A A A A A
Bible Book List

Jozueu 9-11 Albanian Bible (ALB)

Me të mësuar këto gjëra, tërë mbretërit që ndodheshin këtej Jordanit, në krahinën malore, në fushat dhe gjatë bregut të Detit të Madh në drejtim të Libanit, Hiteu, Amoreu, Kananeu, Perezeu, Hiveu dhe Jebuseu,

u mblodhën bashkë në besëlidhje midis tyre për të luftuar kundër Jozueut dhe Izraelit.

Por kur banorët e Gabaonit mësuan atë që Jozueu kishte bërë në Jeriko dhe në Ai,

vepruan me dinakëri dhe u nisën gjoja si ambasadorë; ata ngarkuan mbi gomarët e tyre thasë të vjetra të konsumuara dhe kacekë të vjetër të shqyer dhe të arnuar për të transportuar verën,

dhe mbathën sandale të vjetra dhe të grisura dhe veshën trupin me rroba të përdorura; dhe e gjithë buka e tyre ishte e fortë dhe e thërmuar.

U paraqitën kështu para Jozueut në kampin e Gigalit dhe i thanë atij dhe tërë njerëzve të Izraelit: "Ne kemi ardhur nga një vend i largët; prandaj bëni aleancë me ne".

Por njerëzit e Izraelit iu përgjigjën kështu Hivejve: "Ndoshta banoni në mes nesh; si mund të lidhim aleancë me ju?".

Ata i thanë Jozueut: "Ne jemi shërbëtorë të tu!". Jozueu u tha atyre: Kush jeni dhe nga vini??".

Atëherë ata u përgjigjën: "Shërbëtorët e tu kanë ardhur nga një vend shumë i largët, për shkak të emrit të Zotit, Perëndisë tënd, sepse kemi dëgjuar të flitet për të dhe për të gjitha ato që ka bërë në Egjipt,

10 ashtu edhe për të gjitha ato që u ka bërë dy mbretërve të Amorejve matanë Jordanit, Sihonit, mbretit të Heshbonit, dhe Ogut, mbretit të Bashanit, që banonte në Ashtaroth.

11 Prandaj pleqtë tanë dhe të gjithë banorët e vendit tonë na thanë: Merrni nozullime me vete për udhëtimin, u dilni përpara dhe u thoni: "Ne jemi shërbëtorët tuaj; bëni, pra, aleancë me ne".

12 Kjo është buka jonë që morëm të ngrohtë me vete si rezervë nga shtëpitë tona ditën që u nisëm për të ardhur tek ju, dhe tani është bërë e fortë dhe e thërmuar;

13 dhe këta janë calikët e verës që ishin të rinj kur i mbushëm dhe ja, ku janë prishur; dhe ja, rrobat dhe sandalet tona, që janë ngrënë për shkak të udhëtimit shumë të gjatë".

14 Atëherë njerëzit e Izraelit morën disa nga nozullimet e tyre, por pa u konsultuar me Zotin.

15 Kështu Jozueu lidhi paqe me ta dhe nënshkroi një besëlidhje në bazë të së cilës ata mbeteshin të gjallë; dhe krerët e asamblesë u detyruan të betohen për këto gjëra.

16 Por tri ditë pas nënshkrimit të besëlidhjes mësuan se ata ishin fqinj të tyre dhe banonin në mes tyre.

17 Atëherë bijtë e Izraelit u nisën dhe ditën e tretë arritën në qytetet e tyre; qytetet e tyre ishin Gabaoni, Kefirahu, Beerothi dhe Kiriath-Jearimi.

18 Por bijtë e Izraelit nuk i vranë, sepse krerët e asamblesë u ishin betuar atyre në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit. Mirëpo tërë asambleja murmuriti kundër krerëve.

19 Atëherë krerët i thanë tërë asamblesë: "Ne u jemi betuar atyre në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit; prandaj nuk mund t’i ngasim.

20 Këtë do t’u bëjmë atyre: do t’i lëmë të gjallë që të mos tërheqim zemërimin e Zotit, për shkak të betimit që u kemi bërë atyre".

