Add parallel Print Page Options

29 Jobi e rifilloi ligjëratën e tij dhe tha:

"Ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës, si në ditët kur Perëndia më mbronte,

kur llamba e tij shkëlqente mbi kokën time dhe me dritën e saj ecja në mes të errësirës;

siç isha në ditët e pjekurisë sime, kur mendja e fshehtë e Perëndisë kujdesej për çadrën time,

kur i Plotfuqishmi ishte akoma me mua dhe bijtë e mi më rrinin përqark;

kur laja këmbët e mia në gjalpë dhe shkëmbi derdhte për mua rrëke vaji.

Kur dilja ne drejtim të portës së qytetit dhe ngrija fronin tim në shesh,

të rinjtë, duke më parë, hiqeshin mënjanë, pleqtë ngriheshin dhe qëndronin më këmbë;

princat ndërprisnin bisedat dhe vinin dorën mbi gojë;

10 zëri i krerëve bëhej më i dobët dhe gjuha e tyre ngjitej te qiellza.

11 veshi që më dëgjonte, më shpallte të lumtur, dhe syri që më shihte, dëshmonte për mua,

12 sepse çliroja të varfrin që klithte për ndihmë, dhe jetimin që nuk kishte njeri që ta ndihmonte.

13 Bekimi i atij që ishte duke vdekur zbriste mbi mua dhe unë e gëzoja zemrën e gruas së ve.

14 Isha i veshur me drejtësi dhe ajo më mbulonte; drejtësia ime më shërbente si mantel dhe si çallmë.

15 Isha sy për të verbërin dhe këmbë për çalamanin;

16 isha një baba për të varfrit dhe hetoja rastin që nuk njihja.

17 I thyeja nofullat njeriut të keq dhe rrëmbeja gjahun nga dhëmbët e tij.

18 Dhe mendoja: "Kam për të vdekur në folenë time dhe do të shumëzoj ditët e mia si rëra;

19 rrënjët e mia do të zgjaten në drejtim të ujërave, vesa do të qëndrojë tërë natën në degën time;

20 lavdia ime do të jetë gjithnjë e re tek unë dhe harku im do të fitojë forcë të re në dorën time".

21 Të pranishmit më dëgjonin duke pritur dhe heshtnin për të dëgjuar këshillën time.

22 Mbas fjalës sime ata nuk përgjigjeshin, dhe fjalët e mia binin mbi ta si pika vese.

23 Më prisnin ashtu si pritet shiu dhe hapnin gojën e tyre si për shiun e fundit.

24 Unë u buzëqeshja kur kishin humbur besimin, dhe nuk mund ta pakësonin dritën e fytyrës sime.

25 Kur shkoja tek ata, ulesha si kryetar dhe rrija si një mbret midis trupave të tij, si një që ngushëllon të dëshpëruarit.

30 "Tani përkundrazi më të rinjtë se unë më përqeshin, ata që etërit e tyre nuk do të kishin pranuar t’i vija midis qenve të kopesë sime.

Fundja, për çfarë do të më shërbente forca e duarve të tyre? Fuqia e tyre është shkatërruar.

Të sfilitur nga mizerja dhe nga uria, ikin natën në shketëtirën e shkretuar dhe shterpë,

duke shkulur bar të hidhur pranë gëmushave dhe rrënjë gjineshtre për ushqimin e tyre.

Janë përzënë nga mjediset prej njerëzve që ulërijnë prapa tyre si të ishin vjedhës.

Janë të detyruar të jetojnë në skërkat e luginave, në shpellat e tokës dhe midis shkëmbinjve;

ulërijnë midis kaçubeve dhe shtrëngohen bashkë nën ferrishtat;

njerëz budallenj, po, njerëz pa vlerë, të dëbuar nga vendi i tyre.

Tani jam bërë kënga e tyre e talljes, po, jam bërë gazi i tyre.

10 Kanë tmerr nga unë, rrinë larg meje dhe nuk ngurrojnë të më pështyjnë në fytyrë.

11 Meqenëse Perëndia ka lëshuar disi litarin e çadrës sime dhe më ka poshtëruar, ata kanë thyer çdo fre para meje.

12 Këta zuzarë çohen në të djathtën time, i shtyjnë larg këmbët e mia dhe përgatitin kundër meje rrugët që të më shkatërrojnë.

13 Prishin rrugën time, keqësojnë fatkeqësinë time, megjithëse askush nuk i ndihmon.

14 Afrohen si nëpërmjet një të çare të madhe, sulen kundër meje si një stuhi.

15 Më sulmojnë tmerre; gjuajnë nderin tim si era, dhe begatia ime zhdavaritet si një re.

16 Unë shkrihem përbrenda, dhe ditët e hidhërimit më kanë pushtuar.

17 Natën ndjej sikur më shpojnë kockat, dhe dhembjet më brejnë pa pushim.

18 Nga dhuna e madhe rrobat e mia deformohen, më shtrëngojnë përreth si jaka e mantelit tim.

19 Ai më ka hedhur në baltë dhe jam bërë si pluhuri dhe hiri,

20 Unë të bërtas ty, dhe ti nuk më përgjigjesh; të rri përpara, por ti rri duke më shikuar.

21 Je bërë mizor me mua; më përndjek me fuqinë e dorës sate.

22 Më ngre lart mbi erën, bën që të eci kaluar mbi të dhe më zhduk në stuhi.

23 E di në të vërtetë që ti më çon në vdekje, në shtëpinë ku mblidhen gjithë të gjallët.

24 me siguri nuk do ta shtrijë dorën e tij te varri, megjithëse në fatkeqësinë e tij bërtet për të kërkuar ndihmë.

25 A nuk kam qarë vallë për atë që ishte në fatkeqësi, dhe a nuk jam hidhëruar për të varfrin?

26 Kur prisja të mirën, erdhi e keqja; kur prisja dritën, erdhi errësira.

27 Zorrët e mia ziejnë pa pushim, kanë ardhur për mua ditë vuajtjesh.

28 Shkoj rreth e qark i nxirë, krejt, por jo nga dielli; ngrihem në kuvend dhe bërtas për të kërkuar ndihmë.

29 Jam bërë vëlla me çakallin dhe shok me strucin.

30 Lëkura ime që më mbulon është nxirë dhe kockat e mia digjen nga nxehtësia.

31 Qestja ime shërben vetëm për vajtime dhe flauti im për tinguj vajtues.

31 "Unë kisha bërë një besëlidhje me sytë e mi; si mund ta fiksoja, pra, shikimin mbi një virgjëreshë?

Cili është fati që më ka caktuar Perëndia nga atje lart dhe trashëgimia e të Plotfuqishmit nga vendet e larta?

A nuk është vallë fatkeqësia për njeriun e çoroditur dhe mjerimi për atë që kryen të keqen?

Nuk i shikon ai tërë rrugët e mia dhe nuk i numëron të gjitha hapat që bëj?

Në rast se kam vepruar me falsitet, ose në rast se këmba ime është shpejtuar të ndjekë mashtrimin,

le të më peshojë me një peshore të saktë, dhe Perëndia do ta njohë ndershmërinë time.

Në qoftë se hapat e mia kanë dalë nga rruga e drejtë, dhe në qoftë se zemra ime ka ndjekur sytë e mi, apo në se ndonjë njollë u është ngjitur duarve të mia,

le të mbjell unë dhe një tjetër të hajë, dhe pasardhësit e mi u çrrënjofshin.

Në rast se zemra ime është mashtruar nga një grua dhe kam përgjuar në portën e të afërmit tim,

10 gruaja ime le të bluajë për një tjetër dhe të tjerë u përkulshin mbi të.

11 Sepse kjo do të ishte një mbrapshti, një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët,

12 një zjarr që konsumon deri në Abadon, dhe do të kishte shkatërruar deri në rrënjë gjithë të korrat e mia.

13 Në rast se kam hedhur poshtë të drejtën e shërbëtorit tim dhe të shërbëtores sime, kur po grindeshin me mua,

14 çfarë do të bëja kur Perëndia të ngrihej kundër meje, dhe si do t’i përgjigjesha kur të më kërkonte llogari?

15 Ai që më ka bërë mua në barkun e nënës, a nuk e ka bërë edhe atë? A nuk ka qenë po ai Perëndi që na ka krijuar në bark?

16 Në rast se u kam refuzuar të varfërve atë që dëshironin dhe bëra të veniten sytë e gruas së ve,

17 në rast se e hëngra vetëm copën e bukës pa i dhënë një pjesë jetimit,

18 (por që në rininë time unë e rrita si një baba, dhe që në bark të nënës sime e kam ndihmuar gruan e ve)

19 në rast se kam parë dikë të vdesë për mungesë rrobash ose një të varfër që nuk kishte me se të mbulohej,

20 në rast se ijet e tij nuk më kanë bekuar, dhe nuk është ngrohur me leshin e qengjave të mi,

21 në qoftë se kam ngritur dorën kundër jetimit, sepse e dija që do të ndihmohesha tek porta,

22 supi im u ndaftë nga shpatulla, krahu im u theftë në bërryl!

23 Sepse fatkeqësia që vjen nga Perëndia më kall drithma, dhe për shkak të madhështisë së tij nuk mund të bëj asgjë.

24 Në qoftë se kam pasur besim tek ari, dhe arit të kulluar i kam thënë: Ti je shpresa ime,,"

25 në rast se jam gëzuar sepse pasuritë e mia ishin të mëdha, dhe sepse dora ime ka grumbulluar shumë pasuri,

26 në qoftë se kam shikuar diellin kur shkëlqen ose hënën që shkonte përpara duke ndritur, dhe zemra ime u mashtrua tinëz dhe goja ime puthi dorën time;

27 edhe ky do të ishte një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët, sepse do të kisha mohuar Perëndinë që rri aty lart.

28 Në rast se jam gëzuar për fatkeqësinë e armikut tim dhe u ngrita, sepse e kishte goditur fakeqësia

29 (por unë nuk e lejova gojën time të mëkatonte, duke i uruar të vdesë me një mallkim);

30 në qoftë se njerëzit e çadrës sime nuk kanë thënë: "Kush mund të gjejë një që nuk është ngopur me mishin e tij?".

31 (përveç kësaj asnjë i huaj nuk e kalonte natën jashtë, sepse i hapja portat e mia udhëtarit);

32 në rast se i kam mbuluar mëkatet e mia si Adami, duke e fshehur fajin tim në gji,

33 sepse kisha frikë nga turma e madhe dhe përbuzja e familjeve më tmerronte, kështu që rrija i heshtur pa dalë nga shtëpia.

34 Ah, sikur të kisha një që të më dëgjonte! Ja firma ime! I Plotfuqishmi të më përgjigjet! Kundërshtari im të shkruajë një dokument,

35 dhe unë do ta mbaja me siguri mbi shpatullat e mia, dhe do ta mbaja si një diademë

36 do t’i jepja llogari për të gjitha hapat e mia, duke iu paraqitur si një princ.

37 Në qoftë se toka ime bërtet kundër meje dhe brazdat e saj qajnë bashkë me të,

38 në rast se kam ngrënë frytin e saj pa paguar, në rast se u kam nxjerrë frymën e fundit zotërve të saj,

39 në vend të grurit u rritshin ferra dhe barëra të këqija në vend të elbit".

40 Këtu mbarojnë fjalët e Jobit.