Add parallel Print Page Options

32 Fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit në vitin e dhjetë të Sedekias, mbretit të Judës, që ishte viti i tetëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit.

Ushtria e mbretit të Babilonisë rrethonte atëherë Jeruzalemin dhe profeti Jeremia ishte i mbyllur në oborrin e burgut që ndodhej në shtëpinë e mbretit të Judës.

Aty e kishte mbyllur Sedekia, mbreti i Judës, duke thënë: "Përse profetizon, duke thënë: "Kështu thotë Zoti: Ja, unë do ta jap këtë qytet në duart e mbretit të Babilonisë dhe ai do ta pushtojë.

Sedekia, mbreti i Judës, nuk do të shpëtojë nga duart e Kaldeasve, por me siguri do të bjerë në duart e mbretit të Babilonisë dhe do të flasë ballë për ballë me të dhe do ta shohë me vetë sytë e tij.

Pastaj ai do ta çojë Sedekian në Babiloni, ku ai do të qëndrojë deri sa ta vizitoj unë, thotë Zoti. Në qoftë se do të luftoni kundër Kaldeasve nuk do të nxirrni asgjë në krye"!".

Atëherë Jeremia tha: "Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

Ja, Hanameeli, biri i Shalumit, ungjit tënd, po vjen te ti që të të thotë: "Bli arën time që ndodhet në Anathoth, sepse ti ke të drejtën ta shpengosh duke e blerë"".

Prandaj Hanameeli, biri i ungjit tim, erdhi tek unë në oborrin e burgut, sipas fjalës të Zotit, dhe më tha: "Të lutem, bli arën time që ndodhet në Anathoth, në territorin e Beniaminit, sepse ti ke të drejtën e trashëgimisë dhe të drejtën e shpengimit. Blije!". Atëherë e kuptova që kjo ishte fjala e Zotit.

Kështu, pra, bleva nga Hanameeli, nga biri i ungjit tim, arën që ndodhej në Anathoth dhe ia peshova paratë; shtatëmbëdhjetë sikla argjendi.

10 E nënshkrova aktin, e vulosa, thirra dëshmitarët dhe peshova paratë me peshore.

11 Pastaj e mora aktin e blerjes, atë të vulosur sipas ligjit dhe statuteve dhe atë të hapur,

12 dhe ia dorëzova aktin e blerjes Barukut, birit të Neriathit, bir i Mahsehiahut, në prani të Hanameelit, kushëririt tim, në prani të dëshmitarëve që kishin nënshkruar aktin e blerjes dhe në prani të të gjithë Judejve që rrinin ulur në oborrin e burgut.

13 Pastaj përpara tyre i dhashë këtë urdhër Barukut:

14 "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Merr këto akte, aktin e blerjes, qoftë atë të vulosur ashtu edhe atë të hapur, dhe futi në një poç prej balte, që të ruhen për shumë ditë.

15 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Në këtë vend do të blihen akoma shtëpi, ara dhe vreshta".

16 Pasi ia dorëzova aktin e blerjes Barukut, birit të Neriahut, iu luta Zotit, duke thënë:

17 "Ah, Zot, Zot! Ja, ti e sajove qiellin dhe tokën me fuqinë tënde të madhe dhe me krahun tënd të shtrirë. Nuk ka asgjë tepër të vështirë për ty.

18 Ti e tregon mirësinë tënde ndaj një mijë vetave dhe e shpaguan paudhësinë e etërve në gji të bijve të tyre që vijnë pas atyre, o Perëndi i madh e i fuqishëm, emri i të cilit është Zoti i ushtrive.

19 Ti je i madh për këshilla dhe i fuqishëm për vepra dhe i ke sytë çelë mbi të gjitha rrugët e bijve të njerëzve, për t’i dhënë secilit sipas veprave të veta dhe sipas frytit të veprimeve të veta.

20 Ti ke bërë deri në ditën e sotme shenja dhe mrekulli në vendin e Egjiptit, në Izrael dhe në mes njerëzve të tjerë dhe ke fituar një emër si ai i këtyre ditëve.

21 Ti e nxore popullin tënd nga vendi i Egjiptit me shenja dhe mrekulli, me dorë të fuqishme dhe me krah të shtrirë dhe me tmerr të madh.

22 Ti u dhe atyre këtë vend që ishe betuar t’ua jepje etërve të tyre, një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë.

23 Ata hynë dhe e futën në dorë, nuk i janë bindur zërit tënd dhe nuk ecën në rrugën e ligjit tënd, nuk kanë bërë të gjitha ato që u kishe urdhëruar të bënin; prandaj ti solle mbi ta tërë këtë fatkeqësi.

24 Ja, ledhet arrijnë deri në qytet për ta shtënë në dorë; dhe qyteti lihet në dorë të Kaldeasve që luftojnë kundër tij me shpatën, me urinë dhe murtajën. Ndodhi ajo që ti ke thënë; ja, ti e shikon.

25 Megjithatë o Zot, o Zot, ti më ke thënë: "Bli me para fushën dhe thirr dëshmitarët, ndërsa qyteti është dhënë në dorë të Kaldeasve"".

26 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias duke thënë:

27 "Ja, unë jam Zoti, Perëndia i çdo mishi; a ka vallë ndonjë gjë tepër të vështirë për mua?".

28 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do ta jap këtë qytet në duart e Kaldeasve, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, i cili do ta marrë.

29 Kaldeasit që luftojnë kundër këtij qyteti do të hyjnë në të, do t’i vënë zjarrin këtij qyteti dhe do ta djegin bashkë me shtëpitë mbi çatitë e të cilave i kanë djegur temjan Baalit dhe u kanë bërë libacione perëndive të tjera për të provokuar zemërimin tim.

30 Sepse bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës kanë bërë vetëm atë që është e keqe në sytë e mi qysh në fëmijërinë e tyre. Në fakt bijtë e Izraelit nuk kanë bërë gjë tjetër veçse të provokonin zemërimin tim me veprën e duarve të tyre, thotë Zoti.

31 Sepse ky qytet, që nga dita që u ndërtua deri më sot, ka qënë për mua një provokim i zemërimit dhe i tërbimit tim; prandaj do ta zhduk nga prania ime,

32 për shkak të gjithë së keqes që bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës kanë bërë për të provokuar zemërimin tim, ata, mbretërit e tyre, princat e tyre, priftërinjtë e tyre dhe profetët e tyre, njerëzit e Judës dhe banorët e Jeruzalemit.

33 Më kanë kthyer jo fytyrën, por kurrizin; dhe megjithëse i kam mësuar me urgjencë dhe me këmbëngulje, ata nuk më kanë dëgjuar për të marrë korrigjime.

34 Por kanë vënë gjërat e tyre të neveritshme në shtëpinë në të cilën përmendet emri im për ta ndotur.

35 Kanë ndërtuar gjithashtu vendet e larta të Baalit, që janë në luginën e bijve të Hinomit, në mënyrë që të kalojnë përmes zjarrit bijtë dhe bijat e tyre për nder të Molekut, gjë që unë nuk u kisha urdhëruar dhe nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend se do të kryenin një gjë të tillë të neveritshme, duke e bërë Judën të mëkatojë".

36 Prandaj kështu thotë tani Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me këtë qytet, për të cilin ju thoni: "Ai do t’i jepet në dorë mbretit të Babilonisë, me anë të shpatës, të urisë dhe të murtajës".

37 "Ja, do t’i mbledh nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë gjatë zemërimit tim, tërbimit tim, indinjatës sime të madhe; do të bëj të kthehen në këtë vend dhe të banojnë të sigurt.

38 Ata do të jenë për mua populli im dhe unë do të jem për ta Perëndia i tyre.

39 Do t’u jap një zemër të vetme, një rrugë të vetme, me qëllim që të kenë frikë nga unë përjetë për të mirën e tyre dhe të bijve të tyre.

40 Do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme; nuk do të largohem më prej tyre dhe do t’u bëj të mira dhe do të shtie në zemrën e tyre frikën, me qëllim që të mos më braktisin.

41 Do të ndjej gëzim duke u bërë të mirë dhe do t’i vendos në mënyrë të qëndrueshme në këtë vend me gjithë zemrën time dhe me gjithë shpirtin tim".

42 Sepse kështu thotë Zoti: "Ashtu si solla mbi këtë popull gjithë këtë fatkeqësi të madhe, kështu do të sjell mbi të tërë të mirat që u kam premtuar.

43 Do të blihen akoma ara në këtë vend, për të cilin ju thoni: "Éshtë një vend i shkretë ku s’ka më njerëz a kafshë; është dhënë në duart e Kaldeasve".

44 Do të blihen ara me para, do të nënshkruhen aktet, do të vulosen, do të thirren dëshmitarë në vendin e Beniaminit dhe në rrethinat e Jeruzalemit, në qytetin e Judës, në qytetet e krahinës malore, në qytetet e fushës, në qytetet e Negevit, sepse unë do të bëj të kthehen ata që janë në robëri," thotë Zoti.

33 Fjala e Zotit iu drejtua për të dytën hërë Jeremias, ndërsa qëndronte akoma i mbyllur në oborrin e burgut, duke thënë:

"Kështu thotë Zoti që bën këtë, Zoti që e formon për ta vendosur, emri i të cilit është Zoti:

M’u drejto dhe unë do të të përgjigjem dhe do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di.

Sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, për shtëpitë e këtij qyteti dhe për shtëpitë e mbretërve të Judës që do të shemben përballë ledheve dhe shpatës.

Ata do të vijnë të luftojnë kundër Kaldeasve, por vetëm për t’i mbushur me kufoma njerëzish, që unë do të godas në zemërimin tim dhe në tërbimin tim, sepse do ta fsheh fytyrën time nga ky qytet për shkak të gjithë ligësisë së tyre.

Ja, unë do t’i sjell atij mirëqenie dhe shërim; do t’i shëroj dhe do t’u zbuloj atyre bollëkun e paqes dhe të së vërtetës.

Do të bëj që të kthehen të mërguarit e Judës dhe të mërguarit e Izraelit dhe do t’i vendos përsëri si më parë.

Do t’i pastroj nga çdo paudhësi e tyre me të cilën kanë mëkatuar kundër meje dhe do t’ua fal të gjitha paudhësitë e tyre me të cilat kanë mëkatuar dhe me të cilat kanë ngritur krye kundër meje.

Dhe ky qytet do të ketë për mua një titull gëzimi, lëvdimi dhe lavdie përpara gjithë kombeve të dheut, kur ato të mësojnë gjithë të mirën që unë u bëj atyre; dhe do të kenë frikë e do të dridhen për shkak të gjithë mirësisë dhe të gjithë paqes që unë do t’i sjell atij".

10 Kështu thotë Zoti: "Në këtë vend për të cilin ju thoni: "Éshtë një shkreti, që nuk ka më as njerëz as kafshë," në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit që janë të shkreta, që nuk ka më as njerëz as kafshë, do të dëgjohen akoma

11 britma gëzimi dhe britma hareje, zëri i dhëndrit dhe zëri i nuses, zëri i atyre që thonë: "Kremtoni Zotin e ushtrive, sepse Zoti është i mirë, sepse mirësia e tij zgjat përjetë," dhe të atyre që sjellin oferta falënderimi në shtëpinë e Zotit. Sepse unë do të bëj që të kthehen të mërguarit në vend dhe do t’i vendos përsëri si më parë," thotë Zoti.

12 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në këtë vend që është një shkreti, ku s’ka më njeri a kafshë, dhe në të gjitha qytetet e tij do të këtë akoma banesa të barinjve ku do të pushojnë kopetë e tyre.

13 Në qytetet e krahinës malore, në qytetet e fushës, në qytetet e Negevit, në vendin e Benianimit, në rrethinat e Jeruzalemit dhe në qytetet e Judës, dhentë do të kalojnë akoma nga dora e atij që i numëron," thotë Zoti.

14 "Ja, do të vijnë ditët," thotë Zoti, "gjatë të cilave unë do të realizoj fjalën e mirë që kam shqiptuar për shtëpinë e Izraelit dhe për shtëpinë e Judës.

15 Në ato ditë dhe në atë kohë do të bëj që të mbijë për Davidin një filiz drejtësie, që do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend.

16 Ato ditë Juda do të shpëtohet dhe Jeruzalemi do të banojë i sigurt. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: "Zoti, drejtësia jonë"".

17 Në fakt kështu thotë Zoti: "Nuk do t’i mungojë kurrë Davidit dikush që të ulet mbi fronin e shtëpisë së Izraelit,

18 dhe priftërinjve Levitë nuk do t’u mungojë kurrë para meje dikush që ofron olokauste, që tymos ofertat ushqimore dhe që kryen flijime çdo ditë".

19 Fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:

20 "Kështu thotë Zoti: Në qoftë se ju mund të anuloni besëlidhjen time me ditën dhe besëlidhjen time me natën, në mënyrë që mos ketë më ditë a natë në kohën e tyre,

21 atëherë do të mund të anulohet edhe besëlidhja ime me Davidin, shërbëtorin tim, në mënyrë që të mos ketë një bir që të mbretërojë mbi fronin e tij, dhe me priftërinjtë Levitë, priftërinj të mi.

22 Ashtu si nuk mund të njehsohet ushtria e qiellit as të matet rëra e detit, ashtu unë do t’i shumoj pasardhësit e Davidit, shërbëtorit tim, dhe Levitët që më shërbejnë".

23 Fjala e Zotit iu drejtua akoma Jeremias, duke thënë:

24 "Nuk i ke kushtuar kujdes asaj që ka pohuar ky popull, duke thënë: "Dy familjet që Zoti kishte zgjedhur, i ka hedhur poshtë"? Kështu përçmojnë popullin tim, që në sytë e tyre nuk është një komb".

25 Kështu thotë Zoti: "Në qoftë se unë nuk e kam lidhur besëlidhjen time me ditën dhe me natën dhe nuk kam përcaktuar ligjet e qiellit dhe të tokës,

26 atëherë do të hedh poshtë edhe pasardhësit e Jakobit, dhe të Davidit, shërbëtorit tim, dhe nuk do të marr më nga pasardhësit e tij drejtuesit e fisit të Abrahamit, të Isakut dhe të Jakobit. Por unë do të bëj që të kthehen mërgimtarët e tyre dhe do të kem mëshirë për ta".

34 Fjala që i drejtua nga Zoti Jeremias, kur Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, me gjithë ushtrinë e tij dhe tërë mbretëritë e tokave mbi të cilat ai sundonte dhe gjithë popujt luftonin kundër Jeruzalemit dhe kundër të gjitha qyteteve të tij, duke thënë:

"Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Shko dhe foli Sedekias, mbretit të Judës dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti: Ja, unë ia jap këtë qytet në dorë mbretit të Babilonisë, i cili do ti vërë flakën.

Ti nuk do të shpëtosh nga dora e tij, por do të kapesh me siguri dhe do të biesh në pushtetin e tij; sytë e tu do të shohin sytë e mbretit të Babilonisë, ai do të të flasë ballë për ballë dhe ti do të shkosh në Babiloni".

Megjithatë dëgjo fjalën e Zotit, o Sedekia, mbreti i Judës: "Kështu thotë Zoti për ty: Nuk ke për të vdekur nga shpata.

Por do të vdesësh në paqe; dhe ashtu si dogjën aroma për etërit e tu, mbretërit e lashtë që ishin para teje, kështu do të djegin aroma për ty dhe do të mbajnë zi duke thënë: "Vaj medet, Zot!". Po, unë e shqiptova këtë fjalë," thotë Zoti.

Profeti Jeremia ia tha tërë këto fjalë Sedekias, mbretit të Judës, në Jeruzalem,

ndërsa ushtria e mbretit të Babilonisë luftonte kundër Jeruzalemit dhe kundër të gjitha qyteteve të Judës që akoma ekzistonin, domethënë kundër Lakishit dhe Azekahut, që ishin të vetmet qytete të fortifikuara që mbetën nga qytetet e Judës.

Kjo është fjala që iu drejtua Jeremias nga Zoti, mbas përfundimit të një besëlidhjeje nga mbreti Sedekia me tërë popullin që ishte në Jeruzalem për tu shpallur atyre lirinë:

domethënë që secili t’i linte të lirë skllevërit e tij hebrenj, meshkuj ose femra, burra ose gra, me qëllim që askush të mos mbante më si skllav ndonjë vëlla të tij jude.

10 Tërë princat dhe tërë populli që kishin pranuar besëlidhjen, pranuan t’i lëshojnë të lirë skllavin ose skllaven e vet dhe të mos i mbajnë më në skllavëri, dhe kështu i liruan.

11 Por më vonë ndryshuan mendim dhe bënë që të rikthehen skllevërit dhe skllavet që i kishin lëshuar të lirë dhe i nënshtruan përsëri si skllevër dhe skllave të tyre.

12 Fjala e Zotit iu drejtua pastaj Jeremias nga Zoti, duke thënë:

13 "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë lidha një besëlidhje me etërit tuaj ditën që i nxora nga Egjipti, nga shtëpia e robërisë, duke thënë:

14 Në krye të shtatë vjetëve secili do të lëshojë të lirë vëllanë e tij hebre që i është shitur atij; ai do të të shërbejë gjashtë vjet, pastaj do ta lësh të lirë. Por etërit tuaj nuk mu bindën dhe nuk ma vunë veshin.

15 Ju sot nisët të bëni atë që është e drejtë në sytë e mi, duke shpallur secili lirinë e vëllait të vet, dhe keni lidhur një besëlidhje para meje, në tempull, ku përmendet emri im.

16 Por më vonë keni ndryshuar mendim dhe keni përdhosur emrin tim, sepse secili ka bërë të kthehet skllavi i tij apo skllavja e tij, dhe i keni nënshtruar në mënyrë që të jenë skllevër apo skllave tuaja".

17 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ju nuk më jeni bindur duke shpallur secili lirinë e vëllait të tij dhe e të të afërmit të tij. Tani ja, unë ju shpall lirinë," thotë Zoti, "për shpatën, për murtajën dhe për urinë dhe do t’ju braktis që t’ju keqtrajtojnë në të gjitha mbretëritë e dheut.

18 Dhe do ti jap njerëzit që kanë shkelur besëlidhjen time dhe nuk kanë zbatuar fjalët e besëlidhjes që kishin lidhur para meje, duke kaluar në mes pjesëve të viçit që e kishin ndarë më dysh:

19 princat e Judës dhe princat e Jeruzalemit, eunukët, priftërinjtë dhe tërë populli i vendit që kaluan në mes të pjesëve të viçit,

20 do t’i jap në dorë të armiqve të tyre dhe në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre; dhe kufomat e tyre do të shërbejnë si ushqim për shpendët e qiellit dhe për kafshët e tokës.

21 Do të jap Sedekian, mbretin e Judës, dhe princët e tij në dorë të armiqve të tyre, në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre dhe në dorë të ushtrisë së mbretit të Babilonisë, që është larguar nga ju.

22 Ja, unë do të jap urdhrin," thotë Zoti, "dhe do të bëj që të kthehen kundër këtij qyteti, do të luftojnë kundër tij, do ta shtien në dorë, do t’i vënë flakën; dhe do t’i bëj qytetet e Judës një shkreti pa banorë".