohur luftërat e Kanaanit:

(kjo kishte si qëllim të vetëm t’ua bënte të njohur dhe t’u mësonte bijve të Izraelit luftën, të paktën atyre që nuk e kishin njohur më parë)

pesë princat e Filistejve, tërë Kananejtë, Sidonitët dhe Hivejtë që banonin në malin e Libanit, nga mali i Baal-Hermonit deri në hyrje të Hamathit.

Këto kombe u lanë për të vënë në provë Izraelin, për të parë në se ata do t’u bindeshin urdhërimeve që Zoti u kishte dhënë etërve të tyre me anë të Moisiut.

Kështu bijtë e Izraelit banuan në mes të Kananejve, të Hitejve, të Amorejve, të Perezejve, të Hivejve dhe të Jebusejve;

u martuan me bijat e tyre dhe u dhanë bijat e veta për gra bijve të tyre, dhe u shërbyen perëndive të tyre.

Kështu bijtë e Izraelit bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit; e harruan Zotin, Perëndinë e tyre, dhe i shërbyen Baalit dhe Asherothit.

Prandaj zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit, dhe ai i dorëzoi në duart e Kushan-Rishathaimit për tetë vjet me radhë.

Pastaj bijtë e Izraelit i klithën Zotit dhe Zoti u dha një çlirimtar, Othnielin, birin e Kenazit, vëllai i vogël i Kalebit; dhe ky i çliroi.

10 Fryma e Zotit ishte mbi të, dhe ai ishte gjyqtar i Izraelit; doli për të luftuar dhe Zoti i dha në dorë Kushan-Rishathaimin, mbretin e Mesopotamisë, dhe dora e tij qe e fuqishme kundër Kushan-Rishathaimit.

11 Vendi pati paqe për dyzet vjet me radhë; pastaj Othnieli, bir i Kenazit, vdiq.

12 Por bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe në sytë e Zotit; atëherë Zoti e bëri të fortë Eglonin, mbretin e Moabit, kundër Izraelit, sepse ata kishin bërë atë që ishte e keqe në sytë e Zotit.

13 Egloni mblodhi rreth vetes bijtë e Amonit dhe të Amalekut, dhe u nis e mundi Izraelin; dhe pushtoi qytetin e palmave.

14 Kështu bijtë e Izraelit u bënë shërbëtorë të Eglonit, mbretit të Moabit, për tetëmbëdhjetë vjet.

15 Por bijtë e Izraelit i klithën Zotit dhe Zoti u dha atyre një çlirimtar, Ehudin, birin e Gerit, Beniaminitin, që ishte mëngjarash. Bijtë e Izraelit i dërguan nëpërmjet tij haraçin e tyre Eglonit, mbretit të Moabit.

16 Ehudi bëri një shpatë me dy tehe, të gjatë një kubitë; e ngjeshi në brez poshtë veshjes, në krahun e djathtë.

17 Pastaj i çoi haraçin Eglonit, mbretit të Moabit, që ishte një njeri shumë i trashë.

18 Kur mbaroi paraqitja e haraçit, ai ktheu në shtëpi njerëzit që kishin sjellë haraçin.

19 Por ai vetë, nga vendi i idhujve pranë Gilgalit, u kthye prapa dhe tha: O mbret, kam diçka që dua të të them fshehurazii". Mbreti i tha: "Heshtni!". Dhe të gjithë ata që e shoqëronin dolën jashtë.

20 Atëherë Ehudi iu afrua mbretit (që ishte ulur vetëm në fresk, në sallën lart). Ehudi i tha: "Kam një fjalë për të të thënë nga ana e Zotit". Kështu mbreti u ngrit nga froni i tij;

21 atëherë Ehudi zgjati dorën e majtë, nxori shpatën nga krahu i djathtë dhe ia futi në bark.

22 Edhe doreza e shpatës u fut pas presës dhe dhjami u mbyll pas presës sepse ai nuk e tërhoqi shpatën nga barku i mbretit; dhe zorrët e tij dolën jashtë.

23 Pastaj Ehudi dolli në portik, dhe mbylli me çelës dyert e sallës së sipërme.

24 Kur doli; erdhën shërbëtorët për të parë, dhe ja, dyert e sallës së sipërme ishin mbyllur me çelës; kështu ata thanë: "Me siguri ai bën nevojën e tij në dhomëzën e sallës së freskët".

25 Dhe pritën aq sa e ndjenë veten të shushatur; por duke qenë se nuk po hapeshin portat e sallës, ata muarrën çelsin dhe hapën; dhe ja, zotëria e tyre rrinte shtrirë në tokë: ai kishte vdekur.

26 Ndërsa ata ngurronin, Ehudi pati kohë të ikte, kaloi matanë vendit të idhujve dhe shpëtoi duke arritur në Seirah.

27 Me të arritur, i ra borisë në krahinën malore të Efraimit, dhe bijtë e Izraelit zbritën bashkë me të nga krahina malore, dhe ai u vu në krye të tyre.

28 Dhe u tha atyre: "Ejani pas meje, sepse Zoti ju ka dhënë në dorë Moabitët, armiqtë tuaj". Ata zbritën pas tij, zunë vatë e Jordanit që çojnë në Moab, dhe nuk lanë të kalojë asnjeri.

29 Në atë kohë mundën rreth dhjetë mijë Moabitë, të gjithë të fortë dhe trima; nuk shpëtoi as edhe një.

30 Kështu atë ditë Moabi u poshtërua nga dora e Izraelit, dhe vendi pati paqe tetëdhjetë vjet me radhë.

31 Mbas Ehudit, erdhi Shamgari, bir i Anathit. Ai mundi gjashtëqind Filistej me një hosten qesh; edhe ai çliroi Izraelin.

Pas vdekjes së Ehudit, bijtë e Izraelit rifilluan të bëjnë atë që ishte e keqe në sytë e Zotit.

Dhe Zoti i dha në duart e Jabinit, mbretit të Kanaanit, që mbretëronte në Hatsor. Komandanti i ushtrisë së tij ishte Sisera, që banonte në Harosheth të kombeve.

Dhe bijtë e Izraelit i klithën Zotit, sepse Jabini kishte nëntëqind qerre të hekurta dhe prej njëzet vjetve shtypte rëndë bijtë e Izraelit.

Në atë kohë gjyqtare e Izraelit ishte një profete, Debora, gruaja e Lapidothit.

Ajo e kishte zakon të ulej nën palmën e Deboras, midis Ramahut dhe Bethelit, në krahinën malore të Efraimit, dhe bijtë e Izraelit vinin tek ajo për të kërkuar të drejtën.

Ajo dërgoi të thërrasë Barakun, birin e Abinoamit, nga Kedeshi i Neftalit, dhe i tha: "A nuk të ka urdhëruar Zoti, Perëndia i Izraelit: Shko, marsho mbi malin Tabor dhe merr me vete dhjetë mijë burra nga bijtë ee Neftalit dhe të Zabulonit.

Unë do të tërheq në drejtimin tënd, në përruan Kishon, Siseran, komandantin e ushtrisë së Jabinit, me gjithë qerret dhe trupat e tij të shumta, dhe do të ta dorëzoj në dorën tënde"?".

Baraku iu përgjegj: "Në rast se vjen me mua, unë do të shkoj; por në qoftë se ti nuk vjen me mua, nuk kam për të shkuar".

Ajo tha: "Do të vij me siguri me ty; megjithatë në rrugën që je duke ndërmarrë nuk ke për të siguruar asnjë lavdi për vete, sepse Zoti do ta dorëzojë Siseran në duart e një gruaje". Pastaj Debora u ngrit dhe shkoi me Barakun në Kadesh.

10 Baraku thirri Zabulonin dhe Neftalin në Kedesh; ai lëvizi në krye të dhjetë mijë burrave, dhe Debora shkoi bashkë me të.

11 Heberi, Keneu, ishte ndarë nga Kenejtë, pasardhës të Hobabit, vjehrrit të Moisiut, dhe i kishte ngritur çadrat e tij në lisin e Tsaanaimit, që ndodhet pranë Kedeshit.

12 Siseras i thanë që Baraku, bir i Abinoamit, ishte ngjitur në malin Tabor.

13 Kështu Sisera rreshtoi tërë qerret e tij, njëqind qerre të hekurta, dhe tërë njerëzit që ishin me të, nga Haroshethi i kombeve deri në përruan e Kishonit.

14 Atëherë Debora i tha Barakut: "Çohu, sepse kjo është dita që Zoti e dorëzoi Siseran në dorën tënde. A nuk ka dalë vallë, Zoti para teje?". Kështu Baraku zbriti nga mali Tabor, i pasuar nga dhjetë mijë burra.

15 Zoti e mundi Siseran, të gjitha qerret dhe tërë ushtrinë e tij, që u shfaros me shpatë përpara Barakut; por Sisera zbriti nga qerrja dhe iku me këmbë.

16 Por Baraku i ndoqi qerret dhe ushtrinë deri në Harosheth të kombeve; dhe tërë ushtria e Siseras u shkatërrua nga goditjet me shpatë; nuk shpëtoi as edhe një njeri.

17 Ndërkaq Sisera kishte ikur më këmbë në drejtim të çadrës së Jaelës, gruas së Heberit, Keneut, sepse mbretëronte paqja midis Jabinit, mbretit të Hatsorit, dhe shtëpisë së Heberit, Keneut.

18 Atëherë Jaela doli për të pritur Siseran dhe i tha: "Hyrë, zotëria ime, hyrë tek unë; mos ki frikë". Kështu ai hyri tek ajo në çadër, dhe ajo e mbuloi me një mbulesë.

19 Pastaj ai i tha: "Më jep pak ujë për të pirë se kam etje". Kështu ajo hapi calikun e qumështit dhe i dha për të pirë; pastaj e mbuloi.

20 Ai i tha: "Qëndro në hyrje të çadrës; dhe në rast se vjen dikush dhe të pyet: "A ka njeri këtu?," ti do të thuash: "Nuk ka njeri"".

21 Atëherë Jaela, gruaja e Heberit, mori një kunj të çadrës dhe një çekiç, iu afrua ngadalë atij dhe i nguli në tëmth kunjin, që u fut në tokë. Atë e kishte zënë një gjumë i thellë; ishte i sfilitur; dhe kështu vdiq.

22 Por ja, ndërsa Baraku ndiqte Siseran, Jaela doli për ta takuar dhe i tha: "Eja me mua dhe do të të tregojë njeriun që kërkon". Ai hyri në çadrën e saj dhe ja, Sisera dergjej i vdekur me kunjin në tëmthat.

23 Kshtu atë ditë Perëndia e poshtëroi Jabin, mbretin e Kanaanit, përpara bijve të Izraelit.

24 Dora e bijve të Izraelit u bë gjithnjë më e rëndë mbi Jabin, mbretin e Kanaanit, deri sa arritën ta shkatërronin plotësisht Jabin, mbretin e Kanaanit.

Atë ditë Debora këndoi këtë kantik me Barakun, birin e Abinoamit, duke thënë:

"Me qenë se krerët kanë marrë komandën në Izrael, me qenë se populli është ofruar spontanisht, bekoni Zotin!

Dëgjoni, o mbretër! Vini veshë, o princa! Unë, pikërisht unë, do t’i këndoj Zotit, do të këndoj lavdinë e Zotit, Perëndisë së Izraelit.

O Zot, kur dole nga Seiri, kur po kapërceje fushat e Edomit, toka u drodh dhe pikoi nga qiejtë; po, pikoi ujë nga retë.

Malet u shkrinë para Zotit, vetë Sinai u drodh para Zotit, Perëndisë të Izraelit.

Në kohën e Shamgarit, birit të Anathit, në kohën e Jaeles rrugët ishin të shkreta, dhe kalimtarët ndiqnin shtigje dredha-dredha.

Mungonin krerë në Izrael; po, mungonin, deri sa nuk dola unë, Debora, si nënë në Izrael.

Ata zgjidhnin perëndi të tjera, kur lufta ishte te pragu. Nuk shihej asnjë mburojë apo shtizë midis dyzet mijë burrave të Izraelit.

Zemra ime është me ata udhëheqës të Izraelit që u ofruan spontanisht në mes të popullit. Bekoni Zotin!

