A A A A A
Bible Book List

Isaia 17-19Albanian Bible (ALB)

17 Profecia kundër Damaskut. "Ja, Damasku do të pushojë së qëni një qytet dhe do të bëhet një grumbull gërmadhash.

Qytetet e Aroerit do të braktisen; do të bëhen kullota për kopetë që do të pushojnë aty pa i trembur askush.

Efraimit do t’i hiqet fortesa, Damaskut mbretëria; dhe pjesa tjetër e Sirisë do të jetë si lavdia e bijve të Izraelit," thotë Zoti i ushtrive.

"Atë ditë do të ndodhë që lavdia e Jakobit do të zhduket dhe shëndoshja e tepërt e trupit e tij do të konsumohet.

Do të ndodhë ashtu si kur korrësi mbledh grurin dhe me krahun e tij pret kallinjtë; do të ndodhë ashtu si kur mblidhen kallinjtë në luginën e Refaimit;

Do të mbeten disa vile për të mbledhur, ashtu si kur shkunden ullinjtë: dy apo tre ullinj në majë të degëve më të larta, katër ose pesë mbi degët më të ngarkuara," thotë Zoti, Perëndia i Izraelit.

Atë ditë njeriu do ta kthejë shikimin e tij në drejtim të Krijuesit të tij dhe sytë e tij do të shikojnë të Shenjtin e Izraelit.

Nuk do të drejtohet më te altarët, vepër e duarve të tij dhe nuk do të shikojë më atë që kanë bërë gishtërinjtë e tij as te Asherimët dhe te altarët për temjan.

Atë ditë qytetet e fortifikuara të tij do të jenë si një vend i braktisur në pyll ose si një degë e braktisur përpara bijve të Izraelit, dhe kjo do të jetë një shkretim.

10 Sepse ke harruar Perëndinë e shpëtimit tënd dhe nuk je kujtuar për Shkëmbin e forcës sate, prandaj mbolle plantacione dhe i ke shartuar me shartesa të huaja.

11 Ditën që i mbolle i rrethove me një gardh; në mëngjes mbijnë farat e tua, por vjelja do të jetë një tog rrënojash ditën e sëmundjes dhe të dhembjes së pashërueshme.

12 Ah, zhurma e një numri të madh popujsh, që zhurmojnë si gjëmimi i detit dhe si buçima e kombeve, zhurmojnë si buçima e ujërave të fuqishme!

13 Kombet zhurmojnë si buçima e shumë ujërave, por Perëndia i kërcënon, dhe ata ikin larg, të shtyrë si byku i maleve përpara erës, si një dredhë pluhuri përpara shakullimës.

14 Në mbrëmje, ja tmerri, dhe para mëngjesit nuk ka më asgjë. Kjo është pjesa e atyre që na plaçkitin, që na bëjnë pre.

18 Mjerë ai vend me krahë të zhurmshëm që ndodhet matanë lumenjve të Etiopisë,

që dërgon lajmëtarë me anë të detit në anijeza prej papirusi mbi ujërat, duke thënë: "Shkoni, o lajmëtarë të shpejtë, në drejtim të një kombi shtatlartë dhe lëkurëndritur, në drejtim të një populli të cilin e kanë frikë që nga fillimi i tij e më pas, komb i fuqishëm që shkel çdo gjë, vendi i të cilit ndahet nga lumenjtë".

Ju të gjithë, banorë të botës dhe ata që banojnë mbi tokë shikoni flamurin kur ky do të ngrihet mbi malet dhe dëgjoni borinë kur ajo do të bjerë!

Sepse kështu më ka thënë Zoti: "Do të rri i qetë dhe do të shikoj nga banesa ime si një nxehtësi e kthjellet dhe e ndritshme në dritën e diellit, si një re vesë në vapën e korrjes".

Sepse para korrjes, kur lulëzimi ka marrë fund dhe lulja është bërë një vile në fazën e pjekurisë, ai do t’i presë degëzat me kmesë dhe do të shkulë e do t’i presë shermendët.

Ata të gjithë tok do të mbeten të braktisur shpendëve grabitqarë të maleve dhe kafshëve të tokës; zogjtë grabitqarë do të kalojnë mbi ta gjatë verës dhe kafshët e tokës do të kalojnë mbi ta gjatë dimrit.

Në këtë kohë do t’i sjellë oferta Zotit të ushtrive një komb shtatlartë dhe lëkurëndritur, një popull që e kanë frikë që nga fillimet e tij e më pas, një komb i fuqishëm që shkel çdo gjë, vendi i të cilit përshkohet nga lumenj; do të çohen në vendin ku ndodhet emri i Zotit të ushtrive, në malin Sion.

19 Profecia mbi Egjiptin. Ja Zoti që kalëron mbi një re të lehtë dhe hyn në Egjipt. Idhujt e Egjiptit lëkunden para tij, dhe zemra e Egjiptasve po mpaket brenda tyre.

"Do t’i nxis Egjiptasit njëri kundër tjetrit, secili do të luftojë kundër vëllait të vet, dhe secili kundër të afërmit të tij, qyteti kundër qytetit, mbretëria kundër mbretërisë.

Fryma e Egjiptit do të ligështohet në mes të tij dhe unë do të shkatërroj planet e tij; kështu ata do të konsultojnë idhujt dhe yshtësit, mediumet dhe magjistarët.

Do ta dorëzoj Egjiptin në duart e një padroni të ashpër dhe një mbret mizor do të sundojë mbi të, thotë Zoti, Zoti i ushtrive.

Ujërat e detit do të thahen, lumi do të shterojë dhe do të thahet.

Lumenjtë do të bëhen të neveritshëm, kanalet e Egjiptit do të zbrazen dhe do të thahen, po kështu do të thahen edhe kallamishtet e xunkthat.

Luadhët pranë Nilit, në grykëderdhjen e tij dhe të gjitha arat e mbjella gjatë lumit do të thahen, do të fshihen dhe do të zhduken.

Peshkatarët do të rënkojnë, tërë ata që hedhin grepin në Nil do të ankohen dhe ata që hedhin rrjetat e tyre në ujë do të ligështohen.

Ata që punojnë lirin e krehur dhe endësit e pambukut do të çoroditen.

10 Themelet e tyre do të prishen dhe gjithë punëtorët me mëditje do të trishtohen.

11 Me siguri princat e Tsoanit janë budallenj; këshilltarët më të urtë të Faraonit japin këshilla të paarsyeshme. Si mund t’i thoni Faraonit: "Unë jam bir i njerëzve të urtë, bir i mbretërve të lashtë"?

12 Ku janë tani njerëzit e tu të urtë? Le të ta deklarojnë tani dhe të pranojnë atë që Zoti i ushtrive ka vendosur kundër Egjiptit.

13 Princat e Tsoanit janë bërë budallenj, princat e Nofit gabohen; ata që janë guri i qoshes në fiset e tij që e kanë bërë Egjiptin të marrë rrugë të gabuar.

14 Zoti ka përzier në mes të tij një frymë degjenerimi, dhe ata e kanë futur Egjiptin në rrugë të gabuar për çdo gjë, ashtu si dridhet i dehuri kur vjell.

15 Dhe asgjë nuk do të mund të bëjë Egjiptin: koka ose bishti, palma ose xunkthi.

16 Atë ditë Egjipti do të jetë si gratë, dhe do të dridhet dhe do të trembet përballë dorës që Zoti i ushtrive do të lëvizë kundër tij.

17 Vendi i Judës do të jetë tmerri i Egjiptit; sa herë që do të përmendet, ka për të qenë një tmerr i vërtetë për shkak të vendimit të marrë nga Zoti i ushtrive kundër tij.

18 Atë ditë do të ketë në vendin e Egjiptit pesë qytete që do të flasin gjuhën e Kanaanit dhe do të betohen për Zotin e ushtrive; njeri nga këto do të quhet "qyteti i shkatërrimit".

19 Atë ditë do të ketë në mes të vendit të Egjiptit një altar kushtuar Zotit, dhe një shtyllë të ngritur për Zotin pranë kufirit të tij.

20 Do të jetë një shenjë dhe një dëshmi për Zotin e ushtrive në vendin e Egjiptit; kur ata do t’i këlthasin Zotit për shkak të shtypësve të tyre, ai do t’u dërgojë atyre një shpëtimtar dhe një të fuqishëm që do t’i çlirojë.

21 Zoti do t’i shfaqet Egjiptit dhe Egjiptasit do ta njohin Zotin atë ditë; do t’i ofrojnë flijime dhe blatime ushqimore, do të bëjnë premtime solemne para Zotit dhe do t’i mbajnë ato.

22 Zoti do t’i godasë Egjiptasit, do t’i godasë dhe do t’i shërojë; ata do t’i kthehen Zotit që do t’i dëgjojë lutjet e tyre dhe do t’i shërojë.

23 Atë ditë do të ketë një rrugë nga Egjipti në Asiri; Asirët do të shkojnë në Egjipt, dhe Egjiptasit në Asiri, dhe Egjiptasit do të shërbejnë bashkë me Asirët.

24 Atë ditë Izraeli, i treti me Egjiptin dhe me Asirinë, do të jetë një bekim në mes të rruzullit.

25 Zoti i ushtrive do t’i bekojë, duke thënë: "I bekuar qoftë Egjipti populli im, Asiria vepër e duarve të mia dhe Izraeli trashëgimia ime!".

Efesianëve 5:17-33Albanian Bible (ALB)

17 Prandaj mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit.

18 Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë,

19 duke i folur njeri tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj,

20 duke e falënderuar vazhdimisht për çdo gjë Perëndinë dhe Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht;

21 nënshtrohuni njëri-tjetrit në druajtjen e Krishtit!

22 Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit,

23 sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit.

24 Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t’i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë.

25 Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të,

26 që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës,

27 që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të ti-llë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme.

28 Kështu burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten.

29 Sepse askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse edhe Zoti bën me kishën,

30 sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij, të mishit të tij dhe të kockave të tij.

31 “Prandaj njeriu do të lërë babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm.”

32 Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën.

33 Por secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta respektojë burrin.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes