Add parallel Print Page Options

21 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

"Dëgjoni me kujdes atë që kam për të thënë, dhe kjo të jetë kënaqësia që më jepni.

Kini durim me mua dhe më lini të flas dhe, kur të kem folur, edhe talluni me mua.

A ankohem vallë për një njeri? Dhe pse fryma ime nuk duhet të trishtohet?

Shikomëni dhe habituni, dhe vini dorën mbi gojë.

Kur e mendoj, më zë frika dhe mishi im fillon të dridhet.

Pse, pra, jetojnë të pabesët dhe pse plaken dhe shtojnë pasuritë e tyre?

Pasardhësit e tyre fuqizohen bashkë me ta nën vështrimet e tyre dhe fëmijët e tyre lulëzojnë në sytë e tyre.

Shtëpitë e tyre janë në siguri, pa tmerre, dhe fshikulli i Perëndisë nuk rëndon mbi ta.

10 Demi i tyre mbars dhe nuk gabon, lopa e tyre pjell pa dështuar.

11 Dërgojnë jashtë si një kope të vegjlit e tyre dhe bijtë e tyre hedhin valle.

12 Këndojnë në tingujt e timpanit dhe të qestes dhe kënaqen me zërin e flautit.

13 I kalojnë në mirëqënie ditët e tyre, pastaj një çast zbresin në Sheol.

14 Megjithatë i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne, sepse nuk dëshirojmë aspak të njohim rrugët e tua.

15 Kush është i Plotfuqishmi të cilit duhet t’i shërbejmë? Ç’përfitojmë veç kësaj kur e lusim?".

16 Ja, begatia e tyre a nuk është vallë në duart e tyre? Këshilla e të pabesëve është mjaft larg meje.

17 Sa herë shuhet llamba e të këqijve ose shkatërrimi bie mbi ta, vuajtjet që Perëndia cakton në zemërimin e tij?

18 A janë ata si kashta përpara erës ose si byku që e merr me vete stuhia?

19 Ju thoni se Perëndia ruan dënimin e paudhësisë së dikujt për bijtë e tij. Ta shpaguajë Perëndia, që ai të mund ta kuptojë.

20 Të shohë me sytë e tij shkatërrimin e vet dhe të pijë nga zemërimi i të Plotfuqishmit!

21 Çfarë i hyn në punë në fakt shtëpia e tij mbas vdekjes, kur numri i muajve të tij është mbushur?

22 A mundet ndokush t’i mësojë Perëndisë njohuri, atij që gjykon ata që ndodhen atje lart?

23 Dikush vdes kur ka plot fuqi, i qetë dhe i sigurt;

24 ka kovat plot me qumësht dhe palca e kockave të tij është e freskët.

25 Një tjetër përkundrazi vdes me shpirt të hidhëruar, pa pasë shijuar kurrë të mirën.

26 Që të dy dergjen bashkë në pluhur dhe krimbat i mbulojnë.

27 Ja, unë i njoh mendimet tuaja dhe planet me të cilat doni të ushtroni dhunën kundër meje.

28 Në fakt ju thoni: "Ku është shtëpia e princit, dhe ku është çadra, banesa e njerëzve të këqij?".

29 Nuk i keni pyetur ata që udhëtojnë dhe nuk i njihni shenjat e tyre?

30 Njerëzit e këqij në fakt shpëtojnë ditën e shkatërrimit dhe çohen në shpëtim ditën e zemërimit.

31 Kush e qorton për sjelljen e tij dhe kush i jep shpagim për atë që ka bërë?

32 Atë e çojnë në varr dhe i bëjnë roje varrit të tij.

33 Plisat e luginës do të jenë të ëmbël për të; tërë njerëzia do ta ndjekë, ndërsa një mori pa fund i shkon para.

34 Si mund të më ngushëlloni pra, me fjalë të kota, kur nga fjalët tuaja nuk mbetet veçse gënjeshtra?".

22 Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:

"A mundet vallë njeriu t’i sigurojë ndonjë përfitim Perëndisë? Me siguri i urti i sjell të mirë vetvetes.

Çfarë kënaqësie ka prej saj i Plotfuqishmi, në rast se ti je i drejtë, ose çfarë përfitimi ka në qoftë se ti ke një sjellje të ndershme?

Mos vallë nga frika që ka prej teje ai ndëshkon dhe hyn në gjyq me ty?

Apo ka gjasë më shumë se kjo ka si shkak ligësinë tënde të madhe dhe fajet e tua të shumta?

Pa arsye në fakt ti merrje pengje nga vëllezërit e tu dhe i zhvishje të zhveshurit nga rrobat e tyre.

Nuk i jepje ujë të lodhurit dhe i refuzoje bukën të uriturit.

Toka i përkiste njeriut të fuqishëm dhe banonte në të njeriu i nderuar.

E ktheje gruan e ve me duar bosh, dhe krahët e jetimëve ishin të këputur.

10 Ja pse je rrethuar kudo nga leqe dhe drithma të papritura të turbullojnë,

11 ose një errësirë nuk të lejon të shikosh dhe një vërshim uji të përmbyt.

12 A nuk është Perëndia lart në qiejt? Shiko yjet e larta, sa lart ndodhen!

13 Dhe ti thua: "Çfarë di Perëndia? A mund të gjykojë nëpërmjet territ të dendur?

14 Re të dendura e mbulojnë dhe kështu nuk mund të shikojë, dhe shëtit mbi kupën e qiejve".

15 A dëshiron ti të ndjekësh rrugën e lashtë të përshkruar prej kohe nga njerëzit e këqij,

16 që e çuan larg para kohe, dhe themelin e të cilëve e mori një lum që vërshonte?

17 Ata i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne! Çfarë mund të na bëjë i Plotfuqishmi?".

18 Megjithatë Perëndia ua kishte mbushur shtëpitë me të mira. Por unë u rri larg këshillave të të pabesëve.

19 Të drejtët e shohin këtë dhe gëzohen, dhe i pafajmi tallet me ta;

20 po, me siguri, armiqtë tanë po shkatërrohen, dhe zjarri po përpin atë që mbetet.

21 Pajtohu, pra, me Perëndinë dhe do të kesh siguri; kështu do të kesh mirëqënie.

22 Prano udhëzime nga goja e tij dhe shtjeri fjalët e tij në zemrën tënde.

23 Në rast se kthehesh tek i Plotfuqishmi, do të rimëkëmbesh; në qoftë se largon paudhësinë nga çadrat e tua

24 dhe u hedh arin në pluhur dhe arin e Ofirit ndër gurët e përroit,

25 atëherë i Plotfuqishmi do të jetë ari yt, thesari yt prej argjendi.

26 Sepse atëherë do të gjesh kënaqësinë tënde tek i Plotfuqishmi dhe do të ngresh fytyrën në drejtim të Perëndisë.

27 Do t’i lutesh dhe ai do të të plotësojë dëshirën dhe ti do të realizosh kushtet që ke lidhur.

28 Do të vendosësh një gjë dhe ajo do të dalë mbarë, dhe mbi udhën tënde do të shkëlqejë drita.

29 Kur do të poshtërojnë, ti do të thuash: "Ngritja do të vijë". Ai do të përkrahë të përulurin

30 dhe do të çlirojë edhe atë që nuk është i pafajmë; po, ai do të çlirohet nga shkaku i pastëtisë së duarve të tua".

23 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

"Edhe sot vajtimi im është i dhimbshëm; dora ime është e dobët për shkak të rënkimit tim.

Ah, sikur të dija ku ta gjeja, që të mund të arrija deri në fronin e tij!

Do ta parashtroja çështjen time para tij, do ta mbushja gojën time me argumente.

Do të dija fjalët me të cilat do të më përgjigjej, dhe do të kuptoja atë që kishte për të më thënë.

A do të më kundërshtonte me forcë të madhe? Jo, përkundrazi do të më kushtonte vëmendje.

Atje njeriu i drejtë do të mund të diskutonte me të, kështu gjyqtari im do të më shpallte të pafajshëm përjetë.

Ja, po shkoj në lindje, por aty nuk është; në perëndim, por nuk e shoh;

vepron në veri, por nuk e shoh; kthehet nga jugu, por nuk arrij ta shikoj.

10 Por ai e njeh rrugën që unë kam marrë; sikur të më provonte, do të dilja si ari.

11 Këmba ime ka ndjekur me përpikmëri gjurmët e tij, i jam përmbajtur rrugës së tij pa devijuar;

12 nuk jam larguar nga urdhërimet e buzëve të tij, përfitova shumë nga fjalët që kanë dalë prej gojës së tij më tepër se nga racioni tim i ushqimit.

13 Por atij nuk i gjendet shoku, kush, pra, mund ta ndryshojë? Atë që do, ai e bën,

14 kështu ai do të realizojë plotësisht atë që ka dekretuar kundër meje, dhe plane të tilla ka mjaft të tjera.

15 Prandaj në prani të tij e ndjej veten të tmerruar; kur e mendoj këtë, ia kam frikën atij.

16 Perëndia ma ligështon zemrën, i Plotfuqishmi më tmerron.

17 Sepse nuk u asgjësova përpara territ; dhe ai nuk e fshehu terrin e dendur nga fytyra ime".