A A A A A
Bible Book List

Isaia 1-4Albanian Bible (ALB)

Vegimi i Isaias, birit të Amotsit, që ai pa për Judën dhe Jeruzalemin në ditët e Uziahut, të Jothamit, të Ashazit dhe të Ezekias; mbretër të Judës;

Dëgjoni; o qiej; dhe dëgjo, o tokë, sepse Zoti ka folur: "Kam edukuar fëmijë dhe i rrita, ata u rebeluan kundër meje.

Kau e njeh të zotin e tij dhe gomari grazhdin e zotërisë së tij, por Izraeli nuk ka dije dhe populli im nuk ka mend".

Mjerë, komb mëkatar, popull i ngarkuar me paudhësi, racë keqbërësish, bij që veprojnë në mënyrë të çoroditur! Kanë braktisur Zotin, kanë përçmuar të Shenjtin e Izraelit, kanë devijuar dhe janë kthyer prapa.

Pse doni që të goditeni edhe më? Do të ngrinit krye edhe më tepër. Gjithë koka është e sëmurë, gjithë zemra lëngon.

Nga tabani i këmbës deri te koka nuk ka asgjë të shëndoshë; vetëm plagë, vurrata dhe plagë të hapura, që nuk janë as pastruar, as lidhur as qetësuar me vaj.

Vendi juaj është shkretuar, qytetet tuaja janë djegur nga zjarri, tokën tuaj e përpijnë të huajtë para syve tuaj; është si një shkretim sikur ta kishin shkatërruar të huajtë.

Kështu bija e Sionit ka mbetur si një karakollë në një vresht, si një kasolle në një arë me shalqi, si një qytet i ngujuar.

Në qoftë se Zoti i ushtrive nuk do të na kishte lënë një mbetje të vogël, do të ishim si Sodoma, do t’i ngjisnim Gomorrës.

10 Dëgjoni fjalën e Zotit, o krerë të Sodomës, verini veshin ligjit të Perëndisë tonë, o popull i Gomorrës!

11 "Ç’më duhet shumica e flijimeve tuaja, thotë Zoti. Jam ngopur nga olokaustet e deshve dhe nga dhjami i kafshëve të majme; gjakun e demave, të qengjave dhe të cjepve nuk e pëlqej.

12 Kur vini të paraqiteni përpara meje, kush ua ka kërkuar këtë, që të shkelni oborret e mia?

13 Mos sillni më blatime të kota; temjani është neveri për mua; nuk mund t’i duroj hënat e reja dhe të shtunat, thirrjen e asambleve dhe paudhësinë bashkë me mbledhjet e shenjta.

14 Unë i urrej hënat e reja tuaja dhe festat tuaja solemne; janë një barrë për mua, jam lodhur duke i duruar.

15 Kur i shtrini duart tuaja, unë i fsheh sytë e mi nga ju; edhe kur i shumoni lutjet tuaja, unë nuk dëgjoj; duart tuaja janë tërë gjak.

16 Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja, mos bëni më keq.

17 Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së ve.

18 Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.

19 Në rast se jeni të gatshëm të bindeni, do të hani gjërat më të mira të vendit;

20 por në rast se refuzoni dhe rebeloheni, do t’ju përpijë shpata," sepse goja e Zotit ka folur.

21 Si bëhet që qyteti besnik është shndërruar në një prostitutë? Ishte plot ndershmëri, drejtësia qëndronte në të, por tani aty banojnë vrasësit.

22 Argjendi yt është bërë zgjyrë, vera jote është holluar me ujë.

23 Princat e tu janë rebelë dhe shokë me hajdutët; të gjithëve u pëlqejnë dhuratat dhe turren pas shpërblimeve. Nuk i sigurojnë drejtësi jetimit dhe çështja e gruas së ve nuk arrin para tyre.

24 Prandaj Perëndia, Zoti i ushtrive, i Fuqishmi i Izraelit thotë: "Po, do të hakmerrem me kundërshtarët e mi, do të marr hak me armiqtë e mi.

25 Do ta vë përsëri dorën time mbi ty, do të të pastroj nga zgjyrat e tua si me sodën dhe do të heq tërë plumbin tënd.

26 Do të rivendos gjyqtarët e tu siç ishin në krye dhe këshilltarët e tu siç ishin në fillim. Mbas kësaj do të quhesh "qyteti i drejtësisë," "qyteti besnik".

27 Sioni do të çlirohet me anë të drejtës dhe ata që do të pendohen me anë të drejtësisë.

28 Por rebelët dhe mëkatarët do të shkatërrohen së bashku, dhe ata që braktisin Zotin do të shfarosen.

29 Atëherë do t’ju vijë turp për lisat që keni dashur dhe do të skuqeni për kopshtet që keni zgjedhur.

30 Sepse do të jeni si një lis me gjethe të fishkura dhe si një kopësht pa ujë.

31 Njeriu i fortë do të jetë si kallamishtet dhe vepra e tij si një shkëndijë; do të digjen të dy bashkë dhe askush nuk do t’i shuajë".

Fjala që Isaia, bir i Amotsit, pati si vegim lidhur me Judën dhe Jeruzalemin.

Në ditët e fundit do të vij që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet mbi disa kodra, dhe këtu do të vershojnë tërë kombet.

Shumë popuj do të vijnë duke thënë: "Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij". Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit.

Ai do të sigurojë drejtësi midis kombeve dhe do të qortojë shumë popuj. Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.

O shtëpi e Jakobit, ejani dhe të ecim në dritën e Zotit!

Sepse ti, o Zot, ke braktisur popullin tënd, shtëpinë e Jakobit, sepse janë plot me praktika lindore, ushtrojnë magjinë si Filistejtë, lidhin aleanca me bijtë e të huajve.

Vendi i tyre është plot me argjend dhe me ar dhe thesaret e tyre nuk kanë fund; vendi i tyre është plot me kuaj dhe qerret e tyre s’kanë të sosur.

Vendi i tyre është plot me idhuj; bien përmbys përpara veprës së vetë duarve të tyre, përpara atyre gjërave që kanë bërë gishtat e tyre.

Prandaj njeriu i zakonshëm përulet dhe njeriu i shquar ulet, por ti nuk i fal.

10 Hyr në shkëmb dhe fshihu në pluhurin përpara tmerrit të Zotit dhe përpara shkëlqimit të madhërisë së tij.

11 Vështrimi krenar i njeriut do të ulet dhe krenaria e vdekatarëve do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë.

12 Sepse dita e Zotit të ushtrive do të vijë kundër çdo gjëje krenare dhe kryelartë dhe kundër çdo gjëje që ngrihet, për ta ulur,

13 kundër gjithë kedrave të Libanit, të lartë dhe të ngritur, dhe kundër të gjitha lisave të Bashanit,

14 kundër të gjitha maleve të larta dhe kodrave të larta;

15 kundër çdo kulle shumë të lartë dhe kundër çdo muri të fortifikuar,

16 kundër gjithë anijeve të Tarshishit dhe kundër të gjitha gjërave të këndshme.

17 Kryelartësia e njeriut do të ulet dhe krenaria e njerëzve të shquar do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë.

18 Idhujt do të hiqen plotësisht.

19 Njerëzit do të hyjnë në shpellat e shkëmbinjve dhe në guvat e tokës përpara tmerrit të Zotit dhe shkëlqimit të madhërisë së tij, kur do të ngrihet për ta bërë tokën të dridhet.

20 Në këtë ditë njerëzit do t’ua hedhin minjve dhe lakuriqve të natës idhujt e tyre prej argjendi dhe idhujt e tyre prej ari, që i kanë prodhuar për t’i adhuruar,

21 për t’u futur në të çarat e shkëmbinjve dhe në greminat e krepave para tmerrit të Zotit dhe shkëlqimit të madhërisë së tij, kur do të ngrihet për ta bërë tokën të dridhet.

22 Mos kini më besim te njeri, në flegrat e të cilit nuk ka veç se një frymë; si mund të mbështetesh te ai?

Ja, Perëndia, Zoti i ushtrive, është duke i hequr Jeruzalemit dhe Judës çdo mbështetje dhe përkrahje, çdo mbështjetje me bukë dhe çdo mbështetje me ujë;

trimin dhe luftëtarin, gjyqtarin dhe profetin, falltarin dhe plakun,

komandantin e një pesëdhjetësheje dhe parinë, këshilltarin, ekspertin në artet magjike dhe yshtësin e shkathët.

Do t’u jap atyre djem si princa dhe fëmijë do t’i sundojnë.

Populli do të jetë i shtypur, njeri nga tjetri, dhe secili nga i afërmi i tij; fëmija do të jetë i pasjellshëm me plakun, njeriu i keq me njeriun e nderuar.

Dikush do të kapë vëllanë e vet në shtëpinë e atit të tij dhe do t’i thotë: "Ti ke një mantel, bëhu i pari ynë dhe kujdesu për këtë shkatërrim".

Por atë ditë ai do të deklarojë solemnisht duke thënë: "Unë nuk do t’i lidh plagët tuaja, sepse në shtëpinë time nuk ka as bukë as mantel; mos më vini të parë të popullit".

Në fakt Jeruzalemi dridhet dhe Juda po bie, sepse gjuha e tyre dhe veprat e tyre janë kundër Zotit, për të provokuar zemërimin e vështrimit të madhërisë së tij.

Anësia e tyre me personat dëshmon kundër tyre, ata vënë në dukje mëkatin e tyre si Sodoma dhe nuk e fshehin. Mjerë ata, sepse i bëjnë keq vetes së tyre.

10 I thoni të drejtit se do t’i dalë mirë, sepse do të hajë frytin e veprave të tij.

11 Mjerë i pabesi! Do t’i bjerë mbi kokë fatkeqësia, sepse do t’i jepet ajo që duart e tij kanë përgatitur.

12 Shtypësit e popullit tim janë fëmijë, dhe gratë sundojnë mbi të. O populli im, ata që të udhëheqin të çojnë jashtë rruge dhe shkatërrojnë shtegun që ti përshkon.

13 Zoti paraqitet për të paditur dhe zë vend për të gjykuar popujt.

14 Zoti hyn në gjyq me pleqtë e popullit të tij dhe me princat e tij: "Jeni ju që e keni përpirë vreshtin; trupat pa jetë të të varfërve ndodhen në shtëpitë tuaja.

15 Çfarë të drejte keni të merrni nëpër këmbë popullin tim dhe të shtypni fytyrën e të varfërve?," thotë Perëndia, Zoti i ushtrive.

16 Zoti thotë akoma: "Me qenë se vajzat e Sionit janë fodulle dhe ecin qafëpërpjetë dhe me vështrime provokuese, duke ecur me hapa të vogla dhe duke bërë të tringëllojnë unazat që mbajnë te këmbët e tyre,

17 Zoti do të godasë me zgjebe majën e kokës së vajzave të Sionit dhe Zoti do të nxjerrë në shesh turpet e tyre".

18 Atë ditë Zoti do të heqë stolinë e unazave të kyçeve të këmbës, diejtë e vegjël dhe hënëzat,

19 vathët, byzylykët dhe velot,

20 çallmat, zinxhirët e vegjël te këmbët, rrypat e brezit, enët e parfumeve dhe hajmalitë,

21 unazat, xhevahiret për hundë,

22 rrobat për festë, mantelet e vogla, shallët dhe çantat e vogla,

23 pasqyrat, këmishëzat, kapuçët dhe robëdëshambrët.

24 Dhe do të ndodhë që në vend të parfumit të ketë kalbësira, në vend të brezit një litar, në vend të kaçurelave shogësi, në vend të një veshjeje të kushtueshme një thes i ngushtë, një damkë zjarri në vend të bukurisë.

25 Njerëzit e tu do të bien nga shpata, dhe trimat e tu në betejë.

26 Portat e saj do të vajtojnë dhe do të mbajnë zi; e dëshpëruar ajo do të ulet për tokë.

Po atë ditë shtatë gra do të kapin një burrë dhe do t’i thonë: "Ne do të hamë bukën tonë dhe do të vishemi me rrobat tona; vetëm na lër të mbajmë emrin tënd, për të hequr turpin tonë".

Po atë ditë filizi i Zotit do të jetë gjithë shkëlqim dhe lavdi, dhe fryti i tokës do të jetë krenaria dhe zbukurimi i të shpëtuarve të Izraelit.

Dhe ka për të ndodhur që ata që do të kenë mbetur në Sion dhe ai që do të mbijetojë në Jeruzalem do të quhet i shenjtë, domethënë kushdo që në Jeruzalem figuron i shkruar ndër të gjallët.

Kur Zoti të ketë larë shëmtirat e bijave të Sionit dhe të ketë zhdukur gjakun nga mesi i Jeruzalemit me frymën e drejtësisë dhe me frymën e shfarosjes,

atëherë Zoti do të krijojë mbi çdo banesë të malit Sion dhe në kuvendet e tij një re tymi gjatë ditës dhe një shkëlqim zjarri flakërues gjatë natës, sepse mbi tërë lavdinë do të ketë një mbrojtje.

Dhe do të ketë një çadër që do të shërbejë për të bërë hije kundër të nxehtit të ditës, si dhe për të shërbyer si strehë dhe mbrojtje kundër furtunës dhe shiut.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes