Add parallel Print Page Options

14 Fjala e Zotit që iu drejtua Jeremias me rastin e thatësirës:

"Juda është në zi dhe portat e qyteteve të saj lëngojnë; mbajnë zi për vendin dhe britma e Jeruzalemit ngjitet deri në qiell.

Fisnikët dërgojnë ndër ta të rinjtë e tyre për të kërkuar ujë; këta shkojnë në sternat, por nuk gjejnë ujë dhe kthehen me enët e tyre bosh; janë plot me turp dhe të hutuar, dhe mbulojnë kokën e tyre.

Toka është plot me të çara, sepse nuk ka pasur shi në vend; bujqit janë plot me turp dhe mbulojnë kokën e tyre.

Edhe suta pjell nëpër fusha, por i braktis të vegjlit e saj, sepse nuk ka bar.

Gomerët e egjër ndalen në lartësitë dhe e nuhasin ajrin si çakejtë; sytë e tyre janë të shuar, sepse nuk ka bar".

Edhe në se paudhësitë tona dëshmojnë kundër nesh, o Zot, vepro për hir të emrit tënd, sepse rebelimet tona janë të shumta; kemi mëkatuar kundër teje.

O shpresë e Izraelit, shpëtimtari i tij në kohë fatkeqësie, pse të jesh në vend si një i huaj, si një udhëtar që ndalet vetëm për të kaluar natën?

Pse të jesh si një njeri i tronditur, si një njeri i fortë që nuk mund të shpëtojë? Megjithatë ti je në mes nesh, o Zot, emri yt përmendet mbi ne. Mos na braktis!

10 Kështu i thotë Zoti këtij populli: "Atyre u pëlqen me të vërtetë të enden, nuk përmbajnë hapat e tyre. Prandaj nuk i pëlqejnë Zotit, tani kujton paudhësinë e tyre dhe dënon mëkatet e tyre".

11 Pastaj Zoti më tha: "Mos u lut për këtë popull, për mirëqënien e tij.

12 Edhe sikur të agjërojnë, nuk kam për ta dëgjuar thirrjen e tyre; në rast se bëjnë olokauste dhe oferta ushqimesh nuk kam për t’i pëlqyer, por do t’i zhduk me shpatën, me urinë dhe murtajën".

13 Atëherë thashë: "Ah, Zot, Zot! Ja, profetët u thonë atyre: "Ju nuk do të shikoni shpatën dhe nuk do të vuani nga uria, por do t’ju jap një paqe të sigurt në këtë vend"".

14 Zoti më tha: "Profetët profetizojnë gënjeshtra në emrin tim; unë nuk i kam dërguar, nuk u kam dhënë asnjë urdhër dhe nuk kam folur me ta. Ata ju profetizojnë një pamje të rreme, një parashikim të kotë dhe mashtrimin e zemrës së tyre.

15 Prandaj kështu thotë Zoti për profetët që profetizojnë në emrin tim pa qenë të dërguar nga unë, dhe shpallin: "Nuk do të ketë as shpatë, as uri në këtë vend," këta profetë do të zhduken nga shpata dhe nga uria.

16 Sa për popullin të cilit i kanë profetizuar, do të hidhet në rrugët e Jeruzalemit për shkak të urisë dhe të shpatës, dhe nuk do të ketë asnjeri që t’i varrosë ata, gratë e tyre, bijtë dhe bijat e tyre. Kështu do të hedh mbi ta ligësinë e tyre".

17 U thuaj atyre pra, këtë fjalë: "Të derdhin lot ditë e natë sytë e mi pa pushim, sepse bija e virgjër e popullit tim u godit nga një fatkeqësi e madhe, nga një plagë e thellë.

18 Në rast se dal nëpër fusha, ja të vdekurit nga shpata; në rast se hyj në qytet, ja ata që vuajnë nga uria. Madje edhe profeti dhe prifti i vijnë rrotull një vendi që nuk njohin".

19 Vallë a e ke hedhur poshtë plotësisht Judën, ose je neveritur nga Sioni? Ke goditur dhe nuk ka shërim për ne? Ne prisnim paqen, por nuk ka asnjë të mirë, një kohë shërimi, por ja tmerri.

20 O Zot, ne e pranojmë ligësinë tonë dhe paudhësinë e etërve tanë; po, kemi mëkatuar kundër teje.

21 Mos na hidh poshtë për hir të emrit tënd, mos turpëro fronin e lavdisë sate. Mbaje mend: mos e prish besëlidhjen me ne.

22 Midis idhujve të kotë të njerëzve a ka vallë ndonjë që mund të sjellë shiun? Ose të japë qielli shira të bollshme? A nuk je ti pra, o Zot, Perëndia ynë? Prandaj ne shpresojmë te ti, sepse ke bërë tërë këto gjëra.

15 Por Zoti më tha: "Edhe sikur Moisiu dhe Samueli të paraqiteshin para meje, zemra ime nuk do të anonte për këtë popull; dëboje nga prania ime; le të ikë!

Në rast se të thonë: "Ku do të shkojmë?," do t’u thuash atyre: Kështu thotë Zoti: Drejt vdekjes të caktuarit për vdekje, drejt shpatës të caktuarit për shpatë, drejt urisë të caktuarit për të qenë të uritur, drejt robërisë të caktuarit për robëri.

Unë do të vendos mbi ta katër lloje dënimesh," thotë Zoti: "shpatën për të vrarë, qentë për të copëtuar, shpendët e qiellit dhe kafshët e tokës për të gllabëruar dhe shkatërruar.

Do të bëj që të keqtrajtohen në të gjitha mbretëritë e tokës për shkak të Manasit, birit të Ezekias, mbret i Judës, për atë që ka bërë në Jeruzalem.

Kujt në fakt do t’i vinte keq për ty, o Jeruzalem, kush do të mbante zi për ty? Kush do të shqetësohej për të pyetur si je?

Ti më ke përzënë," thotë Zoti, "më ke kthyer krahët. Prandaj unë do të shtrij dorën kundër teje dhe do të të shkatërroj; jam lodhur nga pendimet.

Do t’i shpërndaj me forcë portat e qytetit, do t’u heq fëmijët dhe do të bëj që të zhduket populli im, sepse ata nuk largohen nga udhët e tyre.

Do t’i bëjë gratë e veja të tij më të shumta se rëra e detit. Do të sjell kundër tyre, kundër nënës së të rinjve, një shkatërrues në mes të ditës; do të bëj që të bjerë mbi të papritmas ankthi dhe tmerri.

Ajo që ka pjellë shtatë bijë lëngon dhe heq frymën; dielli i saj po perëndon ndërsa është ditë akoma; është mbuluar nga turpi dhe e hutuar. Do t’i dorëzoj ata që do të shpëtojnë prej shpatës në mëshirë të armiqve të tyre," thotë Zoti.

10 Mjerë unë, o nëna ime sepse më ke lindur si një njeri grindjesh dhe sherri në të gjithë vendin. Nuk i kam dhënë hua asgjë askujt, as të tjerët më kanë dhënë hua; megjithatë të gjithë më mallkojnë.

11 Zoti thotë: "Me siguri do të të çliroj për gjithnjë, me siguri do të bëj që armiku të të lutet në kohën e fatkeqësisë dhe në kohën e ankthit.

12 A mundet një njeri të thyejë hekurin, hekurin e veriut dhe bronzin?

13 Pasurinë tënde dhe thesaret e tua do t’i braktis që t’i plaçkitin pa asnjë çmim për të gjitha mëkatet e tua dhe në të gjithë kufijtë e tu.

14 Dhe do të bëj të kalosh bashkë me armiqtë e tu në një vend që ti nuk e njeh, sepse një zjarr është ndezur në zemërimin tim, që do të flakërojë kundër jush".

15 Ti e di, o Zot; më mbaj mend mua dhe më vizito, dhe merrmë hak mbi përndjekësit e mi; në ngadalësinë e zemërimit tënd mos më merr me vete; dije që për hirin tënd e mbajta turpin.

16 Me të gjetur fjalët e tua, i përpiva; fjala jote ka qenë për mua gëzimi dhe gazi i zemrës sime, sepse emri yt kërkohet nga unë o Zot, Perëndi i ushtrive.

17 Unë nuk u ula në kuvendin e tallësve, as nuk u gëzova; por për shkak të dorës sate unë u ula veçmas, sepse ti më kishe mbushur me indinjatë.

18 Pse dhembja ime është pa fund dhe plaga ime e pashërueshme nuk pranon të shërohet? A do të jesh për mua si një rrëke që shteron, si ujë që nuk të jep siguri?

19 Prandaj kështu thotë Zoti: "Në rast se ti rikthehesh tek unë, unë do të rivendos dhe ti do të jesh para meje. Në rast se ti ndan të çmuarën nga ajo që s’ka vlerë, ti do të jesh si goja ime; ata do të kthehen te ti, por ti nuk duhet të kthehesh tek ata.

20 Unë do të të jap për këtë popull një mur të fortë prej bronzi; do të luftojnë kundër teje, por nuk do mund të fitojnë kundër teje, sepse unë do të jem me ty për të të shpëtuar dhe për të të çliruar," thotë Zoti.

21 "Do të të çliroj nga duart e njerëzve të këqij dhe do të të shpengoj nga duart e njerëzve të dhunshëm".

16 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Mos merr grua dhe mos ki bij e bija në këtë vend".

Sepse kështu thotë Zoti për bijtë dhe bijat që kanë lindur në këtë vend dhe për nënat që i kanë pjellë dhe për etërit që i kanë zënë në këtë vend:

"Ata do të vdesin nga një vdekje rrëqethëse; nuk do të qahen dhe nuk do të varrosen, por do t’i lënë si pleh mbi faqen e dheut; do të shfarosen nga shpata dhe nga uria, dhe kufomat e tyre do të shërbejnë si ushqim për shpendët e qiellit dhe për kafshët e tokës".

Sepse kështu thotë Zoti: "Mos hyni në shtëpinë e zisë dhe mos shkoni për ngushëllime dhe për t’i vajtuar, sepse unë kam hequr nga ky popull paqen time, mirësinë time dhe mëshirën time," thotë Zoti.

"Të mëdhenj dhe të vegjël do të vdesin në këtë vend; nuk do të varrosen as do të mbahet zia për ata, nuk do të bëhen prerje as qethje flokësh për ta.

Nuk do të thyhet buka për ata që mbajnë zi për t’i ngushëlluar për një të vdekur dhe nuk do t’u jepet për të pirë gota e ngushëllimit për atin e tyre dhe nënën e tyre.

Mos hyni as në një shtëpi banketi për t’u ulur bashkë me ta për të ngrënë dhe për të pirë".

Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do të bëj që të pushojë në këtë vend, para syve tuaj dhe në ditët tuaja, britma e gëzimit dhe britma e ngazëllimit, zëri i dhëndrit dhe zëri i nuses.

10 Dhe ka për të ndodhur që kur t’i shpallësh këtij populli tërë këto gjëra, do të të thonë: "Pse Zoti ka shqiptuar kundër nesh tërë këtë mjerim të madh? Cila është paudhësia jonë? Cili është mëkati që kemi kryer kundër Zotit, Perëndisë tonë?".

11 Atëherë ti do t’u përgjigjesh atyre: Sepse etërit tuaj më kanë braktisur," thotë Zoti, "kanë shkuar pas perëndive të tjera, u kanë shërbyer dhe kanë rënë përmbys para tyre, më kanë braktisur mua dhe nuk kanë respektuar ligjin tim.

12 Dhe ju keni vepruar më keq se etërit tuaj, sepse ja, secili vepron sipas kryeneçësisë së zemrës së tij të keqe dhe nuk pranon të më dëgjojë.

13 Prandaj unë do t’ju dëboj nga ky vend në një vend që as ju, as etërit tuaj nuk keni njohur dhe atje do t’u shërbeni perëndive të tjera ditën e natën, sepse unë nuk do t’ju fal".

14 "Prandaj ja, po vijnë ditët," thotë Zoti, "në të cilat nuk do të thuhet më: "Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit,"

15 por: "Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i veriut dhe nga tërë vendet ku i kishte shpërndarë". Dhe unë do t’i çoj përsëri në vendin që u kisha dhënë etërve të tyre.

16 Ja, unë do të dërgoj një numër të madh peshkatarësh për t’i peshkuar," thotë Zoti, "dhe pastaj do të dërgoj një numër të madh gjahtarësh për t’i gjuajtur në çdo mal, në çdo kodër dhe në të çarat e shkëmbinjve.

17 Sepse sytë e mi janë mbi të gjitha rrugët e tyre, që nuk janë të fshehura nga fytyra ime, dhe paudhësitë e tyre nuk mbeten të fshehura para syve të mi.

18 Para së gjithash do t’i shpaguaj dyfish për paudhësinë dhe mëkatin e tyre, sepse kanë përdhosur vendin tim me kufomat e idhujve të tyre të neveritshëm dhe e kanë mbushur trashëgiminë time me gjërat e tyre të neveritshme".

19 O Zot, forca ime, kalaja ime dhe streha ime ditën e fatkeqësisë, te ti do të vijnë kombet nga skajet e tokës dhe do të thonë: "Etërit tanë kanë trashëguar vetëm gënjeshtra, kotësi dhe gjëra që nuk vlejnë asgjë".

20 "A mundet të shpikë njeriu perëndi, që në të vërtetë nuk janë perëndi?

21 Prandaj ja, këtë radhë do t’u bëj të njohur atyre, do t’u tregoj dorën time dhe fuqinë time; dhe ata do të mësojnë që emri im është Zoti".

17 "Mëkati i Judës është shkruar me një stilo hekuri, është gërvishur me një majë diamanti mbi rrasën e zemrës së tyre dhe mbi brirët e altarëve tuaj.

Edhe djemtë e tyre mbajnë mend altarët dhe Asherimët e tyre pranë drurëve të gjelbër mbi kodrat e larta.

O mali im në ara, unë do t’ia braktis plaçkitjes pasuritë e tua, tërë thesaret e tu dhe vendet e tua të larta, për shkak të mëkatit që është i pranishëm në tërë territorin tënd.

Kështu për fajin tënd do të humbasësh trashëgiminë që të kisha dhënë dhe do të bëj që t’u shërbesh armiqve të tu në një vend që ti nuk e njeh, sepse keni ndezur një zjarr në zemërimin tim, që do të flakërojë gjithnjë".

Kështu thotë Zoti: "Mallkuar qoftë njeriu që ka besim te njeriu dhe e bën nga mishi krahun e tij, dhe zemra e të cilit largohet nga Zoti!

Ai do të jetë si një brukë në shkretëtirë; kur vjen e mira, nuk ka për ta parë. Do të banojë në vende të thata në shkretëtirë, në një tokë të kripur pa banorë.

Lum ai njeri që beson te Zoti dhe besimi i të cilit është Zoti!

Ai do të jetë si një pemë i mbjellë pranë ujit, që i shtrin rrënjët e tij gjatë lumit. Nuk do ta ndjejë kur vjen vapa dhe gjethet e tij do të mbeten të gjelbra; në vitin e thatësirës nuk do të ketë asnjë shqetësim dhe do të vazhdojë të mbajë fryte.

Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?

10 Unë, Zoti, hetoj zemrën, vë në provë mendjen për t’i dhënë secilit sipas rrugëve të tij, sipas frytit të veprimeve të tij.

11 Kush fiton pasuri në mënyrë të padrejtë është si thëllëza që ngroh vezë që nuk i ka bërë vetë; në mes të ditëve të tij ka për t’i lënë dhe në fund do të gjendet i shushatur".

12 Froni i lavdisë së shkëlqyer që në fillim është vendi i shenjtërores sonë.

13 O Zot, shpresa e Izraelit, tërë ata që të braktisin do të turpërohen. Ata që largohen nga unë do të jenë të shkruar në tokë, sepse e kanëë braktisur Zotin, burimin e ujit të gjallë".

14 Shëromë, o Zot, dhe do të shërohem, shpëtomë dhe do të shpëtoj, sepse ti je lavdia ime.

15 Ja, ata më thonë: "Ku është fjala e Zotit? Le të realizohet tani!"

16 Megjithatë unë nuk refuzova të jem bariu i tyre duke të ndjekur ty, as dëshirova ditën e kobshme. Ti e di atë që doli nga goja ime, sepse bëhej në praninë tënde.

17 Mos u bëj për mua një frikë; ti je streha ime ditën e fatkeqësisë.

18 Qofshin të turpëruar përndjekësit e mi, por mos qofsha unë i turpëruar; qofshin të turpëruar ata, por mos qofsha i turpëruar unë; sill mbi ta ditën e fatkeqësisë dhe shkatërroji me një shkatërrim të dyfishtë!

19 Kështu më ka thënë Zoti: "Shko dhe ndalu te porta e bijve të popullit, nëpër të cilën hyjnë dhe dalin mbretërit e Judës dhe pranë të gjitha portave të Jeruzalemit,

20 dhe u thuaj atyre: Dëgjoni fjalën e Zotit, o mbretër të Judës, dhe tërë Juda dhe ju të gjithë banorë të Jeruzalemit, që hyni nëpër këto porta".

21 Kështu thotë Zoti: "Kujdesuni për veten tuaj dhe mos mbartni asnjë peshë dhe mos e futni nëpër portat e Jeruzalemit ditën e shtunë.

22 Mos mbartni asnjë peshë jashtë shtëpive tuaja dhe mos kryeni asnjë punë ditën e shtunë, por shenjtëroni ditën e shtunë, ashtu siç i kam urdhëruar etërit tuaj.

23 Por ata nuk dëgjuan as i vunë veshin, por ngurtësuan zverkun e tyre për të mos dëgjuar dhe për të mos pranuar mësime.

24 Kështu do të ndodhë që, në qoftë se do të dëgjoni me kujdes," thotë Zoti, "në rast se bëni që të mos hyjë asnjë peshë nëpër portat e këtij qyteti ditën e shtunë, por do ta shenjtëroni ditën e shtunë dhe nuk do të bëni asnjë punë gjatë asaj dite,

25 atëherë mbretërit dhe princat që rrinë ulur mbi fronin e Davidit do të hyjnë nga portat e këtij qyteti të hipur mbi qerre dhe mbi kuaj, ata, princat e tyre, njerëzit e Judës dhe banorët e Jeruzalemit; dhe ky qytet do të banohet përjetë.

26 Do të vijnë pastaj nga qytetet e Judës, nga rrethinat e Jeruzalemit, nga vendi i Beniaminit, nga ultësira, nga malet dhe nga Negevi, duke sjellë olokauste, flijime, blatime ushqimore dhe temjan dhe duke ofruar flijime falënderimi në shtëpinë e Zotit.

27 Por në rast se nuk do të më dëgjoni, duke shenjtëruar ditën e shtunë: duke mos mbartur pesha dhe duke mos i futur nëpër portat e Jeruzalemit ditën e shtunë, unë do të ndez një zjarr në portat e tij; ai do të përpijë pallatet e Jeruzalemit dhe nuk do të shuhet".