Add parallel Print Page Options

25 Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha:

"Atij i përkasin sundimi dhe terrori: ai sjell paqen në vendet e tij shumë të larta.

A mund të llogariten vallë ushtritë e tij? Dhe mbi kë nuk del drita e tij?

Si mund të jetë, pra, njeriu i drejtë përpara Perëndisë, ose si mund të jetë i pastër një i lindur nga një grua?

Dhe në se edhe hëna nuk shkëlqen dhe yjet nuk janë të pastër në sytë e tij,

aq më pak njeriu, që është një vemje, biri i njeriut që është një krimb!".

26 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: "Si e ke ndihmuar të dobëtin,

ose si e ke ndihmuar krahun pa forcë?

Si e ke këshilluar atë që nuk ka dituri, dhe çfarë njohurish të mëdha i ke komunikuar?

Kujt ia ke drejtuar fjalët e tua, dhe e kujt është fryma që ka dalë prej teje?

Të vdekurit dridhen nën ujërat, dhe kështu bëjnë edhe banorët e tyre.

Para atij Sheoli është i zbuluar, Abadoni është pa vel.

Ai shtrin veriun në zbrazëti dhe e mban tokën pezull mbi hiçin.

I mbyll ujërat në retë e tij, por ato nuk çahen nën peshën e tyre.

E mbulon pamjen e fronit të tij, duke shtrirë mbi të retë e tij.

10 Ka shënuar një kufi të veçantë mbi sipërfaqen e ujërave, në kufirin e dritës me terrin.

11 Kollonat e qiellit dridhen dhe habiten nga kërcënimi i tij.

12 Me forcën e tij qetëson detin, me zgjuarsinë tij ka rrëzuar Rahabin.

13 Me Frymën e tij ka zbukuruar qiejt, dora e tij ka shpuar tejpërtej gjarpërin dredharak.

14 Ja, këto janë vetëm thekët e veprave të tij. Ç’murmurimë të lehtë të tij arrijmë të dëgjojmë! Por vallë kush do të arrijë të kuptojë gjëmimin e fuqisë së tij?

27 Jobi e mori fjalën përsëri dhe tha:

"Ashtu si rron Perëndia që më ka hequr të drejtën time dhe i Plotfuqishmi që më ka hidhëruar shpirtin,

deri sa të ketë një frymë jete tek unë dhe të jetë fryma e Perëndisë në flegrat e hundës sime,

buzët e mia nuk do të thonë asnjë ligësi, as gjuha ime nuk ka për të shqiptuar asnjë gjë të rreme.

Nuk do të pranoj që ju keni të drejtë; deri në regëtimat e fundit nuk do të heq dorë nga ndershmëria ime.

Do të qëndroj i patundur në drejtësinë time, pa bërë lëshime; zemra nuk më qorton asnjë nga ditët e mia.

Armiku im qoftë si njeriu i keq, dhe ai që ngrihet kundër meje ashtu si njeriu i padrejtë.

Çfarë shprese mund të ketë në fakt i pabesi, edhe sikur të arrijë të sigurojë fitime, kur Perëndia i heq jetën?

A do ta dëgjojë Perëndia britmën e tij, kur mbi të do të bjerë fatkeqësia?

10 A do t’i vërë kënaqësitë e tij vallë tek i Plotfuqishmi dhe do të kërkojë ndihmën e Perëndisë në çdo kohë?

11 Do t’ju jap mësime mbi fuqinë e Perëndisë, nuk do t’ju fsheh qëllimet e të Plotfuqishmit.

12 Por ju të gjithë i keni vënë re këto gjëra, pse, pra, silleni në mënyrë kaq të kotë?

13 Ky është fati që Perëndia i rezervon njeriut të keq, trashëgimia që njerëzit që përdorin dhunën marrin nga i Plotfuqishmi.

14 Në rast se ka një numër të madh bijsh, këta i destinohen shpatës, dhe trashëgimtarët e tij nuk do të kenë bukë për t’u ngopur.

15 Ata që do të mbijetojnë pas tij do të varrosen nga vdekja dhe të vejat e tyre nuk do të qajnë.

16 Në rast se grumbullon argjend si pluhur dhe mbledh rrobe si baltë,

17 ai i grumbullon, por do t’i veshë i drejti, dhe argjendin do ta ndajë i pafajmi.

18 Ai ndërton shtëpinë e tij si një mole, si një kasolle që e ka bërë një rojtar.

19 I pasuri bie në shtrat, por nuk do të bashkohet me njerëzit e tij; hap sytë dhe nuk është më.

20 Tmerri e kap në befasi si ujërat; në mes të natës një furtunë e rrëmben tinëzisht.

21 Era e lindjes e merr me vete dhe ai ikën, e fshin nga vendi i tij si një vorbull.

22 Ajo sulet kundër tij pa mëshirë, ndërsa ai kërkon në mënyrë të dëshpëruar të shpëtojë nga ajo dorë,

23 njerëzia duartroket në mënyrë tallëse për të dhe fërshëllen kundër tij nga vendi ku ndodhet".

12 Dhe në atë kohë mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga kisha.

Dhe e vrau me shpatë Jakobin, vëllain e Gjonit.

Dhe, duke parë se kjo u pëlqente Judenjve, urdhëroi të arrestohet edhe Pjetri (ishin ditët e të Ndormëve).

Mbasi e arrestoi, e futi në burg dhe ua besoi ruajtjen e tij katër skuadrave, me nga katër ushtarë secila, duke menduar ta nxjerrë para popullit mbas Pashkës.

Por, ndërsa Pjetrin e ruanin në burg, nga ana e kishës bënin lutje të vazhdueshme te Perëndia për të.

Dhe natën, para se ta nxirrte Herodi përpara popullit, Pjetri po flinte në mes dy ushtarëve, i lidhur me dy zinxhirë; dhe rojet para portës ruanin burgun.

Dhe ja, një engjëll i Zotit u duk dhe një dritë e ndriçoi qelinë; dhe ai i ra Pjetrit në ijë, e zgjoi duke thënë: “Çohu shpejt!.” Dhe zinxhirët i ranë nga duart.

Pastaj engjëlli i tha: “Ngjishu dhe lidhi sandalet!.” Dhe ai bëri kështu. Pastaj i tha: “Mbështillu me mantelin dhe ndiqmë!.”

Dhe Pjetri, mbasi doli, e ndiqte pa e kuptuar se ç’po i ndodhte me anë të engjëllit ishte e vërtetë; sepse ai pandehte se kishte një vegim.

10 Dhe, si kaluan vendrojën e parë dhe të dytë, arritën te dera e hekurt që të çonte në qytet, dhe ajo u hap përpara tyre vetvetiu; dhe, mbasi dolën, përshkuan një rrugë dhe papritmas engjëlli e la atë.

11 Kur Pjetri erdhi në vete, tha: “Tani me të vërtetë po e di se Zoti ka dërguar engjëllin e vet dhe më liroi nga duart e Herodit duke e bërë të kotë gjithë atë që priste populli i Judenjve.”

12 Kur e kuptoi situatën, ai u nis për në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, të mbiquajtur Mark, ku shumë vëllezër ishin mbledhur dhe po luteshin.

13 Sapo Pjetri i ra derës së hyrjes, një shërbëtore që quhej Rode u afrua me kujdes për të dëgjuar.

14 Dhe, kur njohu zërin e Pjetrit, nga gëzimi nuk e hapi derën, por rendi brenda dhe njoftoi se Pjetri ndodhej para derës.

15 Por ata i thanë: “Ti flet përçart.” Por ajo pohonte se ashtu ishte. Dhe ata thoshnin: “Éshtë engjëlli i tij!.”

16 Ndërkaq Pjetri vazhdonte të trokiste. Ata, kur e hapën, e panë atë dhe u mahnitën.

17 Por ai u bëri shenjë me dorë të heshtnin dhe u tregoi se si Zoti e kishte nxjerrë nga burgu. Pastaj tha: “Ua tregoni këto Jakobit dhe vëllezërve!.” Pastaj doli dhe shkoi në një vend tjetër.

18 Kur zbardhi dita, u bë një pështjellim i madh në mes të ushtarëve, sepse nuk dinin ç’kishte ndodhur me Pjetrin.

19 Dhe Herodi nisi ta kërkojë, por nuk e gjeti, dhe, mbasi i mori në pyetje rojet, urdhëroi që të vriten. Pastaj zbriti nga Judeja në Cezare dhe atje qëndroi për pak kohë.

20 Por Herodi ishte i zemëruar kundër tirasve dhe sidonasve; por ata, si u morën vesh midis tyre, u paraqitën para tij dhe, mbasi ia mbushën mendjen Blastit, kamarierit të mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre furnizohej me ushqime nga vendi i mbretit.

21 Ditën e caktuar Herodi, i veshur me mantelin mbretëror dhe i ulur mbi fron, u mbajti një fjalim.

22 Populli e brohoriste, duke thënë: “Zë e Perëndisë dhe jo e njeriut!.”

23 Në atë çast një engjëll i Zotit e goditi, sepse nuk i kishte dhënë lavdi Perëndisë; dhe, i brejtur nga krimbat, vdiq.

24 Ndërkaq fjala e Perëndisë rritej dhe përhapej.

25 Dhe Barnaba dhe Sauli, mbasi e përfunduan misionin e tyre, u kthyen nga Jeruzalemi në Antioki duke e marrë me vete Gjonin, të mbiquajtur Mark.