A A A A A
Bible Book List

Jeremia 10-13 Albanian Bible (ALB)

10 Dëgjoni fjalën që Zoti po ju drejton, o shtëpia e Izraelit.

Kështu thotë Zoti: "Mos mësoni të ndiqni rrugën e kombeve dhe mos kini frikë nga shenjat e qiellit, sepse janë kombet që kanë frikë prej tyre.

Sepse zakonet e popujve janë kotësi: sepse është si dikush që pret një dru në pyll, puna e duarve të një punëtori me sëpatë.

E zbukurojnë me argjend dhe me ar, e fiksojnë me gozhda dhe çekiçë që të mos lëvizë nga vendi.

Idhujt qëndrojnë drejt si një palmë dhe nuk mund të flasin; duhet t’i mbartësh, sepse nuk mund të ecin. Mos kini frikë prej tyre, sepse nuk mund të bëjnë asnjë të keqe dhe as që kanë mundësinë të bëjnë të mirë".

Askush nuk është i ngjashëm me ty, o Zot; ti je i madh dhe emri i yt është i madh në fuqi.

Kush nuk do të kishte frikë prej teje, o mbret i kombeve? Po, kjo të detyrohet, sepse midis gjithë njerëzve të ditur të kombeve, në të gjitha mbretëritë e tyre nuk ka njeri të ngjashëm me ty.

Janë të gjithë budallenj dhe pa arsye; idhulli i tyre prej druri është një doktrinë pa asnjë vlerë.

Argjend i petëzuar i sjellë nga Tarshishi dhe ar nga Ufazi, punë zejtari dhe dorë argjendari; rrobja e tyre është e purpurt dhe e kuqe flakë, punime të dala nga duart e njerëzve ekspertë.

10 Por Zoti është Perëndia i vërtetë, ai është Perëndia i gjallë dhe mbreti i përjetshëm. Para zemërimit të tij toka dridhet dhe kombet nuk mund të qëndrojnë përpara indinjatës së tij.

11 Kështu do t’u thoni atyre: "Perënditë që nuk kanë bërë qiejt dhe tokën do të zhduken nga toka dhe nën qiellin".

12 Ai bëri tokën me fuqinë e tij, ka vendosur botën me diturinë e tij dhe ka shpalosur qiejt me zgjuarsinë e tij.

13 Kur nxjerr zërin e tij ka një zhurmë ujërash në qiell; ai i bën avujt të ngjiten nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun dhe nxjerr erën nga rezervuaret e tij.

14 Atëherë çdo njeri bëhet pa mend, pa dituri; çdo argjendari i vjen turp për shëmbëlltyrën e gdhendur të tij sepse shëmbëlltyra e tij e derdhur është e rreme dhe në të nuk ka frymë.

15 Janë kotësi, punë mashtrimi; në kohën e ndëshkimit të tyre kanë për të vdekur.

16 Pjesa e Jakobit nuk është si ata, sepse Ai ka formuar tërë gjërat, dhe Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij. Emri i tij është Zot i ushtrive."

17 "Mblidh sendet e tua nga vendi, ti që je i rrethuar".

18 Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, këtë herë do t’i hedh larg banorët e vendit dhe do t’u sjell një fatkeqësi të madhe, me qëllim që të më gjejnë përsëri".

19 Mjerë unë për plagën time, plaga ime është e dhembshme. Por unë kam thënë: "Kjo është një sëmundje që unë duhet ta duroj".

20 Çadra ime është shkatërruar dhe të gjithë litarët e mi janë këputur; bijtë e mi kanë shkuar larg meje dhe nuk janë më; nuk ka më asnjë që të vendosë çadrën time apo të ngrerë shatorret e mia.

21 Sepse barinjtë kanë qenë pa mend dhe nuk kanë kërkuar Zotin; prandaj nuk kanë pasur mbarësi dhe tërë kopeja e tyre është shpërndarë.

22 Ja, po vjen një zhurmë lajmesh dhe një rrëmujë e madhe nga vendi i veriut, për t’i katandisur qytetet e Judës si shkretëtira, si strehim për çakejtë.

23 O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.

24 Më korrigjo, o Zot, por me drejtësi, jo në zemërimin tënd për të mos më reduktuar në asgjë.

25 Lëshoje zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi popujt që nuk përmendin emrin tënd, sepse kanë gllabëruar Jakobin; po, e kanë gllabëruar dhe konsumuar dhe kanë shkatërruar banesën e tij.

11 Kjo është fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit, duke thënë:

"Dëgjoni fjalët e kësaj besëlidhje dhe foluni njerëzve të Judës dhe banorëve të Jeruzalemit.

U thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: I mallkuar qoftë ai njeri që nuk dëgjon fjalët e kësaj besëlidhjeje,

që unë u urdhërova etërve tuaj ditën që i nxora nga Egjipti, nga furra prej hekuri, duke thënë: "Dëgjoni zërin tim dhe i bëni këto gjëra në bazë të atyre që ju komandoj; atëherë ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj,"

me qëllim që unë të mund të plotësoj betimin që u kam bërë etërve tuaj, t’u jap atyre një vend ku të rrjedhë qumësht dhe mjaltë, ashtu si po ndodh sot". Unë u përgjigja dhe thashë: "Kështu qoftë, o Zot!".

Atëherë Zoti më tha: "Shpalli tërë këto fjalë në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit, duke thënë: Dëgjoni fjalët e kësaj besëlidhjeje dhe zbatojini në praktikë.

Sepse i kam nxitur me insistim etërit tuaj që nga dita që i nxora nga vendi i Egjiptit e deri më sot, i kam nxitur me urgjencë duke thënë: Dëgjoni zërin tim!!".

Por ata nuk e dëgjuan as ia vunë veshin, por secili eci sipas kryeneçësisë së zemrës së keqe të tij; prandaj unë do të bëj që të goditen nga të gjitha gjërat e përmendura në këtë besëlidhje, për të cilat kisha urdhëruar t’i respektonin, por që ata nuk i respektuan".

Pastaj Zoti më tha: "U zbulua një komplot midis njerëzve të Judës dhe midis banorëve të Jeruzalemit.

10 Janë kthyer në paudhësitë e etërve të tyre të lashtë, të cilët nuk pranuan të dëgjojnë fjalët e mia, dhe u shkuan pas perëndive të tjera, për t’u shërbyer; shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës kanë shkelur besëlidhjen që unë kisha lidhur me etërit e tyre".

11 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell mbi ta një gjëmë, nga e cila nuk do të mund të shpëtojnë. Ata do të më klithin, por unë nuk do t’i dëgjoj.

12 Atëherë qytetet e Judës dhe banorët e Jeruzalemit do të shkojnë t’u klithin perëndive të cilave u kanë djegur temjan, por këta nuk do t’i shpëtojnë në kohën e gjëmës së tyre.

13 Sepse o Judë perënditë e tua janë të shumta si qytetet e tua, dhe altarët që keni ngritur për atë gjë të turpshme, altarët për t’i djegur temjan Baalit, janë të shumtë si rrugët e Jeruzalemit.

14 Prandaj mos u lut për këtë popull dhe mos ngri për të asnjë britmë a lutje, sepse unë nuk do t’i kënaq kur do të më klithin mua për fatkeqësinë e tyre".

15 Çfarë bën i preferuari im në tempullin tim, kur ka kryer shumë veprime të kobshme? A do të mundin mishrat e shenjtëruara të largojnë prej teje ligësinë tënde, me qëllim që ti të mund të gëzohesh?

16 Zoti të kishte thirrur me emrin Ulli i gjelbëruar i bukur, me fryte të shijshme. Në zhurmën e një rrëmuje të madhe, ai do t’i vërë zjarr dhe degët e tij do të shkatërrohen.

17 Zoti i ushtrive që të kishte mbjellë ka dekretuar fatkeqësinë kundër teje, për shkak të ligësisë sate në dëm të vetë shtëpisë së Izraelit dhe të shtëpisë së Judës, duke provokuar zemërimin tim dhe duke i djegur temjan Baalit".

18 Zoti ma bëri të ditur dhe unë e mësova; atëherë ti më tregove veprimet e tyre.

19 Unë isha si një qengj i butë që e çojnë në thertore dhe nuk dija që kurdisnin intriga kundër meje, duke thënë: "Të shkatërrojmë drurin bashkë me frytin e tij dhe ta zhdukim nga toka e të gjallëve, me qëllim që emri i tij të mos kujtohet më".

20 Por, o Zot i ushtrive, gjykatës i drejtë, që shqyrton mendjen dhe zemrën, tregomë hakmarrjen tënde mbi ta, sepse unë të bëra të njohur çështjen time.

21 Prandaj kështu thotë Zoti përsa i përket njerëzve të Anathothit që kërkojnë jetën tënde, duke thënë: "Mos bëj profecira në emër të Zotit, që të mos vdesësh nga dora jonë".

22 Kështu, pra, thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do t’i dënoj; të rinjtë do të vdesin nga shpata, bijtë e tyre dhe bijat e tyre do të vdesin nga uria.

23 Nuk ka për të mbetur asnjë prej tyre, sepse unë do të sjell një gjëmë mbi njerëzit e Anathothit, në vitin e ndëshkimit të tyre".

12 Ti je i drejtë, o Zot, si mund të diskutoj me ty? Megjithatë do të flas me ty lidhur me gjykimet e tua. Pse udha e të pabesëve shkon mbarë? Pse jetojnë të qetë ata që veprojnë me pabesi?

I ke mbjellë dhe kanë lëshuar madje rrënjë; rriten dhe mbajnë madje fryte. Ti je afër gojës së tyre, por larg zemrës së tyre.

Por ti, o Zot më njeh, më shikon dhe shqyrton zmrën time në përqasje me ty. Tërhiqi në thertore si dele dhe veçoji për ditën e kërdisë!

Deri kur do të mbajë zi vendi dhe do të thahet bari i çdo fushe? Nga shkaku i ligësisë së banorëve të tij, kafshët dhe zogjtë shfarosen, sepse ata thonë: "Ai nuk do ta shikojë fundin tonë".

Në rast se ti fugon me këmbësorët dhe ata të lodhin, si mund të hysh në garë me kuajt? Në rast se e ndjen veten të sigurt vetëm në një vend paqësor, çfarë do të bësh kur Jordani do të fryhet?

Sepse edhe vëllezërit e tu dhe shtëpia e atit tënd kanë vepruar në mënyrë të pabesë ndaj teje; edhe ata të bërtasin nga pas me zë të lartë. Mos ki besim tek ata kur do të thonë fjalë të mira.

Braktisa shtëpinë time, hodha poshtë trashëgiminë time; dhashë atë që kam më të shtrenjtë në duart e armiqve të tij.

Trashëgimia ime është bërë për mua si një luan në pyll; lëshoi ulërimën e tij kundër meje; për këtë e urreva.

Trashëgimia ime ka qenë për mua si një shpend grabitqar lara-lara; shpendët grabitqarë hidhen kundër saj nga çdo anë. Shkoni, mblidhini tërë kafshët e fushës, sillini këtu që t’i gëlltisin!

10 Shumë barinj kanë shkretuar vreshtin tim, kanë shkelur pjesën time, e kanë katandisur pjesën time të këndshme në një shkretëtirë të mjeruar.

11 E kanë katandisur në një shkretim; e shkretuar, të pikëllon para meje; tërë vendi është i shkretuar, por asnjeri nuk mendon për të.

12 Mbi të gjitha lartësitë e shkretëtirës kanë arritur shkatërruesit dhe shpata e Zotit e përpin vendin nga një skaj në skajin tjetër të tij; asnjë mish nuk ka paqe.

13 Kanë mbjellë grurë, por korrin gjemba; janë lodhur, por pa asnjë përfitim. Do t’u vijë turp nga korrja juaj, për shkak të zemërimit të fortë të Zotit!

14 Kështu thotë Zoti për të gjithë fqinjët e mi të këqij, që prekin trashëgiminë që i dhashë në zotërim popullit tim Izrael: "Ja, do t’i çrrënjos nga vendi i tyre dhe do të çrrënjos shtëpinë e Judës në mes të tyre.

15 Por ka për të ndodhur që, pasi t’i kem çrrënjosur, do të më vijë keq përsëri për ta dhe do ta çoj përsëri secilin në trashëgiminë e tij, secilin në vendin e tij.

16 Dhe ka për të ndodhur që, në rast se mësojnë me kujdes rrugët e popullit tim dhe në se betohen me emrin tim, duke thënë: "Zoti rron," ashtu siç e kanë mësuar popullin tim të betohet për Baalin, do të vendosen mirë e bukur në mes të popullit tim.

17 Por në rast se nuk do të dëgjojnë, unë do ta çrrënjos plotësisht atë komb dhe do ta shkatërroj," thotë Zoti.

13 Kështu më ka thënë Zoti: "Shko të më blesh një brez prej liri dhe vëre mbi ijët e tua, por mos e zhyt në ujë".

Kështu unë bleva brezin, sipas fjalëve të Zotit dhe e vura mbi ijët e mia.

Pastaj fjala e Zotit m’u drejtua për herë të dytë, duke thënë:

"Merr brezin që ke blerë dhe që e ke mbi ijët e tua, çohu, shko në drejtim të Eufratit dhe aty fshihe në të çarën e një shkëmbi".

Unë shkova dhe e fsheha pranë Eufratit, ashtu si më kishte porositur Zoti.

Mbas shumë ditësh ndodhi që Zoti më tha: "Çohu, shko në drejtim të Eufratit dhe merr aty brezin që të kisha urdhëruar të fshihje".

Unë shkova në drejtim të Eufratit, gërmova dhe mora brezin nga vendi ku e kisha fshehur. Por brezi ishte kalbur dhe nuk vlente më për asgjë.

Atëherë Zoti më drejtoi fjalën, duke thënë:

"Kështu thotë Zoti: "Në këtë mënyrë unë do të shkatërroj kryelartësinë e Judës dhe kryelartësinë e madhe të Jeruzalemit.

10 Ky popull i keq, që nuk pranon të dëgjojë fjalët e mia, që ecën kryelartë sipas zemrës së tij dhe u shkon pas perëndive të tjera për tu shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, do të bëhet si ky brez që nuk vlen më për asgjë.

11 sepse ashtu si brezi përputhet me ijët e njeriut, kështu unë kisha bërë që të përputhej me mua tërë shtëpia e Izraelit dhe tërë shtëpia e Judës," thotë Zoti, me qëllim që të ishin populli im për famën, lavdinë dhe zulmin tim, por nuk deshën të më dëgjojnë"".

12 "Prandaj ti do t’u thuash atyre këtë fjalë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Çdo poç do të mbushet me verë". Në rast se më vonë do të të thonë: "A nuk e dimë vallë që çdo poç mbushet me verë?,"

13 ti do t’u përgjigjesh atyre: "Kështu thotë Zoti: Ja, unë do t’i deh tërë banorët e këtij vendi: mbretërit që ulen në fronin e Davidit, priftërinjtë, profetët dhe tërë banorët e Jeruzalemit.

14 Do t’i copëtoj njërin kundër tjetrit, etërit dhe bijtë së bashku,"" thotë Zoti. "Nuk do të kem mëshirë, nuk do t’i fal, nuk do të kem asnjë dhembshuri që të më pengojë t’i shkatërroj".

15 Dëgjoni dhe vini veshin: Mos t’ju rritet mendja, sepse Zoti foli.

16 I jepni lavdi Zotit, Perëndisë tuaj, para se të sjellë terrin dhe para se këmbët tuaja të pengohen në malet e mbështjella në muzg, sepse ndërsa ju prisni dritën, ai e ndërron në hije të vdekjes dhe e ndryshon në errësirë të thellë.

17 Por në rast se nuk e dëgjoni këtë, shpirti im do të qajë në fshehtësi për shkak të kryelartësisë suaj, sytë e mi do të qajnë parreshtur dhe do të derdhin lot, sepse kopeja e Zotit do të çohet në robëri.

18 Thuaji mbretit dhe mbretëreshës nënë: "Uluni më poshtë, sepse sundimi juaj, kurora e lavdisë suaj, do të bjerë poshtë".

19 Qytetet e jugut janë të mbyllura dhe askush nuk do t’i hapë; tërë Juda është çuar në robëri, është çuar e tëra në robëri.

20 Ngrini sytë tuaj dhe shikoni ata që vijnë nga veriu; ku është kopeja që të ishte besuar, delet e tua të bukura?

21 Çfarë do të thuash kur të të ndëshkojë? Por ti vetë u ke mësuar atyre të jenë të parët dhe sunduesit e tu. A nuk do të të zënë dhembjet si një grua që është duke lindur?

22 Dhe në rast se do të thuash në zemrën tënde: "Përse më ndodhin këto gjëra?". Për shkak të përmasës së paudhësisë sate cepat e rrobës sate do të zbulohen dhe thembrat e tua do të duken lakuriq.

23 A mundet një Etiopias të ndryshojë lëkurën e tij o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju, që jeni mësuar të bëni të keqen, a do të mund të bënit të mirën?

24 "Prandaj do t’i shpërndaj si byku që e merr era e shkretëtirës.

25 Ky është fati yt, pjesa që mata për ty," thotë Zoti, "sepse më ke harruar dhe i ke besuar gënjeshtrës.

26 Prandaj do të ngre edhe unë cepat e rrobës sime mbi fytyrë, në mënyrë që të duket turpi yt.

27 Kam parë shkeljet e tua të kurorës, hingëllimat e tua, shthurjen e kurvërisë sate, gjërat e neveritshme të kryera në kodra dhe në fusha. Mjerë ti, o Jeruzalem! Për sa kohë akoma do të mbetesh i pëgërë?".

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes