Añadir traducción en paralelo Imprimir Opciones de la página

Kur tërë populli mbaroi së kapërcyeri Jordanin, Zoti i foli Jozueut, duke i thënë:

"Merrni nga radhët e popullit dymbëdhjetë burra, një për çdo fis,

dhe u jepni këtë urdhër, duke thënë: "Merrni dymbëdhjetë gurë që këtej, në mes të Jordanit, pikërisht në vendin ku u ndalën këmbët e priftërinjve, i merrni, me vete matanë lumit dhe i vendosni në vendin ku do të strehoheni sonte"".

Atëherë Jozueu thirri dymbëdhjetë burrat që kishte zgjedhur ndër bijtë e Izraelit, një për çdo fis,

dhe u tha atyre: "Kaloni para arkës së Zotit, Perëndisë tuaj, në mes të Jordanit, dhe secili prej jush të mbajë në kurriz një gur, simbas numrit të fiseve të bijve të Izraelit,

me qëllim që kjo të jetë një shenjë midis jush. Kur në të ardhmen bijtë tuaj do t’ju pyesin, duke thënë: "Ç’janë për ju këta gurë?,"

ju do t’u përgjigjeni kështu: "Ujërat e Jordanit u ndanë para arkës së besëlidhjes të Zotit; kur ajo kaloi Jordanin, ujërat e tij u ndanë dhe këta gurë do të jenë për bijtë e Izraelit një kujtim për jetë"".

Bijtë e Izraelit bënë pikërisht ashtu si i kishte urdhëruar Jozueu: morën dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, ashtu si e kishte porositur Zoti Jozueun, në bazë të numrit të fiseve të Izraelit, dhe i morën me vete matanë lumit në vendin ku do të kalonin natën, dhe i vendosën aty.

Jozueu ngriti gjithashtu dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, në vendin ku ishin ndalur këmbët e priftërinjve që mbanin arkën e besëlidhjes; dhe aty kanë mbetur deri më sot.

10 Priftërinjtë që mbanin arkën u ndalën në mes të Jordanit deri sa u plotësua tërësisht ajo që i kishte urdhëruar Zoti Jozueut t’i thoshte popullit, në bazë të të gjitha atyre që Moisiu i kishte urdhëruar Jozueut. Dhe populli u nxitua të kalojë lumin.

11 Kur tërë populli mbaroi së kaluari, arka e Zotit dhe priftërinjtë kaluan në prani të popullit.

12 Bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit kaluan të armatosur në krye të bijve të Izraelit, ashtu siç u kishte thënë Moisiu.

13 Rreth dyzet mijë njerëz me veshje lufte kaluan para Zotit në fushat e Jerikos, gati për të luftuar.

14 Po atë ditë, Zoti e bëri të madh Jozueun në sytë e tërë Izraelit, dhe banorët e tij patën frikë nga ai ashtu si patën frikë nga Moisiu gjatë gjithë ditëve të jetës së tij.

15 Pastaj Zoti i foli Jozueut dhe i tha:

16 "Urdhëro priftërinjtë që mbajnë arkën e Dëshmisë të dalin nga Jordani".

17 Atëherë Jozueu urdhëroi priftërinjtë duke u thënë: "Dilni nga Jordani".

18 Dhe ndodhi që kur priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes së Zotit, dolën nga Jordani dhe tabanët e këmbëve të tyre shkelën tokën e thatë, ujërat e Jordanit u kthyen në vendin e tyre dhe filluan të rrjedhin si më parë në lartësinë e brigjeve të tij.

19 Populli doli nga Jordani ditën e dhjetë të muajit të parë dhe ngriti kampin e tij në Gilgal, në skajin lindor të Jerikos.

20 Ata dymbëdhjetë gurë që i kishin marrë nga Jordani, Jozueu i çoi në Gilgal.

21 Pastaj u foli bijve të Izraelit dhe u tha atyre: "Kur në të ardhmen bijtë tuaj do t’i pyesin etërit e tyre duke thënë: "Ç’janë këta gurë?,"

22 ju do t’ua bëni të ditur bijve tuaj, duke thënë: "Izraeli e kaloi këtë Jordan në të thatë,

23 sepse Zoti, Perëndia juaj, i thau ujërat e Jordanit para jush deri sa të kalonit, ashtu si Zoti, Perëndia juaj, veproi në Detin e Kuq, të cilin e thau para nesh deri sa të kalonim,

24 me qëllim që tërë popujt e tokës të pranojnë që Zoti ka dorë të fuqishme, dhe që ju të keni gjithnjë frikë nga Zoti, Perëndia juaj"". i Pashkës

Kur të gjithë mbretërit e Amorejve që ndodheshin matanë Jordanit në drejtim të perëndimit dhe tërë mbretërit e Kananejve që ishin pranë detit mësuan që Zoti kishte tharë ujërat e Jordanit para bijve të Izraelit deri sa të kalonin, zemra e tyre u ligështua dhe nuk u mbeti fare kurajo ndaj bijve të Izraelit.

Në atë kohë Zoti i tha Jozueut: "Bëj thika prej guri dhe fillo përsëri të rrethpresësh bijtë e Izraelit".

Kështu Jozueu bëri thika prej guri dhe rrethpreu bijtë e Izraelit mbi kodrinën e Haaralothit.

Kjo qe arsyeja për të cilin Jozueu i rrethpreu; i tërë populli që kishte dalë nga Egjipti, meshkujt, tërë burrat luftëtarë, kishin vdekur në shkretëtirë gjatë rrugës, mbasi kishin dalë nga Egjipti.

Ndërsa tërë populli që kishte dalë nga Egjipti ishte rrethprerë, tërë populli që kishte lindir në shkretëtirë gjatë rrugës mbas daljes nga Egjipti, nuk ishte rrethprerë.

Në fakt bijtë e Izraelit kishin ecur dyzet vjet nëpër shkretëtirë deri sa tërë populli, domethënë luftëtarët që kishin dalë nga Egjipti, u shkatërruan, sepse nuk i ishin bindur zërit të Zotit. Atyre Zoti u ishte betuar që nuk do t’u tregonte vendin që do t’u jepte etërve të tyre, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.

Kështu Jozueu i rrethpreu bijtë e tyre, që Perëndia i kishte vënë në vend të tyre, sepse ishin të parrethprerë, sepse nuk ishin rrethprerë gjatë rrugës.

Kur mbaroi rrethprerja e tërë meshkujve, ata qëndruan atje ku ishin, në kamp, deri sa u shëruan.

Atëherë Zoti i tha Jozueut: "Sot ju hoqa turpërimin e Egjiptit," dhe ai vend u quajt Gilgal deri në ditët e sotme.

10 Bijtë e Izraelit e ngritën kampin e tyre në Gilgal dhe e kremtuan Pashkën ditën e katërmbëdhjetë të muajit, në të ngrysur, në fushat e Jerikos.

11 Të nesërmen e Pashkës hëngrën prodhime të vendit, bukë të ndorme dhe grurë të pjekur po atë ditë.

12 Të nesërmen hëngrën prodhime të vendit, mana mbaroi; kështu bijtë e Izraelit nuk patën më manë, por atë vit hëngrën frytet e vendit të Kanaanit.

13 Por ndodhi që, ndërsa Jozueu ishte afër Jerikos, ngriti sytë dhe shikoi, dhe ja, një njeri i qëndronte përpara, me në dorë një shpatë të zhveshur. Jozueu i doli përballë dhe i tha: "A je ti për ne o për armiqtë tanë?".

14 Ai u përgjigj: "Jo, unë jam kreu i ushtrisë së Zotit; sapo kam arritur në këtë çast". Atëherë Jozueu ra përmbys para tij dhe tha: "Çfarë dëshiron t’i thotë Zotëria ime shërbëtorit të tij?".

15 Kreu i ushtrisë së Zotit i tha Jozueut: "Zbath sandalet, sepse vendi ku je është i shenjtë". Dhe Jozueu veproi ashtu.

Jeriko ishte i mbyllur dhe i mbrojtur mirë nga frika e bijve të Izraelit; askush nuk dilte dhe askush nuk hynte në të.

Zoti i tha Jozueut: "Shiko, unë të kam dhënë në dorë Jerikon, mbretin e tij dhe luftëtarët e tij trima.

Ju të gjithë, luftëtarët, do të marshoni rreth qytetit, do të silleni një herë rreth tij. Kështu do të bëni gjashtë ditë me radhë.

Shtatë priftërinj do të çojnë përpara arkës shtatë bori prej briri të dashit; por ditën e shtatë do të silleni rreth qytetit shtatë herë dhe priftërinjtë do t’u bien borive.

Kur ata t’u bien pa pushim brirëve të dashit dhe ju të dëgjoni zërin e borisë, tërë populli do të bëjë një ulurimë të madhe; atëherë muret e qytetit do të shemben dhe populli do të ngjitet, gjithsekush drejt, përpara.

Kështu Jozueu, bir i Nunit, thirri priftërinjtë dhe u tha atyre: "Merrni arkën e besëlidhjes dhe shtatë priftërinj të mbajnë shtatë bori prej briri të dashit përpara arkës së Zotit".

Pastaj i tha popullit: "Shkoni përpara dhe marshoni rreth qytetit, njerëzit e armatosur të ecin përpara arkës së Zotit".

Kështu, kur Jozueu mbaroi së foluri popullit, shtatë priftërinjtë që mbanin shtatë bori prej briri të dashit përpara Zotit nisën të marshojnë dhe u ranë borive; dhe arka e besëlidhjes së Zotit i ndiqte nga pas.

Njerëzit e armatosur marshonin përpara priftërinjve që u binin borive, kurse praparoja vinte pas arkës; gjatë marshimit priftërinjtë u binin borive.

10 Jozueu kishte urdhëruar popullin, duke i thënë: "Mos bërtitni, të mos dëgjohet as zëri juaj dhe të mos dalë asnjë fjalë nga goja juaj, deri ditën kur do t’ju them: "Bërtisni!". Atëherë do të bërtisni".

11 Kështu arka e Zotit u soll rreth qytetit një herë; pastaj u kthyen në kamp dhe aty e kaluan natën.

12 Jozueu u ngrit herët në mëngjes, dhe priftërinjtë morën arkën e Zotit.

13 Shtatë priftërinjtë, që mbanin shtatë boritë prej briri të dashit përpara arkës së Zotit, shkonin përpara dhe u binin borive. Njerëzit e armatosur marshonin para tyre, kurse praparoja vinte mbas arkës së Zotit; gjatë marshimit priftërinjtë u binin borive.

14 Ditën e dytë marshuan vetëm një herë rreth qytetit dhe pastaj u kthyen në kamp. Kështu vepruan gjashtë ditë me radhë.

15 Por ditën e shtatë u ngritën herët, në agim, dhe marshuan rreth qytetit në të njëjtën mënyrë shtatë herë; vetëm atë ditë marshuan shtatë herë rreth qytetit.

16 Herën e shtatë, kur priftërinjtë u ranë borive, Jozueu i tha popullit: Bërtisni, sepse Zoti ju dha qytetin!!

17 Qyteti do të shfaroset, ai dhe çdo gjë që është në të. Vetëm prostituta Rehab do të shpëtojë, ajo dhe gjithë ata që janë bashkë me të në shtëpi, sepse ajo fshehu vëzhguesit që ne kishim dërguar.

18 Por ju kini shumë kujdes lidhur me atë që është caktuar të shfaroset, që të mos jeni ju vetë të mallkuar, duke marrë diçka që është caktuar të shfaroset, dhe ta bëni kështu kampin e Izraelit të mallkuar, duke tërhequr mbi të fatkeqësi.

19 Por i gjithë argjendi, ari dhe sendet prej bronzi dhe hekuri i shenjtërohen Zotit; do të hyjnë në thesarin e Zotit".

20 Populli, pra, bërtiti kur priftërinjtë u ranë borive; dhe ndodhi që, kur populli dëgjoi tingullin e borive, nxori një britmë të madhe dhe muret u rrëzuan duke u shëmbur. Populli u ngjit në qytet, secili drejt, përpara, dhe e shtiu në dorë atë.

21 Dhe shfarosën gjithçka ishte në qytet, duke vrarë me shpatë burra e gra, fëmijë dhe pleq e madje qe, dele dhe gomarë.

22 Pastaj Jozueu u tha dy burrave që kishin vëzhguar vendin: "Shkoni në shtëpinë e asaj prostitute dhe nxirrni jashtë gruan dhe tërë ato gjëra që i përkasin asaj, siç i jeni betuar".

23 Atëherë të rinjtë që kishin vëzhguar vendin shkuan dhe nxorën jashtë Rahabin, të atin, të ëmën, të vëllezërit dhe gjithçka i përkiste asaj; kështu nxorën jashtë të gjithë të afërmit e saj dhe i lanë jashtë kampit të Izraelit.

24 Pastaj i vunë zjarrin qytetit dhe tërë gjërave që ai përmbante; morën vetëm argjendin, arin dhe sendet prej bronzi e hekuri, që i vunë në thesarin e shtëpisë së Zotit.

25 Por Jozueu e la të gjallë prostitutën Rahab, familjen e atit të saj dhe gjithçka që i përkiste; kështu që ajo banoi në mes të Izraelit deri sot, sepse ajo kishte fshehur zbuluesit që Jozueu kishte dërguar për të vëzhguar Jerikon.

26 Atë ditë Jozueu u betua duke thënë: "Qoftë i mallkuar para Zotit ai njeri që do të ngrihet të rindërtojë qytetin e Jerikos! Ai do të hedhë themelet mbi të parëlindurin e tij, dhe do t’i lartojë portat mbi birin e tij më të vogël".

27 Zoti ishte me Jozueun, dhe fama e tij u përhap në të gjithë vendin.

Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë,

ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës,

m’u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t’i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil,

që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar.

Në ditën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emër Zakaria, nga rendi i Abias; gruaja e tij ishte pasardhëse e Aaronit dhe quhej Elizabetë.

Që të dy ishin të drejtë në sytë e Perëndisë, duke ecur pa të metë në të gjitha urdhërimet dhe ligjet e Zotit.

Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte shterpe, dhe të dy ishin të kaluar në moshë.

Ndodhi që, kur Zakaria po ushtronte detyrën e tij priftërore para Perëndisë sipas rregullit të rendit të vet,

sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hyjë në tempullin e Zotit për të djegur temjanin.

10 Ndërkaq mbarë turma e popullit rrinte jashtë e lutej, në orën e temjanit.

11 Atëherë një engëll i Zotit iu shfaq duke qëndruar në këmbë në të djathtën e altarit të temjanit.

12 Zakaria, kur e pa, u trondit dhe e zuri frika.

13 Por engjëlli i tha: “Mos u tremb, Zakaria, sepse lutja jote u plotësua dhe gruaja jote Elizabeta do të lindë një djalë, të cilit do t’ia vësh emrin Gjon.

14 Dhe ai do të jetë për ty shkak gëzimi dhe hareje, dhe shumë vetë do të gëzohen për lindjen e tij.

15 Sepse ai do të jetë i madh përpara Zotit; nuk do të pijë as verë as pije dehëse dhe do të jetë i përplotë me Frymën e Shenjtë që në barkun e s’ëmës.

16 Dhe do t’i kthejë shumë prej bijve të Izraelit te Zoti, Perëndia i tyre.

17 Dhe do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t’i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe rebelët në urtinë e të drejtëve, për t’ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur mirë.”

18 Dhe Zakaria i tha engjëllit: “Nga se do ta njoh këtë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime është e kaluar në moshë.”

19 Dhe engjëlli, duke iu përgjigjur, i tha: “Unë jam Gabrieli që rri në prani të Perëndisë, dhe më kanë dërguar që të flas me ty dhe të të njoftoj këto lajme të mira.

20 Dhe ja, ti do të jesh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri në atë ditë kur do të ndodhin këto gjëra, sepse nuk u ke besuar fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e tyre.”

Read full chapter