10 Ju që shkoni hipur mbi gomarë të bardha, ju që rrini ulur mbi qilima të shtrenjtë, dhe ju që ecni nëpër rrugë, këndoni!

11 Larg britmave të harkëtarëve, larg koritave, të kremtojnë veprat e drejta të Zotit, veprat e drejta për krerët e tij në Izrael! Atëherë populli i Zotit zbriti në portat.

12 Zgjohu, zgjohu, o Debora! Zgjohu, zgjohu, dhe merrja një kënge! Çohu, o Barak, dhe çoji larg robërit e tu, o bir i Abinoamit!

13 Atëherë iu dha qeverimi mbi fisnikët e popullit atyre që kishin mbetur; Zoti ma dha mua qeverimin midis të fuqishmëve.

14 Nga Efraimi erdhën ata që i kishin rrënjët tek Amaleku; në suitën tënde, Beniamin, midis njerëzve të tu; nga Makir i zbritën disa krerë dhe nga Zabuloni ata që mbajnë shkopin e komandimit.

15 Princat e Isakarit erdhën me Deboran; ashtu siç ishte Isakari, kështu qe edhe Baraku; ata u hodhën në luginë në gjurmët e saj. Ndër divizionet e Rubenit, të mëdha ishin vendimet e zemrës!

16 Pse mbete ti midis të ngujuarve për të dëgjuar fyellin e barinjve? Midis divizioneve të Rubenit, të mëdha ishin vendimet e zemrës!

17 Galaadi ndaloi matanë Jordanit; po Dani pse mbeti mbi anijet? Asheri u vendos pranë bregut të detit dhe mbeti në portet e tij.

18 Zabuloni është një popull që ka vënë në rrezik jetën e tij deri në vdekje, po kështu edhe Neftali në zonat e larta të fushës.

19 Mbretërit erdhën dhe luftuan; atëherë luftuan mbretërit e Kanaanit dhe të Taanakit, pranë ujërave të Megidos; por nuk suallën asnjë plaçkë prej argjendi.

20 Nga qielli luftuan yjet, gjatë lëvizjes së tyre luftuan kundër Siseras.

21 Përroi Kishon i përmbysi, përroi i vjetër, përroi i Kishonit. Shpirti im, vepro me forcë!

22 Atëherë thundrat e kuajve trokëllinin me forcë në galop, në galopin e pitokëve të tyre.

23 "Mallkoni Merozin," tha Engjëlli i Zotit, "mallkoni, mallkoni banorët e tij, sepse nuk i shkuan në ndihmë Zotit, në ndihmë të Zotit në mes të trimave të tij!".

24 E bekuar qoftë midis grave Jaela, gruaja e Heberit, Keneut! Qoftë e bekuar midis grave që banojnë në çadra!

25 Ai kërkoi ujë dhe ajo i dha qumësht; në një kupë princash i ofroi ajkë.

26 Me një dorë kapi kunjin dhe me dorën e djathtë çekiçin e artizanëve; e goditi Siseran, i çau kokën dhe ia shpoi tejpërtej tëmthat.

27 Te këmbët e saj ai u këput, ra dhe u dergj pa shpirt; në këmbët e saj u këput dhe ra; aty ku u këput, aty ra i vdekur.

28 E ëma e Siseras shikoi nga dritarja dhe thirri nga hekurat e saj: "Pse qerrja jote po vonon aq shumë të vijë? Pse ecin kaq ngadalë qerret e tij?".

29 Gratë e saj më të urta iu përgjegjën, dhe ajo përsëriti me vete fjalët e saj:

30 "Ata kanë gjetur plaçkë dhe janë duke e ndarë në pjesë. Për çdo burrë një ose dy vajza; për Siseran një plaçkë me rroba shumëngjyrëshe, një plaçkë me rroba shumëngjyrëshe dhe të qëndisura, me rroba shumëngjyrëshe dhe të qëndisura nga të dy anët për shpatullat e atyre që bartin tutje plaçkën".

31 Kështu u zhdukshin të gjithë armiqtë e tu, o Zot! Por ata që të duan qofshin si dielli, kur lind me gjithë forcën e tij!". Pastaj vendi pati qetësi për dyzet vjet me radhë.