Add parallel Print Page Options

Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha:

"Deri kur do të flasësh në këtë mënyrë, dhe fjalët e gojës sate do të jenë si një erë e furishme?

A mundet Perëndia të shtrëmbërojë gjykimin dhe i Potfuqishmi të përmbysë drejtësinë?

Në rast se bijtë e tu kanë mëkatuar kundër tij, ai i ka braktisur në prapësinë e tyre.

Por në rast se ti e kërkon Perëndinë dhe i lutesh fort të Plotfuqishmit,

në rast se je i pastër dhe i ndershëm, me siguri ai do të ngrihet në favorin tënd dhe do të rivendosë selinë e drejtësisë sate.

Ndonëse gjendja jote e kaluar ka qenë një gjë e vogël,

e ardhmja jote do të jetë e madhe. Pyet, pra, brezat që shkuan dhe shqyrto gjërat e zbuluara nga etërit e tyre;

ne në të vërtetë i përkasim së djeshmes dhe nuk dimë asgjë, sepse ditët tona mbi tokë janë si një hije.

10 A nuk do të mësojnë vallë ata dhe nuk do të flasin, duke nxjerrë fjalë nga zemra e tyre?

11 A mund të rritet papirusi jashtë moçalit dhe a mund të zhvillohet xunkthi pa ujë?

12 Ndërsa është ende i gjelbër, pa qenë prerë, ai thahet para çdo bari tjetër.

13 Këto janë rrugët e të gjithë atyre që harrojnë Perëndinë; kështu shpresa e të paudhit tretet.

14 Besimi i tij do të pritet dhe sigurimi i tij është si një pëlhurë merimange.

15 Ai mbështetet te shtëpia e tij, ajo nuk qëndron; kapet te ajo, por ajo nuk mban.

16 Ai është krejt i gjelbër në diell dhe degët e tij zgjaten mbi kopshtin e tij;

17 dhe rrënjët e tij pleksen rreth një grumbulli gurësh dhe depërtojnë midis gurëve të shtëpisë.

18 Por në rast se shkëputet nga vendi i tij, ky e mohon, duke thënë: "Nuk të kam parë kurrë!".

19 Ja, ky është gëzimi i mënyrës së tij të të jetuarit, ndërsa të tjerët do të dalin nga pluhuri.

20 Ja, Perëndia nuk e flak njeriun e ndershëm, as i ndihmon keqbërësit.

21 Ai do t’i japë edhe më buzëqeshje gojës sate dhe këngë gëzimi buzëve të tua.

22 Ata që të urrejnë do të mbulohen me turp dhe çadra e të paudhëve do të zhduket".

Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

"Po, unë e di që është kështu, por si mund të jetë i drejtë njeriu përpara Perëndisë?

Në rast se dikush dëshiron të diskutojë me të, nuk mund t’i përgjigjet veçse një herë mbi një mijë.

Perëndia është i urtë nga zemra dhe i fuqishëm nga forca, kush, pra, u fortësua kundër tij dhe i shkoi mbarë?

Ai vendos malet dhe ato nuk e dijnë që ai i përmbys në zemërimin e tij.

Ai e tund dheun nga vendi i tij, dhe kollonat e tij dridhen.

Urdhëron diellin, dhe ai nuk lind, dhe vulos yjet.

I vetëm shpalos qiejt dhe ecën mbi valët e larta të detit.

Ka bërë Arushën dhe Orionin, Plejadat dhe krahinat e jugut.

10 Ai bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të hetohen, po, mrekulli të panumërta.

11 Ja, më kalon afër dhe nuk e shoh, kalon tutje dhe nuk e kuptoj.

12 Ja, ai kap gjahun dhe kush mund t’ia rimarrë? Kush mund t’i thotë: Çfarë po bën??".

13 Perëndia nuk e tërheq zemërimin e tij; poshtë tij përkulen ndihmësit e Rahabit.

14 Si mund t’i përgjigjem, pra, dhe të zgjedh fjalët e mia për të diskutuar me të?

15 Edhe sikur të kisha të drejtë, nuk do të kisha mundësi t’i përgjigjem, por do t’i kërkoja mëshirë gjyqtarit tim.

16 Në rast se unë e thërres dhe ai më përgjigjet, nuk mund të besoj akoma se e ka dëgjuar zërin tim,

17 ai, që më godet me furtunën, dhe i shumëzon plagët e mia pa shkak.

18 Nuk më lë të marr frymë, përkundrazi më mbush me hidhërime.

19 Edhe në qoftë se bëhet fjalë për forcën, ja, ai është i fuqishëm; por sa për gjykimin, kush do të më caktojë një ditë për t’u paraqitur?

20 Edhe sikur të isha i drejtë, vetë të folurit tim do të më dënonte; edhe sikur të isha i ndershëm, ai do të provonte se jam i çoroditur.

21 Jam i ndershëm, por nuk e çmoj fare veten time dhe e përçmoj jetën time.

22 Éshtë e njëjta gjë, prandaj them: "Ai shkatërron njeriun e ndershëm dhe të keqin".

23 Në qoftë se një fatkeqësi mbjell papritur vdekjen, ai qesh me vuajtjen e të pafajmëve.

24 Toka u është dhënë në dorë të këqijve; ai u vesh sytë gjyqtarëve të saj; po të mos jetë ai, kush mund të ishte, pra?

25 Tani ditët e mia kalojnë më shpejt se një vrapues, ikin pa parë asnjë të mirë.

26 Ikin shpejt si anijet prej xunkthi, si shqiponja që sulet mbi gjahun e vet.

27 Në qoftë se them: "Dua ta harroj vajtimin, ta lë pamjen time të trishtuar dhe të tregohem i gëzuar,"

28 më hyn frika për të gjitha dhembjet e mia; e di mirë që ti nuk do të më konsiderosh të pafajshëm.

29 Në qoftë se jam i dënuar tanimë, pse të lodhem më kot?

30 Edhe sikur të lahesha me borë dhe të pastroja duart e mia me sodë,

31 ti do të më hidhje në baltën e një grope, edhe vetë rrobat e mia do të më kishin lemeri.

32 Në të vërtetë ai nuk është një njeri si unë, të cilit mund t’i përgjigjemi dhe të dalim në gjyq bashkë.

33 Nuk ka asnjë arbitër midis nesh, që të vërë dorën mbi ne të dy.

34 Le të largojë nga unë shkopin e tij, tmerri i tij të mos më trembë.

35 Atëherë do të mund të flas pa pasur frikë prej tij, sepse nuk jam kështu me veten time.

10 "Jam neveritur nga jeta ime; do të shfryj lirisht vajtimin tim, duke folur në trishtimin e shpirtit tim!

Do t’i them Perëndisë: "Mos më dëno! Bëmë të ditur pse grindesh me mua.

A të duket mirë të shtypësh, të përçmosh veprën e duarve të tua dhe të tregohesh në favor të qëllimeve të njerëzve të këqij?

A ke sy prej mishi, apo shikon edhe ti si shikon njeriu?

A janë vallë ditët e tua si ditët e një të vdekshmi, vitet e tua si ditët e një njeriu,

sepse ti duhet të hetosh lidhur me fajin tim dhe të kërkosh mëkatin tim,

megjithëse e di që nuk jam fajtor dhe që nuk ka njeri që mund të më çlirojë nga dora jote?

Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë por tani ti kërkon të më zhdukësh.

Mbaj mend, të lutem, që më ke modeluar si argjila, dhe do të më bësh të kthehem në pluhur!

10 A nuk më ke derdhur vallë si qumështi dhe më ke piksur si djathi?

11 Ti më ke veshur me lëkurë dhe me mish, më ke thurur me kocka dhe me nerva.

12 Më ke dhënë jetë dhe dashamirësi, dhe providenca jote është kujdesur për frymën time,

13 por këto gjëra i fshihje në zemrën tënde; tani unë e di që ti mendoje një gjë të tillë.

14 Në qoftë se mëkatoj, ti më ndjek me sy dhe nuk më lë të pandëshkuar për fajin tim.

15 Në qoftë se jam i keq, mjerë unë! Edhe sikur të jem i drejtë, nuk do të guxoja të ngrija kokën, i ngopur siç jam nga poshtërsia dhe duke parë mjerimin tim.

16 Në rast se ngre kryet, ti më ndjek si luani, duke kryer përsëri mrekulli kundër meje.

17 Ti i përtërin dëshmitarët kundër meje, e shton zemërimin tënd kundër meje dhe trupa gjithnjë të reja më sulmojnë.

18 Pse, pra, më nxore nga barku? Të kisha vdekur, pa më parë sy njeriu!

19 Do të kisha qenë sikur të mos kisha ekzistuar kurrë, i mbartur nga barku në varr.

20 A nuk janë vallë të pakta ditët e mia? Jepi fund, pra, lërmë të qetë që të mund ta mbledh pak veten;

21 para se të shkoj për të mos u kthyer më, drejt vendit të errësirës dhe të hijes së vdekjes,

22 të vendit të territ dhe të errësirës së madhe të hijes së vdekjes, ku ka vetëm pështjellim, ku madje edhe drita është si errësira".