21 Krerët u thanë atyre: "Le të jetojnë, pra, por do të punojnë si druvarë dhe do të bartin ujë për gjithë asamblenë, siç u kishin thënë krerët".

22 Pastaj Jozueu i thirri dhe foli me ta, duke thënë: "Pse na gënjyet duke thënë: "Ne banojmë shumë larg nga ju, kurse ju banoni në mes nesh?"

23 Prandaj tani jeni të mallkuar, dhe do të jeni gjithnjë skllevër, druvarë o bartës të ujit për shtëpinë e Perëndisë tim".

24 Atëherë ata iu përgjigjën Jozueut dhe thanë: "Shërbëtorëve të tu u qe thënë qartë që Perëndia yt, Zoti, kishte urdhëruar shërbëtorin e tij Moisiun t’ju jepte tërë vendin dhe të shfaroste para jush tërë banorët e tij. Prandaj ne na hyri një frikë e madhe për jetën tonë nga shkaku juaj, dhe kemi vepruar në këtë mënyrë.

25 Dhe ja, tani jemi në dorën tënde; bëna atë që të duket e mirë dhe e drejtë".

26 Jozueu i trajtoi, pra, në këtë mënyrë: i liroi nga duart e bijve të Izraelit, me qëllim që këta të mos i vrisnin;

27 por po atë ditë i caktoi që të jenë druvarë dhe bartës të ujit për asamblenë dhe për altarin e Zotit, në vendin që ai do të zgjidhte deri në ditën e sotme.

10 Kur Adoni-Tsedek, mbret i Jeruzalemit, mësoi që Jozueu kishte pushtuar Ain dhe kishte vendosur shfarosjen e tij, dhe kishte bërë në Ai dhe kundër mbretit të tij po atë që kishte bërë në Jeriko kundër mbretit të tij, dhe që banorët e Gabaonit kishin bërë paqe me Izraelitët dhe jetonin në mes tyre,

u frikësua shumë, sepse Gabaoni ishte një qytet i madh, si një qytet mbretëror dhe ishte më i madh se Ai; tërë banorët e tij ishin trima.

Prandaj Adoni-Tsedek, mbret i Jeruzalemit, dërgoi t’u thotë sa vijon Hohamit, mbretit të Hebronit, Pramit, mbretit të Jarmuthit, Jafias, mbretit të Lakishit dhe Debirit, mbretit të Eglonit:

"Ngjituni tek unë dhe më ndihmoni të sulmoj Gabaonin, sepse ka bërë paqe me Jozueun dhe me bijtë e Izraelit".

Kështu pesë mbretërit e Amorejve, mbreti i Jeruzalemit, mbreti i Herbonit, mbreti i Jarmuthit, mbreti i Lakishit dhe mbreti i Eglonit, u mblodhën, u ngjitën me të gjithë ushtritë e tyre, ngritën kampin e tyre përballë Gabaonit dhe e sulmuan.

Atëherë Gabaonitët i çuan fjalë Jozueut, që ndodhej në kampin e Gilgalit: "Mos u moho ndihmën shërbëtorve të tu; nxito të ngjitesh te ne, na shpëto dhe na ndihmo, sepse të gjithë mbretërit e Amorejve që banojnë në krahinën malore janë mbledhur kundër nesh".

Kështu Jozueu u ngjit në Gilgal, ai vetë me gjithë luftëtarët, të gjithë luftëtarë trima.

Zoti i tha Jozueut: "Mos ki frikë nga ata, sepse i kam lënë në duart e tua; asnjë prej tyre nuk do të jetë në gjendje të të rezistojë".

Kështu Jozueu u lëshua mbi ta papritmas, sepse kishte marshuar tërë natën nga Gilgali.

10 Kështu Zoti i theu para Izraelit, u shkaktoi një disfatë të madhe pranë Gabaonit, i ndoqi nëpër rrugën që ngjitet në Beth-Horon dhe i mundi deri në Azekah dhe Makedah.

11 Ndërsa iknin përpara Izraelit dhe ndodheshin në tatëpjetën e Beth-Horonit, Zoti hodhi kundër tyre nga qielli gurë të mëdhenj deri në Azekah, dhe ata vdiqën; ata që vdiqën nga breshëri i gurëve ishin më shumë se ata që bijtë e Izraelit vranë me shpatë.

12 Ditën që Zoti i dorëzoi Amorejtë në duat e bijve të Izraelit, Jozueu i foli Zotit dhe në prani të Izraelit tha: "O Diell, ndalu mbi Gabaonin, dhe ti, hënë, në luginën e Ajalonit!".

13 Kështu dielli u ndal dhe hëna qëndroi në vend deri sa mbaroi hakmarrja e popullit kundër armiqve të tij. A nuk është shkruar kjo në librin e të Drejtit? Kështu dielli u ndal në mes të qiellit dhe nuk u nxitua të perëndojë pothuajse një ditë të tërë.

14 Dhe nuk pati kurrë, as më parë dhe as më vonë, një ditë si ajo kur Zoti plotësoi dëshirën e zërit të një njeriu, pse Zoti luftoi për Izraelin.

15 Pastaj Jozueu dhe i tërë Izraeli bashkë me të u kthyen në kampin e Gilgalit.

16 Por ata pesë mbretër kishin ikur me vrap dhe ishin fshehur në shpellën e Makedahut.

17 Këtë ia thanë Jozueut: "Pesë mbretërit u gjetën të fshehur në shpellën e Makedahut".

18 Atëherë Jozueu tha: "Rrukullisni gurë të mëdhenj te hyrja e shpellës dhe vini njerëz që t’i ruajnë.

19 Ju ndërkaq mos u ndalni, por ndiqni armiqtë tuaj dhe goditni prapavijat e tij; mos i lejoni të hyjnë në qytetet e tyre, sepse Zoti, Perëndia juaj, i ka lënë në duart tuaja".

20 Kur Jozueu dhe bijtë e Izraelit mbaruan së shfarosuri armiqtë e tyre me një kërdi të madhe deri sa i zhdukën krejt, dhe ata që shpëtuan kërkuan strehë në qytetet e fortifikuara,

21 tërë populli u kthye shëndoshë e mirë pranë Jozueut në kampin e Makedahut. Askush nuk guxoi të flasë kundër ndonjërit prej bijve të Izraelit.

22 Atëherë Jozueu ta: "Hapni hyrjen e shpellës, nxirrni jashtë saj të pesë mbretërit dhe m’i sillni".

23 Kështu vepruan; nxorën nga shpella të pesë mbretërit dhe i çuan tek ai, domethënë mbreti i Jeruzalemit, mbreti i Hebronit, mbreti i Jarmuthit, mbreti i Lakishit dhe mbreti i Eglonit.

24 Kur u nxorën jashtë këta mbretër dhe u çuan tek Jozueu, ky thirri tërë njerëzit e Izraelit dhe u tha krerëve të luftëtarëve që kishin shkuar bashkë me të: "Afrohuni dhe vini këmbët tuaja mbi qafën e këtyre mbretërve". Ata u afruan dhe vunë këmbët e tyre mbi qafën e tyre.

25 Pastaj Jozueu u tha: "Mos kini frikë, mos u tmerroni, tregohuni të fortë dhe trima, sepse kështu do të veprojë Zoti me të gjithë armiqtë tuaj kundër të cilëve duhet të luftoni".

26 Pas kësaj Jozueu i rrahu dhe i bëri të vdesin, pastaj i vari në pesë pemë, ku mbetën të varur deri në mbrëmje.

27 Në perëndim të diellit, Jozueu urdhëroi t’i ulnin nga drurët dhe t’i hidhnin në shpellën ku ishin fshehur; pastaj në hyrje të shpellës vunë gurë të mëdhenj, që kanë mbetur aty deri sot.

28 Po atë ditë Jozueu mori Makedahun dhe i vrau me shpatë të gjithë bashkë me mbretin e tij; vendosi t’i shfarosë të gjithë personat që gjendeshin aty; nuk la asnjë të gjallë dhe e trajtoi mbretin e Makedahut ashtu si kishte trajtuar mbretin e Jerikos.

29 Pastaj Jozueu dhe tërë Izraeli bashkë me të kaluan nga Makedahu në Libnah dhe e sulmuan këtë vend.

30 Zoti e dha edhe këtë qytet me gjithë mbretin e tij në duart e Izraelit; dhe Jozueu i vrau me shpatë të gjithë banorët e tij; nuk la asnjë njeri të gjallë dhe e trajtoi mbretin ashtu si kishte trajtuar mbretin e Jerikos.

31 Pastaj Jozueu, dhe tërë Izraeli bashkë me të, kaloi nga Libnahu në Lakish; vendosi kampin e vet kundër tij dhe e sulmoi.

32 Dhe Zoti e dha Lakishin në duart e Izraelit, që e pushtoi ditën e dytë dhe vrau me shpatë të gjithë personat që gjendeshin aty, pikërisht ashtu si kishte vepruar në Libnah.

33 Atëherë Horami, mbreti i Gezerit, shkoi në ndihmë të Lakishit; por Jozueu e mundi atë dhe popullin e tij dhe nuk la asnjë të gjallë.

34 Pastaj Jozueu dhe tërë Izraeli bashkë me të kaluan nga Lakishi në Eglon; e ngritën kampin e tyre kundër tij dhe e sulmuan.

35 E pushtuan po atë ditë dhe i vranë banorët me shpatë. Po atë ditë Jozueu vendosi të vriteshin gjithë personat që gjendeshin në vend, ashtu si kishte vepruar në Lakish.

36 Pastaj Jozueu dhe tërë Izraeli bashkë me të kaluan nga Egloni në Hebron dhe e sulmuan këtë.

37 E pushtuan dhe vranë me shpatë mbretin e tij, të gjitha qytetet dhe tërë personat që gjendeshin aty, nuk lanë asnjë njeri të gjallë, pikërisht ashtu si kishin vepruar në Eglon; por aty vendosi të shfarosen të gjithë personat që gjendeshin në vend.

38 Pastaj Jozueu dhe i tërë Izraeli bashkë me të u kthyen në drejtim të Debirit dhe e sulmuan.

39 Shtinë në dorë mbretin dhe të gjithë qytetet e tij; i vranë me shpatë dhe shfarosën të gjithë njerëzit që gjendeshin në vend; nuk mbeti asnjë i gjallë. Ai e trajtoi Debirin dhe mbretin e tij ashtu si kishte trajtuar Hebronin, Libnahun dhe mbretin e tij.

40 Jozueu goditi, pra, gjithë vendin, krahinën malore, Negevin, ultësirën, shpatet e maleve, gjithë mbretërit e tyre; vendosi të shfarosë çdo gjë të gjallë, ashtu si kishte urdhëruar Zoti, Perëndia i Izraelit.

41 Kështu Jozueu i mundi nga Kades-Barnea deri në Gaza dhe nga tërë vendi i Gosenit deri në Gabaon.

42 Në një herë të vetme Jozueu kapi tërë ata mbretër dhe vendet e tyre, sepse Zoti, Perëndia i Izraelit, luftonte për Izraelin.

43 Pastaj Jozueu dhe tërë Izraeli bashkë me të u kthyen në kampin e Gilgalit.

11 Kur Jabini, mbret i Hatsorit, i mësoi këto ngjarje, u dërgoi lajmëtarë Johabit, mbretit të Madonit, mbretit të Shimronit dhe atij të Akshafit,

mbretërve që ndodheshin në veri të zonës malore, në Arabah, në jug të Kinerethit, në ultësirën dhe mbi lartësitë e Dorit, në perëndim,

Kananejve që ishin në lindje dhe në perëndim, Amorejve, Hitejve, Perezejve dhe Jebusejve në krahinën malore, Hivejve në këmbët e malit Hermon në vendin e Mitspahut.

Kështu ata dolën, ata vetë me tërë ushtritë e tyre, një turmë shumë e madhe si rëra që është mbi bregun e detit dhe me kuaj e qerre në një numër shumë të madh.

Kështu tërë këta mbretër u bashkuan dhe erdhën në afërsitë e ujërave të Meromit për të ngritur një kamp të përbashkët dhe për të luftuar kundër Izraelit.

Por Zoti i tha Jozueut: "Mos u tremb nga ata, sepse nesër në këtë orë ke për t’i parë të gjithë të vrarë para Izraelit. Do të presësh leqet e këmbëve të kuajve të tyre dhe do të djegësh qerret e tyre".

Jozueu, pra, dhe gjithë luftëtarët bashkë me të, marshuan papritmas kundër tyre afër ujërave të Meromit dhe i sulmuan;

dhe Zoti i dha në duart e Izraelitëve, të cilët i mundën dhe i ndoqën deri në Sidonin e madh, deri në ujërat e Misrefothit dhe në luginën e Mitspahut, në drejtim të lindjes; i mundën deri në atë pikë sa nuk lanë të gjallë asnjë prej tyre.

Jozueu i trajtoi si i kishte thënë Zoti preu leqet e këmbëve të kuajve të tyre dhe ua dogji qerret.

10 Në po atë periudhë Jozueu u kthye dhe pushtoi Hatsorin, vrau mbretin e tij me shpatë, sepse në të kaluarën Hatsori kishte qenë kryeqyteti i tërë këtyre mbretërive.

11 Vrau me shpatë tërë njerëzit që gjendeshin aty, duke vendosur shfarosjen e tyre; pastaj i vuri flakën Hatsorit.

12 Kështu Jozueu pushtoi tërë qytetet e këtyre mbretërive, zuri mbretërit e tyre dhe i vrau me shpatë, duke vendosur shfarosjen e tyre, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit.

13 Por Izraeli nuk u vuri flakën asnjërit prej qyteteve që ngriheshin në kodrinat, me përjashtim të Hatsorit, i vetmi qytet që Jozueu dogji.

14 Bijtë e Izraelit morën për vete tërë plaçkën e këtyre qyteteve dhe bagëtinë, por vranë tërë njerëzit dhe nuk lanë shpirt të gjallë.

15 Ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, shërbëtorin e tij, kështu Moisiu urdhëroi Jozueun, dhe ky nuk la pas dore asgjë nga tërë ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.

16 Kështu Jozueu shtiu në dorë tërë atë vend, krahinën malore, tërë Negevin, tërë vendin e Goshenit, ultësirën, Arabahun, krahinën malore të Izraelit dhe ultësirat e tij,

17 nga mali Holak, që ngrihet në drejtim të Seirit, deri në Baal-Gad në luginën e Libanit në këmbët e malit Hermon; zuri tërë mbretërit e tyre, i goditi dhe i vrau.

18 Jozueu luftoi gjatë kundër të gjithë këtyre mbretërve.

19 Nuk pati qytet që të bënte paqe me bijtë e Izraelit, me përjashtim të Hivejve që banonin në Gabaon; i pushtuan të gjitha me luftë.

20 Në fakt ishte Zoti vetë që fortësonte zemrën e tyre që të bënin luftë kundër Izraelit, me qëllim që Izraeli të vendoste shfarosjen e tyre pa asnjë mëshirë për ta, por t’i zhdukte nga faqja e dheut ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

21 Po në këtë periudhë Jozueu u nis në marshim dhe shfarosi Anakitët e krahinës malore, ata të Hebronit, të Debirit, të Anabit, të të gjithë krahinës malore të Judës dhe të të gjithë krahinës malore të Izraelit; Jozueu vendosi shfarosjen e tyre të plotë bashkë me qytetet e tyre.

22 Nuk mbetën më Anakitë në vendin e bijve të Izraelit; mbetën disa prej tyre vetëm në Gaza, në Gath dhe në Ashod.

23 Kështu Jozueu shtiu në dorë tërë vendin, pikërisht ashtu siç i kishte thënë Zoti Moisiut; Jozueu ia la pastaj si trashëgim Izraelit, simbas ndarjeve të tyre në fise. Dhe kështu vendi pati një pushim nga lufta.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes