Añadir traducción en paralelo Imprimir Opciones de la página

36 Elihu vazhdoi edhe më, duke thënë:

"Prit edhe pak dhe do të të tregoj që ka ende gjëra për të thënë nga ana e Perëndisë.

Do ta sjell larg atë që di dhe do t’i jap hak atij që më ka krijuar.

Sigurisht fjalët e mia nuk janë të rreme; para teje ke një njeri me njohuri të përsosur.

Ja, Perëndia është i fuqishëm, por nuk përçmon njeri; është i fuqishëm në forcën e diturisë së tij.

Ai nuk e lë të jetojë njeriun e keq dhe u siguron drejtësinë të shtypurve.

Nuk i heq sytë nga të drejtët, por bën që të ulen për gjithnjë me mbretërit mbi fronin; kështu ata rrinë lart.

Por në rast se janë të lidhur me zinxhira dhe të mbajtur me veriga pikëllimi,

atëherë u tregon veprat e tyre dhe shkeljet e tyre, sepse u është rritur mendja.

10 Kështu ai ua hap veshët për t’u ndrequr dhe i nxit të largohen nga e keqja.

11 Në rast se ata e dëgjojnë dhe nënshtrohen, do t’i mbarojnë ditët e tyre në mirëqënie dhe vitet e tyre në gëzime;

12 por, në rast se nuk e dëgjojnë, do të vdesin nga shpata, do të vdesin pa ardhur në vete.

13 Por të pabesët nga zemra mbledhin zemërimin, nuk bërtasin për të kërkuar ndihmë,

14 kështu ata vdesin ende të rinj, dhe jeta e tyre mbaron midis Sodomitëve.

15 Perëndia çliron të pikëlluarit me anë të pikëllimit të tyre dhe u hap veshët me anë të fatkeqësisë.

16 Ai dëshiron të të largojë edhe ty nga kafshimi i fatkeqësisë, që të të çojë në një vend të gjerë pa kufizim, me një tryezë të shtruar me ushqime të shijshme.

17 Por ti je mbushur me mendimin e njeriut të keq, dhe gjykimi e drejtësia do të të kapin.

18 Në rast se ekziston zemërimi, ki kujdes që ai të mos të të fshijë me një goditje të vetme, sepse një shumë e madhe parash nuk do të mund të largonte.

19 Vallë a do t’i çmojë pasuritë e tua, kur ai ka ar dhe të gjitha burimet e fuqisë?

20 Mos dëshiro natën, gjatë së cilës njerëzia çohet larg nga vendi i saj.

21 Ki kujdes të mos anosh nga paudhësia, sepse ti ke preferuar këtë pikëllim.

22 Ja, Perëndia ka shkëlqyer në fuqinë e tij; kush mund të na mësojë si ai?

23 Vallë, kush mund t’i imponojë rrugën që duhet ndjekur dhe kush mund t’i thotë: "Ti ke bërë keq"?

24 Kujtohu të lartësosh veprat e tij, që njerëzit i kanë kënduar;

25 tërë njerëzit i admirojnë, vdekatari mund t’i soditë nga larg.

26 Po, Perëndia është i madh, por ne nuk e njohim, dhe numri i viteve të tij është i panjohshëm.

27 Ai tërheq atje lart pikat e ujit në formë avulli, i cili dëndësohet pastaj në shi,

28 që retë zbrazin dhe lëshojnë mbi njeriun në sasi të madhe.

29 Kush mund të kuptojë shtjellimin e reve, shungullimën që shpërthen në çadrën e tij?

30 Ja, ai përhap rreth vetes dritën e tij dhe mbulon thellësitë e detit.

31 Me anë të tyre dënon popujt dhe jep ushqime me shumicë.

32 Mbulon duart me rrufetë dhe i urdhëron ato të godasin shenjën.

33 Bubullima flet për të, edhe bagëtia e ndjen furtunën që po vjen.

37 Prandaj zemra ime dridhet dhe brof jashtë vendit të saj.

Dëgjoni me vëmendje shungullimën e zërit të saj, gjëmimin që del nga goja e saj!

Ai lëshon vetëtimën e tij nën gjithë qiellin dhe deri në skajet e tokës.

Prapa tij një zë vrumbullon; ai gjëmon me zërin e tij madhështor; ai nuk i përmban kur dëgjohet zëri i tij.

Perëndia gjëmon në mënyrë të mrekullueshme me zërin e tij dhe bën gjëra të mëdha që nuk mund t’i kuptojmë.

I thotë në fakt borës: "Bjerë mbi tokë," ia thotë si shirave të lehta ashtu dhe shirave të rrebeshta.

Ai ndal dorën e çdo njeriu, me qëllim që të gjithë vdekatarët të mund të njohin veprat e tij.

Bishat hyjnë në strukat e tyre dhe rrinë në strofkat e tyre.

Nga vendet më të largëta të jugut vjen stuhia dhe të ftohtit nga erërat e acarta të veriut.

10 Me frymën e Perëndisë formohet akulli dhe shtrirja e ujërave tërhiqet.

11 I ngarkon retë e dendura me lagështirë dhe i shpërndan larg retë e tij dritëplota.

12 Ato enden në qiell kudo, duke ndryshuar drejtimin në bazë të drejtimit të tij, për të kryer çfarëdo gjë që ai urdhëron mbi faqen e tokës së banuar.

13 I dërgon o për dënim, o për tokën e tij o për mirësi.

14 Dëgjo këtë, o Job, ndalu dhe merr parasysh mrekullitë e Perëndisë!

15 A e di ti si i drejton Perëndia dhe si bën të shkëlqejë shkrepëtima e reve të tij?

16 A e di ti si rrinë pezull retë në ajër, mrekullitë e atij që i di të gjitha?

17 A e di ti përse rrobat e tua janë të ngrohta, kur toka pushon për shkak të erës së jugut?

18 Vallë a e ke shtrirë ti bashkë me të kupën qiellore, duke e bërë të fortë si një pasqyrë prej metali të shkrirë?

19 Na mëso se çfarë duhet t’i themi, sepse ne nuk mund të përgatisim shkakun tonë për errësirën.

20 A mund t’i thuhet vallë se unë dua të flas? Në rast se një njeri duhet të fliste, do të shkatërrohej me siguri.

21 Edhe tani askush nuk mund ta shikojë diellin me ngulm kur shkëlqen në qiell, mbas kalimit të erës që e ka bërë pa re.

22 Koha e bukur vjen nga veriu, por rreth Perëndisë kemi një madhështi të hatashme.

23 Të Plotfuqishmin ne nuk mund ta arrijmë. Ai është i madhërishëm për nga fuqia, nga ndershmëria dhe nga drejtësia; ai nuk shtyp asnjeri.

24 Prandaj njerëzit e kanë frikë; por ai nuk e përfill atë që e quan veten të ditur".

22 Atëherë iu duk e mirë apostujve dhe pleqve me gjithë kishën të dërgojnë në Antioki, me Palin dhe Barnabën, disa njerëz të zgjedhur nga ata: Judën, mbiquajtur Barsaba, dhe Silën, njerëz me autoritet ndër vëllezërit,

23 me një letër të shkruar nga dora e tyre që thoshte: “Apostujt, pleqtë dhe vëllezërit, vëllezërve nga johebrenjtë që janë në Antioki, Siri dhe Kiliki, përshëndetje.

24 Duke qenë se morëm vesh se disa që erdhën prej nesh, por të cilëve ne nuk u kishim dhënë asnjë porosi, ju kanë shqetësuar me fjalë duke trazuar shpirtrat tuaj, duke thënë se ju duhet të rrethpriteni dhe të zbatoni ligjin,

25 na u duk e mirë neve, të mbledhur tok me një zemër, të zgjedhim disa njerëz dhe t’i dërgojmë bashkë me të dashurit tanë Barnaba dhe Pal,

26 njerëz që kanë përkushtuar jetën e tyre për emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit.

27 Kemi dërguar, pra, Judën dhe Silën; edhe ata do t’ju tregojnë me gojë të njëjtat gjëra.

28 Në fakt na u duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre gjërave të nevojshme:

29 që ju të hiqni dorë nga gjërat e flijiuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria; do të bëni mirë të ruheni nga këto. Qofshi mirë.”

30 Ata, pra, mbasi u ndanë, zbritën në Antiokia dhe, si mblodhën kuvendin, e dorëzuan letrën.

31 Dhe ata, mbasi e lexuan, u gëzuan për ngushëllimin.

32 Dhe Juda e Sila, që ishin edhe ata profetë, me shumë fjalë i nxitën vëllezërit dhe i forcuan.

33 Mbasi ndenjën atje ca kohë, u dërguan prapë me paqtim nga vëllezërit tek apostujt.

34 Por Silës iu duk mirë të mbetej aty.

35 Edhe Pali e Barnaba qëndruan në Antioki, duke mësuar dhe duke shpallur me shumë të tjerë fjalën e Zotit.

36 Pas disa ditësh Pali i tha Barnabës: “Le të kthehemi të shohim vëllezërit tanë në çdo qytet, ku kemi shpallur fjalën e Perëndisë, për të parë si janë.”

37 Dhe Barnaba donte të merrte me vete Gjonin, të quajtur Mark.

38 Por Pali mendonte se nuk duhej marrë me vete atë që ishte ndarë prej tyre në Pamfili, dhe nuk kishte shkuar me ata në punë.

39 Atëherë lindi një grindje saqë ata u ndanë njëri nga tjetri; pastaj Barnaba, mbasi mori Markun, lundroi për në Qipro.

40 Por Pali zgjodhi Silën dhe u nis, pasi vëllezërit e lanë në hir të Perëndisë.

41 Dhe përshkoi Sirinë dhe Kilikinë, duke i forcuar kishat.

Read full chapter