Add parallel Print Page Options

Kjo është fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit, duke thënë:

"Ndalu te porta e shtëpisë së Zotit dhe aty shpall këtë fjalë duke thënë: Dëgjoni fjalën e Zotit, o ju të gjithë të Judës që hyni nëpër këto porta për të rënë përmbys përpara Zotit!".

Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ndreqni rrugët dhe veprimet tuaja, dhe unë do të bëj që të banoni në këtë vend.

Mos u besoni fjalëve mashtruese duke thënë: "Ky është tempulli i Zotit, tempulli i Zotit, tempulli i Zotit!".

Në rast se ndreqni plotësisht rrugët dhe veprimet tuaja, në rast se e zbatoni me të vërtetë drejtësinë njëri ndaj tjetrit,

në rast se nuk shtypni të huajin, jetimin dhe gruan e ve, nuk derdhni gjak të pafajshëm në këtë vend dhe nuk adhuroni perëndi të tjera në dëmin tuaj,

atëherë do të bëj që të banoni në këtë vend, në vendin që u dhashë etërve tuaj prej shumë kohe dhe për gjithnjë.

Ja, ju u besoni fjalëve mashtruese, nga të cilat s’keni fare dobi.

Kështu ju vidhni, vrisni, shkelni kurorën, betoheni për të rremen, i digjni temjan Baalit dhe u shkoni pas perëndive të tjerë që më parë nuk i njihnit,

10 dhe pastaj vini të paraqiteni para meje në këtë tempull që mban emrin tim dhe thoni: "Kemi shpëtuar!," pastaj kryeni tërë këto veprime të neveritshme.

11 Ky tempull, i cili mban emrin tim, mos është bërë vallë në sytë e tuaj një çerdhe hajdutësh? Ja, unë e pashë këtë," thotë Zoti.

12 "Por shkoni tani në vendin tim që ishte në Shiloh, të cilit në fillim i kisha vënë emrin tim dhe shikoni çfarë kam bërë aty për shkak të ligësisë së popullit tim Izrael.

13 Dhe tani meqenëse keni kryer tërë këto gjëra," thotë Zoti, "meqenëse kur ju kam folur me urgjencë dhe insistim nuk më keni dëgjuar, dhe kur ju kam thirrur nuk më jeni përgjigjur,

14 unë do të veproj me këtë tempull, në të cilin përmendet emri im dhe në të cilin keni besim, me këtë vend që ua dhashë juve dhe etërve tuaj, ashtu si bëra në Shiloh;

15 dhe do t’ju dëboj nga prania ime, ashtu si dëbova tërë vëllezërit tuaj, tërë pasardhësit e Efraimit.

16 Prandaj mos ndërhy për këtë popull, mos lësho për ata asnjë britmë ose lutje dhe mos ngul këmbë pranë meje se nuk do të kënaq.

17 A nuk shikon çfarë po bëjnë në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit?

18 Bijtë mbledhin drutë, etërit ndezin zjarrin dhe gratë mbrujnë mjellin për të përgatitur kulaç për mbretëreshën e qiellit, dhe pastaj u bëjnë libacione perëndive të tjera për të më zemëruar mua.

19 Por a më ngacmojnë me të vërtetë," thotë Zoti "ose më mirë veten e tyre dhe mbulohen me turp?".

20 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, zemërimi im, tërbimi im do të bjerë mbi këtë vend, mbi njerëzit dhe kafshët, mbi drurët e fushës dhe mbi frytet e tokës dhe do të djegë pa u shuar".

21 Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Shtojini olokaustet tuaja sakrificave tuaja dhe hani mishin e tyre!

22 Sepse unë nuk u fola etërve tuaj dhe nuk u dhashë atyre asnjë urdhër, kur bëra që të dalin nga vendi i Egjiptit, përsa u përket olokausteve dhe flijimeve;

23 por këtë urdhër u dhashë: "Dëgjoni zërin tim, dhe unë do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im; ecni në të gjitha rrugët që ju kam urdhëruar, që të jeni të lumtur".

24 Por ata nuk dëgjuan as ma vunë veshin, por ecën sipas këshillave dhe kryeneçësisë së zemrës së tyre të keqe, dhe shkuan prapa dhe jo përpara.

25 Nga dita në të cilën etërit tuaj dolën nga vendi i Egjiptit e deri më sot, ju kam dërguar tërë shërbëtorët e mi, profetët çdo ditë me urgjencë dhe insistim.

26 Por ata nuk më kanë dëgjuar as ma vunë veshin, por e fortësuan zverkun e tyre dhe u sollën më keq se etërit e tyre.

27 Prandaj ti do t’u thuash atyre tërë këto gjëra, por ata nuk do të dëgjojnë; do t’i thërrasësh, por nuk do të përgjigjen.

28 Kështu do t’u thuash atyre: "Ky është kombi që nuk dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë së tij, dhe as pranon korrigjim; e vërteta është zhdukur dhe është eliminuar nga goja e tyre".

29 Pri flokët dhe hidhi tutje, nise vajtimin mbi lartësitë, sepse Zoti ka hedhur poshtë dhe e ka braktisur brezin e zemërimit të tij.

30 Bijtë e Judës kanë bërë atë që është e keqe për sytë e mi," thotë Zoti. Kanë vendosur veprimet e tyre të neveritshme në tempullin ku permendet emrii im, për ta ndotur.

31 Kanë ndërtuar vende të larta të Tofetit, që është në luginën e birit të Hinomit, për të djegur në zjarr bijtë e tyre dhe bijat e tyre, gjë që nuk e kisha urdhëruar dhe që nuk më kishte shkuar kurrë në mendje.

32 Prandaj ja, vijnë ditët," thotë Zoti, "në të cilat nuk do të quhet më Tofett" as "Lugina e birit të Hinomit," por "Lugina e masakrës," dhe do të varrosen të vdekurit në Tofet, sepse nuk do të ketë vend gjetiu.

33 Kufomat e këtij populli do të bëhen kështu ushqim për shpendët e qiellit dhe për kafshët e tokës, dhe askush nuk do t’i trembë.

34 Do të bëj që të pushojnë në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jeruzalemit britmat e ngazëllimit dhe britmat e gëzimit, zëri i dhëndrit dhe zëri i nuses, sepse vendi do të bëhet shkretim".

"Në atë kohë," thotë Zoti, "do të nxirren nga varret eshtrat e mbretërve të Judës, eshtrat e princërve, eshtrat e profetëve dhe eshtrat e banorëve të Jeruzalemit,

dhe do të ekspozohen para diellit, para hënës dhe para tërë ushtrisë së qiellit, që ata kanë dashur, kanë shërbyer, kanë ndjekur, kanë konsultuar dhe para të cilëve kanë rënë përmbys; nuk do të mblidhen as do të groposen, por do të jenë si pleh mbi faqen e dheut.

Atëherë vdekja do të jetë më e mirë se jeta për të gjitha mbeturinat e kësaj race të keqe në tërë vendet ku do t’i kem shpërndarë," thotë Zoti i ushtrive.

Ti do t’u thuash atyre: "Kështu thotë Zoti: Në rast se dikush rrëzohet, a nuk ngrihet vallë? Në rast se dikush ndërron drejtimin, a nuk kthehet vallë?

Pse, pra, ky popull, o Jeruzalem, është shmangur me një rebelim të përjetshëm? Ngulin këmbë në mashtrim dhe nuk pranojnë të kthehen.

U kam kushtuar kujdes dhe i kam dëgjuar, por ata nuk flasin drejt; asnjeri nuk pendohet për ligësinë e tij dhe nuk thotë: "Çfarë bëra unë?". Secili merr përsëri vrapimin e tij, si një kalë që hidhet në betejë.

Madje edhe lejleku i qiellit i njeh stinët e tij, turtulli, dallëndyshja dhe krilat shikojnë me kujdes kohën e kthimit të tyre, por populli im nuk e njeh ligjin e Zotit.

Si mund të thoni: "Ne jemi të urtë dhe ligji i Zotit është me ne"? Por ja, pena e rreme e shkruesve e ka bërë një falsitet.

Njerëzit e ditur do të turpërohen, do të tremben dhe do të kapen. Ja, kanë hedhur poshtë fjalën e Zotit; çfarë diturie mund të kenë?

10 Prandaj bashkëshortet e tyre do t’ua jap të tjerëve dhe arat e tyre pronarëve të rinj, sepse nga më i vogli deri te më i madhi lakmojnë fitime; nga profeti deri te prifti të gjithë përdorin gënjeshtrën.

11 Ata mjekojnë shkel e shko plagën e bijës së popullit tim, duke thënë: Paqe, paqe,," kur nuk ekziston paqja.

12 A u vinte turp vallë kur kryenin veprime të neveritshme? Jo! nuk kishin turp aspak dhe nuk dinin ç’është të skuqesh. Prandaj do të rrëzohen midis atyre që rrëzohen; kur do t’i vizitoj do të përmbysen," thotë Zoti.

13 Do t’i shfaros me siguri," thotë Zoti. "Nuk do të ketë më rrush te hardhia as fiq te fiku dhe gjethet do të fishken. Edhe gjërat që u kam dhënë do t’u hiqen".

14 "Pse rrimë ulur? Mblidhuni dhe të hyjmë në qytetet e fortifikuara, dhe në to të vdesim. Sepse Zoti, Perëndia ynë, na bën të vdesim dhe na bën të pimë ujë të helmuar, sepse kemi mëkatuar kundër Zotit.

15 Prisnim paqen, por nuk erdhi asnjë e mirë, një kohë shërimi, por ja, terrori".

16 Nga Dani dëgjohet turfullima e kuajve të tij; në zhurmën e hingëllimave të kuajve të tij të luftës dridhet gjithë vendi, sepse vijnë dhe gllabërojnë vendin dhe tërë ato që ai ka, qytetin dhe banorët e tij.

17 "Sepse ja, unë do të dërgoj kundër jush gjarpërinj dhe nepërka, kundër të cilëve nuk vlen asnjë yshtje dhe ata do t’ju kafshojnë," thotë Zoti.

18 Sikur të gjeja ngushëllim për dhembjen time. Zemra po më ligështohet përbrenda.

19 Ja një zë: është britma e bijës së popullit tim nga një tokë e largët: Mos vallë Zoti është në Sion? A nuk është mbreti i tij në mes të tij??". Pse kanë ngacmuar zemërimin tim me shëmbëlltyrat e tyre të gdhendura dhe mee idhuj të huaj?".

20 Korrja ka mbaruar, vera ka marrë fund dhe ne nuk kemi shpëtuar.

21 Për plagën e bijës së popullit tim jam i dëshpëruar, po mbaj zi, jam i tmerruar.

22 A nuk ka vallë ndonjë balsam në Galaad, a nuk ka atje ndonjë mjek? Pse, pra, nuk po i vjen shërimi bijës së popullit tim?

Oh, sikur koka ime të ishte një burim uji dhe sytë e mi një burim lotësh, në mënyrë që të mund të qaja ditë e natë të vrarët e bijës së popullit tim!

Ah, sikur të kisha në shkretëtirë një strehë për udhëtarët! Do ta braktisja popullin tim dhe do të shkoja larg tij, sepse janë të gjithë shkelës të kurorës, një turmë tradhtarësh.

"Zgjasin gjuhën e tyre sikur të ishte harku i tyre për të lëshuar gënjeshtra; në vend janë të fortë, por jo për shkak të së vërtetës, sepse shkojnë nga një e keqe në tjetrën dhe nuk më njohin mua," thotë Zoti.

"Të ruhet secili nga fqinji i tij dhe mos i keni besim çdo vëllai, sepse çdo vëlla nuk bën gjë tjetër veçse mashtron dhe çdo fqinj përhap shpifje.

Secili mashtron fqinjin e tij dhe nuk thotë të vërtetën; e ushtron gjuhën e tij për të thënë gënjeshtra dhe mundohet për të bërë të keqen.

Banesa jote është në mes të mashtrimit dhe për shkak të mashtrimit nuk duan të më njohin," thotë Zoti.

Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do t’i rafinoj dhe do t’i vë në provë. Çfarë tjetër, pra, mund të bëj për bijën e popullit tim?

Gjuha e tyre është një shigjetë vrasëse; ajo nuk thotë veçse gënjeshtra. Me gojën e vet secili i flet për paqe fqinjit të tij, por në zemër të vet, ai rri në pritë.

A nuk duhet vallë t’i dënoj për këto gjëra?," thotë Zoti. "A nuk duhet të hakmerrem me një komb të tillë?".

10 Nëpër malet do të ngre vaje dhe rënkime dhe nëpër kullotat e shkretëtirës një vajtim, sepse janë djegur dhe nuk kalon asnjeri nëpër to, nuk dëgjohet më blegërima e kopeve. Zogjtë e qiellit dhe kafshët kanë ikur, janë zhdukur.

11 "Unë do t’a katandis Jeruzalemin në një tog gërmadhash dhe në një strehë çakejsh; do t’i bëj të shkreta, pa banorë, qytetet e Judës".

12 Cili është njeriu i urtë që mund t’i kuptojë këto gjëra dhe ai të cilit goja e Zotit i ka folur që ta shpallë? Pse vallë vendi është shkatërruar dhe shkretuar si një shkretëtirë dhe nuk po kalon më askush nëpër të?

13 Zoti thotë: "Sepse këta kanë braktisur ligjin tim që kisha vënë përpara, nuk dëgjuan zërin tim dhe nuk kanë ecur në përshtatje me të,

14 por kanë ndjekur kryeneçësinë e zemrave të tyre dhe Baalët, që etërit e tyre u kishin bërë të njohur".

15 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do ta ushqej këtë popull me pelin dhe do ta bëj të pijë ujë të helmuar.

16 Do t’i shpërndaj nëpër kombet, që as ata as etërit e tyre nuk i kanë njohur, dhe do të dërgoj pas tyre shpatën, deri sa t’i kem shkatërruar plotësisht".

17 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mendoni të thërrisni vajtorët: le të vijnë! Shkoni e thërrisni më të zonjat: le të vijnë!

18 Le të nxitojnë dhe ta nisin vajin mbi ne me qëllim që sytë tonë të derdhin lot dhe qepallat tona të lëshojnë ujë".

19 Sepse një zë vaji dëgjohet nga Sioni: "Sa jemi shkatërruar! Jemi shumë të shushatur, sepse duhet të braktisim vendin, sepse kanë shembur banesat tona".

20 Prandaj dëgjoni fjalën e Zotit, o gra, dhe veshi juaj ta zërë fjalën e gojës së tij. U mësoni bijave tuaja një vajtim dhe secila t’i mësojë fqinjës së saj një këngë mortore.

21 Sepse vdekja është ngjitur nëpër dritaret tona, ka hyrë në pallatet tona për t’i zhdukur fëmijët nga rruga dhe të rinjtë nga sheshet.

22 "Fol: Kështu thotë Zoti: "Kufomat e njerëzve do të rrinë si pleh në fushën e hapët, si një demet i lënë pas nga korrësi dhe qëaskush nuk e mbledh"".

23 Kështu thotë Zoti: "I dituri të mos lavdërohet me diturinë e tij, njeriu i fortë të mos lavdërohet me forcën e tij, i pasuri të mos lavdërohet me pasurinë e tij.

24 Por kush lavdërohet të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua, që jam Zoti, që bëj mirësinë, ushtroj të drejtën dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra," thotë Zoti.

25 "Ja, po vijnë ditët," thotë Zoti, "në të cilat do të ndëshkoj të gjithë të rrethprerët që janë të parrethprerë:

26 Egjiptin, Judën, Edomin, bijtë e Amonit, Moabin dhe tërë ata që presin cepat e mjekrës dhe banojnë në shkretëtirë; sepse tërë kombet janë të parrethprerë dhe tërë shtëpia e Izraelit është me zemër të parrethprerë".