Add parallel Print Page Options

19 Në atë kohë, kur nuk kishte mbret në Izrael, një Levit, që banonte në pjesën më të lartë të krahinës malore të Efraimit, mori si konkubinë një grua nga Betlemi i Judës.

Kjo konkubinë kreu një shkelje të kurorës kundër tij dhe e la për t’u kthyer në shtëpinë e atit të saj në Betlem të Judës, ku qendroi katër muaj.

Burri i saj u ngrit dhe shkoi te ajo për t’i folur zemrës së saj dhe për ta kthyer në shtëpi. Ai kishte marrë me vete shërbëtorin e tij dhe dy gomarë. Kështu ajo e çoi në shtëpinë e atit të saj; sa e pa, i ati i së resë e priti tërë gëzim.

Vjehrri i tij, i ati i së resë, e mbajti dhe ai qëndroi tri ditë me të; kështu hëngrën e pinë, dhe e kaluan natën aty.

Ditën e katërt u ngritën herët në mëngjes dhe Leviti po bëhej gati të nisej, por i ati i vajzës së re i tha dhëndrit të tij: "Ha diçka që të mbahesh, pastaj shkoni".

Kështu u ulën bashkë, hëngrën dhe pinë njeri afër tjetrit. Pastaj i ati së resë i tha burrit të saj: "Të lutem, prano ta kalosh natën këtu, dhe zemra jote të gëzohet".

Ai u ngrit për të ikur, por i vjehrri nguli këmbë aq shumë sa që ai vendosi ta kalojë natën aty.

Ditën e pestë ai u ngrit herët në mëngjes që të ikte; dhe i ati i së resë i tha: "Të lutem, ngrohe zemrën". Kështu u ndalën deri në pasdite dhe që të dy hëngrën.

Kur ai njeri u ngrit për të ikur bashkë me konkubinën e tij dhë shërbëtorin e tij, i vjehrri, i ati i së resë, i tha: "Ja, ka filluar të erret; të lutem kaloje natën këtu; shiko, dita është duke mbaruar; kaloje këtu natën dhe zemra jote të gëzohet; nesër do të niseni herët dhe do të arrini në shtëpi".

10 Por ai njeri nuk deshi ta kalojë natën aty; kështu u ngrit, u nis dhe arriti përballë Jebusit, që është Jeruzalemi, me dy gomarët e tij të shaluar dhe me konkubinën e tij.

11 Kur arritën pranë Jebusit, dita kishte kaluar tërësisht; shërbëtori i tha zotit të tij: "Eja, të lutem, të hyjmë në këtë qytet të Jebusejve dhe ta kalojmë natën aty".

12 I zoti iu përgjegj: "Jo, nuk do të hyjmë në një qytet të huajsh që nuk janë bij të Izraelit, por do të shkojmë deri në Gibeah".

13 Pastaj i tha shërbëtorit të tij: "Eja, të arrijmë në një nga këto vende dhe ta kalojmë natën në Gibeah ose në Ramah".

14 Kështu shkuan tutje dhe e vazhduan udhëtimin; dhe dielli perëndoi mbi ta pranë Gibeahut, që është pronë e Beniaminit.

15 Aty u kthyen për të hyrë dhe për të kaluar natën në Gibeah. Kështu Leviti hyri dhe u ndal në sheshin e qytetit; por askush nuk i priti për të kaluar natën në shtëpinë e tij.

16 Pikërisht në atë kohë një plak po kthehej në mbrëmje nga puna e tij në ara; ai ishte nga krahina malore e Efraimit dhe banonte si i huaj në Gibeah, por njerëzit e vendit ishin Beniaminitë.

17 Me të ngritur sytë, pa kalimtarin në sheshin e qytetit. Plaku i tha: Ku po shkon dhe nga po vjen??".

18 Leviti iu përgjegj: "Po shkojmë nga Betlemi i Judës në drejtim të pjesës më të largët të krahinës malore të Efraimit. Unë jam që andej dhe kisha vajtur në Betlem të Judës; tani po shkoj në shtëpinë e Zotit, por nuk ka njeri që të më presë në shtëpinë e tij.

19 Megjithatë ne kemi kashtë dhe bar për gomarët tanë dhe bukë e verë për mua, për shërbëtoren tënde dhe për djalin që është bashkë me shërbëtorin tënd; nuk na mungon asgjë".

20 Plaku i tha: "Paqja qoftë me ty! Megjithatë më lejo të kujdesem për çdo nevojë që ke; por ti nuk duhet ta kalosh natën në shesh".

21 Kështu e çoi në shtëpinë e tij dhe u dha ushqim gomarëve; udhëtarët lanë këmbët, pastaj hëngrën dhe pinë.

22 Ndërsa po kënaqeshin, disa njerëz të qyteti, njerëz të këqij rrethuan shtëpinë i ranë portës dhe i thanë të zotit plak të shtëpisë: "Nxirre jashtë atë njeri që ka hyrë në shtëpinë tënde, sepse duam ta njohim!".

23 Por i zoti i shtëpisë me të dalë jashtë, u tha atyre: "Jo, vëllezërit e mi, mos u sillni në mënyrë kaq të keqe; ky njeri erdhi në shtëpinë time, prandaj mos kryeni një poshtërsi të tillë!.

24 Ja ku janë këtu vajza ime e virgjër dhe konkubina e këtij njeriu; unë do t’i nxjerr jashtë, poshtërojini dhe bëni atë që mendoni; por mos kryeni kundër këtij njeriu një turp të tillë!".

25 Por ata njerëz nuk e dëgjuan. Atëherë ai burrë mori konkubinën e tij dhe ua nxori atyre; ata e njohën dhe e përdorën tërë natën deri në mëngjes; e lanë të ikë vetëm kur filloi të zbardhë dita.

26 Ndaj të gdhirë kjo grua erdhi e u rrëzua para portës së shtëpisë të njeriut pranë të cilit rrinte burri i saj dhe mbeti aty deri sa u bë ditë.

27 Në mëngjes burri i saj u ngrit, hapi portën e shtëpisë dhe doli për të vazhduar udhëtimin e tij; dhe ja, konkubina e tij rrinte shtrirë te porta e shtëpisë me duart në pragun e saj.

28 Ai i tha: "Çohu dhe eja të shkojmë!". Por nuk mori asnjë përgjigje. Atëherë burri e ngarkoi mbi gomarin dhe u nisën për t’u kthyer në shtëpinë e vet.

29 Me të arritur në shtëpi, kapi një thikë, mori konkubinën e tij dhe e preu, gjymtyrë për gjymtyrë, në dymbëdhjetë copa, që i shpërndau në gjithë territorin e Izraelit.

30 Kushdo që e pa këtë tha: "Nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk është parë asnjë herë një gjë e tillë, qysh prej kohës që bijtë e Izraelit dolën nga vendi i Egjiptit e deri sot! Mbajeni parasysh këtë gjë; këshillohuni dhe flisni".

20 Atëherë tërë bijtë e Izraelit lëvizën, nga Dani deri në Beer-Sheba dhe në vendin e Galaadit, dhe asambleja u mblodh si një njeri i vetëm përpara Zotit në Mitspah.

Krerët e tërë popullit, e gjithë fiseve të Izraelit u paraqitën përpara asamblesë së popullit të Perëndisë; ishin katërqind mijë këmbësorë, të aftë të përdornin shpatën.

(Dhe bijtë e Beniaminit dëgjuan që bijtë e Izraelit ishin ngjitur në Mitspah). Atëherë bijtë e Izraelit thanë: "Na tregoni, si u krye ky krim?".

Atëherë Leviti, burri i gruas që ishte vrarë, u përgjegj: "Unë kisha hyrë bashkë me konkubinën time në Gibeah të Beniaminit për të kaluar natën.

Por banorët e Gibeahut u ngritën kundër meje dhe rrethuan natën shtëpinë në të cilën ndodhesha, dhe kjo për të më vrarë; por ata dhunuan përkundrazi konkubinën time dhe ajo vdiq.

Kështu unë mora konkubinën time, e preva copë-copë, dhe e dërgova nëpër gjithë territorin e trashëgimisë së Izraelit, sepse këta kryen një krim dhe një poshtërsi në Izrael.

Dhe ja, tani tërë ju, o bij të Izraelit, jepni mendimin dhe këshillën tuaj".

Atëherë tërë populli u ngrit si një njeri i vetëm, duke thënë: "Asnjë prej nesh nuk do të kthehet në çadrën e tij, asnjë prej nesh nuk do të kthehet në shtëpinë e tij.

Dhe tani, ja se ç’do t’i bëjmë Gibeahut: do të shkojmë kundër tij duke hedhur me short,

10 dhe do të marrim nga të gjitha fiset e Izraelit dhjetë njerëz mbi njëqind, njëqind mbi një mijë dhe një mijë mbi dhjetë mijë, të cilët do të shkojnë të kërkojnë ushqime për popullin, me qëllim që duke shkuar kundër Gibeahut të Beniaminit të mund t’ia lajmë të gjitha poshtërsitë që ka kryer në Izrael".

11 Kështu tërë burrat e Izraelit u mblodhën kundër atij qyteti, të bashkuar si një njeri i vetëm.

12 Fiset e Izraelit dërguan pastaj njerëz në gjithë fisin e Beniaminit për t’i thënë: "Ç’është ky krim që është kryer ndër ju?

13 Prandaj na dorëzoni ata njerëz, ata kriminelë që janë në Gibeah, që t’i vrasim dhe të heqim të keqen nga Izraeli". Por bijtë e Beniaminit nuk pranuan të dëgjojnë zërin e vëllezërve të tyre, të bijve të Izraelit.

14 Bijtë e Beniaminit madje u mblodhën nga qytetet e tyre në Gibeah për të luftuar kundër bijve të Izraelit.

15 Atë ditë bijtë e Beniaminit të thirrur nga qytetet e tyre për t’u mbledhur ishin njëzet e gjashtë mijë burra të aftë për të përdorur shpatën, pa llogaritur banorët e Gibeahut, që arrinin në shtatëqind burra të zgjedhur.

16 Midis tërë këtyre njerëzve kishte shtatëqind burra të zgjedhur, që ishin mëngjarashë. Tërë këta ishin të aftë të hidhnin një gur me hoben kundër një fije floku, pa gabuar goditjen.

17 Njerëzit e Izraelit të thirrur për t’u mbledhur, pa përfshirë ata të Beniaminit, ishin katërqind mijë burra të aftë për të përdorur shpatën, të gjithë luftëtarë.

18 Kështu bijtë e Izraelit lëvizën, u ngjitën në Bethel dhe konsultuan Perëndinë, duke thënë: "Kush prej nesh do të nisë i pari luftën kundër bijve të Beniaminit?". Zoti u përgjegj: "Juda do të fillojë i pari".

19 Të nesërmen në mëngjes bijtë e Izraelit u nisën dhe e ngritën kampin e tyre kundër Gibeahut.

20 Njerëzit e Izraelit dolën kështu për të luftuar kundër Beniaminit dhe u rreshtuan për betejë kundër luftëtarëve të tij pranë Gibeahut.

21 Atëherë bijtë e Beniaminit dolën nga Gibeahu dhe po atë ditë shtrinë të vdekur për tokë njëzet e dy mijë burra të Izraelit.

22 Por populli, burrat e Izraelit, morën zemër përsëri dhe u rreshtuan përsëri për betejë në po atë vend ku ishin rreshtuar ditën e parë.

23 Atëherë bijtë e Izraelit shkuan dhe qanë përpara Zotit deri në mbrëmje, dhe u konsultuan me Zotin, duke thënë: "A duhet ta vazhdoj luftën kundër bijve të Beniaminit, vëllait tim?". Zoti iu përgjegj: "Suluni kundër tyre".

24 Bijtë e Izraelit u ndeshën për herë të dytë me bijtë e Beniaminit.

25 Beniaminitët dolën për herë të dytë nga Gibeahu kundër tyre dhe shtrinë për tokë tetëmbëdhjetë mijë burra të tjerë nga bijtë e Izraelit, të gjithë të aftë të përdornin shpatën.

26 Atëherë tërë bijtë e Izraelit, domethënë tërë populli, u ngjitën në Bethel dhe qanë; mbetën aty përpara Zotit dhe agjëruan atë ditë deri në mbrëmje, dhe ofruan olokauste dhe flijime falenderimi përpara Zotit.

27 Pastaj bijtë e Izraelit u konsultuan me Zotin (arka e besëlidhjes së Perëndisë ndodhej aty në atë kohë,

28 dhe Finehasi, bir i Eleazarit, bir i Aaronit, shërbente në atë kohë para saj) dhe thanë: "A duhet të vazhdojë akoma të dal për të luftuar kundër bijve të Beniaminit, vëllait tim, apo duhet të heq dorë nga një gjë e tillë?". Zoti u përgjegj: "Suluni, sepse nesër do t’i jap në duart tuaja".

29 Kështu Izraeli zuri një pritë rreth e rrotull Gibeahut.

30 Bijtë e Izraelit u vërsulën për të tretën herë kundër bijve të Beniaminit, dhe u rreshtuan për betejë në afërsi të Gibeahut si herët e tjera.

31 Bijtë e Beniaminit dolën kundër popullit dhe armiqtë e tyre i tërhoqën larg qytetit; dhe filluan të godasin dhe të vrasin, si herët e tjera, disa nga populli i Izraelit nëpër rrugët (nga të cilat njera shkon në Bethel dhe tjetra në Gibeah), dhe në fshatrat; ata vranë rreth tridhjetë veta.

32 Kështu bijtë e Beniaminit thanë: "Ja ku janë, të mundur para syve tona si herën e parë!". Por bijtë e Izraelit thanë: "Të ikim dhe t’i tërheqim larg qytetit, mbi rrugët kryesore!".

33 Atëherë tërë njerëzit e Izraelit lëvizën nga pozicionet e tyre dhe u rreshtuan për betejë në Baal-Thamar; ndërkaq njerëzit e Izraelit që ishin në pritë dolën nga vëndet e tyre të fshehta në fushën e Gibeahut.

34 Dhjetë mijë burra të zgjedhur në të gjithë Izraelin u vërsulën kundër Gibeahut; Beteja qe e ashpër, por Beniaminitët nuk e shihnin katastrofën që po u afrohej.

35 Kështu Zoti mundi Beniaminin para Izraelit; dhe bijtë e Izraelit vranë atë ditë njëzet e pesë mijë e njëqind burra të Beniaminit, të gjithë të zotë të përdornin shpatën.

36 Kështu bijtë e Beniaminit e kuptuan se ishin mundur. Izraelitët i kishin lëshuar terren Beniaminit, sepse kishin besim te njerëzit që kishin zënë pritë në afërsi të Gibeahut.

37 Njerëzit e pritës u hodhën menjëherë mbi Gibeahun; ata ecën përpara dhe vranë me shpatë gjithë banorët e qytetit.

38 Midis njerëzve të Izraelit dhe atyre që kishin ngritur pritën ishte caktuar një sinjal; këta të fundit duhet të bënin që të ngrihej një re e madhe tymi nga qyteti.

39 Njerëzit e Izraelit, pra, kishin kthyer krahët gjatë luftimit; dhe ata të Beniaminit kishin filluar të godisnin dhe të vrisnin rreth tridhjetë njerëz të Izraelit. Në fakt ata thonin: "Me siguri ata janë plotësisht të mundur para nesh si në betejën e parë!".

40 Por kur sinjali i kolonës së tymit filloi të ngrihet nga qyteti, ata të Beniaminit u kthyen prapa dhe ja, tërë qyteti ishte pushtuar nga flaka që po ngrihej në qiell.

41 Atëherë njerëzit e Izraelit u kthyen dhe njerëzit e Beniaminit i zuri një frikë e madhe, duke parë gjëmën e madhe që u kishte rënë.

42 Prandaj filluan të ikin përpara njerëzve të Izraelit në drejtim të shkretëtirës, por pa arritur t’i shmangen betejës; dhe ata që dilnin nga qyteti u vërsulën në mes tyre dhe i masakruan.

43 I rrethuan Beniaminitët, i ndoqën pa pushim dhe i luftuan deri përballë Gibeahut nga ana lindore.

44 Beniaminitët humbën tetëmbëdhjetë mijë njerëz, të gjithë burra trima.

45 Ata që mbetën gjallë kthyen kurrizin dhe ua mbathën në drejtim të shkretëtirës, të shkëmbit të Rimonit; dhe ata zunë rrugës pesë mijë prej tyre i ndoqën deri në Gidon dhe vranë dy mijë të tjerë.

46 Kështu numri i përgjithshëm i Beniaminitëve që u vranë atë ditë ishte njëzet e pesë mijë veta, të gjithë të zotë të përdornin shpatën, tërë njerëz trima.

47 Gjashtëqind burra, që kishin kthyer kurrizin dhe kishin ikur në shkretëtirë në drejtim të shkëmbit të Rimonit, mbetën aty katër muaj.

48 Pastaj Izraelitët u kthyen kundër bijve të Beniaminit dhe vranë me shpatë tërë banorët e qytetit, duke përfshirë edhe bagëtinë dhe gjithçka gjenin; u vunë flakën edhe tërë qyteteve që u dilnin përpara.

21 Por njerëzit e Izraelit ishin betuar në Mitspah, duke thënë: "Asnjë nga ne nuk do t’ja japë bijën e tij për grua një Beniaminiti".

Pastaj populli erdhi në Bethel, ku qëndroi deri në mbrëmje përpara Perëndisë; dhe ngriti zërin dhe qau me të madhe,

duke thënë: "O Zot, Perëndi i Izraelit, pse ndodhi kjo në Izrael, që sot të mungojë një fis në Izrael?".

Të nesërmen populli u ngrit herët në mëngjes, ndërtoi në atë vend një altar dhe ofroi olokauste dhe flijime falenderimi.

Pastaj bijtë e Izraelit thanë: "Cili nga fiset e Izraelit nuk ka dalë në asamble para Zotit?". Sepse kishin bërë një betim solemn kundër kujtdo që nuk kishte dalë përpara Zotit në Mitspah, duke thënë: "Ai njeri do të vritet".

Bijtë e Izraelit ishin të hidhëruar për Beniaminin, vëllanë e tyre, dhe thonin: "Sot u zhduk një fis i Izraelit.

Si do të bëjmë t’u gjejmë gra atyre që shpëtuan, sepse jemi betuar në emër të Zotit të mos u japim atyre për grua asnjë prej vajzave tona?".

Pastaj thanë: "Cili është midis fiseve të Izraelit ai që nuk ka dalë para Zotit në Mitspah?". Dhe ja që asnjeri nga Jabesi i Galaadit nuk kishte ardhur në kamp për asamblenë;

në fakt u kalua në revistë populli, u vu re që në gjirin e tij nuk kishte asnjë nga banorët e Jabesit të Galaadit.

10 Atëherë asambleja dërgoi atje dymbëdhjetë mijë burra nga më trimat dhe u dha këtë urdhër, duke thënë: "Shkoni dhe vrisni me shpatë banorët e Jabesit të Galasadit, duke përfshirë gratë dhe fëmijët.

11 Do të veproni kështu: do të shfarosni çdo mashkull dhe çdo grua që ka pasur marrëdhënie seksuale me një burrë".

12 Ata gjetën midis banoëve të Jabesit të Galaadit katërqind vajza që nuk kishin pasur marrëdhënie seksuale me burra, dhe i çuan në kamp, në Shilon, që ndodhet në vendin e Kanaanit.

13 Atëherë tërë asambleja dërgoi lajmëtarë për të folur me bijtë e Beniaminit, që ndodheshin në shkëmbin e Rimonit, dhe për t’u shpallur paqen.

14 Kështu Beniaminitët u kthyen dhe muarrën ato gra që nuk ishin vrarë në Jabes të Galaadit; por nuk pati mjaft për të gjithë.

15 Populli ishte i hidhëruar për ato që i kish bërë Beniaminit, sepse Zoti kishte hapur një të çarë midis fiseve të Izraelit.

16 Atëherë pleqtë e asamblesë thanë: "Si do të bëjmë t’u gjejmë gra atyre që kanë mbetur gjallë, mbasi gratë beniaminite janë vrarë?".

17 Pastaj thanë: "Njerëzit e Beniaminit që kanë mbetur gjallë duhet të kenë një trashëgimi, me qëllim që të mos zhduket një fis në Izrael.

18 Por ne nuk mund t’u japim atyre për bashkëshorte bijat tona," me qenë se bijtë e Izraelit ishin betuar, duke thënë: "I mallkuar qoftë ai që do t’i japë një grua Beniaminit!".

19 Atëherë thanë: "Ja, çdo vit bëhet një festë për nder të Zotit në Shiloh, që ndodhet në veri të Bethelit, në lindje të rrugës që ngjitej nga Betheli në Sikem, dhe në jug të Lebonahut".

20 Kështu u dhanë këtë urdhër bijve të Beniaminit, duke u thënë: "Shkoni dhe fshihuni në vreshtat,

21 dhe rrini e shikoni; kur vajzat e Shilohut do të dalin për të hedhur valle në kor, ju do të dilni nga vreshtat, dhe secili do të rrëmbejë gruan e tij midis vajzave të Shilohut; pastaj do të shkoni në vendin e Beniaminit.

22 Kur etërit o vëllezërit e tyre do të vinë te ne për të protestuar, ne do t’u themi: "Na i jepni, ju lutem, sepse në këtë luftë nuk kemi zënë një grua për secilin prej tyre; por në rast se nuk ua jepni atyre as në këtë rast, ju do të jeni fajtorë"".

23 Bijtë e Beniaminit vepruan kështu: morën gra simbas numrit të tyre, midis valltareve; i rrëmbyen, pastaj u nisën dhe u kthyen në trashëgiminë e tyre, i rindërtuan qytetet dhe banuan në to.

24 Në të njëjtën kohë bijtë e Izraelit u nisën që andej, secili shkoi në fisin dhe në familjen e tij, e që andej secili u kthye në trashëgiminë e tij.

25 Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij.