A A A A A
Bible Book List

Isaia 59-63 Albanian Bible (ALB)

59 Ja, dora e Zotit nuk është tepër e shkurtër për të shpëtuar, as veshi i tij nuk është tepër i rënduar për të dëgjuar.

Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më.

Sepse duart tuaja janë ndotur me gjak dhe gishtërinjtë tuaj me paudhësi; buzët tuaja thonë gënjeshtra, gjuha juaj pëshpërit çoroditje.

Askush nuk çel padi me drejtësi, askush nuk e mbron me të vërtetën; kanë besim te fjalët boshe dhe thonë gënjeshtrën, mendojnë të keqen dhe pjellin paudhësinë.

Bëjnë që të çelin vezët e nepërkës dhe tjerrin rrjeta merimangash; ai që ha nga vezët e tyre vdes, dhe nga veza e shtypur del jashtë një nepërkë.

Rrjetat e tyre nuk do të bëhen rroba, as nuk do të mbulohen me atë që kanë bërë. Veprat e tyre janë vepra paudhësie dhe në duart e tyre ka veprime dhune.

Këmbët e tyre vrapojnë drejt së keqes dhe shpejtojnë të derdhin gjak të pafaj; mendimet e tyre janë mendime paudhësie; në shtigjet e tyre ka pikëllim dhe shkatërrim.

Rrugën e paqes nuk e njohin dhe nuk ka ndershmëri në rrugët e tyre; i bëjnë dredharake shtigjet e tyre dhe secili që ecën nëpër to nuk njeh paqe.

Prandaj ndershmëria është larg nesh dhe drejtësia nuk arrin deri te ne; prisnim dritën, por ja që erdhi errësira, prisnim shkëlqimin, por ja që ecim në errësirë.

10 Prekim murin si të verbërit, ecim verbazi sikur të ishim pa sy; pengohemi në mesditë sikur të ishte mugëtirë; në vende të shkretuara jemi si të vdekur.

11 Ne të gjithë ulërijmë si arinj dhe vazhdojmë të rënkojmë si pëllumbesha, presim të vijë ndershmëria, por ajo nuk vjen; shpëtimin, por ai është larg nesh.

12 Sepse shkeljet tona janë shumuar para teje dhe mëkatet tona dëshmojnë kundër nesh, sepse shkeljet tona na rrinë përpara dhe fajet tona i njohim:

13 duke u rebeluar dhe duke mohuar Zotin, duke mos e ndjekur më Perëndinë tonë, duke folur për shtypje dhe kryengritje, duke i dhënë dhe duke murmuritur në zemër fjalë të rreme.

14 Ndershmëria është larguar dhe drejtësia ka mbetur larg, sepse e vërteta nuk ndodhet më në shesh dhe paanësia nuk mund të hyjë në të.

15 Kështu e vërteta është zhdukur, dhe ai që tërhiqet nga e keqja bëhet një pre e lehtë. Zoti e pa këtë dhe i erdhi keq që nuk ka më ndershmëri.

16 Ai e pa që nuk kishte më asnjë dhe u habit që askush nuk ndërhynte; atëherë i erdhi në ndihmë krahu i tij dhe drejtësia e tij e ka mbajtur,

17 ai u veshi me drejtësinë si me një parzmore dhe vuri mbi kryet e tij përkrenaren e shpëtimit, veshi rrobat e hakmarrjes dhe u mbulua me xhelozi si me një mantel.

18 Ai do t’i japë secilit sipas veprave të tij; tërbimin kundërshtarëve të tij, shpagimin armiqve të tij; ishujve do t’u japë shpërblim të plotë.

19 Kështu do të kenë frikë nga emri i Zotit ata nga perëndimi prej lavdisë së tij ata nga lindja; kur kundërshtari do të vijë si një lum i furishëm, Fryma e Zotit do të lartojë kundër tij një flamur.

20 "Një çlirues do të vijë në Sion dhe për ata të kthyerit nga rebelimi i tyre te Jakobi," thotë Zoti.

21 "Sa për mua, kjo është besëlidhja ime me ata," thotë Zoti: "Fryma ime është mbi ty dhe fjalët e mia që vura në gojën tënde nuk do të largohen kurrë nga goja jote as nga goja e pasardhësve të tu, as nga goja e pasardhësve të pasardhësve të tu," thotë Zoti, "tani e përgjithmonë".

60 "Çohu, shkëlqe, sepse drita jote ka ardhur, dhe lavdia e Zotit u ngrit mbi ty.

Sepse ja, terri mbulon tokën dhe një errësirë e dëndur mbulon popujt; por mbi ty ngrihet Zoti dhe lavdia e tij duket mbi ty.

Kombet do të ecin në dritën tënde dhe mbretërit në shkëlqimin e daljes sate.

Ngrej sytë e tu rreth e qark dhe shiko; mblidhen të gjithë dhe vijnë te ti; bijtë e tu do të vijnë nga larg dhe bijat e tua do t’i sjellin në krahë.

Atëherë do të shikosh dhe do të jesh i kënaqur, zemra jote do të rrahë fort dhe do të hapet sepse bollëku i detit do të vijë te ti, pasuria e kombeve do të vije tek ti.

Një mori devesh do të të mbulojë, dromedarë të Madianit dhe të Efahut, ato të Shebas do të vijnë të gjitha, duke sjellë ar dhe temjan dhe do të shpallin lëvdimet e Zotit.

Të tëra kopetë e Kedarit do të mblidhen pranë teje, deshtë e Nebajothit do të jenë në shërbimin tënd, do të ngjiten mbi altarin tim si një ofertë e pëlqyer, dhe unë do ta bëj të lavdishëm tempullin e lavdisë sime.

Kush janë këta që fluturojnë si një re dhe si pëllumba në drejtim të foleve të tyre?

Po, ishujt do të kenë shpresa tek unë, me anijet e Tarshishit në radhë të parë, për të sjellë nga larg bijtë e tu me argjendin e tyre dhe arin e tyre, për emrin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe të Shenjtit të Izraelit, që do të të ketë bërë të bukur.

10 Bijtë e të huajit do të rindërtojnë muret e tua dhe mbretërit e tyre do të vihen në shërbimin tënd, sepse në zemërimin tim të godita, por në dashamirësinë time kisha dhembshuri për ty.

11 Portat e tua do të jenë gjithnjë të hapura, nuk do të mbyllen as ditën as natën, që të mund të futin te ti pasurinë e kombeve me mbretërit e tyre në krye.

12 Sepse kombi dhe mbretëria që nuk do të të shërbejnë do të zhduken, dhe ato kombe do të shkatërrohen plotësisht.

13 Lavdia e Libanit do të vijë te ti, bashkë me selvinë, larshin dhe bredhin, për të zbukuruar vendin e shenjtërores sime, dhe unë do të bëj të lavdishëm vendin ku shkelin këmbët e mia.

14 Edhe bijtë e shtypësve të tu do të vijnë duke u përkulur para teje, dhe të gjithë ata që të kanë përçmuar do të bien përmbys në këmbët e tua dhe do të thërrasin: "qyteti i Zotit," "Sioni i të Shenjtit të Izraelit".

15 Në vend që ty të të braktisin dhe të të urrejnë, aq sa askush nuk kalonte më nga ti, unë do të të bëj një shkëlqim të përjetshëm, gëzimin e shumë brezave.

16 Ti do të thithësh qumështin e kombeve, do të thithësh gjitë e mbretërve dhe do të pranosh që unë, Zoti, jam Shpëtimtari yt dhe Çliruesi yt, i Fuqishmi i Jakobit.

17 Në vend të bronzit do të sjell ar, në vend të hekurit do të sjell argjend, në vend të drurit bronz, në vend të gurëve hekur; do të vendos si gjukatësin tënd paqen dhe si kujdestarin tënd drejtësinë.

18 Nuk do të dëgjohet të flitet më për dhunë në vendin tënd, as për shkatërrime dhe rrënoja brenda kufijve të tu; por do t’i quash muret e tua Shpëtimm" dhe portat e tua "Lavdërim".

19 Dielli nuk do të jetë më drita jote gjatë ditës, as hëna nuk do të të ndriçojë më me vezullimin e saj; por Zoti do të jetë drita jote e përjetshme dhe Perëndia yt lavdia jote.

20 Dielli yt nuk do të perëndojë më dhe hëna jote nuk do të tërhiqet më, sepse Zoti do të jetë drita jote e përjetshme dhe ditët e tua të zisë do të marrin fund.

21 Tërë ata të popullit tënd do të jenë të drejtë; ata do të zotërojnë vendin përjetë, farën që unë mbolla, veprën e duarve të mia, për të shfaqur lavdinë time.

22 Më i vogli do të bëhet një mijëshe, minimumi një komb i fuqishëm. Unë, Zoti, do t’i shpejtoj gjërat në kohën e tyre.

61 Fryma e Zotit, Zoti është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, të shpall çlirimin e atyre që janë në robëri, hapjen e burgut të burgosurve,

të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes të Perëndisë tonë, për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen,

për t’u dhënë gëzim atyre që pikëllohen në Sion, për t’u dhënë atyre një diademë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë, mantelin e lavdërimit në vend të një fryme të ligështuar, me qëllim që të quhen lisa të drejtësisë mbjellja e Zotit, për të paraqitur lavdinë e tij.

Ata do të rindërtojnë rrënojat e vjetra, do të rimëkëmbin vendet që janë shkretuar në të kaluarën, do të restaurojnë qytetet e shkretuara dhe të shkatërruara prej shumë brezash.

Të huajtë do të vijnë të kullosin kopetë tuaja, bijtë e të huajit do të jenë bujq tuaj dhe vreshtarë tuaj.

Por ju do të quheni "priftërinj të Zotit" dhe do të quheni "ministra të Perëndisë tonë". Ju do të gëzoni pasuritë e kombeve, dhe lavdia e tyre do të kalojë te ju.

Në vend të turpit tuaj do të keni një nderim të dyfishtë; në vend të hutimit do të ngazëllojnë në trashëgiminë e tyre. Prandaj në vendin e tyre do të zotërojnë dyfishin dhe do të kenë një ngazëllim të përjetshëm.

Sepse unë, Zoti, e dua drejtësinë, urrej vjedhjennë olokaust: unë do t’u jap atyre me besnikmëri shpërblimin dhe do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme.

Pasardhësit e tyre do të jenë të njohur ndër kombet dhe brezi i tyre ndër popuj; tërë ata që do t’i shohin do t’i njohin, sepse ata janë një fis i bekuar nga Zoti.

10 Unë do të gëzohem shumë tek Zoti, shpirti im do të kremtojë Perëndinë tim, sepse më ka veshur me rrobat e shpëtimit, më ka mbuluar me mantelin e drejtësisë, ashtu si një dhëndër që vë një diademë, si një nuse që zbukurohet me xhevahiret e saj.

11 Prandaj, ashtu si toka bën që të rritet bimësia e saj dhe kopshti bën që të mbijë atë që është mbjellë, po kështu Zoti, Zoti, do të bëjë që të mbijë drejtësia dhe lëvdimi përpara tërë kombeve.

62 Për hir të Sionit unë nuk do të hesht dhe për hir të Jeruzalemit nuk do të gjej prehje deri sa drejtësia e saj të mos dalë si agimi dhe shpëtimi i saj si një pishtar flakërues.

Atëherë kombet do të shohin drejtësinë tënde dhe tërë mbretërit lavdinë tënde; do të thirresh me një emër të ri, që do ta tregojë goja e Zotit.

Do të jesh një kurorë e shkëlqyer në dorën e Zotit, një diademë mbretërore në dorë të Perëndisë tënd.

Nuk do të quhesh më "E braktisur," as toka jote nuk do të quhet më "E shkretë," por do të të quajnë "Kënaqësia ime është tek ajo" dhe toka jote "E Martuar," sepse Zoti gjen kënaqësi te ti, dhe toka jote do të ketë një dhëndër.

Prandaj, ashtu si një i ri martohet me një të virgjër, bijtë e tu do të martohen me ty; dhe ashtu si i martuari gëzohet me nusen, kështu Perëndia do të gëzohet për ty.

Mbi muret e tua, o Jeruzalem, kam vënë roje që nuk do të heshtin kurrë, as ditën as natën. Ju që i kujtoni Zotit premtimet e tij, mos rrini në heshtje,

dhe mos e lini të pushojë, deri sa ta ketë rivendosur Jeruzalemin dhe ta bëjë atë lëvdimin e të gjithë tokës.

Zoti është betuar për krahun e tij të djathtë dhe për krahun e tij të fuqishëm: "Nuk do t’u jap më grurin tënd si ushqim armiqve të tu dhe bijtë e të huajit nuk do të pinë më mushtin tënd për të cilin je munduar.

Por ata që do ta kenë mbledhur grurin do të hanë dhe do të lëvdojnë Zotin, dhe ata që do të kenë vjelur, do të pinë mushtin në oborret e shenjtërores sime".

10 Kaloni, kaloni nëpër porta! Përgatitni rrugën për popullin! Shtroni, shtroni udhën, hiqni gurët, ngrini një flamur para popujve!

11 Ja, Zoti shpalli deri në skajin e tokës: "I thoni bijës së Sionit: Ja, shpëtimi yt po vjen; ja, ka me vete shpërblimin e saj dhe shpërblimi i saj e pararend.

12 Do t’i quajnë "Populli i shenjtë," "Të çliruarit e Zotit," dhe ti do të quhesh "E kërkuara," "Qyteti i pabraktisur"".

63 Kush është ai që vjen nga Edomi, nga Botsrahu, me rrobat e ngjyrosura me bojë të kuqe flakë? Ky, i veshur shkëlqyeshëm, që ecën në madhështinë e forcës së tij? "Jam unë që flas me drejtësi dhe jam i fuqishëm për të shpëtuar".

Pse veshja jote është e kuqe dhe rrobat e tua si ata që shtrydhin rrushin në gaviç?

"Gaviçin e shtypa vetëm dhe asnjë nga popujt nuk ishte me mua. I shtypa në zemërimin tim dhe i shkela në tërbimin tim. Gjaku i tyre spërkati rrobat e mia dhe njollosa tërë veshjet e mia.

Sepse dita e hakmarrjes ishte në zemrën time dhe viti i çlirimit tim ka ardhur.

Shikova, por nuk kishte asnjeri që të më ndihmonte; shtanga që askush nuk po më ndihmonte. Atëherë vetë krahu im më ka shpëtuar dhe tërbimi im më ka ndihmuar.

I shkela me këmbë popujt në zemërimin tim, i deha në tërbimin tim dhe bëra që të derdhet gjaku i tyre mbi tokë".

Unë do të kujtoj mirësitë e Zotit, lavdimet e Zotit për gjithçka që na ka dhënë si dhe mirësinë e madhe që i ka siguruar shtëpisë së Izraelit sipas dhembshurive të tij dhe sipas dashamirësisë së tij të madhe.

Ai në fakt kishte thënë: "Ata me të vërtetë janë populli im, bij që nuk do të veprojnë në mënyrë të rreme". Kështu ai u bë Shpëtimtari i tyre.

Në çdo hidhërim të tyre ai u hidhërua, dhe Engjëlli i pranisë së tij i shpëtoi; me dashurinë dhe dhembshurinë e tij i çliroi, i lartoi dhe u solli tërë ditët e së kaluarës.

10 Por ata u rebeluan dhe e trishtuan Frymën e tij të shenjtë; prandaj ai u bë armiku i tyre dhe luftoi kundër tyre.

11 Atëherë populli i tij kujtoi ditët e lashta të Moisiut. Ku është ai që i nxori nga deti me bariun e kopesë së tij? Ku është ai që vinte në mes tyre Frymën e tij të shenjtë,

12 që i drejtonte nëpërmjet të djathtës së Moisiut me krahun e tij të lavdishëm, që i ndau ujërat para tyre për të bërë një emër të përjetshëm,

13 që i çoi nëpër humnera, si një kalë në shkretëtirë, që të mos pengoheshin?

14 Ashtu si zbret bagëtia në luginë, Fryma e Zotit i bëri të pushojnë. Kështu ti e udhëhoqe popullin tënd për të bërë një emër të lavdishëm.

15 Shiko nga qielli dhe shiko nga banesa jote e shenjtë dhe e lavdishme. Ku është zelli yt dhe fuqia jote? Drithërima e të përbrendëshmeve të tua dhe dhembshuritë e tua të thella ndaj meje mos vallë janë shtypur?

16 Sepse ti je ati ynë, megjithëse Abrahami nuk na njihte dhe Izraeli nuk e di se ekzistojmë. Ti, o Zot, je ati ynë, Çliruesi ynë, emri yt vazhdon ngaherë.

17 O Zot, pse na bën që të endemi larg rrugëve të tua dhe pse fortëson zemrën tonë që të mos ketë frikë nga ti? Për hir të shërbëtorëve të tu, kthehu në fiset e trashëgimisë sate.

18 Brenda një kohe të shkurtër populli yt i shenjtë ka shtënë në dorë vendin; armiqtë tanë kanë shkelur shenjtëroren tënde.

19 Ne u bëmë si ata mbi të cilët nuk ke qeverisur kurrë, mbi të cilët emri yt nuk ishte thirrur kurrë.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes