Add parallel Print Page Options

34 Fjala që i drejtua nga Zoti Jeremias, kur Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, me gjithë ushtrinë e tij dhe tërë mbretëritë e tokave mbi të cilat ai sundonte dhe gjithë popujt luftonin kundër Jeruzalemit dhe kundër të gjitha qyteteve të tij, duke thënë:

"Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Shko dhe foli Sedekias, mbretit të Judës dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti: Ja, unë ia jap këtë qytet në dorë mbretit të Babilonisë, i cili do ti vërë flakën.

Ti nuk do të shpëtosh nga dora e tij, por do të kapesh me siguri dhe do të biesh në pushtetin e tij; sytë e tu do të shohin sytë e mbretit të Babilonisë, ai do të të flasë ballë për ballë dhe ti do të shkosh në Babiloni".

Megjithatë dëgjo fjalën e Zotit, o Sedekia, mbreti i Judës: "Kështu thotë Zoti për ty: Nuk ke për të vdekur nga shpata.

Por do të vdesësh në paqe; dhe ashtu si dogjën aroma për etërit e tu, mbretërit e lashtë që ishin para teje, kështu do të djegin aroma për ty dhe do të mbajnë zi duke thënë: "Vaj medet, Zot!". Po, unë e shqiptova këtë fjalë," thotë Zoti.

Profeti Jeremia ia tha tërë këto fjalë Sedekias, mbretit të Judës, në Jeruzalem,

ndërsa ushtria e mbretit të Babilonisë luftonte kundër Jeruzalemit dhe kundër të gjitha qyteteve të Judës që akoma ekzistonin, domethënë kundër Lakishit dhe Azekahut, që ishin të vetmet qytete të fortifikuara që mbetën nga qytetet e Judës.

Kjo është fjala që iu drejtua Jeremias nga Zoti, mbas përfundimit të një besëlidhjeje nga mbreti Sedekia me tërë popullin që ishte në Jeruzalem për tu shpallur atyre lirinë:

domethënë që secili t’i linte të lirë skllevërit e tij hebrenj, meshkuj ose femra, burra ose gra, me qëllim që askush të mos mbante më si skllav ndonjë vëlla të tij jude.

10 Tërë princat dhe tërë populli që kishin pranuar besëlidhjen, pranuan t’i lëshojnë të lirë skllavin ose skllaven e vet dhe të mos i mbajnë më në skllavëri, dhe kështu i liruan.

11 Por më vonë ndryshuan mendim dhe bënë që të rikthehen skllevërit dhe skllavet që i kishin lëshuar të lirë dhe i nënshtruan përsëri si skllevër dhe skllave të tyre.

12 Fjala e Zotit iu drejtua pastaj Jeremias nga Zoti, duke thënë:

13 "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë lidha një besëlidhje me etërit tuaj ditën që i nxora nga Egjipti, nga shtëpia e robërisë, duke thënë:

14 Në krye të shtatë vjetëve secili do të lëshojë të lirë vëllanë e tij hebre që i është shitur atij; ai do të të shërbejë gjashtë vjet, pastaj do ta lësh të lirë. Por etërit tuaj nuk mu bindën dhe nuk ma vunë veshin.

15 Ju sot nisët të bëni atë që është e drejtë në sytë e mi, duke shpallur secili lirinë e vëllait të vet, dhe keni lidhur një besëlidhje para meje, në tempull, ku përmendet emri im.

16 Por më vonë keni ndryshuar mendim dhe keni përdhosur emrin tim, sepse secili ka bërë të kthehet skllavi i tij apo skllavja e tij, dhe i keni nënshtruar në mënyrë që të jenë skllevër apo skllave tuaja".

17 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ju nuk më jeni bindur duke shpallur secili lirinë e vëllait të tij dhe e të të afërmit të tij. Tani ja, unë ju shpall lirinë," thotë Zoti, "për shpatën, për murtajën dhe për urinë dhe do t’ju braktis që t’ju keqtrajtojnë në të gjitha mbretëritë e dheut.

18 Dhe do ti jap njerëzit që kanë shkelur besëlidhjen time dhe nuk kanë zbatuar fjalët e besëlidhjes që kishin lidhur para meje, duke kaluar në mes pjesëve të viçit që e kishin ndarë më dysh:

19 princat e Judës dhe princat e Jeruzalemit, eunukët, priftërinjtë dhe tërë populli i vendit që kaluan në mes të pjesëve të viçit,

20 do t’i jap në dorë të armiqve të tyre dhe në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre; dhe kufomat e tyre do të shërbejnë si ushqim për shpendët e qiellit dhe për kafshët e tokës.

21 Do të jap Sedekian, mbretin e Judës, dhe princët e tij në dorë të armiqve të tyre, në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre dhe në dorë të ushtrisë së mbretit të Babilonisë, që është larguar nga ju.

22 Ja, unë do të jap urdhrin," thotë Zoti, "dhe do të bëj që të kthehen kundër këtij qyteti, do të luftojnë kundër tij, do ta shtien në dorë, do t’i vënë flakën; dhe do t’i bëj qytetet e Judës një shkreti pa banorë".

35 Fjala që iu drejtua Jeremias nga Zoti në kohën e Jehojakimit, birit të Josias, mbreti i Judës, duke thënë:

"Shko në shtëpinë e Rekabitëve dhe folu, silli pastaj në shtëpinë e Zotit, në një nga dhomat, dhe gostiti me verë".

Atëherë unë mora Jaazaniahun, birin e Jeremias, bir i Habaziniahut, vëllezërit e tij, tërë bijtë e tij, si dhe tërë shtëpinë e Rekabitëve,

dhe i çova në shtëpinë e Zotit, në dhomën e bijve të Hananit, birit të Igdaliahut, njeri i Perëndisë, e cila ndodhej pranë dhomës së princave mbi dhomën e Maasejahut, birit të Shalumit, rojtar i portës.

Vendosa pastaj përpara bijve të shtëpisë së Rekabitëve enë plot me verë dhe kupa dhe u thashë: "Pini verë".

Po ata u përgjigjën: "Ne nuk pimë verë, sepse Jehonadabi, biri i Rekabit, atit tonë, na ka urdhëruar duke thënë: "Nuk do të pini verë përjetë, as ju as bijtë tuaj.

Nuk do të ndërtoni shtëpi, nuk do të mbillni asnjë farë, nuk do të bëni asnjë vresht dhe nuk do të zotëroni asnjë prej tyre, por do të banoni në çadra tërë ditët e jetës suaj, në mënyrë që të jetoni gjatë në vendin ku banoni".

Kështu ne i jemi bindur zërit të Jehonadabit, birit të Rekabit, atit tonë, në çdo gjë që na ka urdhëruar: të mos pimë verë gjatë gjithë jetës sonë, si ne ashtu edhe gratë tona, bijtë tanë dhe bijat tona;

të mos ndërtojmë shtëpi për të banuar dhe të mos kemi as vreshta, as ara dhe as farë.

10 Por ne banojmë në çadra dhe jemi bindur dhe kemi bërë tërë ato që Jehonadabi, ati ynë, na ka urdhëruar.

11 Por ndodhi, që kur Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, doli kundër vendit, kemi thënë: "Ejani të shkojmë në Jeruzalem, nga frika e ushtrisë së Kaldeasve dhe ushtrisë së Sirisë". Dhe kështu u vendosëm në Jeruzalem".

12 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:

13 "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Shko dhe u thuaj njerëzve të Judës dhe banorëve të Jeruzalemit: Nuk doni, pra, të mësoni, duke dëgjuar fjalët e mia?," thotë Zoti.

14 "Fjalët e Jehonadabit, birit të Rekabit, që i porositi bijtë e tij të mos pinë verë, janë vënë në jetë; kështu ata nuk kanë pirë verë deri në këtë ditë, sepse i janë bindur porosisë së atit të tyre. Por megjithëse unë ju fola me urgjencë dhe me këmbëngulje, ju nuk më keni dëgjuar.

15 Ju kam dërguar gjithashtu me urgjencë dhe me këmbëngulje shërbëtorët e mi, profetët, duke ju thënë: "Le të tërhiqet pra, secili nga rruga e tij e keqe, përmirësoni veprimet tuaja dhe mos u shkoni pas perëndive të tjera që t’u shërbeni; atëherë do të banoni në vendin që ju dhashë juve dhe etërve tuaj". Por ju nuk më keni dëgjuar, as më jeni bindur.

16 Po, bijtë e Jehonadabit, birit të Rekabit, kanë zbatuar në praktikë porosinë e dhënë nga ati i tyre, por ky popull nuk më është bindur".

17 Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë po bëj që të vijë mbi Judë dhe mbi gjithë banorët e Jeruzalemit,, gjithë atë të keqe që kam shqiptuar kundër tyre, sepse u kam folur, por nuk më kanë dëgjuar, i kam thirrur, por nuk më janë përgjigjur".

18 Dhe shtëpisë së Rekabitëve Jeremia i tha: "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Me qënë se i jeni bindur porosisë së atit tuaj, Jehonadabit, keni zbatuar tërë urdhrat e tij dhe keni kryer të gjitha ato që ju kishte porositur,

19 kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Jehonodabit, birit të Rekabit, nuk do ti mungojë kurrë një njeri që të jetë gjithnjë para meje".

36 Ndodhi në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josias, mbreti i Judës, që kjo fjalë ju drejtua nga Zoti duke thënë:

"Merr një rrotull shkrimi dhe shkruaj mbi të tërë fjalët që të kam thënë kundër Izraelit, kundër Judës dhe kundër të gjitha kombeve, nga dita që të kam folur, nga ditët e Josias e deri më sot.

Ndofta shtëpia e Judës do të dëgjojë gjithë të keqen që unë mendoj t’u bëj atyre, dhe secili do të tërhiqet nga rruga e tij e keqe, dhe kështu unë do të fal paudhësinë e tyre dhe mëkatin e tyre".

Atëherë Jeremia thirri Barukun, birin e Neriahut, dhe Baruku shkroi mbi një rrotull shkrimi, nën diktimin e Jeremias, tërë fjalët që Zoti i kishte thënë.

Pastaj Jeremia i dha këtë urdhër Barukut: "Unë jam i penguar dhe nuk mund të hyj në shtëpinë e Zotit.

Prandaj do të shkosh ti të lexosh, nga rrotulla që ke shkruar nën diktimin tim fjalët e Zotit në veshët e popullit në shtëpinë e Zotit, ditën e agjërimit, do t’i lexosh dhe në veshët e tërë atyre të Judës që vijnë nga qytetet e tyre.

Ndofta do t’i paraqesin lutjet e tyre për falje Zotit dhe secili do të tërhiqet nga rruga e tij e keqe, sepse i madh është zemërimi dhe tërbimi që Zoti ka shqiptuar kundër këtij populli".

Baruku, biri i Neriahut, bëri, pra, tërë ato që i kishte urdhëruar profeti Jeremia dhe lexoi nga libri fjalët e Zotit.

Në vitin e pestë të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, në muajin e nëntë u shpall një agjërim para Zotit për të gjithë popullin e Jeruzalemit dhe për gjithë popullin e ardhur nga qytetet e Judës në Jeruzalem.

10 Atëherë Baruku lexoi nga libri fjalët e Jeremias në veshët e tërë popullit, në shtëpinë e Zotit, në dhomën e Gemariahut, birit të Shafanit, shkruesit, në oborrin e sipërm, në hyrjen e Portës së Re të shtëpisë së Zotit.

11 Mikajahu, biri i Gemariahut, që ishte bir i Shafanit, dëgjoi tërë fjalët e Zotit që u lexuan nga libri.

12 Zbriti pastaj në shtëpinë e mbretit, në dhomën e shkruesit, dhe ja, aty rrinin ulur tërë princat: Elishama shkruesi, Delahaju, biri i Shemajahut, Elnathani biri i Akborit, Gemariahu biri i Shafanit, Sedekia biri i Hananiahut, dhe tërë princat e tjerë.

13 Mikajahu u tregoi tërë fjalët që kishte dëgjuar, ndërsa Baruku lexonte librin në veshët e popullit.

14 Atëherë tërë princat i dërguan Barukut Jehudin, birin e Nethaniahut, bir i Shelemiahut, bir i Kushit, për t’i thënë: "Merr në dorë rrotullën që lexove në veshët e popullit dhe eja". Kështu Baruku, bir i Neriahut, mori në dorë rrotullën dhe erdhi tek ata.

15 Ata i thanë: "Ulu dhe lexoje para nesh". Dhe Baruku e lexoi në veshët e tyre.

16 Kur dëgjuan tërë ato fjalë, patën frikë dhe duke shikuar njëri tjetrin i thanë Barukut: "Duhet t’ia tregojmë pa tjetër mbretit tërë këto fjalë".

17 Pastaj pyetën Barukun duke i thënë: "Na thuaj tani si i shkrove tërë këto fjalë: nën diktimin e tij?".

18 Baruku u përgjigj: "Ai më tha tërë këto fjalë me gojën e tij, dhe unë i kam shkruar me bojë në libër".

19 Atëherë princat i thanë Barukut: "Shko dhe fshihu bashkë me Jeremian, dhe askush të mos dijë se ku jeni".

20 Pastaj shkuan te mbreti, në oborr, mbasi e kishin lënë rrotullën në dhomën e shkruesit Elishama, dhe ia njoftuan mbretit tërë ato fjalë.

21 Atëherë mbreti dërgoi Jehudin të marrë rrotullën; dhe ky e mori në dhomën e shkruesit Elishama. Pastaj Jehudi e lexoi në veshët e mbretit dhe të gjithë princave që ishin pranë mbretit.

22 Mbreti rrinte ulur në pallatin e tij të dimrit, (ishte muaji i nëntë), me një mangall para tij që digjej mirë.

23 Kur Jehudi lexoi tri o katër shtylla, mbreti e preu rrotullën me thikën e shkruesit dhe e hodhi në zjarrin që ishte në mangall, deri sa ajo u dogj krejt nga zjarri që ishte në mangall.

24 As mbreti dhe askush nga shërbëtorët e tij që i dëgjuan tërë këto fjalë nuk u trembën ose t’i grisnin rrobat e tyre.

25 Dhe megjithëse Elnathani, Delajahu dhe Gemariahu e lutën shumë mbretin që të mos e digjte rrotullën, ai nuk deshi t’i dëgjonte.

26 Madje mbreti urdhëroi Jerahmeelin, birin e mbretit, Serajahun, birin e Azrielit dhe Shelemiahun, birin e Abdelit, të kapnin shkruesin Baruk dhe profetin Jeremia. Por Zoti i fshehu.

27 Mbasi mbreti dogji rrotullën dhe fjalët që Baruku kishte shkruar nën diktimin e Jeremias, fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:

28 "Merr përsëri një rrotull tjetër dhe shkruaj mbi të tërë fjalët e mëparshme, që ishin në rrotullën e parë të djegur nga Jehojakimi, mbreti i Judës.

29 Dhe Jehojakimit, mbretit të Judës, do t’i thuash: Kështu thotë Zoti: Ti ke djegur këtë rrotull, duke thënë: "Pse ke shkruar në të që mbreti i Babilonisë do të vijë me siguri dhe do ta shkatërrojë këtë vend, duke bërë të zhduken prej tij njerëz dhe kafshë?".

30 Prandaj kështu thotë Zoti për Jehojakimin, mbretin e Judës: Ai nuk do të ketë njeri që të ulet mbi fronin e Davidit dhe kufoma e tij do të hidhet jashtë dhe do të ekspozohet në vapën e ditës dhe në ngricën e natës.

31 Unë do ta dënoj atë, pasardhësit e tij dhe shërbëtorët e tij për paudhësinë e tyre dhe do të sjell mbi ta, mbi banorët e Jeruzalemit dhe mbi njerëzit e Judës tërë të keqen që kam shqiptuar kundër tyre, sepse nuk më dëgjuan".

32 Jeremia pra mori një rrotull tjetër dhe ia dha Barukut, birit të Neriahut, shkruesit, i cili shkroi mbi të, nën diktimin e Jeremias, të gjitha fjalët e librit që Jehojakimi, mbreti i Judës, kishte djegur në zjarr; u shtuan gjithashtu shumë fjalë të tjera të ngjashme me to.

Prandaj ne duhet t’u përmbahemi më shumë atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjë herë nga ruga.

Sepse, në qoftë se fjala që u fol nga engjëjt është e patundur dhe çdo shkelje e mosbindje mori një shpagim të drejtë,

si do të shpëtojmë ne, nëqoftëse e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? Ky shpëtim, si u shpall në fillim prej Perëndisë, u vërtetua ndër ne nga ata që e dëgjuan,

ndërsa Perëndia dëshmonte për të me anë shenjash e mrekullish, me vepra të ndryshme të fuqishme dhe me dhurata të Shpirtit të Shenjtë, sipas vullnetit të tij.

Sepse Perëndia nuk e vuri nën pushtet të engjëjve botën që ka për të ardhur, për të cilin po flasim,

por dikush dëshmoi diku duke thënë: “Ç’është njeriu, që të bie ndërmend për të? Ose i biri i njeriut që të kujdesesh për të?

Ti e bëre për pak kohë më të vogël nga engjëjt, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder dhe e vure përmbi veprat e duarve të tua;

Ti i vure të gjitha nën këmbët e tij.” Sepse, mbasi i vuri të gjitha nën pushtetin e tij, nuk la asgjë pa iu nënshtruar. Por tani nuk shohim ende që të gjitha janë nën pushtetin e tij,

por shohim Jezusin të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi; ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit.

10 Sepse i duhej atij, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit janë të gjitha, duke çuar shumë bij në lavdi, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve realizuesin e shpëtimit të tyre.

11 Sepse ai që shenjtëron dhe ata që shenjtërohen janë të gjithë prej një; prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër,

12 duke thënë: “Vëllezërve të mi do t’ua shpall emrin tënd, do të të lavdëroj në mes të kishës.”

13 Edhe më: “Do të shpresoj në të.” Dhe përsëri: “Ja unë, dhe fëmijët që m’i dha Perëndia.”

14 Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe ai u bë pjestar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin,

15 edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën.

16 Sepse ai nuk kujdeset për engjëjt, por ndihmon pasardhjen e Abrahamit.

17 Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit.

18 sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen.