Add parallel Print Page Options

23 Profecia kundër Tiros. Rënkoni, o anije të Tarshishit, sepse Tiro është shkatërruar, dhe nuk kanë mbetur as shtëpitë as porti. Ky lajm iu erdhi nga vendi i Kitimit.

Mos hapni gojën, o banorë të bregut të detit, o tregtarë të Sidonit; ata që çajnë detet ju kanë mbushur me pasuri.

Nëpërmjet ujërave të mëdha gruri i Shihorit, prodhimi i lumit, ishte e ardhura e tij; dhe ai ishte tregu i kombeve.

Ki turp, o Sidon, sepse ka folur deti, kalaja e detit, duke thënë: "Unë nuk kam pasur dhembje, as kam lindur fëmijë; nuk kam ushqyer të rinj as kam rritur virgjëresha".

Kur lajmi do të arrijë në Egjipt, do të hidhërohen për lajmin e Tiros.

Kaloni në Tarshish, vajtoni o banorë të bregut të detit!

Ky qënka qyteti juaj i qejfeve, prejardhja e të cilit është e lashtë? Këmbët e tij e çonin të banonte në toka të largëta.

Kush, pra, e ka vendosur këtë kundër Tiros, dhurues kurorash, tregëtarët e të cilit ishin princa dhe dyqanxhinjtë e të cilit ishin njerëzit e nderuar të dheut?

E ka vendosur Zoti i ushtrive, për të errur krenarinë nga çfarëdo shkëlqimi, për të ulur gjithë njerëzit e nderuar të dheut.

10 Kalo nëpër vendin tënd si Nili, o bijë e Tarshishit, nuk ka më forcë.

11 Zoti ka shtrirë dorën e tij mbi detin, i ka bërë mbretëritë të dridhen, për Kanaanin ka urdhëruar t’i shkatërrohen kalatë e tij.

12 Ai ka thënë: "Ti nuk do të vazhdosh të gëzohesh, o bijë e Sidonit, virgjëreshë që ke humbur nderin". Çohu, kalo në vendin e Kitimit; as aty nuk do të gjesh prehje.

13 Ja vendi i Kaldeasve: ky popull nuk ekzistonte fare; Asiri e themeloi për kafshët e shkretëtirës. Ata kanë ngritur kalatë e tyre, kanë rrënuar pallatet e Tiros dhe e kanë katandisur në një grumbull gërmadhash.

14 Rënkoni, o anije të Tarshishit, sepse kalaja juaj është shkatërruar.

15 Atë ditë do të ndodhë që Tiro të harrohet për shtatëdhjetë vjet, aq sa janë vitet e një mbreti. Pas shtatëdhjetë vjetve do të ndodhë në Tiro ashtu siç thotë kënga e prostitutës:

16 "Merr qesten, sillu nëpër qytet, o prostitutë e harruar; bjeri me zotësi veglës, shumo këngët që të mund të të kujtojnë".

17 Pas shtatëdhjetë vjetve do të ndodhë që Zoti do të vizitojë Tiron, që do të kthehet në pagën e vet dhe do të kurvërohet me të gjitha mbretëritë e botës mbi faqen e dheut.

18 Por fitimi nga tregtia e tij dhe paga e tij do t’i shenjtërohen Zotit; nuk do të mblidhet as nuk do të vihet mënjanë, sepse fitimi nga tregtia e tij do t’u shkojë atyre që banojnë përpara Zotit, me qëllim që të hanë sa të ngopen dhe të vishen në mënyrë të shkëlqyeshme.

24 Ja, Zoti zbras tokën dhe e bën të shkretë, prish faqen e saj dhe shpërndan banorët e saj.

Do t’i ndodhë e njëjta gjë popullit ashtu si priftit, shërbëtorit ashtu si padronit të tij, shërbëtores ashtu si padrones së saj, blerësit ashtu si shitësit, ai që jep borxh ashtu si ai që merr borxh, huadhënësit ashtu si huamarrësit.

Toka do të zbrazet plotësisht dhe do të plaçkitet plotësisht, sepse Zoti ka thënë këtë fjalë.

Toka është në zi dhe vuan, bota po ligështohet dhe po meket, njerëzit me poste nga populli i dheut ligështohen.

Toka është përdhosur nga banorët e saj, sepse këta kanë shkelur ligjet, kanë ndryshuar statutin, kanë marrë nëpër këmbë besëlidhjen e përjetshme.

Prandaj një mallkim e ka përpirë tokën dhe banorët e saj janë të dëshpëruar; prandaj banorët e tokës po digjen dhe të pakët janë burrat që kanë mbetur.

Mushti është në zi, vreshti po prishet dhe gjithë zemërgëzuarit psherëtijnë.

Gëzimi i dajreve ka marrë fund, zhurma e dëfrimtarëve ka mbaruar, gëzimi i harpës pushoi.

Nuk pihet më verë me këngë, pija dehëse është e hidhur për ata që e pijnë.

10 Qyteti i rrëmujës është shkatërruar; çdo shtëpi është e mbyllur që të mos hyjë njeri në të.

11 Nëpër rrugë ka ankime, sepse nuk ka verë; çdo gëzim është zhdukur, hareja është zhdukur nga toka.

12 Në qytet nuk mbetet gjë tjetër veç dëshpërimit, dhe porta është bërë copë-copë dhe është shkatërruar.

13 Sepse në mes të dheut, midis popujve, do të ndodhë ashtu si kur shkunden ullinjtë, ashtu si kur mblidhen vilet e pavjela pas vjeljes.

14 Ata do të ngrenë zërin, do të lëshojnë klithma gëzimi, për madhështinë e Zotit do të brohorasin nga deti:

15 "Lëvdoni, pra, Zotin në krahinat e agimit, emrin e Zotit, Perëndinë e Izraelit në ishujt e detit!".

16 Nga skaji i tokës dëgjojmë këngë: "Lavdi të drejtit!". Por unë them: Mjerë unë! Mjerë unë! Vaj medet! Të pabesët veprojnë me pabesi, po, tëë pabesët veprojnë me pabesi të madhe.

17 Tmerri, gropa dhe laku të kërcënojnë, o banor i dheut.

18 Dhe ka për të ndodhur që ai që do të ikë përballë britmës së tmerrit do të bjerë në gropë, dhe kush do të dalë nga gropa do të kapet nga laku. Sepse nga lart do të hapen ujëvara dhe themelet e dheut do të tronditen.

19 Toka do të çahet e tëra; toka do të kriset tërësisht, toka do të dridhet me forcë.

20 Toka do të lëkundet si një i dehur, do të tronditet si një kasolle. Mëkati i saj rëndon mbi të, do të rrëzohet dhe nuk do të ngrihet më.

21 Atë ditë do të ndodhë që Zoti do të dënojë ushtrinë që është atje lart, dhe poshtë mbi tokë mbretërit e dheut;

22 do të mblidhen bashkë si të burgosur në një burg të nëndheshëm; do të mbyllen në një burg dhe pas shumë ditësh do të ndëshkohen.

23 Hënën do ta mbulojë rrëmuja dhe diellin turpi, sepse Zoti i ushtrive do të mbretërojë mbi malin e Sionit dhe në Jeruzalem, dhe lavdia e tij përpara pleqve.

25 O Zot, ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj dhe do të kremtoj emrin tënd, sepse ke bërë gjëra të mrekullueshme, projekte të konceptuara shumë kohë më parë, dhe të realizuara me besnikëri dhe vërtetësi.

Sepse e ke katandisur qytetin në një grumbull gurësh, qytetin e fortifikuar në një grumbull gërmadhash; kështjella e të huajve nuk është më një qytet, nuk do të rindërtohet kurrë më.

Prandaj populli i fuqishëm të lëvdon, qyteti i kombeve të fuqishëm ka frikë nga ti,

sepse ti ke qenë një kështjellë për të varfërin, një kështjellë për të mjerin në fatkeqësinë e tij, një strehë kundër stuhisë, një hije kundër të nxehtit, sepse fryma e tiranëve është si një furtunë kundër murit.

Ti do të pakësosh zhurmën e të huajve si të nxehtit në një vend të thatë; ashtu si të nxehtit nën hijen e një reje, kështu kënga e tiranëve do të detyrohet të heshtë.

Zoti i ushtrive do t’u përgatisë tërë popujve mbi këtë mal një banket me gjellë të shijshme, me verëra të vjetra, me gjellë të shijshme me shumë palcë dhe me verëra të vjetra dhe të zgjedhura.

Do të shkatërrojë mbi këtë mal mbulesën që mbulonte tërë popujt, po kështu edhe mbulesën e shtrirë mbi të gjitha kombet.

Do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, Zoti, do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë, do të heqë nga tërë dheu turpin e popullit të tij, sepse Zoti ka folur.

Atë ditë do të thuhet: "Ja, ky është Perëndia ynë: tek ai kemi shpresuar dhe ai do të na shpëtojë. Ky është Zoti tek i cili kemi shpresuar; të ngazëllojmë dhe të gëzohemi në shpëtimin e tij!".

10 Me qenë se dora e Zotit do të shtrihet mbi këtë mal, ndërsa Moabi do të shkelet nën të ashtu si shkelet kashta mbi plehun.

11 Ai do të zgjasë duart e tij në mes teje, ashtu si i shtrin notari për të notuar, dhe do të ulë krenarinë e tij bashkë me trillimet e kurdisura nga duart e tij.

12 Fortesën e mureve të tua të larta, ai do ta shkatërrojë, do ta shembë, do ta hedhë për tokë deri poshtë në pluhur.

26 Atë ditë do të këndohet kjo këngë në vendin e Judës: "Ne kemi një qytet të fortë; Perëndia ka vënë shpëtimin për mure dhe për bastione.

Hapni portat dhe le të hyjë kombi i drejtë, që ruan besnikërinë".

Mëndjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti.

Kini besim te Zoti përjetë, sepse Zoti, po, Zoti është shkëmbi i përjetshëm.

Ai ka përulur ata që rrinin lart, ka ulur qytetin e lartë, e ka ulur deri në tokë, e ka hedhur në pluhur;

këmbët e shkelin, pikërisht këmbët e të varfërit dhe hapat e mjeranëve.

Rruga e të drejtit është e drejtë; o Perëndi i drejtë, ti sheshon shtegun e të drejtit.

Po, në rrugën e gjykimeve të tua, o Zot, ne të kemi pritur. Dëshira e shpirtit tonë i drejtohet emrit tënd dhe kujtimit tënd.

Me shpirtin tim të dëshiroj natën, po, me frymën që është brenda meje të kërkoj në mëngjes herët; sepse kur shfaqen gjykimet e tua mbi tokë, banorët e botës mësojnë drejtësinë.

10 Në rast se falet i pabesi, ai nuk do ta mësojë drejtësinë; ai do të veprojë në mënyrë të çoroditur në vendin e ndershmërisë dhe nuk do të mund të shikojë madhështinë e Zotit.

11 O Zot, dora jote është ngritur, por ata nuk e shohin. Por ata do ta shohin zellin tënd për popullin tënd dhe do të mbeten të hutuar; po, zjarri i armiqve të tu do t’i përpijë.

12 O Zot, ti do të vendosësh paqen për ne, sepse ti kryen për ne çdo vepër tonën.

13 O Zot, Perëndia ynë, zotër të tjerë, veç teje, na kanë sunduar; por vetëm për ty të mbajmë mend emrin.

14 Të vdekurit nuk do të rijetojnë më, ata që shkuan nuk do të vijnë më; prandaj ti i ke ndëshkuar, ke shkatërruar dhe ke zhdukur çdo kujtim të tyre.

15 Ti e ke rritur kombin, o Zot, e ke rritur kombin, je përlëvduar; i ke zgjeruar tërë kufijtë e vendit.

16 O Zot, në çastet e fatkeqësisë të kanë kujtuar, kanë bërë një lutje kur ndëshkimi yt po i godiste.

17 Ashtu si një grua me barrë që është gati për të lindur dhe përpëlitet dhe ulërin nga të prerat që ka, kështu kemi qenë ne para teje, o Zot.

18 Jemi ngjizur, kemi ndjerë dhembjet, ashtu sikur të kishim për të lindur, por ishte vetëm erë; nuk i kemi dhënë asnjë shpëtim vendit dhe banorët e botës nuk kanë rënë.

19 Të vdekurit e tu do të rijetojnë, bashkë me kufomën time, do të ringjallen. Zgjohuni dhe gëzohuni, o ju që banoni në pluhur! Sepse vesa jote është si vesa e një drite që shkëlqen dhe toka do të nxjerrë në dritë të vdekurit.

20 Shko, o populli im, hyr në dhomat e tua, mbylli portat e tua prapa teje; fshihu për një çast, deri sa të kalojë zemërimi.

21 Sepse ja, Zoti del nga banesa e tij për të ndëshkuar paudhësinë e banorëve të tokës; toka do të nxjerrë në shesh gjakun e derdhur dhe nuk do të t’i fshehë më të vrarët e saj.

27 Atë ditë Zoti do të ndëshkojë me shpatën e tij të ashpër, të madhe dhe të fortë Leviathanin, gjarpërin e shkathët, gjarpërin Leviathani dredha-dredha, dhe do të vrasë përbindëshin që është në det.

Atë ditë do të thuhet: "Vreshti që jep verë të kuqërremtë, këndoni për të.

Unë, Zoti, e ruaj, e vadis çdo çast, e ruaj natën e ditën me qëllim që askush të mos e dëmtojë.

Nuk ka zemërim tek unë. Kush do t’i vinte në luftë kundër meje ferrat dhe gjembat? Unë do të shkoja kundër tyre dhe do t’i digjja të gjitha tok.

Do të ishte më mirë që dikush të mbështetej te forca ime për të bërë paqe me mua, po, për të bërë paqe me mua".

Në ditët që do të vijnë Jakobi do të lëshojë rrënjë, Izraeli do të lulëzojë dhe do të lëshojë lastarë dhe do të mbushë faqen e dheut me fryte.

A ka goditur Perëndia Izraelin ashtu si ka goditur ata që e qëllonin atë? A e ka vrarë atë ashtu si ka vrarë ata që e vrisnin atë?

Ti je grindur me të me masë, duke e përzënë dhe duke e çuar larg. Ai e çoi në një vend të largët me frymën e tij të furishme, një ditë me erë lindore.

Në këtë mënyrë do të shpagohet padrejtësia e Jakobit, dhe ky do të jetë gjithë fryti i heqjes së mëkatit të tij, kur do t’i kthejë tërë gurët e altarit si gurë gëlqereje të thërmuar; kështu Asherimët dhe altarët e temjanit nuk do të ngrihen më.

10 Qyteti i fortifikuar do të jetë i shkretuar, një vend i pabanuar dhe i braktisur si një shkretëtirë; aty do të kullosë viçi, i cili do të shtrihet dhe do të hajë degët.

11 Kur degët e tij do të thahen, do të thyhen dhe do të vijnë gra për t’i djegur. Me qenë se është një popull pa zgjuaësi, prandaj Ai që e ka bërë nuk do t’i vijë keq për të, Ai që e ka formuar nuk do t’i japë hir.

12 Po atë ditë do të ndodhë që Zoti do të shijë grurin nga rrjedha e lumit deri te përroi i Egjiptit, dhe ju do të mblidheni një nga një, o bij të Izraelit.

13 Atë ditë do të ndodhë që të bjerë buria e madhe, dhe ata që kanë humbur në vendin e Asirisë dhe ata që janë shpërndarë në vendin e Egjiptit do të vijnë dhe do të adhurojnë Zotin mbi malin e shenjtë, në Jeruzalem.