Add parallel Print Page Options

19 Atëherë Pilati mori Jezusin dhe dha urdhër ta fshikullonin.

Dhe ushtarët thurrën një kurorë me gjemba, ia vunë mbi krye dhe i veshën siper një mantel të purpurt,

dhe thoshnin: “Tungjatjeta, o mbret i Judenjve”; dhe i binin me shuplaka.

Pastaj Pilati doli përsëri dhe u tha atyre: “Ja, po jua nxjerr jashtë, që ta dini se nuk gjej në të asnjë faj.”

Jezusi, pra, doli, duke mbajtur kurorën prej gjembash dhe mantelin e purpurit. Dhe Pilati u tha atyre: “Ja njeriu!.”

Kur e panë krerët e priftërinjve dhe rojet, filluan të bërtasin, duke thënë: “Kryqëzoje, kryqëzoje!.” Pilati u tha atyre: “Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në të asnjë faj.”

Judenjtë iu përgjigjën: “Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë.”

Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, kishte akoma më shumë frikë;

dhe, si u kthye në pretorium, i tha Jezusit: “Nga je ti?.” Por Jezusi nuk i dha kurrfarë përgjigje.

10 Për këtë arsye Pilati i tha: “S’po më flet? ti s’e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj?.”

11 Jezusi u përgjigj: “Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti; prandaj ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh.”

12 Që nga ai moment Pilati kërkoi ta lironte; por Judenjtë bërtisnin, duke thënë: “Po e lirove këtë, nuk je mik i Cezarit; kush e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit.”

13 Pilati, pra, kur i dëgjoi këto fjalë, e çoi jashtë Jezusin dhe u ul në selinë e gjykatës, në vendin e quajtur "Kalldrëm," e në hebraisht "Gabatha";

14 tani ishte dita e përgatitjes së Pashkës, dhe ishte afërsisht ora e gjashtë; dhe u tha Judenjve: “Ja mbreti juaj.”

15 Por ata bërtitën: “Largoje! Largoje! Kryqëzoje!.” Pilati u tha atyre: “Ta kryqëzoj mbretin tuaj?.” Krerët e priftërinjve u përgjigjën: “Ne s’kemi mbret tjetër përveç Cezarit!.”

16 Atëherë ai ua dorëzoi që të kryqëzohej. Dhe ata e morën Jezusin dhe e çuan tutje.

17 Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt vendit që quhej "Kafka," që në hebraisht quhet "Golgota,"

18 ku e kryqëzuan, dhe me të dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, dhe Jezusi në mes.

19 Dhe Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri në kryq; dhe atje ishte shkruar: "JEZUSI NAZAREAS, MBRETI I JUDENJVE".

20 Kështu këtë mbishkrim e lexuan shumë nga Judenjtë, sepse vendi ku u kryqëzua Jezusi ishte afër qytetit; dhe mbishkrimi ishte shkruar hebraisht, greqisht dhe latinisht.

21 Prandaj krerët e priftërinjve të Judenjve i thanë Pilatit: “Mos shkruaj: "Mbreti i Judenjve," por se ai ka thënë: "Unë jam mbreti i Judenjve".”

22 Pilati u përgjigj: “Atë që kam shkruar, e kam shkruar!.”

23 Dhe ushtarët, mbasi e kishin kryqëzuar Jezusin, morën rrobat e tij dhe bënë katër pjesë, një pjesë për çdo ushtar, dhe tunikën. Por tunika ishte pa tegel, e endur një copë nga maja e deri në fund.

24 Prandaj ata i thanë njëri-tjetrit: “Nuk e grisim, por hedhim short kujt t’i bjerë”; që të përmbushej Shkrimi, që thotë: “I ndanë midis tyre rrobat e mia, dhe hodhën short për tunikën time.” Ushtarët, pra, i bënë këto gjëra.

25 Por afër kryqit të Jezusit, qendronin nëna e tij dhe motra e nënës së tij, Maria e Kleopas dhe Maria Magdalenë.

26 Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: “O grua, ja biri yt!.”

27 Pastaj i tha dishepullit: “Ja nëna jote!.” Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet.

28 Pas kësaj, Jezusi, duke ditur që tashmë çdo gjë ishte kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha: “Kam etje!.”

29 Por aty ishte një enë plot me uthull. Pasi shtinë një sfungjer në uthull dhe e vunë në majë të një dege hisopi, ia afruan te goja.

30 Kur Jezusi e mori uthullën, tha: “U krye!.” Dhe duke ulur kryet, dha frymën.

31 Duke qenë se ishte dita e Përgatitjes, me qëllim që trupat të mos qëndronin në kryq të shtunën, sepse ajo e shtunë ishte një ditë me rëndësi të veçantë, Judenjtë i kërkuan Pilatit që atyre t’u thyheshin kërcinjtë dhe të hiqeshin që andej.

32 Ushtarët, pra, erdhën dhe ia thyen kërcinjtë të parit dhe pastaj edhe tjetrit që ishte kryqëzuar me të;

33 por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë,

34 por njëri nga ushtarët ia tejshpoi brinjën me një heshtë, dhe menjëherë i doli gjak e ujë.

35 Dhe ai që ka parë, ka dëshmuar për këtë, dhe dëshmia e tij është e vërtetë; dhe ai e di se thotë të vërtetën, që ju të besoni.

36 Këto gjëra në fakt ndodhën që të përmbushet Shkrimi: “Nuk do t’i thyhet asnjë eshtër.”

37 Dhe akoma një Shkrim tjetër thotë: “Do të vështrojnë atë që e kanë tejshpuar.”

38 Pas këtyre gjërave, Jozefi nga Arimatea, që ishte dishepull i Jezusit, por fshehtas nga druajtja e Judenjve, i kërkoi Pilatit që mund ta merrte trupin e Jezusit; dhe Pilati i dha leje. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin e Jezusit.

39 Por erdhi dhe Nikodemi, i cili më përpara kishte vajtur te Jezusi natën, duke sjellë një përzierje prej mirre dhe aloe, prej rreth njëqind librash.

40 Ata, pra, e morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëra të këndëshme, sipas zakonit të varrimit që ndiqnin Judenjtë.

41 Por në atë vend ku ai u kryqëzua ishte një kopsht, dhe në kopsht një varr i ri, në të cilën ende nuk ishte vënë askush.

42 Aty, pra, për shkak të Përgatitjes së Judenjve, e vunë Jezusin, sepse varri ishte afër.

20 Por ditën e parë pas së shtunës, në mëngjes, kur ishte ende errët, Maria Magdalena shkoi te varri dhe pa se guri ishte hequr nga varri.

Atëherë rendi te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, të cilin Jezusi e donte, dhe u tha atyre: “E kanë hequr Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e vunë.”

Atëherë Pjetri dhe dishepulli tjetër dolën jashtë dhe u nisën për te varri.

Rendnin të dy bashkë, por dishepulli tjetër rendi përpara, më shpejt se Pjetri dhe arriti i pari te varri.

Dhe, si u përkul, pa pëlhurat prej liri që ishin në varr, por nuk hyri aty.

Arriti edhe Simon Pjetri që po e ndiqte, hyri në varr dhe pa pëlhurat prej liri që ishin përtokë,

dhe rizën, që qe vënë mbi kokën e Jezusit; ajo nuk ishte bashkë me pëlhurat, por ishte e palosur në një vend, veç.

Atëherë hyri edhe ai dishepull tjetër që kishte arritur i pari te varri, pa dhe besoi.

Ata në fakt, nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin, sipas të cilit ai duhet të ringjallej së vdekurish.

10 Pastaj dishepujt u kthyen përsëri në shtëpi.

11 Por Maria kishte mbetur jashtë varrit, dhe po qante. Dhe, duke qarë, u përkul brenda varrit,

12 dhe pa dy engjëj, të veshur me të bardha, ndenjur njëri te kryet dhe tjetri te këmbët e vendit, ku qe trupi i Jezusit.

13 Ata i thanë: “O grua, pse po qan?.” Ajo u përgjigj atyre: “Sepse e kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di ku e kanë vënë.”

14 Si tha këtë, ajo u suall prapa dhe pa Jezusin, që qëndronte në këmbë; por ajo nuk e dinte se ishte Jezusi.

15 Jezusi i tha: “O grua, pse po qan? Kë kërkon?.” Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: “Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr.”

16 Jezusi i tha: “Mari!.” Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: “Rabboni!,” që do të thotë: Mësues.

17 Jezusi i tha: “Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj.”

18 Atëherë Maria Magdalena shkoi t’jua njoftojë dishepujve se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë këto gjëra.

19 Pastaj në mbrëmje të po asaj dite, dita e parë e javës, ndërsa dyert e vendit ku qenë mbledhur dishepujt ishin të mbyllura nga frika e Judenjve, erdhi Jezusi dhe u prezantua në mes tyre dhe u tha atyre: “Paqja me ju!.”

20 Dhe, si i tha këto, u tregoi atyre duart e veta dhe brinjën. Dishepujt pra, kur e panë Zotin, u gëzuan.

21 Pastaj Jezusi u tha atyre përsëri: “Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.”

22 Dhe, si tha këto fjalë, hukati mbi ta dhe tha: “Merrni Frymën e Shenjtë!

23 Kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i jenë falur, kujt do t’ia mbani, do t’i jenë mbajtur.”

24 Por Thomai, i quajtur Binjaku, një nga të dymbëdhjetët, nuk ishte me ta kur erdhi Jezusi.

25 Dishepujt e tjerë, pra, i thanë: “Kemi parë Zotin.” Por ai u tha atyre: “Po nuk e pashë në duart e tij shenjën e gozhdave, dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj.”

26 Dhe tetë ditë më vonë, dishepujt ishin përsëri në shtëpi dhe Thomai ishte me ta. Jezusi erdhi, ndonëse dyert ishin të mby-llura, dhe u prezantua midis tyre dhe tha: “Paqja me ju!.”

27 Pastaj i tha Thomait: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!.”

28 Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: “Zoti im dhe Perëndia im!.”

29 Jezusi i tha: “Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!.”

30 Jezusi bëri edhe shumë shenja të tjera në prezencën e dishepujve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër.

31 Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.

21 Pas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve pranë Detit të Tiberiadës; dhe u shfaq në këtë mënyrë:

Simon Pjetri, Thomai i quajtur Binjaku, Natanaeli nga Kana e Galilesë, të bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë.

Simon Pjetri u tha atyre: “Po shkoj të peshkoj.” Ata i thanë: “Po vijmë edhe ne me ty.” Dolën dhe hipën menjëherë në barkë; por atë natë nuk zunë asgjë.

Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu; megjithatë dishepujt nuk e kuptuan se ishte Jezusi.

Dhe Jezusi u tha atyre: “O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?.” Ata iu përgjigjën: “Jo!.”

Dhe ai u tha atyre: “Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni.” E hodhën, pra, dhe s’mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve.

Atëherë dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Éshtë Zoti.” Simon Pjetri, kur dëgjoi se ishte Zoti, u mbështoll me rrobë (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det.

Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq.

Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë.

10 Jezusi u tha atyre: “Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani!.”

11 Simon Pjetri hipi përsëri në barkë dhe nxori në tokë rrjetën, plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe, megjithse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye.

12 Jezusi u tha atyre: “Ejani të hani mëngjes.” Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: “Kush je?,” duke ditur se ishte Zoti.

13 Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun.

14 Kjo ishte e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të vet, mbasi ishte ringjallur së vdekuri.

15 Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: “Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?.” Iu përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Kulloti qengjat e mi!.”

16 Përsëri e pyeti për të dytën herë: “Simon nga Jona, a më do ti mua?.” Iu përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Ki kujdes për delet e mia.”

17 E pyeti për të tretën herë: “Simon nga Jona, a më do ti mua?.” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: “A më do ti mua?,” dhe iu përgjigj: “Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Kulloti delet e mia.

18 Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kur ti ishe i ri, e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t’i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje.”

19 I tha këto fjalë për të bërë të ditur se me ç’vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë. Dhe, si i tha këto, i tha: “Ndiqmë.”

20 Dhe Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte dishepulli, të cilin Jezusi e donte, ai që gjatë darkës ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezusit dhe kishte pyetur: “Zot, kush është ai që po të tradhton?.”

21 Kur Pjetri e pa, i tha Jezusit: “Zot, dhe me të ç’do të bëhet?.”

22 Jezusi iu përgjigj: “Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ç’të duhet? Ti ndiqmë!.”

23 Atëherë u hap zëri midis vëllezërve se ai dishepull nuk do të vdiste; por Jezusi nuk i kishte thënë Pjetrit se ai nuk do të vdiste, por: “Nëse unë dua që ky të mbetet derisa të vij unë, ç’të duhet?.”

24 Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që ka shkruar këto gjëra; dhe ne dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.

25 Janë edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat, po të shkruheshin një nga një, unë mendoj se nuk do të mjaftonte mbarë bota që t’i nxinte librat që do të mund të shkruheshin. Amen.