Add parallel Print Page Options

13 Profecia mbi Babiloninë, që ju paraqit në vegim Isaias, birit të Amotsit.

"Ngrini një flamur mbi një mal të lartë, ngrini zërin ndaj tyre, lëvizni dorën që të hyjnë në portat e princave.

Unë u dhashë urdhër atyre që më janë shenjtëruar mua, thirra trimat e mi për të zbatuar zemërimin tim, ata që ngazëllohen në madhërinë time.

Dëgjohet zhurma e një turme të madhe ndër malet, e ngjashme me atë të një populli të pamasë; zhurma plot rrëmet e mbretërive, e kombeve të mbledhura. Zoti i ushtrive kalon në revistë ushtrinë gati për betejë.

Vijnë nga një vend i largët, nga skaji i qiejve, Zoti dhe mjetet e zemërimit të tij, për të shkatërruar mbarë dheun.

Bërtisni, sepse dita e Zotit është e afërt; ajo po vjen si një shkatërrim nga ana e të Plotfuqishmit.

Prandaj të gjitha duart e njerëzve do të jenë të dobëta dhe çdo zemër e tyre do të ligështohet.

Do t’i zërë tmerri, do të kenë spazma dhe dhembje, do të përpëliten si një grua që po lind, do të shikojnë njëri tjetrin në fytyrë si të hutuar, fytyrat e tyre do të jenë fytyra të zjarrta.

Ja, dita e Zotit po vjen: një ditë mizore, indinjate dhe zemërimi të fortë, për ta bërë tokën shkretëtirë dhe për të shfarosur mëkatarët prej saj.

10 Sepse yjet e qiellit dhe yllësitë nuk do të shkëlqejnë më me dritën e tyre; dielli do të errësohet në lindjen e tij dhe hëna nuk do të përhapë më dritën e saj.

11 Unë do të dënoj botën për ligësinë e saj dhe të pabesët për paudhësinë e tyre; do t’i jap fund krenarisë së kryelartëve dhe do të hedh poshtë arrogancën e tiranëve.

12 Do ta bëjë njeriun e vdekshëm më të rrallë se ari i kulluar, njerëzinë më të rrallë se arin e Ofirit.

13 Prandaj do të bëj që të dridhen qiejtë, dhe toka do të tundet nga vendi i saj për shkak të indinjatës së Zotit të ushtrive ditën e zemërimit të zjarrtë të tij.

14 Atëherë si një gazelë e ndjekur apo si një kope që askush nuk e mbledh, gjithkush do të kthehet drejt popullit të tij, gjithkush do të ikë në vend të vet.

15 Kushdo që do të gjendet do të shpohet dhe kushdo që do të kapet do të vritet me shpatë.

16 Fëmijët e tyre do të bëhen copë-copë para syve të tyre, shtëpitë e tyre do të plaçkiten dhe gratë e tyre do të dhunohen.

17 Ja, unë po nxis kundër tyre Medët që nuk do ta kenë mendjen te argjendi dhe nuk gjejnë kënaqësi te ari.

18 Harqet e tyre do t’i rrëzojnë për tokë të rinjtë; nuk do të kenë mëshirë për foshnjat në bark të nënës; syri i tyre nuk do t’i kursejë fëmijët.

19 Kështu Babilonia, shkëlqimi i mbretërive, lavdia e krenarisë së Kaldeasve, do të jetë si Sodoma dhe Gomora kur Perëndia i përmbysi.

20 Ajo nuk do të banohet më as nuk do të popullohet brez pas brezi; Arabi nuk do të ngrerë më aty çadrën e tij, as barinjtë nuk do t’i ndalin aty kopetë e tyre.

21 Por aty do të pushojnë bishat e shkretëtirës, shtëpitë e tyre do të mbushen me huta, do të banojnë aty strucat, do të hedhin valle satirët.

22 Hienat do të ulërijnë në shtëpitë e tij të shkretuara, çakajtë në pallatet e tij luksoze. Koha e tij po afrohet, ditët e tij nuk do të zgjaten më".

14 Me qenë se Zotit do t’i vijë keq për Jakobin, ai do të zgjedhë përsëri Izraelin dhe do t’i rivendosë në tokën e tyre; të huajtë do të bashkohen me ta dhe do të lidhen me shtëpinë e Jakobit.

Popujt do t’i marrin dhe do t’i çojnë përsëri në vendin e tyre dhe shtëpia e Izraelit do t’i zotërojë në vendin e Zotit si robër dhe robinja; do të zënë robër ata që i kishin zënë robër dhe do të mbretërojnë mbi shtypësit e tyre.

Kështu që ditën në të cilën Zoti do t’i japë prehje lodhjes sate, shqetësimit tënd nga skllavëria e rëndë së cilës i ishe nënshtruar,

ti do të shqiptosh këtë sentencë mbi mbretin e Babilonisë dhe do të thuash: "Ashtu si mbaroi shtypësi, tagrambledhja e arit ka mbaruar.

Zoti e ka thyer shkopin e të pabesëve, skeptrin e tiranëve.

Ai që në tërbim e sipër godiste popujt me goditje të pandërprera, ai që sundonte me zemërim mbi kombet tani përndiqet pa mëshirë.

Mbarë dheu pushon i qetë, njerëzit shpërthejnë në britma gëzimi.

Madje edhe selvitë e kedrat e Libanit gëzohen për ty dhe thonë: "Që kur ke rënë, asnjë druvar s’ka dalë kundër nesh".

Sheoli poshtë është në lëvizje për ty, me qëllim që të të dalë përpara kur të vish; ai zgjon frymët e të vdekurve, tërë princat e dheut; ka ngritur nga fronet e tyre gjithë mbretërit e kombeve.

10 Të gjithë e marrin fjalën për të të thënë: "Edhe ti je bërë i dobët si ne dhe je bërë i ngjashëm me ne.

11 Salltaneti yt ka rënë në Sheol tok me tingujt e harpave të tua; poshtë teje shtrihet një shtrat me krimba dhe krimbat janë mbulesa jote".

12 Vallë, si ke rënë nga qielli, o Lucifer, bir i agimit? Vallë si të hodhën për tokë ty që i hidhje poshtë kombet?

13 Ti thoshnje në zemrën tënde: "Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut;

14 do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin".

15 Po përkundrazi do të hidhesh në Sheol, në thellësitë e gropës.

16 Ata që të shikojnë të ngulin sytë, të vërejnë me kujdes dhe thonë: "Ky është njeriu që e bënte tokën të dridhej, që i trondiste mbretëritë,

17 që e katandisi botën në shkretëtirë, që shkatërron qytetet e saj dhe nuk i la kurrë të shkojnë të lirë robërit e tij?".

18 Të gjithë mbretërit e kombeve, tërë ata prehen në lavdi, secili në varrin e tij;

19 ty përkundrazi të hodhën larg varrit tënd si një farë e neveritshme, si një rrobe të të vrarëve nga shpata, që i zbresin mbi gurët e gropës, si një kufomë e shkelur.

20 Ti nuk do të bashkohesh me ta në varr, sepse ke shkatërruar vendin tënd dhe ke vrarë popullin tënd; pasardhësit e keqbërësve nuk do të përmenden më.

21 Përgatitni masakrën e bijve të tij për shkak të paudhësisë së etërve të tyre, që të mos ngrihen më për të zotëruar tokën dhe për të mbushur faqen e dheut me qytete.

22 "Unë do të ngrihem kundër tyre," thotë Zoti i ushtrive, "dhe do të shfaros nga Babilonia emrin dhe ata që kishin shpëtuar, fëmijët dhe pasardhësit," thotë Zoti.

23 "Do të bëj që atje të sundojë iriqi dhe moçali; do ta fshij me fshesën e shkatërrimit," thotë Zoti i ushtrive".

24 Zoti i ushtrive është betuar duke thënë: "Në të vërtetë ashtu siç e kam menduar ashtu do të jetë, dhe ashtu si kam vendosur, kështu ka për të ndodhur.

25 Do ta dërrmoj Asirin në vendin tim, do ta shkel në malet e mia; atëherë zgjedha e tij do t’u hiqet atyre dhe barra tij do të hiqet nga kurrizi i tyre.

26 Ky është plani i vendosur kundër të gjithë dheut dhe kjo është dora e shtrirë kundër të gjithë kombeve.

27 Me qenë se Zoti i ushtrive e ka vendosur këtë, kush mund t’ia anullojë? Dora e tij është shtrirë dhe kush mund ta detyrojë ta tërheqë?".

28 Në vitin e vdekjes së mbretit Ashaz u shqiptua kjo profeci:

29 "Mos u gëzo, o Filisti e tërë, sepse shufra që të godiste është thyer! Sepse nga rrënja e gjarpërit ka për të dalë një nëpërkë, dhe fryti i saj do të jetë një gjarpër i zjarrtë dhe fluturues.

30 Të parëlindurit e të varfërve do të kenë ç’të hanë dhe nevojtarët do të pushojnë të sigurt; por do të bëj që të vdesin urie rrënjët e tua dhe kjo do të shkatërrojë mbetjen tënde.

31 Bërtit, o portë, thirr, o qytet! Shkrihu, o Filisti e tërë, sepse nga veriu vjen një tym, dhe askush nuk lë vendin e tij në radhët e veta".

32 Çfarë përgjigje do t’u jepet lajmëtarëve të këtij kombi? "Që Zoti ka themeluar Sionin dhe që në të gjejnë strehë të mjerët e popullit të tij".

15 Profecia mbi Moabin. Ar-Moabi është shkretuar natën dhe është shkatërruar. Po, Kir-Moabi është shkretuar natën dhe është shkatërruar.

Éshtë ngjitur në tempull dhe në Didon, në vendet e larta, për të qarë; Moabi ngre një vajtim për Nebin dhe Medebën; të gjitha kokat janë rruar, të gjitha mjekrat janë prerë.

Në rrugët e tij ata vishen me thasë, mbi çatitë dhe në sheshet gjithkush ankohet dhe qan me të madhe.

Heshboni dhe Elealehu këlthasin, klithma e tyre dëgjohet deri në Jahats; prandaj luftëtarët e Moabit nxjerrin klithma dhembjeje; shpirti i tij drithërohet.

Zemra ime vajton për Moabin, të ikurit e të cilit arrijnë deri në Tsoar, si një mëshqerrë trevjeçare. Po, ata e marrin duke qarë të përpjetën e Luhithit dhe nxjerrin britma shkatërrimi në rrugën e Horonaimit;

sepse ujërat e Nimrimit janë një shkretim, bari është tharë, bari i njomë është zhdukur; nuk gjelbëron më asgjë.

Prandaj pasuritë që i kanë grumbulluar dhe gjërat që kanë mbledhur i çojnë matanë përroit të shelgjeve.

Britmat jehojnë nëpër gjithë territorin e Moabit, klithma e tij arrin deri në Eglaim, klithma e tij arrin deri në Beer-Elim.

Ujërat e Dimonit janë plot me gjak, sepse do t’i shkaktoj Dimonit të këqija të tjera: një luan për ata që shpëtuan nga Moabi dhe për ata që kanë mbetur në vend.

16 "Dërgojini një qengj sunduesit të vendit, nga Sela në drejtim të shkretëtirës, në malin e bijës së Sionit.

Sepse do të ndodhë që në vaun e Arnonit vajzat e Moabit do të jenë si një zog i dëbuar nga foleja.

Na jep një këshillë, bëj drejtësi! Bëje hijen tënde si nata, në mes të ditës; fshih ata që janë shpërndarë, mos i tradhëto ikanakët.

O Moab, lejo që të banojnë pranë teje njerëzit e mi që janë shpërndarë, ji për ta një strehë përballë shkatërruesit. Sepse tirani nuk është më, shkatërrimi ka marrë fund, shtypësit janë zhdukur nga vendi.

Atëherë një fron do të jetë i qëndrueshëm në dhembshuri dhe mbi të do të ulet në besnikëri, në çadrën e Davidit, një që do të gjykojë, do ta ushtrojë gjykimin dhe do të jetë i gatshëm të sigurojë drejtësinë".

"Kemi dëgjuar të flitet për krenarinë e Moabit, jashtëzakonisht krenar, për fodullëkun e tij, për kryelartësinë e tij, për arrogancën e tij, për mburrjen e tij pa baza".

Për këtë Moabi do të bëjë një vajtim për Moabin, të gjithë do të vajtojnë. Ju do të qani të dëshpëruar për pitet me rrush të Kir-Haresethit.

Sepse fushat e Heshbonit po meken, po kështu edhe vreshtat e Sibmahut; sunduesit e kombeve kanë shkatërruar bimët e saj më të mira që arrinin deri në Jazer dhe endeshin nëpër shkretëtirë; degët e saj shtriheshin dhe tejkalonin detin.

Prandaj me qarjen e Jazerit do të qaj vreshtat e Sibmahut; do të të vadis me lotët e mi, o Heshbon, o Elealeh, sepse mbi frytet e tua të verës dhe mbi të korrat e tua ka rënë një britmë lufte.

10 Gëzimi dhe hareja janë zhdukur nga fusha pjellore; ndër vreshta nuk ka më as këngë, as britma gëzimi; shtrydhësi i rrushit nuk shtrydh më verën ndër voza; unë nuk nxjerr më britma gëzimi.

11 Prandaj të përbrendshmet e mia dridhen për Moabin si një harpë; dhe zemra ime për Kir-Heresin.

12 Dhe do të ndodhë që kur të paraqitet Moabi, dhe të lodhet në vendin e lartë; ai do të hyjë në shenjtëroren e tij për t’u lutur, por nuk do të fitojë asgjë.

13 Kjo është fjala që Zoti i drejtoi dikur Moabit.

14 Por tani Zoti ka folur, duke thënë: "Brenda tre vjetëve, si vitet e një argati me mëditje, lavdia e Moabit do të bjerë e do të përçmohet bashkë me tërë atë turmë të madhe; dhe do të mbetet vetëm një numër shumë i vogël dhe i pafuqishëm".

17 Profecia kundër Damaskut. "Ja, Damasku do të pushojë së qëni një qytet dhe do të bëhet një grumbull gërmadhash.

Qytetet e Aroerit do të braktisen; do të bëhen kullota për kopetë që do të pushojnë aty pa i trembur askush.

Efraimit do t’i hiqet fortesa, Damaskut mbretëria; dhe pjesa tjetër e Sirisë do të jetë si lavdia e bijve të Izraelit," thotë Zoti i ushtrive.

"Atë ditë do të ndodhë që lavdia e Jakobit do të zhduket dhe shëndoshja e tepërt e trupit e tij do të konsumohet.

Do të ndodhë ashtu si kur korrësi mbledh grurin dhe me krahun e tij pret kallinjtë; do të ndodhë ashtu si kur mblidhen kallinjtë në luginën e Refaimit;

Do të mbeten disa vile për të mbledhur, ashtu si kur shkunden ullinjtë: dy apo tre ullinj në majë të degëve më të larta, katër ose pesë mbi degët më të ngarkuara," thotë Zoti, Perëndia i Izraelit.

Atë ditë njeriu do ta kthejë shikimin e tij në drejtim të Krijuesit të tij dhe sytë e tij do të shikojnë të Shenjtin e Izraelit.

Nuk do të drejtohet më te altarët, vepër e duarve të tij dhe nuk do të shikojë më atë që kanë bërë gishtërinjtë e tij as te Asherimët dhe te altarët për temjan.

Atë ditë qytetet e fortifikuara të tij do të jenë si një vend i braktisur në pyll ose si një degë e braktisur përpara bijve të Izraelit, dhe kjo do të jetë një shkretim.

10 Sepse ke harruar Perëndinë e shpëtimit tënd dhe nuk je kujtuar për Shkëmbin e forcës sate, prandaj mbolle plantacione dhe i ke shartuar me shartesa të huaja.

11 Ditën që i mbolle i rrethove me një gardh; në mëngjes mbijnë farat e tua, por vjelja do të jetë një tog rrënojash ditën e sëmundjes dhe të dhembjes së pashërueshme.

12 Ah, zhurma e një numri të madh popujsh, që zhurmojnë si gjëmimi i detit dhe si buçima e kombeve, zhurmojnë si buçima e ujërave të fuqishme!

13 Kombet zhurmojnë si buçima e shumë ujërave, por Perëndia i kërcënon, dhe ata ikin larg, të shtyrë si byku i maleve përpara erës, si një dredhë pluhuri përpara shakullimës.

14 Në mbrëmje, ja tmerri, dhe para mëngjesit nuk ka më asgjë. Kjo është pjesa e atyre që na plaçkitin, që na bëjnë pre.