Add parallel Print Page Options

46 Fjala e Zotit që iu drejtua profetit Jeremia kundër kombeve.

Kundër Egjiptit: përsa i përket ushtrisë së Faraonit Neko, mbretit të Egjiptit, që ishte pranë lumit Eufrat në Karkemish dhe që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, e mundi vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës.

"Përgatitni mburojën e vogël dhe të madhe dhe afrojuni betejës.

Shaloni kuajt dhe ju kalorës, u hipni atyre; paraqituni me përkrenare, i shndritni shtizat tuaja, vishni parzmoret!

Çfarë po shoh? Ata e kanë humbur dhe po kthehen prapa; burrat e tyre trima janë mundur dhe ikin me nxitim pa kthyer as kokën prapa; rreth e qark sundon tmerri," thotë Zoti.

"Mos lejo që i shpejti të ikë dhe që trimi të shpëtojë. Në veri, pranë lumit Eufrat, ata po lëkunden dhe po rrëzohen.

Kush është ai që ngjitet si Nili, dhe ujrat e të cilit fryhen si ato të lumenjve?

Éshtë Egjipti që ngjitet si Nili, dhe ujrat e të cilit po fryhen si ato të lumenjve. Ai thotë: "Do të dal, do të mbuloj tokën dhe do të shkatërroj qytetin dhe banorët e tij".

Ngarkohuni, o kuaj, dhe përparoni me rrëmbim, o qerre, le të dalin përpara burrat trima, ata të Etiopisë dhe të Putit që mbajnë mburojën dhe ata të Ludit që përdorin dhe shtrijnë harkun.

10 Kjo ditë për Zotin, për Zotin e ushtrive, është ditë hakmarrjeje, për t’u hakmarrë me armiqtë e tij. Shpata do të shfarosë, do të ngopet dhe do të dehet me gjakun e tyre, sepse Zoti, Zoti i ushtrive, bën një flijim në vendin e veriut, pranë lumit Eufrat.

11 Ngjitu në Galaad dhe merr ca balsam, o e virgjër, o bijë e Egjiptit. Më kot ti përdor barëra të shumta, nuk ka shërim për ty.

12 Kombet kanë marrë vesh poshtërsinë tënde dhe britma jote e dhembjes ka mbushur dheun, sepse trimi është penguar me një trim dhe që të dy kanë rënë bashkë".

13 Fjala që Zoti i drejtoi profetit Jeremia për ardhjen e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, për të goditur vendin e Egjiptit.

14 Shpalleni në Egjipt, bëjeni të ditur në Migdol, bëjeni të ditur në Nof dhe në Tahpanhes. Thoni: "Çohu dhe përgatitu, sepse shpata përpin çdo gjë që të rrethon".

15 Pse burrat e tu trima janë rrëzuar? Nuk mund të rezistojnë sepse Zoti i rrëzon.

16 Ai bën që të lëkunden shumë prej tyre, bien njëri mbi tjetrin dhe thonë: "Ja, të kthehemi te populli ynë dhe në vendlindje, larg shpatës vrastare".

17 Atje ata bërtasin: "Faraoni, mbreti i Egjiptit, nuk është veçse një zhurmë e madhe, që ka lënë të kalojë koha e caktuar".

18 "Siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Mbreti emri i të cilit është Zoti i ushtrive, "ai do të vijë si Tabori midis maleve, si Karmeli pranë detit.

19 Përgatit gjërat e nevojshme për robërinë, o bijë që banon në Egjipt, sepse Nofi do të bëhet një shkretëtirë dhe do të digjet, nuk do të banojë më askush në të.

20 Egjipti është si një mëshqerrë shumë e bukur, por i vjen shkatërrimi, i vjen nga veriu.

21 Edhe mercenarët e tij që janë në mes të tij janë si viça për majmëri; edhe ata e kanë kthyer kurrizin, ikin bashkë, nuk rezistojnë, sepse ka zbritur mbi ta dita e fatkeqësisë së tyre, koha e ndëshkimit të tyre.

22 Zëri i tij lëviz si një gjarpër, sepse ata përparojnë me një ushtri dhe dalin kundër saj me sëpata si shumë druvarë.

23 Ata do të rrëzojnë pyllin e saj," thotë Zoti, "megjithëse është i padepërtueshëm, sepse janë më të shumtë se karkalecat, nuk numërohen dot.

24 Bija e Egjiptit do të mbulohet me turp, do të jepet në dorë të popullit të veriut".

25 Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, thotë: "Ja, unë do të dënoj Amonin e Nosë, Faraonin dhe Egjiptin, perënditë e tij dhe mbretërit e tij, Faraonin dhe ata që kanë besim tek ai;

26 do t’i jap në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe në dorë të shërbëtorëve të tij; por mbas kësaj do të banohet si në të kaluarën," thotë Zoti.

27 "Por ti mos u tremb, o shërbëtori im Jakob, mos u trondit, o Izrael, sepse ja, unë do të të shpëtoj ty prej së largu dhe pasardhësit e tu nga toka e robërisë se tyre. Jakobi do të kthehet, nuk do t’i bien në qafë më dhe do të jetë i qetë dhe askush nuk do ta trembë më.

28 Mos u tremb, o Jakob, shërbëtori im," thotë Zoti, "sepse unë jam me ty, do të asgjësoj tërë kombet midis të cilëve të kam shpërndarë, por nuk do të të zhduk ty; do të të ndëshkoj me një masë të drejtë dhe nuk do të të lë fare pa dënuar".

47 Fjala e Zotit që iu drejtua profetit Jeremia kundër Filistejve, para se Faraoni të sulmonte Gazën.

Kështu thotë Zoti: "Ja ujrat po ngrihen nga veriu, bëhen një përrua që del nga shtrati dhe përmbytin vendin dhe gjithçka përmban, qytetin dhe ata që banojnë në të; atëherë njerëzit do të bërtasin dhe tërë banorët e vendit, do të ulërijnë.

Në zhurmën e trokut të kuajve të fuqishëm, në rrapëllimën e qerreve të tyre, në poteren e rrotave të tyre, etërit nuk do të kthehen nga bijtë e tyre për shkak të dobësisë së duarve të tyre,

për shkak të ditës që vjen për të shkatërruar tërë Filistejtë, duke eleminuar nga Tiro dhe Sidoni çdo mbeturinë që mund të japë ndihmë, sepse Zoti do të shkatërrojë Filistejtë, mbeturinat e ishullit të Kaftorit.

Gaza u bë e shogët, Ashkeloni u shkatërrua. O banorë të luginës së tyre që mbetët gjallë, deri kur do të vazhdoni të bëni prerje?

O shpatë e Zotit, kur do të kesh prehje? Hyrë në myllin tënd, ndalu dhe rri e qetë!

Si mund të pushojë kur Zoti i ka dhënë urdhra kundër Ashkelonit dhe kundër bregut të detit?; ai e ka thirrur atje".

48 Kundër Moabit. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Mjerë Nebi, sepse u shkatërrua; Kiriathaimi është mbuluar nga turpi, është pushtuar; kështjella është mbuluar nga turpi dhe është e tronditur.

Lavdia e Moabit nuk është më; në Heshbon kurdisin të keqen kundër tij, duke thënë: "Ejani dhe ta shkatërrojmë, në mënyrë që të mos jetë më një komb". Edhe ti, o Madmen, do të shkatërrohesh, shpata do të të ndjekë.

Një zë që kërkon ndihmë do të dalë nga Horonaimi: shkatërrim dhe rrënim i thellë!

Maobi është copëtuar, të vegjlit e tij bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre.

Mbi të përpjetën e Luhithit po ngjiten duke qarë në hidhërim, ndërsa në tatëpjetën e Horonaimit dëgjohet zëri plot ankth i disfatës.

Ikni, shpëtoni jetën tuaj dhe bëhuni si një marinë në shkretëtirë!

Duke qënë se ke pasë besim në veprat e tua dhe në thesaret e tua, edhe ti do të kapesh; dhe Kemoshi do të shkojë në robëri bashkë me priftërinjtë dhe princat e tij.

Shkatërruesi do të vijë kundër të gjitha qyteteve, dhe asnjë qytet nuk do të shpëtojë; lugina do të zhduket dhe fusha do të shkatërrohet, ashtu si ka thënë Zoti.

I jepni krahë Moabit, që të mund të fluturojë tutje; qytetet e tij do të bëhen të shkreta dhe askush nuk do të banojë në to.

10 I mallkuar qoftë ai që kryen veprën e Zotit shkel e shko, i mallkuar qoftë ai që e pengon shpatën e tij të derdhë gjak!

11 Moabi ka qënë i qetë qysh në moshë të re, duke pushuar mbi llumin e tij, dhe nuk ka kaluar nga një enë në enën tjetër dhe as që ka shkuar në robëri; prandaj i ka mbetur shija e tij dhe parfumi i tij nuk ka pësuar ndryshime.

12 Prandaj ja, do vijnë ditët," thotë Zoti, "në të cilat do t’i dërgoj disa njerëz që do t’i toçitin enët; do t’i zbrazin enët e tij dhe do t’i thyejnë anforat e tij.

13 Atëherë Moabit do t’i vijë turp nga Kemoshi, ashtu si shtëpia e Izraelit u turpërua nga Betheli, tek i cili kishte pasur besim.

14 Si mund të thoni: "Ne jemi burra të fortë dhe trima për betejën"?

15 Moabi është shkatërruar; qytetet e tij po nxjerrin tym dhe të rinjtë e tyre më të mirë zbresin në kasaphanë," thotë Mbreti emri i të cilit është Zoti i ushtrive.

16 Gjëma e Moabit është tashmë e afërt dhe kobi po i vjen me hapa të shpejtë.

17 Mbani zi për të, të gjithë ju që e rrethoni dhe të gjithë ju, që njihni emrin e tij, thoni: "Si u thye ai skeptër i fortë, ai bastun i mrekullushëm?".

18 O bijë që banon në Dibon, zbrit nga lavdia jote dhe ulu në tokën e zhuritur, sepse shkatërruesi i Moabit ka dalë kundër teje, ka shkatërruar kështjellat e tua.

19 O ti që banon në Aroer, ndalu gjatë rrugës dhe shiko; merr në pyetje ikanakun dhe atë që po ikën dhe pyet: "Çfarë ka ndodhur?".

20 Moabi është mbuluar me turp, sepse është i thyer; rënkoni dhe bërtisni, njoftoni mbi Arnonin që Moabi është shkatërruar!

21 Një ndëshkim erdhi mbi krahinën e fushës, mbi Holon, mbi Jahatsin dhe mbi Mefaathin,

22 mbi Dibonin, Nebon dhe mbi Beth-Diblathaimin,

23 mbi Kiriathaimin, Beth-Gamulin dhe Beth-Meon,

24 mbi Keriothin, Botsrahun dhe mbi tërë qytetet e vendit të Moabit, të largëta dhe të afërta.

25 Briri i Moabit është prerë dhe krahu i tij është copëtuar," thotë Zoti.

26 "Deheni, sepse është ngritur kundër Zotit. Moabi do të vërtitet në të vjellat e tij dhe do të bëhet edhe ai objekt talljeje.

27 Izraeli vallë nuk ka qënë për ty një objekt talljeje? Mos u gjet vallë midis hajdutëve, sepse sa herë që ti flet për të ti po tund kokën?

28 Braktisni qytetet dhe shkoni të banoni në shkëmb, o banorë të Moabit, dhe bëhuni si pëllumbesha që bën folenë e saj në faqet e një gremine.

29 Kemi dëgjuar krenarinë e Moabit, jashtëzakonisht krenar, fodullëkun e tij, kryeneçësinë e tij, arrogancën e tij dhe mendjemadhësinë e zemrës së tij.

30 Unë e njoh tërbimin e tij," thotë Zoti, "që nuk ka përmbajtje, të mburrurit e tij që nuk ka përfunduar në asgjë.

31 Prandaj unë po ngre një vajtim mbi Moabin dhe do të lëshoj britma nëpër të gjithë Moabin; do të vajtohet për burrat e Kir-Heresit.

32 O vreshtë e Sibmahut, unë qaj për ty ashtu si qahet për Jazerin; shermendet e tua kanë arritur matanë detit, arrinin deri në detin e Jazerit. Shkatërruesi i tij është sulur mbi frytet e tua verore dhe mbi rrushin që do vilej.

33 Gëzimi dhe hareja janë zhdukur nga fusha pjellore dhe nga vendi i Moabit; bëra që të zhduket vera nga butet, askush nuk e shtrydh më rrushin me britma gëzimi, britmat e tyre nuk janë më britma gëzimi.

34 Për shkak të britmës së Heshbonit zëri i tyre u dëgjua deri në Elealeh dhe në Jehats, nga Tsoari deri në Horonaim, ashtu si një lopë trevjeçare; ujrat e Nimrimit madje janë bërë një shkreti.

35 Unë do të fik në Moab," thotë Zoti, "atë që ofron flijime mbi vendet e larta dhe atë që u djeg temjan perëndive të tij.

36 Prandaj zemra ime për Moabin do të qajë si fyejt, zemra ime do të qajë si fyejt për burrat e Kir-Heresit, sepse pasuria që kanë fituar ka humbur.

37 Sepse çdo kokë do të rruhet, çdo mjekër do të pritet, mbi të gjitha duart do të ketë të prera dhe mbi ijët do të jetë thesi.

38 Mbi të gjitha çatitë e Moabit dhe në sheshet e tij s’ka veçse vajtim, sepse unë e kam bërë copë-copë Moabin, si një enë që nuk ka më vlerë," thotë Zoti.

39 "Do të vajtojnë duke thënë: "Si u thye! Si ka kthyer Moabi paturpësisht kurrizin! Si është bërë Moabi tallja dhe frika e atyre që i rinë rrotull"".

40 Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, ai do të nisë fluturimin si një shqiponjë dhe do t’i hapë krahët e tij në drejtim të Moabit.

41 Keriothi u pushtua, fortesat janë zënë dhe zemra e trimave të Moabit në atë ditë do të jetë si zemra e një gruaje në dhembjet e lindjes.

42 Moabi do të shkatërrohet, nuk do të jetë më popull, sepse është ngritur kundër Zotit.

43 Frika, gropa, laku të kërcënojnë, o banor i Moabit" thotë Zoti.

44 "Kush ikën përpara frikës do të bjerë në gropë dhe kush del nga gropa do të kapet në lak, sepse unë do të sjell mbi të, mbi Moabin vitin e ndëshkimit të tij" thotë Zoti.

45 "Në hijen e Heshbonit ndalen, të kapitur, ikanakët, por një zjarr del nga Heshboni dhe një flakë nga mesi i Sihonit, që përpin anët e Moabit dhe pjesën e sipërme të kokës së njerëzve kryengritës.

46 Mjerë ti, O Moab! Populli i Kemoshit është i humbur sepse bijtë e tu janë çuar në robëri dhe bijat e tua në mërgim.

47 Por unë do të kthej Moabin nga robëria gjatë ditëve të fundit, thotë Zoti". Deri këtu gjykim mbi Moabin.