A A A A A
Bible Book List

Jobi 32-34 Albanian Bible (ALB)

32 Atëherë këta tre njerëz nuk iu përgjigjën më Jobit, sepse ai e ndjente veten të drejtë.

Por zemërimi i Elihut, birit të Barakelit, Buzitit, nga fisi i Ramit, u ndez kundër Jobit; zemërimi i tij u ndez, sepse ai e quante veten e tij të drejtë më tepër se Perëndia.

Zemërimi i tij u ndez edhe kundër tre miqve të tij, sepse nuk kishin gjetur përgjigjen e drejtë, megjithëse e dënonin Jobin.

Elihu kishte pritur për t’i folur Jobit, sepse ata ishin më të moshuar se ai.

Por kur Elihu u bind që në gojën e këtyre tre njerëzve nuk kishte më përgjigje, ai u zemërua.

Kështu Elihu, bir i Barakelit, Buzitit, mori fjalën dhe tha: "Unë jam akoma i ri me moshë dhe ju jeni pleq; prandaj ngurrova dhe pata frikë t’ju parashtroj mendimin tim.

Thoja: "Do të flasë mosha dhe numri i madh i viteve do t’u mësojë diturinë".

Por te njeriu ka një frymë, dhe është fryma i të Plotfuqishmit që i jep zgjuarsinë.

Nuk janë detyrimisht të mëdhenjtë që kanë diturinë ose pleqtë që kuptojnë drejtësinë.

10 Prandaj them: Dëgjomëni, do të shtroj edhe unë mendimin tim.

11 Ja, prita fjalimet tuaja, dëgjova argumentat tuaja, ndërsa kërkonit të thonit diçka.

12 Ju kam ndjekur me vëmendje, dhe ja, asnjëri prej jush nuk e bindi Jobin ose nuk iu përgjigj fjalëve të tij.

13 Mos thoni, pra: "Kemi gjetur diturinë; vetëm Perëndia mund ta mundë plotësisht, por jo njeriu!".

14 Ai nuk i ka drejtuar fjalimet e tij kundër meje, prandaj nuk do t’i përgjigjem me fjalët tuaja.

15 Janë hutuar, nuk përgjigjen më, nuk gjejnë fjalë.

16 Duhet të pres akoma, sepse nuk flasin më, rrinë aty pa dhënë asnjë përgjigje.

17 Do të paraqes edhe unë pjesën time, do të shtroj edhe unë mendimin tim.

18 Sepse kam plot fjalë dhe fryma përbrenda më detyron.

19 Ja, gjiri im është si vera që nuk ka një shfrim, si shakujt e rinj, gati për të plasur.

20 Do të flas, pra, për të pasur një lehtësim të vogël, do të hap buzët dhe do të përgjigjem.

21 Tani më lejoni të flas pa treguar anësi me asnjë dhe pa i bërë lajka kurrkujt;

22 sepse unë nuk di të bëj lajka, përndryshe Krijuesi im do të më hiqte shpejt nga mesi".

33 "Tani pra, Job, dëgjo atë që kam për të thënë dhe vëru veshin gjithë fjalëve të mia!

Ja, unë po hap gojën dhe gjuha ime flet në gojën time.

Fjalët e mia burojnë nga një zemër e drejtë, buzët e mia do të thonë njohuri të pastra.

Fryma e Perëndisë më ka krijuar dhe fryma e të Plotfuqishmit më jep jetë.

Në rast se mundesh, m’u përgjigj; përgatitu gjithashtu të mbrosh pozitat e tua.

Ja, unë jam i barabartë me ty përpara Perëndisë; edhe unë jam formuar nga argjili.

Ja, asnjë frikë nga unë nuk duhet të të lemerisë, dhe dora ime nuk do të rëndojë mbi ty.

Por ti u ke thënë veshëve të mi dhe dëgjova tingullin e fjalëve të tua, që thonin:

"Una jam i pastër, pa mëkat; jam i pafajmë, nuk ka asnjë faj tek unë.

10 Por Perëndia gjen kundër meje shkaqe armiqësie dhe më konsideron armikun e tij;

11 i fut këmbët e mia në pranga dhe kqyr gjithë hapat e mia".

12 Mirë, pra, unë të them se këtu nuk ke të drejtë, sepse Perëndia është më i madh se njeriu.

13 Pse hahesh me të, kur ai nuk jep llogari për asnjë nga veprimet e tij?

14 Në fakt Perëndia flet në një mënyrë apo në një tjetër por njeriu nuk e vë re:

15 në një ëndërr, në një vegim të natës, kur një gjumë i rëndë i zë njerëzit, kur dremitin në shtretërit e tyre.

16 Atëherë ai hap veshët e njerëzve dhe vulos paralajmërimet që u bën,

17 për ta larguar njeriun nga veprimet e tij dhe për ta mbajtur larg nga kryelartësia,

18 për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për të penguar që jeta e tij të mbarojë nga shpata.

19 Njeriu paralajmërohet gjithashtu me dhembjen në shtratin e vet dhe me torturën e pandërprerë të kockave të tij,

20 aq sa i neveritet buka dhe madje edhe ushqimet më të shijshme.

21 Mishi konsumohet sa mbyll e hap sytë, ndërsa kockat e tij, që më parë nuk dukeshin, tani dalin jashtë;

22 kështu shpirti i tij i afrohet gropës dhe jeta e tij atyre që sjellin vdekjen.

23 Por në rast se pranë tij ka një engjëll, një interpret, një i vetëm ndër një mijë, që t’i tregojë njeriut detyrën e tij.

24 Perëndisë i vjen keq për të dhe thotë: "Kurseje që të mos zbresë në gropë; gjeta shpengimin për të".

25 Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij.

26 Do t’i lutet fort Perëndisë, do të gjejë hir pranë tij dhe do të mund të sodisë fytyrën e tij me gëzim, sepse Perëndia do ta ketë rivendosur njeriun në drejtësinë e tij.

27 Duke iu drejtuar njerëzve, do të thotë: "Kam mëkatuar dhe kam shkelur drejtësinë, dhe nuk u ndëshkova siç e meritoja.

28 Perëndia i ka shpenguar shpirtin tim, që të mos zbriste në gropë dhe jeta ime mund të shohë dritën".

29 Ja, Perëndia e bën këtë dy herë, tri herë me njeriun,

30 për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për ta ndriçuar me dritën e jetës.

31 Ki kujdes, Jobi, dëgjomë; rri në heshtje, dhe unë do të flas.

32 Në qoftë se ke diçka për të thënë, përgjigjmu, folë, sepse do të dëshiroja të të jepja të drejtë.

33 Përndryshe dëgjomë; hesht dhe unë do të të mësoj diturinë".

34 Elihu nisi përsëri të flasë dhe tha:

"Dëgjoni, o njerëz të urtë, fjalët e mia, dhe ju, njerëz të ditur, ma vini veshin!

Sepse veshi i shqyrton fjalët, ashtu si qiellza i shijon ushqimet.

Le të zgjedhim ne vetë atë që është e drejtë të pranojmë midis nesh atë që është e mirë.

Sepse Jobi ka thënë: "Jam i drejtë, por Perëndia më ka hequr drejtësinë time.

A duhet të gënjej kundër drejtësisë sime? Plaga ime është e pashërueshme, megjithëse jam pa mëkat".

Kush është si Jobi, që e pi përqeshjen si ujin,

që ecën bashkë me keqbërësit dhe shkon bashkë me njerëzit e këqij?

Sepse ka thënë: "Nuk i vlen fare njeriut të vendosë kënaqësinë e tij te Perëndia".

10 Më dëgjoni, pra, o njerëz me mend! Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit!

11 Sepse ai ia kthen njeriut sipas veprave të tij dhe secilin e bën të gjejë shpërblimin për sjelljen e tij.

12 Sigurisht Perëndia nuk kryen të keqen dhe i Plotfuqishmi nuk shtrembëron drejtësinë.

13 Kush i ka besuar kujdesin për tokën, ose kush e ka vendosur mbi tërë botën?

14 Në qoftë se Perëndia duhet të vendoste në zemër të vet të tërhiqte mbi vete Frymën e tij dhe frymën e tij,

15 çdo mish do të shkatërrohej njëkohësisht, dhe njeriu do të kthehej në pluhur.

16 Në qoftë se ke mend, dëgjoje këtë, vër veshin për të dëgjuar atë që po të them.

17 A mund të qeverisë ai që urren drejtësinë? A guxon ti të dënosh të Drejtin, të Fuqishmin?

18 Ai që i thotë një mbreti: "Je për t’u përbuzur" dhe princave: "Jeni të këqij".

19 Por ai nuk bën asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij.

20 Në një çast ata vdesin; në mesin e natës njerëzia tronditet dhe zhduket, të fuqishmit çohen tutje pa dorë njeriu.

21 Sepse ai i mban sytë te rrugët e njeriut, dhe shikon tërë hapat e tij.

22 Nuk ka terr as hije vdekjeje, ku mund të fshihen njerëzit e këqij.

23 Në fakt Perëndia nuk ka nevojë ta kqyrë gjatë një njeri para se ta nxjerrë për gjykim para tij.

24 Ai i ligështon të fuqishmit pa bërë hetim dhe vë të tjerë në vendin e tyre.

25 Duke qenë se i njeh veprat e tyre, i rrëzon natën dhe ata shkatërrohen;

26 i godet si njerëz të këqij para syve të të gjithëve,

27 sepse janë larguar nga ai pa u kujdesur për rrugët e tij,

28 deri sa të arrijë tek ai britma e të varfrit, sepse ai dëgjon britmën e të pikëlluarve.

29 Kur Perëndia jep qetësinë, kush do ta dënojë? Kur fsheh fytyrën e tij, kush do të mund ta shikojë, qoftë kundër një kombi të tërë ose kundër një njeriu të vetëm,

30 për të penguar që i pabesi të mbretërojë dhe që populli të zihet ndër leqe?

31 Dikush mund t’i thotë Perëndisë: "Unë e mbart fajin tim, po nuk do ta bëj më të keqen;

32 tregomë atë që nuk arrij të shikoj; në rast se kam kryer ndonjë paudhësi, nuk do ta bëj më"?

33 A duhet të të shpërblejë ai në bazë të konditave të tua, sepse ti nuk pranon gjykimin e tij? Ti duhet të zgjedhësh dhe jo unë; prandaj thuaj atë që di.

34 Njerëzit me mend; si çdo njeri i urtë që më dëgjon, do të më thonë:

35 "Jobi flet pa mend, fjalët e tij nuk kanë dituri".

36 Le të provohet Jobi deri në fund, sepse përgjigjet e tij janë si ato të njerëzve të këqij,

37 sepse i shton mëkatit të tij revoltën, rreh duart mes nesh dhe i shumëzon fjalët e tij kundër Perëndisë".

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes