Add parallel Print Page Options

Fjalët e Jeremias, birit të Hilkiahut, një nga priftërinjtë që ishin në Anathoth, në vendin e Beniaminit.

Fjala e Zotit iu drejtua në kohën e Josias, birit të Amonit, mbret i Judës, në vitin e trembëdhjetë të mbetërimit të tij;

iu drejtua gjithashtu në kohën e Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, deri në fund të vitit të njëmbëdhjetë të Sedekias, birit të Josias, mbret i Judës, domethënë deri në robërimin e Jeruzalemit, që ndodhi në muajin e pestë.

Fjala e Zotit m’u drejtua, duke më thënë:

"Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve".

Unë u përgjigja: "Mjerisht, o Zot, Zot, unë nuk di të flas, sepse jam një djalosh"".

Por Zoti më tha: "Mos thuaj: "Jam një djalosh," sepse ti do të shkosh te të gjithë ata te të cilët do të të dërgoj unë dhe do t’u thuash tërë ato që do të urdhëroj.

Mos ki frikë para tyre, sepse unë jam me ty për të të çliruar, thotë Zoti".

Pastaj Zoti shtriu dorën e tij dhe preku gojën time; mandej Zoti më tha: Ja, unë i vura fjalët e mia në gojën tënde..

10 Ja, sot unë të caktoj mbi kombet dhe mbi mbretëritë për të çrrënjosur dhe për të rrënuar, për të shembur dhe për të shkatërruar, për të ndërtuar dhe për të mbjellë".

11 Pastaj fjala e Zotit m’u drejtua mua, duke thënë: "Jeremia, çfarë shikon?". Unë u përgjigja: "Shikoj një degë bajameje".

12 Zoti më tha: "Ke parë mirë, sepse unë vigjëloj mbi fjalën time që të ketë efekt".

13 Fjala e Zotit m’u drejtua për herë të dytë, duke thënë: "Çfarë shikon?". Unë u përgjigja: "Shikoj një vorbë që zien dhe që e ka grykën të kthyer në drejtim të kundërt me veriun".

14 Zoti më tha: "Nga veriu fatkeqësia do të bjerë mbi gjithë banorët e vendit.

15 Sepse, ja, unë po bëhem gati të thëras tërë popujt e mbretërive të veriut, thotë Zoti. Ata do të vijnë dhe do të vendosin secili fronin e tij në hyrje të portave të Jeruzalemit, kundër tërë mureve të tij, rreth e qark, dhe kundër tërë qyteteve të Judës.

16 Atëherë do të shpall mendimet e mia kundër tyre, për shkak të gjithë ligësisë së tyre, sepse më kanë braktisur dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera dhe kanë rënë përmbys përpara veprës së duarve të tyre.

17 Prandaj ngjeshi ijët e tua, çohu dhe thuaju atyre tërë ato që do të të urdhëroj. Mos u tmerro para tyre, përndryshe do të të bëj që të tmerrohesh para tyre.

18 Ja, sot po të bëj një qytet të fortifikuar, një shtyllë të hekurt dhe një mur bronzi kundër gjithë vendit, kundër princave të tij dhe priftërinjve të tij dhe kundër popullit të vendit.

19 Ata do të luftojnë kundër teje por nuk do të të mundin sepse unë jam me ty për të të çliruar, thotë Zoti".

Fjala e Zotit m’u drejtua akoma për të thënë:

"Shko dhe bërtit në veshët e Jeruzalemit, duke thënë: Kështu thotë Zoti: Unë të kujtoj ty, kujdesin e dhembshur të rinisë sate, dashurinë në kohën e fejesës sate, kur më ndiqje në shkretëtirë në një tokë të pa mbjellë.

Izraeli i ishte shenjtëruar Zotit, prodhimet e para të korrjes së tij; tërë ata që i hanin bëheshin fajtorë dhe fatkeqësia binte mbi ta," thotë Zoti.

Dëgjoni fjalën e Zotit, o shtëpi e Jakobit, dhe ju të gjitha familjet e shtëpisë së Izraelit.

Kështu thotë Zoti: "Çfarë kanë gjetur të padrejtë tek unë etërit tuaj për t’u larguar nga unë, për të shkuar pas kotësisë dhe për t’u bërë ata vetë kotësi?

As nuk kanë thënë: "Ku është Zoti që na nxori nga vendi i Egjiptit, që na udhëhoqi nëpër shkretëtirë, nëpër një vend të thatë dhe me gremina, në një vend të zhuritur dhe me hije të vdekjes, nëpër një vend ku asnjeri nuk kishte kaluar dhe ku asnjeri nuk kishte banuar?".

Unë ju kam çuar në një vend pjellor që të hanit frytet e tij dhe të mirat e tij; por kur keni hyrë keni ndotur vendin tim dhe e keni bërë trashëgiminë time një gjë të neveritshme.

Priftërinjtë nuk kanë thënë: "Ku është Zoti?," ata që meren me ligjin nuk më njohën, barinjtë ngritën krye kundër meje, profetët profetizuan për Baalin dhe shkuan pas gjërave që nuk vlejnë asgjë.

Prandaj do t’ju padis akoma në gjyq," thotë Zoti, "dhe do t’u bëj gjyq bijve të bijve tuaj.

10 Shkoni në ishujt e Kitimit dhe shikoni, dërgoni njerëz në Kedar dhe kqyrni mirë nëse ka ndodhur një gjë e tillë.

11 A ka ndryshuar ndonjë komb perënditë e tij, edhe pse ato nuk janë perëndi? Por populli im e ka ndërruar lavdinë e tij për diçka që nuk vlen asgjë.

12 Habituni, o qiej, me këtë; lebetituni dhe dëshpërohuni shumë," thotë Zoti.

13 "Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin.

14 Izraeli a është vallë një skllav, o një skllav i lindur në shtëpi? Pse pra, u bë një pre?

15 Luanët e vegjël vrumbullojnë kundër tij, bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre dhe e katandisin vendin e tij në një shkatërrim të plotë; qytetet e tij janë djegur dhe askush nuk banon më në to.

16 Madje dhe banorët e Nofit dhe të Tahpanhesit të hanë kurorën që ke mbi kokë.

17 Mos vallë ti u bëre shkak që të të bjerë kjo mbi krye, sepse ke braktisur Zotin, Perëndinë tënd, ndërsa të udhëhiqte nëpër rrugë?

18 Dhe tani pse ke marrë rrugën që të çon për në Egjipt, për të shkuar të pish ujërat e Shihorit? Ose pse ke marrë rrugën që të çon në Asiri, për të shkuar të pish ujërat e Lumit?

19 Vetë sjellja jote e keqe dhe shmangiet e tua do të të dënojnë. Prano, pra, dhe shiko sa e keqe dhe e hidhur për ty është të braktisësh Zotin, Perëndinë tënd, dhe të mos kesh fare frikë nga unë," thotë Zoti, Zoti i ushtrive.

20 "Sepse prej shumë kohe ke thyer zgjedhën tënde, ke prerë lidhjet e tua dhe ke thënë: "Nuk dua të shërbej më!". Por mbi çdo kodër të lartë dhe nën çdo pemë të gjelbër ti je shtrirë si një prostitutë.

21 Megjithatë të kisha mbjellë si një vresht fisnik i tërë i cilësisë më të lartë; si ke ndryshuar, pra, ndaj meje në degë të degjeneruara vreshti të huaj?

22 Edhe sikur të laheshe me sodë dhe të përdorje shumë sapun, paudhësia jote do të linte një njollë të pashlyeshme para meje," thotë Perëndia, Zoti.

23 "Si mund të thuash: "Nuk jam e ndotur, nuk u kam vajtur pas Baalëve"? Shiko rrugën që ke përshkuar në luginë, prano atë që ke bërë, deve e shpejtë, që vrapon pa fre në rrugët e saj.

24 Gomaricën e egër, që është mësuar në shkretëtirë, që merr frymë në afshin e dëshirës së saj; kush mund ta përmbajë në stinën e dashurisë? Të gjithë ata që e kërkojnë nuk duhet të lodhen: do ta gjejnë në muajin e vet.

25 Pengo që këmba jote të mbetet zbathur dhe që të të thahet gryka. Por ti ke thënë: "Eshtë e kotë. Jo! Unë i dua të huajt dhe dëshiroj të shkoj pas tyre".

26 Ashtu si mbetet i hutuar vjedhësi kur kapet në flagrancë, kështu janë të hutuar ata të shtëpisë së Izraelit, ata vetë, mbreti i tyre, princat e tyre, priftërinjtë e tyre dhe profetët e tyre,

27 të cilët i thonë drurit: "Ti je ati im" dhe gurit: "Ti na ke dhënë jetën". Po, ata më kanë kthyer kurrizin dhe jo fytyrën. Por në kohën e fatkeqësisë së tyre thonë: "Çohu dhe na shpëto!".

28 Po ku janë perënditë e tua që ti ke sajuar? Le të ngrihen po qe se mund të të shpëtojnë në kohën e fatkeqësisë sate. Sepse të shumtë si qytetet e tua janë perënditë e tua, o Judë.

29 Pse grindeni me mua? Ju të gjithë keni ngritur krye kundër meje," thotë Zoti.

30 "Më kot i kam goditur bijtë tuaj; nuk e pranuan korrigjimin. Shpata juaj i ka përpirë profetët tuaj si një luan shkatërrimtar.

31 O brezni, ki parasysh fjalën e Zotit! A kam qenë vallë një shkretëtirë për Izraelin ose një vend me errësirë të dendur? Sepse populli im thotë: "Ne endemi lirisht, nuk do të kthehemi më te ti"?

32 A mund t’i harrojë një vajzë stolitë e saj ose një nuse brezin e saj? Megjithatë populli im më ka harruar nga një numër shumë i madh ditësh.

33 Sa bukur di t’i përdorësh mënyrat e tua për të siguruar dashurinë! Kështu ua ke mësuar mënyrat e tua madje edhe grave të këqija.

34 Bile edhe në cepat e rrobës sate gjendet gjaku i të pafajmëve të mjerë, që nuk u kapën duke bërë vjedhje me thyerje. Por me gjithë këto gjëra,

35 ti thua: "Jam e pafaj; me siguri zemërimi i tij është tërhequr nga unë". Ja, unë do të hyj në gjyq me ty sepse ke thënë: "Nuk kam mëkatuar".

36 Pse endesh poshtë e përpjetë, duke ndryshuar rrugën tënde? Do të mbetesh e zhgënjyer edhe nga Egjipti, ashtu siç u zhgënjeve nga Asiria.

37 Edhe prej këtij do të dalësh me duart mbi kokë, sepse Zoti ka hedhur poshtë ata te të cilët ti ke besim, dhe ti nuk do të realizosh me anë të tyre qëllimet e tua.

Në rast se një burrë e ndan gruan e tij dhe kjo ikën prej tij dhe bëhet gruaja e një burri tjetër, a do të kthehet vallë ai tek ajo? A nuk do të ishte ai vend shumë i përdhosur? Ti je kurvëruar me shumë dashnorë, por a do të dëshiroje të kthehesh tek unë?," thotë Zoti.

"Ço sytë në drejtim të lartësive dhe shiko: ku nuk ke rënë në shtrat me ta? Ti je ulur pranë rrugëve për t’i pritur si një Arab në shkretëtirë, dhe ke ndotur vendin me kurvërimet e tua dhe me ligësitë e tua.

Prandaj shirat u përmbajtën dhe shiu i fundit nuk ra. Por ti ke patur një ballë prostitute dhe nuk ke pranuar të kesh turp.

A nuk më ke thirrur bash tani: "Ati im, ti je miku i rinisë sime!

A do të mbetet i zemëruar për gjithnjë? A do ta ruajë zemërimin deri në fund?". Ja, ti flet kështu, por ndërkohë ti po kryen të gjitha ligësitë që mundesh".

Zoti më tha në kohën e mbretit Josia: "E pe atë që Izraeli rebel ka bërë? Ka shkuar mbi çdo mal të lartë dhe nën çdo dru të gjelbër dhe aty është kurvëruar.

Unë thoja: "Mbasi t’i ketë bërë tërë këto gjëra do të kthehet tek unë". Por nuk u kthye; dhe motra e vet e pabesë Juda e pa.

Dhe megjithëse unë kisha ndarë Izraelin rebel për shkak të të gjitha shkeljeve të tij dhe i kisha dhënë letrën e ndarjes, pashë që motra e vet e pabesë Juda nuk pati fare frikë, por shkoi edhe ajo të kurvërohet.

Kështu me zhurmën e kurvërimeve të veta e ndoti vendin dhe shkeli kurorën me gurin dhe me drurin.

10 Ndonëse ndodhën tërë këto, motra e vet e pabesë Juda nuk u kthye tek unë me gjithë zemrën e saj, por me simulime," thotë Zoti.

11 Pastaj Zoti më tha: "Izraeli rebel u tregua më i drejtë se e pabesa Judë.

12 Shko dhe shpalli këto fjalë në drejtim të veriut, duke thënë: "Kthehu, o Izrael rebel,"" thotë Zoti, "nuk do ta hedh zemërimin tim mbi ju, sepse jam i mëshirshëm," thotë Zoti, "dhe nuk mbetem i zemëruar për gjithnjë.

13 Vetëm prano paudhësinë tënde, sepse je rebeluar kundër Zotit, Perëndisë tënd; ua ke shkapërderdhur favoret e tua të huajve poshtë çdo druri të gjelbëruar dhe nuk ke dëgjuar zërin tim," thotë Zoti.

14 "Kthehuni, o bij të përdalë," thotë Zoti, "sepse unë kam pushtet mbi ju. Do t’ju marr një në çdo qytet dhe dy nga çdo familje dhe do t’ju çoj përsëri në Sion.

15 Do t’ju jap pastaj barinj sipas zemrës sime, që do t’ju kullosin me dije dhe dituri.

16 Dhe ka për të ndodhur që kur të shumoheni dhe do të jeni pjellorë në vend, në ato ditë," thotë Zoti, "nuk do të thuhet më: "Arka e besëlidhjes të Zotit". Nuk do t’ju shkojë më ndër mend, nuk do ta kujtojnë më, nuk do të shkojnë ta shikojnë më, nuk do të bëhet një tjetër.

17 Atëherë Jeruzalemi do të quhet "Froni i Zotit"; tërë kombet do të mblidhen pranë tij në emër të Zotit, në Jeruzalem, dhe nuk do të ecin më sipas kryeneçësisë së zemrës së tyre të keqe.

18 Në ato ditë shtëpia e Judës do të ecë me shtëpinë e Izraelit dhe së bashku do të vijnë nga vendi i veriut në vendin që u dhashë si trashëgimi etërve tuaj.

19 Unë thoja: "Me çfarë dëshire do të të vendosja midis bijve të mi dhe do të të jepja një vend të mrekullueshëm, një trashëgimi të shkëlqyer midis gjithë kombeve!". Thoja: "Ti do të më quash: Ati im!, dhe nuk do të largohesh më nga unë".

20 Por ashtu si një grua nuk është besnike ndaj burrit të saj, kështu ju keni qenë jobesnikë ndaj meje, o shtëpia e Izraelit," thotë Zoti.

21 Një zë dëgjohet në lartësitë; të qarat dhe lutjet e bijve të Izraelit, sepse kanë prishur rrugën e tyre dhe kanë harruar Zotin, Perëndinë e tyre.

22 "Kthehuni, o bij të përdalë, unë do të shëroj rebelimet tuaja". "Ja, ne po vijmë te ti, sepse ti je Zoti, Perëndia ynë.

23 Me siguri ndihma që pritet nga kodrat e nga numri i madh i maleve është e kotë; me siguri shpëtimi i Izraelit qëndron te Zoti, Perëndia ynë.

24 Ajo gjë e neveritshme ka përpirë frytin e mundit të etërve tanë qysh prej rinisë sonë, delet dhe qetë e tyre, bijtë e tyre dhe bijat e tyre.

25 Le të biem në shtrat me turpin tonë dhe le të na mbulojë poshtërsia jonë, sepse kemi mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tonë, ne dhe etërit tanë qysh prej rinisë sonë e deri në këtë ditë, dhe nuk kemi dëgjuar zërin e Zotit, Perëndisë tonë".