Add parallel Print Page Options

43 Por tani kështu thotë Zoti, që të ka krijuar, o Jakob, që të ka formuar, o Izrael: "Mos ki frikë, sepse unë të kam çliruar, të kam thirrur me emër; ti më përket mua.

Kur do të kalosh përmes ujërave unë do të jem me ty, ose do të kalosh lumenjtë, nuk do të të mbytin; kur do të ecësh nëpër zjarr, nuk do të digjesh dhe flaka nuk do të të konsumojë.

Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, i Shenjti i Izraelit, Shpëtimtari yt. Kam dhënë Egjiptin si çmim për shpengimin tënd, Etiopinë dhe Seban për ty.

Sepse ti je i çmuar në sytë e mi dhe i nderuar, dhe unë të dua, unë jap njerëz për ty dhe popuj në këmbim të jetës sate.

Mos ki frikë, sepse unë jam me ty; do të t’i sjell pasardhësit e tu nga lindja dhe do të grumbulloj nga perëndimi.

Do t’i them veriut: "Ktheji," dhe jugut: "Mos i mbaj. Bëj që të vijnë bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skajet e tokës,

tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time, që kam formuar dhe bërë gjithashtu".

Nxirr popullin e verbër që megjithatë ka sy, dhe të shurdhër që megjithatë kanë vesh.

Le të mblidhen bashkë tërë kombet, të grumbullohen popujt! Kush prej tyre mund të njoftojë këtë gjë dhe të na bëjë të dëgjojmë gjërat e kaluara? Le të paraqesin dëshmitarët e tyre për t’u justifikuar; ose le të dëgjojnë dhe të thonë: "Éshtë e vërtetë!".

10 Dëshmitarët e mi jeni ju, thotë Zoti, bashkë me shërbëtorin që kam zgjedhur, me qëllim që ju të më njihni dhe të keni besim tek unë, si dhe të merrni vesh që unë jam. Para meje asnjë Perëndi nuk u formua dhe pas meje nuk do të ketë asnjë tjetër.

11 Unë, unë jam Zoti dhe përveç meje nuk ka Shpëtimtar tjetër.

12 Unë kam shpallur, kam shpëtuar dhe kam njoftuar; dhe nuk kishte asnjë perëndi të huaj midis jush; prandaj ju jeni dëshmitarët e mi, thotë Zoti, dhe unë jam Perëndi.

13 Para fillimit të kohës unë jam gjithnjë po ai dhe askush nuk mund të çlirojë njeri nga dora ime; kur unë veproj, kush mund të më pengojë?".

14 Kështu thotë Zoti, Çliruesi juaj, i Shenjti i Izraelit: "Për hirin tuaj unë po dërgoj dikë kundër Babilonisë, dhe do të bëj që të ikin të gjithë; kështu Kaldeasit do të ikin me anije duke bërtitur nga dhembja.

15 Unë jam Zoti, i Shenjti juaj, krijuesi i Izraelit, mbreti juaj".

16 Kështu thotë Zoti që hapi një rrugë në det dhe një shteg midis ujërave të fuqishme,

17 që nxorri qerre, kuaj dhe një ushtri të fuqishme; ata dergjen të gjithë së bashku dhe nuk do të ngrihen më; janë asgjësuar dhe janë shuar si një kandil.

18 "Mos kujtoni më gjërat e kaluara, mos shqyrtoni më gjërat e lashta.

19 Ja, unë po bëj një gjë të re; ajo do të lëshojë degë; nuk do ta njihni ju? Po, do të hap një rrugë nëpër shkretëtirë, do të bëj që lumenjtë të rrjedhin në vendet e vetmuara.

20 Kafshët e fushave, çakajtë dhe strucat do të më përlëvdojnë, sepse do t’i jap ujë shkretëtirës dhe lumenj vendit të vetmuar për t’i dhënë të pijë popullit tim, të zgjedhurit tim.

21 Populli që kam formuar për vetë do të shpallë lëvdimet e mia.

22 Por ti nuk më ke kërkuar, o Jakob, përkundrazi je lodhur me mua, o Izrael!

23 Nuk më ke sjellë qengjin e olokausteve të tua dhe nuk më ke nderuar me flijimet e tua; nuk të kam detyruar të më shërbesh me oferta ushqimesh, as nuk të kam lodhur duke kërkuar temjan.

24 Nuk më ke blerë me para kanellën dhe nuk më ke ngopur me dhjamin e flijimeve të tua. Përkundrazi më ke rënduar me mëkatet e tua, më ke lodhur me paudhësitë e tua.

25 Unë, pikërisht unë, jam ai që për hir të vetuetes fshij shkeljet e tua dhe nuk do t’i mbaj mend mëkatet e tua.

26 Bëj që të kujtohem, ta diskutojmë bashkë këtë rast, folë, ti vetë për t’u justifikuar.

27 Ati yt i parë ka mëkatuar dhe mësuesit e tu kanë ngritur krye kundër meje.

28 Prandaj kam ndotur krerët e shenjtërores, kam vendosur shfarosjen e Jakobit dhe turpërimin Izraelit".

44 "Tani dëgjo, o Jakob, shërbëtori im, o Izrael, që unë kam zgjedhur!

Kështu thotë Zoti që të ka bërë dhe të ka formuar që në barkun e nënës, ai që të ndihmon: Mos ki frikë, o Jakob, shërbëtori im, o Jeshurun që unë kam zgjedhur!

Sepse unë do të derdh ujë mbi atë që ka etje dhe rrëke mbi tokën e thatë; do të derdh Frymën time mbi pasardhësit e tu dhe bekimin tim mbi trashëgimtarët e tu.

Ata do të rriten në mes të barit, si shelgje gjatë rrjedhave ujore.

Njeri do të thotë: "Unë jam i Zotit"; tjetri do të quhet me emrin e Jakobit, dhe një tjetër do të shkruajë mbi dorën e tij: "I Zotit," dhe do ta ketë për nder të mbajë emrin e Izraelit".

Kështu thotë Zoti, mbreti i Izraelit dhe Çliruesi i tij, Zoti i ushtrive: "Unë jam i pari dhe jam i fundit, dhe përveç meje nuk ka Perëndi.

Kush është si unë? Le ta shpallë, pra, ta deklarojë dhe të japë prova para meje që kur kam vendosur këtë popull të lashtë. Le t’u njoftojnë gjërat që do të ndodhin dhe ngjarjet që do të kryhen.

Mos u trembni, mos kini frikë! A nuk ta kam shpallur, vallë, dhe nuk ta kam deklaruar prej kohe? Ju jeni dëshmitarë të mi. A ka vallë një Perëndi përveç meje? Nuk ka Shkëmb tjetër, nuk njoh tjetër të tillë.

Ata që prodhojnë shëmbëlltyra të gdhendura janë krejt kotësi; gjërat e tyre më të çmuara nuk hyjnë fare në punë; dëshmitarët e tyre nuk shohin dhe as nuk kuptojnë gjë, prandaj do të mbulohen me turp.

10 Kush prodhon një zot apo shkrin një shëmbëlltyrë të gdhendur pa patur fare dobi?

11 Ja, të gjithë shokët e këtij personi do të shushaten; vetë artizanët nuk janë veçse njerëz. Le të mblidhen të gjithë dhe le të paraqiten. Do të tremben dhe do të turpërohen njëkohësisht.

12 Kovaçi me darë punon hekurin mbi prush, i jep formë me çekiç dhe e përpunon me krahun e tij të fuqishëm; vuan nga uria dhe forca e tij pakësohet; nuk pi ujë dhe lodhet.

13 Zdrukthëtari shtrin vizorin, vizaton idhullin me laps, e punon me sqepar, e mat me kompas dhe e bën një fytyrë njerëzore, një formë të bukur njeriu, në mënyrë që të mbetet në një shtëpi.

14 Ai pret për vete disa kedra, merr një selvi apo një lis që i lë të rriten të fuqishëm midis drurëve të pyllit; ai mbjell një frashër që shiu e bën të rritet.

15 Ky i shërben njeriut për të djegur; ai merr një pjesë të tij për t’u ngrohur dhe ndez zjarrin për të pjekur bukën; bën gjithashtu një perëndi dhe e adhuron, bën një shëmbëlltyrë të gdhendur para së cilës bie përmbys.

16 Djeg gjysmën e tij në zjarr, me gjysmën tjetër përgatit mishin, pjek mishin dhe ngopet. Ngrohet gjithashtu dhe thotë: "Ah, po ngrohem, kënaqem me zjarrin".

17 Me atë që mbetet prej tij sajon një perëndi, shëmbëlltyrën e saj të gdhendur, bie përmbys përpara saj, e adhuron, e lut dhe i thotë: "Shpëtomë, sepse ti je perëndia im".

18 Nuk dinë dhe nuk kuptojnë asgjë, sepse i kanë zënë sytë e tyre që të mos shohin dhe zemrat e tyre që të mos kuptojnë.

19 Askush nuk vjen në vete dhe as ka dituri dhe mend për të thënë: "Dogja një pjesë në zjarr, po, mbi prushin e tij poqa bukën, poqa mishin dhe e hëngra. Me atë që mbetet do të bëj një gjë të neveritshme dhe do të bie përmbys përpara një cope druri?".

20 Një person i tillë ushqehet me hi, zemra e tij e mashtruar e çon në rrugë të keqe. Ai nuk mund të çlirojë shpirtin e tij dhe të thotë: "A nuk është vallë një gënjeshtër ajo që mbaj në dorën time të djathtë?".

21 "Mbaji mend këto gjëra, o Jakob, o Izrael, sepse ti je shërbëtori im; unë të kam formuar, ti je shërbëtori im; o Izrael, nuk do të të harroj.

22 I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; kthehu tek unë, sepse unë të kam çliruar".

23 Ngazëlloni, o qiej, sepse Zoti ka vepruar. Gëzohuni, o thellësi të tokës. Shpërtheni në britma gëzimi, o male, o pyje, me gjithë drurët tuaj! Sepse Zoti ka çliruar Jakobin dhe ka shfaqur lavdinë e tij në Izrael.

24 Kështu thotë Zoti, Çliruesi yt, ai që të ka formuar që në bark të nënës: "Unë jam Zoti që kam bërë tërë gjërat, që i vetëm, kam shpalosur qiejtë dhe kam shtrirë tokën; kush ishte me mua?

25 Unë i bëj të kota parashikimet e gënjeshtarëve dhe i bëj shortarët pa mend; unë bëj që të sprapsen njerëzit e urtë dhe e kthej dijen e tyre në marrëzi.

26 Vërtetoj fjalën e shërbëtorit tim dhe i jap sukses këshillës së lajmëtarëve të mi; unë i them Jeruzalemit: "Do të kesh banorë," dhe qyteteve të Judës: "Do t’ju rindërtojnë," dhe unë do të rindërtoj gërmadhat e tyre.

27 Unë i them humnerës: "Thahu!"; dhe unë do të thaj lumenjtë e tu.

28 Them për Kirin: "Ai është bariu im!" dhe do të çojë në vend tërë dëshirat e mia, duke i thënë Jeruzalemit: "Do të rindërtohesh!," dhe tempullit: "Do të jesh i qëndrueshëm!"".

Sepse ju vetë, vëllezër, e dini se ardhja jonë ndër ju nuk qe e kotë.

Por, mbasi hoqëm më parë dhe mbasi na shanë në Filipi, sikurse e dini, ne morëm guxim në Perëndinë tonë të shpallim ndër ju ungjillin e Perëndisë midis kaq përpjekjesh.

Sepse nxitja jonë nuk vjen nga mashtrimi, as nga qëllime të pa ndershme, as nga dredhia;

por, duke qenë se u miratuam prej Perëndisë që të na besohet ungjilli, kështu ne flasim jo që t’u pëlqejmë njerëzve, por Perëndisë, që provon zemrat tona.

Ne, pra, nuk kemi përdorur kurrë, sikurse e dini mirë, fjalë lajkatuese, dhe as nuk jemi nisur nga motive lakmie; Perëndia është dëshmitar.

Dhe nuk kemi kërkuar lavdi prej njerëzve, as prej jush, as prej të tjerësh, megjithëse mund t’ju bëheshim barrë si apostuj të Krishtit.

Përkundrazi qemë zemërbutë midis jush, ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj.

Kështu, duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush, ishim të kënaqur duke ju komunikuar jo vetëm ungjillin e Perëndisë, por edhe vetë jetën tonë, sepse na u bëtë të dashur.

Sepse ju, o vëllezër, e mbani mend lodhjen dhe mundimin tonë: si kemi punuar ditë e natë që të mos i bëhemi barrë asnjërit prej jush, dhe predikuam ungjillin e Perëndisë ndër ju.

10 Ju jeni dëshmitarë, dhe Perëndia gjithashtu, si jemi sjellë me shenjtëri, me drejtësi, pa të meta, me ju që besoni.

11 Ju e dini gjithashtu se ne këshilluam, ngushëlluam dhe i jemi përbetuar secilit prej jush, si bën një baba me bijtë e vet,

12 që të ecni denjësisht për Perëndinë, që ju thërret në mbretërinë dhe lavdinë e tij.

13 Prandaj edhe ne e falenderojmë pa pushim Perëndinë, se kur ju keni marrë nga ne fjalën e Perëndisë, e pritët atë jo si fjalë njerëzish, por, sikurse është me të vërtetë, si fjalë Perëndie, që vepron ndër ju që besoni.

14 Sepse ju, o vëllezër, u bëtë imituesit e kishave të Perëndisë që janë në Jude në Jezu Krishtin, sepse edhe ju keni vuajtur nga ana e bashkëkombasve tuaj të njëjtat gjëra, sikurse edhe ata kanë vuajtur nga Judenjtë,

15 të cilët e vranë Zotin Jezus dhe profetët e tyre, dhe na përndoqën edhe ne. Ata nuk i pëlqen Perëndia, dhe janë armiq me të gjithë njerëzit,

16 duke na penguar që t’u flasim johebrenjve që ata të shpëtohen, për ta mbushur vazhdimisht masën e mëkateve të tyre; por zemërimi arriti mbi ta më në fund.

17 Dhe ne, o vëllezër, mbasi mbetëm pa ju për një kohë të shkurtër, trupërisht por jo me zemër, u përpoqëm edhe më shumë, nga malli i madh, të shohim përsëri fytyrën tuaj.

18 Prandaj deshëm, të paktën unë Pali, të vijmë te ju jo një, por dy herë, por Satani na pengoi.

19 Cila në fakt është shpresa jonë, a gëzimi, a kurora e lavdisë? A nuk jeni pikërisht ju, përpara Zotit tonë Jezu Krisht në ardhjen e tij?

20 Ju jeni në fakt lavdia dhe gëzimi jonë.