A A A A A
Bible Book List

Jobi 11-13 Albanian Bible (ALB)

11 Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha:

"Një mori e tillë fjalësh a do të mbetet pa përgjigje? A duhet të ketë të drejtë një njeri fjalëshumë?

Llafet e tua a do t’ua mbyllin gojën njerëzve? Ti do të tallesh dhe asnjë mos të të bëjë me turp?

Ti ke thënë: "Doktrina ime është e pastër dhe jam i pakritikueshëm para teje".

Por po të donte Perëndia të fliste dhe të hapte gojën e tij kundër teje,

për të treguar të fshehtat e diturisë, sepse dituria e vërtetë është e shumëtrajtshme, atëherë do të mësoje se Perëndia harron një pjesë të fajit tënd.

A mundesh ti të hulumtosh thellësitë e Perëndisë? A mund të depërtosh në përsosmërinë e të Plotfuqishmit?

Janë më të larta se qielli; çfarë mund të bësh? janë më të thella se Sheoli: çfarë mund të dish?

Madhësia e tyre është më e gjatë se toka dhe më e gjerë se deti.

10 Në rast se Perëndia kalon, burgos dhe nxjerr në gjyq, kush mund t’ia pengojë këtë veprim?

11 Sepse ai i njeh njerëzit e rremë; e sheh padrejtësinë dhe e kqyr.

12 Njeriu i pamend do të bëhet i urtë, kur kërriçi i gomares së egër të bëhet njeri.

13 Në rast se e përgatit zemrën tënde dhe shtrin ndaj saj duart e tua,

14 në rast se largon padrejtësinë që është në duart e tua dhe nuk lejon që çoroditja të zërë vend në çadrat e tua,

15 atëherë do të mund të lartosh ballin tënd pa njollë, do të jesh i patundur dhe nuk do të kesh frikë,

16 sepse do të harrosh hallet e tua, do t’i kujtosh si uji që ka rrjedhur;

17 jeta jote do të jetë më e ndritur se mesdita, edhe errësira për ty do të ishte si mëngjesi.

18 Do të jesh i sigurt sepse ka shpresë; do të shikosh rreth e qark dhe do të pushosh në siguri.

19 Do të biesh të flesh dhe nuk do të ketë njeri që të të trembë dhe shumë persona do të kërkojnë favorin tënd.

20 Por sytë e të pabesëve do të treten; çdo shpëtim do t’u pritet, dhe shpresa e tyre do të jetë grahma e fundit".

12 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

"Pa dyshim ju jeni njerëz të urtë, dhe dituria do të marrë fund me ju.

Edhe unë kam mendje si ju, dhe nuk bie më poshtë se ju; përveç kësaj, kush nuk i di gjërat si këto?

Jam bërë gazi i miqve të mi; unë, të cilit Perëndia i përgjigjej kur i drejtohesha; të drejtin, të ndershmin, e kanë vënë në lojë.

Një llambë, e përçmuar në mendimet e atyre që jetojnë në mes të të mirave, është përgatitur për ata të cilëve u merren këmbët.

Çadrat e cubave përkundrazi janë të qeta dhe e ndjejnë veten të sigurt ata që provokojnë Perëndinë dhe që e hyjnizojnë forcën e tyre.

Por pyeti tani kafshët dhe do të të mësojnë, zogjtë e qiellit dhe do të ta thonë,

ose foli tokës, dhe ajo do të të mësojë, dhe peshqit e detit do të ta tregojnë.

Midis tërë këtyre krijesave, cila nuk e di që dora e Zotit i ka bërë këto?

10 Ai ka në dorë të tij jetën e çdo gjallese dhe frymën e çdo qenieje njerëzore.

11 Veshi a nuk i shqyrton vallë fjalët, ashtu si i shijon qiellza ushqimet?

12 Ndër pleqtë gjejmë diturinë, dhe gjatësia e ditëve u jep edhe gjykimin.

13 Por tek ai gjejmë diturinë dhe forcën, atij i përkasin mendja dhe gjykimi.

14 Në rast se ai shkatërron, askush nuk mund të rindërtojë; në rast se fut në burg dikë, askush nuk mund t’ia hapë.

15 Në rast se i ndal ujërat, çdo gjë thahet; po t’i lërë të lira, përmbytin tokën.

16 Ai zotëron forcën dhe diturinë; prej tij varen ai që mashtrohet dhe ai që mashtron.

17 Ai i bën këshilltarët të ecin zbathur, i bën gjyqtarët të pamend.

18 Këput verigat e imponuara nga mbretërit dhe lidh me zinxhirë ijet e tyre.

19 I bën që të ecin zbathur priftërinjtë dhe përmbys të fuqishmit.

20 I lë pa gojë ata tek të cilët ka besim dhe i lë pa mend pleqtë.

21 Zbraz përçmimin mbi fisnikët dhe ua liron brezin të fortëve.

22 Zbulon gjërat e thella të fshehura në terr dhe sjell në dritë hijen e vdekjes.

23 I bën të mëdha kombet dhe pastaj i shkatërron, i zgjeron kombet dhe pastaj i mërgon.

24 U heq arsyen sundimtarëve të tokës dhe i bën të enden në vende të shkreta pa rrugë.

25 Ecin verbërisht në terr pa dritë dhe i bën të ecin si të dehur".

13 "Ja, tërë këtë syri im e pa dhe veshi im e dëgjoi dhe e kuptoi.

Atë që ju dini e di edhe unë; nuk vij pas jush.

Por do të dëshiroja të flas me të Plotfuqishmin, do të më pëlqente të diskutoja me Perëndinë;

sepse ju jeni trillues gënjeshtrash, jeni të gjithë mjekë pa asnjë vlerë.

Oh, sikur të heshtnit fare, kjo do të ishte dituria juaj.

Dëgjoni tani mbrojtjen time dhe vini re deklaratat e buzëve të mia.

A doni vallë të flisni në mënyrë të mbrapshtë në mbrotje të Perëndisë dhe të flisni në favor të tij me mashtrime?

A doni të përdorni anësi me të ose të mbroni një kauzë të Perëndisë?

Do të ishte më mirë për ju që ai t’ju hetonte, apo talleni me të ashtu si talleni me një njeri?

10 Me siguri ai do t’ju qortojë, në rast se fshehurazi veproni me anësi.

11 Madhëria e tij vallë a nuk do t’ju kallë frikë dhe tmerri i tij a nuk do të bjerë mbi ju?

12 Thëniet tuaja moralizuese janë proverba prej hiri, argumentet tuaja më të mira nuk janë veçse argumente prej argjila.

13 Heshtni dhe më lini mua të flas, pastaj le të më ndodhë çfarë të dojë.

14 Pse duhet ta mbaj mishin tim me dhëmbët dhe ta vë jetën time në duart e mia?

15 Ja, ai do të më vrasë, nuk kam më shpresë; sidoqoftë, do ta mbroj para tij qëndrimin tim.

16 Ai do të jetë edhe shpëtimi im, sepse një i pabesë nuk do të guxonte të paraqitej para tij.

17 Dëgjoni me vëmendje fjalimin tim dhe deklaratat e mia me veshët tuaj.

18 Ja, unë e kam përgatitur kauzën time; e di që do të njihem si i drejtë.

19 Kush kërkon, pra, të hahet me mua? Sepse atëherë do të heshtja dhe do të vdisja.

20 Vetëm mos bëj dy gjëra me mua, dhe nuk do t’i fshihem pranisë sate;

21 largoje dorën nga unë dhe tmerri yt të mos më kallë më frikë.

22 Pastaj mund edhe të më thërrasësh edhe unë do të përgjigjem, ose do të flas unë, dhe ti do të përgjigjesh.

23 Sa janë fajet e mia dhe mëkatet e mia? Më bëj të ditur shkeljet e mia dhe mëkatin tim!

24 Pse më fsheh fytyrën tënde dhe më konsideron si armikun tënd?

25 Mos do vallë të trembësh një gjethe të shtyrë sa andej dhe këndej dhe të ndjekësh ca kashtë të thatë?

26 Pse shkruan kundër meje gjëra të hidhura dhe bën që të rëndojë mbi mua trashëgimia e fajeve të rinisë sime?

27 Ti i vë këmbët e mia në pranga dhe kqyr me kujdes rrugët e mia; ti vendos një cak për tabanin e këmbëve të mia,

28 Ndërkaq trupi im po shpërbëhet si një send i kalbur, si një rrobë që e ka grirë mola".

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes