Add parallel Print Page Options

45 "Kështu i thotë Zoti të vajosurit të tij, Kirit, që unë e mora me dorën e djathtë, që të hedh poshtë para tij kombet: Po, unë do të zgjidh brezat që mbretërit mbajnë në ijë, për të hapur para tij portat me dy kanate dhe që portat të mos mbeten të mbyllura.

Unë do të ec para teje dhe do të sheshoj vendet e ngritura, do të bëj copë-copë portat prej bronzi dhe do të thyej shufrat prej hekuri.

Do të të jap thesaret e territ dhe pasuritë e fshehura në vende të fshehta, me qëllim që ti të njohësh që unë jam Zoti, Perëndia i Izraelit, që të thërret me emër.

Për hir të Jakobit, shërbëtorit im, dhe për hir të Izraelit, të zgjedhurit tim, unë të thirra me emër dhe të dhashë një titull nderi megjithëse ti nuk më njihje.

Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër; jashtë meje nuk ka Perëndi. Të kam rrethuar, ndonëse ti nuk më njihje,

me qëllim që nga lindja në perëndim të pranohet që nuk ka asnjë Perëndi përveç meje. Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër.

Unë formoj dritën dhe krijoj terrin, sjell mirëqënien dhe krijoj fatkeqësinë. Unë, Zoti, i bëj të gjitha këto gjëra".

Pikëloni, o qiej, nga lart dhe retë le të bëjnë të bjerë si shi drejtësia. Le të hapet toka, të prodhojë shpëtimin dhe të bëjë të mbijë njëkohësisht drejtësia. Unë, Zoti, e kam krijuar këtë.

Mjerë ai që i kundërvihet atij që e ka formuar, një fragment enësh balte me fragmente të tjera të enëve prej balte. A do t’i thotë argjila atij që i jep formë: "Ç’po bën?," a do të thotë vepra jote: "Nuk ka duar?".

10 Mjerë ai që i thotë të atit: "Çfarë po lind?". dhe nënës së tij: "Çfarë po pjell?".

11 Kështu thotë Zoti, i Shenjti i Izraelit dhe ai që e ka formuar: "Përsa u përket gjërave të së ardhmes më bëni pyetje rreth bijve të mi dhe më jepni urdhëra rreth veprës së duarve të mia?

12 Por unë kam bërë tokën dhe kam krijuar njeriun mbi të; me duart e mia kam shpalosur qiejtë dhe komandoj tërë ushtrinë e tyre.

13 Unë e ngjalla atë në drejtësinë time dhe do të sheshoj tërë rrugët e tij; ai do të rindërtojë qytetin tim dhe do t’i kthejë të lirë të mërguarit e mi pa paguar shpengim dhe pa bërë dhurata," thotë Zoti i ushtrive.

14 Kështu thotë Zoti: "Fryti i mundimeve të Egjiptit dhe mallrat e Etiopisë dhe të Sabejve, njerëz me shtat të lartë, do të të kalojnë ty dhe do të të përkasin ty; ata do të ecin pas teje, të lidhur me zinxhirë; do të bien përmbys para teje dhe do të të luten fort, duke thënë: "Me siguri Perëndia është te ti dhe nuk ka asnjë tjetër; nuk ka Perëndi tjetër"".

15 Në të vërtetë ti je një Perëndi që fshihesh, o Perëndi i Izraelit, o Shpëtimtar.

16 Do të mbeten të gjithë të turpëruar dhe të hutuar, po, do të ikin të gjithë bashkë, të mbuluar me turp, sajuesit e idhujve.

17 Por Izraeli do të shpëtohet nga Zoti me një shpëtim të përjetshëm; ju nuk do të turpëroheni ose të hutoheni kurrë më përjetë.

18 Sepse kështu thotë Zoti që ka krijuar qiejtë, ai, Perëndia që ka formuar tokën dhe e ka bërë; ai e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej: "Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër.

19 Unë nuk kam folur fshehtas në një cep të errët të dheut; nuk u kam thënë pasardhësve të Jakobit: "Më kërkoni kot". Unë, Zoti, them atë që është e drejtë dhe deklaroj gjërat që janë të vërteta.

20 Mblidhuni dhe ejani, afrohuni bashkë, ju që keni shpëtuar nga kombet! Nuk kanë mend ata që mbajnë një shëmbëlltyrë prej drurit të gdhendur prej tyre dhe i luten një perëndi që nuk mund të shpëtojë.

21 Shpalleni dhe paraqitni arsyetimet tuaja, po, le të këshillohen edhe bashkë. Kush e ka shpallur këtë që në kohët e lashta dhe e ka parashikuar prej një kohe të gjatë? Vallë, nuk jam unë, Zoti? Nuk ka Perëndi tjetër veç meje, një Perëndi i drejtë, një Shpëtimtar; nuk ka asnjë veç meje.

22 Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër.

23 Jam betuar në veten time, nga goja ime ka dalë një fjalë drejtësie dhe nuk do ta tërheq; çdo gju do të përkulet para meje dhe çdo gjuhë do të betohet për mua.

24 Do të thuhet për mua: "Vetëm tek Zoti kam drejtësi dhe forcë"". Tek ai do të vijnë tërë ata që ishin të ndezur me zemërim kundër tij dhe do të turpërohen.

25 Në Zoti do të shfajesohen dhe do të përlëvdohen gjithë pasardhësit e Izraelit.

46 Beli ka rënë, Nebo është rrëzuar; idhujt e tyre i kanë çuar tutje me kafshë barre dhe me pela; gjërat që ju transportonit janë ngarkuar si pesha të rënda për kafshët e lodhura.

Janë shembur, kanë rënë bashkë; nuk kanë mundur të shpëtojnë ngarkesën, por ata vetë kanë shkuar në robëri.

"Dëgjomëni, o shtëpi e Jakobit, dhe tërë mbetja e shtëpisë së Izraelit, që ju kam përkrahur që kur keni lindur, që jeni mbajtur nga unë qysh në bark të nënës;

"Deri në pleqërinë tuaj unë do të mbetem po ai, unë do t’ju mbaj deri sa të thinjeni. Unë ju kam bërë dhe unë do t’ju përkrah; po, do t’ju mbaj dhe do t’ju shpëtoj".

Me cilin doni të më barazoni, me cilin doni të më krahasoni që mund të jemi të njëllojtë?

Këta harxhojnë arin e çantës dhe peshojnë argjendin me peshore, paguajnë një argjendar që me to të sajojë një perëndi; pastaj bien përmbys para tij dhe e adhurojnë.

E ngarkojnë mbi kurriz dhe e mbartin, e vënë në vendin e tij dhe mbetet atje; nga vendi i tij nuk lëvizet më. Edhe sikur dikush t’i thërrasë atij, ai nuk i përgjigjet as e shpëton nga fatkeqësia e tij.

Kujtoni këtë dhe tregohuni burra! Silleni atë ndërmend, o shkelës.

Kujtoni gjërat e kaluara të kohëve shumë të vjetra, sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua,

10 që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: "Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen,"

11 duke thirrur nga lindja një zog grabitqar dhe nga një tokë e largët njeriun që do të zbatojë planin tim. Po, kam folur dhe do të bëj që të ndodhë; kam bërë planin dhe do ta realizoj.

12 Dëgjomëni, e zemërkryeneçë, që i jeni larguar drejtësisë.

13 Po e afroj drejtësinë time, ajo nuk është larg; shpëtimi im nuk do të vonojë. Do ta vë shpëtimin te Sioni dhe do t’i tregoj lavdinë time Izraelit".

47 "Zbrit dhe ulu në pluhur, o e virgjër bijë e Babilonisë. Ulu në tokë, pa fron, o bijë e Kaldeasve, sepse nuk do të quajnë më të brishtë dhe të njomë.

Vër dorën mbi mokrën dhe bluaj miellin; lëvize velin tënd, ngrije bishtin e fustanit, zbulo këmbën dhe kalo lumenjtë.

Lakuriqësia jote do të zbulohet dhe do të shihet gjithashtu turpi yt; do të hakmerrem dhe asnjeri nuk do të ndërhyjë".

Shpëtimtari ynë, emri i të cilit është Zoti i ushtrive, është i Shenjti i Izraelit.

"Ulu në heshtje dhe shko në terr, o bijë e Kaldeasve, sepse nuk do të të quajnë më zonjë të mbretërive.

Jam zemëruar me popullin tim, kam përdhosur trashëgiminë time dhe i kam dhënë në pushtetin tënd, por ti nuk ke perdorur për ta kurrfarë mëshire; zgjedhën tënde e ushtrove sidomos mbi të moshuarit,

dhe the: "Unë do të jem zonjë përjetë," dhe kështu nuk i vure këto gjëra në zemër dhe nuk more parasysh fundin e gjithë kësaj ngjarjeje.

Por tani dëgjo, o epshndjellëse, që banon në një vend të sigurt dhe thua në zemrën tënde: "Unë, dhe asnjë tjetër! Nuk do të mbetem kurrë e ve dhe s’kam për të njohur humbjen e fëmijëve".

Por këto dy gjëra do të të ndodhin në një çast, në po atë ditë: humbja e fëmijëve dhe vejëria; do të të bien plotësisht mbi kurriz, për shkak të numrit të madh të magjive të tua dhe për morinë e yshtjeve të tua.

10 Ti kishe besim në djallëzinë tënde dhe thoje: "Askush nuk më sheh". Dituria jote dhe njohuritë e tua të kanë mashtruar, dhe ti thoje në zemrën tënde:

11 "Unë dhe askush tjetër". Prandaj do të të vijë një fatkeqësi dhe nuk do të dish se nga të vjen; do të bjerë një fatkeqësi, që nuk do të jesh në gjendje ta shmangësh me asnjë lloj shlyerje; do të bjerë papritmas në trup një shkatërrim, që nuk e ke parashikuar.

12 Rri tani me yshtjet e tua dhe me morinë e magjive të tua me të cilat je lodhur që në rininë tënde. Ndofta do të nxjerrësh prej tyre ndonjë përfitim, ndofta do të arrish të ndjellësh frikë.

13 Je lodhur me turmën e këshilltarëve të tu; le të ngrihen, pra, astrologët, ata që studiojnë yjet dhe bëjnë parashikime çdo muaj dhe le të të shpëtojnë nga gjërat që do të bien në kurriz.

14 Ja, ato do të jenë si kashta; zjarri do t’i harrxhojë. Nuk do të shpëtojnë veten e tyre nga fuqia e flakës; nuk do të ketë prush për t’u ngrohur, as zjarr para të cilit të ulesh.

15 Kështu do të jenë ata me të cilët je munduar dhe ke dhënë e ke marrë që në rininë tënde. Secili do të rravgojë për llogari të vet, dhe askush nuk do të të shpëtojë".

48 Dëgjoni këtë, o shtëpi e Jakobit, ju që ju thërrasin me emrin e Izraelit dhe që keni dalë nga burimet e Judës, ju që betoheni për emrin e Zotit dhe që përmendni Perëndinë e Izraelit, por jo me të vërtetë dhe me drejtësi.

Duke qenë se quhen me emrin e qytetit të shenjtë dhe mbështeten mbi Perëndinë e Izraelit, emri i të cilit është Zoti i ushtrive;

"Unë i shpalla gjërat e kaluara që në fillim; kishin dalë nga goja ime dhe kisha bërë që t’i dëgjonin; pastaj veprova papritmas dhe ato ndodhën.

Sepse e dija që ishe kokëfortë, që qafa jote ishte një brez i hekurt dhe balli yt prej bronzi,

t’i kam njoftuar që në fillim, bëra që t’i dëgjosh para se të ndodhnin, që të mos kishe për të thënë: "I ka bërë idhulli im, i ka urdhëruar shëmbëlltyra ime e gdhendur dhe shëmbëlltyra ime e shkrirë".

Ti e ke dëgjuar dhe e ke parë tërë këtë gjë. A nuk do ta shpallni? Që tani bëj që të dëgjosh gjëra të reja, gjëra të fshehta që ti nuk i njihje.

Ato janë krijuar tashti dhe jo që në fillim; para ditës së sotme nuk i kishe dëgjuar dhe kështu nuk mund të thuash: "Ja, unë i dija".

Jo, ti as nuk i ke dëgjuar as nuk i ke ditur, as veshi yt nuk ishte i hapur atëherë, sepse e dija që ti do të veproje me pabesi dhe që do të quheshe "rebel" që në bark të nënës.

Për hir të emrit tim do ta shtyj për më vonë zemërimin tim, dhe për hir të lavdisë sime do ta frenoj që të mos të të shfaros.

10 Ja, unë të kam rafinuar, por jo si argjendi; të kam provuar në poçen e pikëllimit.

11 Për hir të vetvetes, për hir të vetvetes e bëj këtë; si mund të lë, pra, që të përdhoset emri im? Nuk do t’ia jap lavdinë time asnjë tjetri".

12 "Dëgjomë, o Jakob, dhe Izrael, që unë kam thirrur. Unë jam ai që është; unë jam i pari dhe jam i fundit gjithashtu.

13 Dora ime ka themeluar tokën dhe dora ime e djathtë ka shpalosur qiejtë; kur unë i thërras, paraqiten bashkë.

14 Mblidhuni, ju të gjithë, dhe dëgjoni! Kush prej tyre ka shpallur këto gjëra? Ai që Zoti dashuron do të kryejë vullnetin e tij kundër Babilonisë dhe do të ngrerë krahun e tij kundër Kaldeasve.

15 Unë, unë i fola, po, unë e thirra, e bëra të vijë dhe do të bëj që veprimi i tij të shkojë mbarë.

16 Afrohuni tek unë, dëgjoni këtë: "Qysh në fillim nuk fola në fshehtësi; kur këto fakte ndodhnin, unë isha atje. Dhe tani Zoti, Zoti, dhe Fryma e tij më kanë dërguar"".

17 Kështu thotë Zoti, Çliruesi yt, i Shenjti i Izraelit: "Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh.

18 Ah, sikur t’u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si një lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.

19 Trashëgimia jote do të ishte si rëra dhe ata që kanë lindur nga të përbrëndëshmet e tua do të ishin të pallogaritshëm si kokrrizat e saj; emri i tij nuk do të fshihej as do të shkatërrohej para meje".

20 Dilni nga Babilonia, ikni nga Kaldeasit! Me një zë të gëzuar kumtojeni, shpalleni këtë gjë, përhapeni deri në skajet e tokës. Thoni: "Zoti ka çliruar shërbëtorin e tij Jakob".

21 Ata nuk patën etje kur i çoi nëpër shkretëtirë. Ai bëri që të burojë për ta ujë nga shkëmbi; e çau shkëmbin dhe dolën ujërat.

22 "Nuk ka paqe për të pabesët," thotë Zoti.