Add parallel Print Page Options

12 Efraimi ngopet me erë dhe shkon pas erës së jugut; çdo ditë shumon gënjeshtrat dhe dhunën; bën aleancë me Asirinë dhe çon vaj në Egjipt.

Zoti është gjithashtu në grindje me Judën dhe do ta ndëshkojë Jakobin për sjelljen e tij; do ta shpërblejë sipas veprave të tij.

Në gjirin e nënës mori vëllain e vet nga thembra dhe me forcën e tij luftoi me Perëndinë.

Po, luftoi me Engjëllin dhe fitoi; qau dhe iu lut shumë. E gjeti në Bethel, dhe atje ai foli me ne,

domethënë Zoti, Perëndia i ushtrive, emri i të cilit është Zoti.

Prandaj ti kthehu te Perëndia yt, vepro me dhembshuri dhe ndershmëri dhe ki gjithnjë shpresë te Perëndia yt.

Efraimi është një tregtar që mban në dorë kandarë jo të saktë dhe i pëlqen të mashtrojë.

Efraimi thotë: "Edhe jam begatuar, kam grumbulluar pasuri; në të gjitha mundimet e mia, nuk do të gjejnë tek unë asnjë paudhësi që të jetë mëkat".

"Por unë jam Zoti, Perëndia yt, qysh nga vendi i Egjiptit. Do të të bëj që të banosh akoma në çadra si në ditët solemne.

10 U fola profetëve, kam shtuar vegimet dhe me anë të profetëve kam përdorur krahasime".

11 Në qoftë se Galaadi jepet pas idhujtarisë, me siguri do të katandiset në asgjë. Sepse në Gilgal flijojnë dema, altarët e tyre do të jenë me siguri si grumbuj gurësh gjatë brazdave të arave.

12 Jakobi iku në fushën e Sirisë dhe Izraeli shërbeu për një grua, për një grua u bë rojtar dhensh.

13 Me anë të një profeti, Zoti e nxori Izraelin nga Egjipti, dhe Izraeli u ruajt nga një profet.

14 Efraimi provokoi hidhët zemërimin e tij, prandaj Zoti i tij do të bëjë që mbi të të bjerë gjaku i derdhur dhe do të bëjë që mbi të të kthehet turpi i tij.

13 Kur Efraimi fliste me të dridhura, e lartonte vetveten në Izrael, por kur u bë fajtor me Baalin, ai vdiq.

Tani vazhdojnë të mëkatojnë, dhe me argjendin e tyre kanë bërë një mori figurash të derdhura, idhuj sipas kuptimit të tyre, të gjitha vepra artizanësh. Për ta thuhet: "Njerëzit që ofrojnë flijime le të puthin viçat".

Prandaj do të jenë si një re mëngjesore, si vesa që në mëngjes zhduket shpejt, si byku që e merr era nga lëmi, si tymi që del nga oxhaku.

"Megjithatë unë jam Zoti, Perëndia yt, që nga vendi i Egjiptit; ti nuk duhet të pranosh tjetër Perëndi veç meje dhe nuk ka tjetër Shpëtimtar jashtë meje.

Unë të njoha në shkretëtirë, në tokën e thatësirës së madhe.

Kur kishin kullotë, ngopeshin; kur ngopeshin, zemra e tyre krenohej; prandaj më kanë harruar.

Kështu unë do të jem për ta si një luan, do të rri në pritë mbi rrugë si leopard;

do t’i sulmoj si një arushë që ia kanë marrë këlyshët dhe t’u çaj kafazin e kraharorit; do t’i ha si një luaneshë, bishat e fushave do t’i shqyejnë.

Ti je shkatërruar, o Izrael, sepse je kundër meje, kundër ndihmës sate.

10 Ku është tani mbreti yt, që të mund të të shpëtojë në të gjitha qytetet e tua? Ku janë gjykatësit e tu për të cilët thoshje: "Nëm një mbret dhe disa krerë"?

11 Të kam dhënë një mbret në zemërimin tim dhe ta mora përsëri në tërbimin tim.

12 Paudhësia e Efraimit është mbyllur në vend të të sigurt, mëkati i tij mbahet i fshehur.

13 Dhembje grash që lindin do të vinë mbi të. Éshtë një bir pa mend, sepse nuk duhet të qëndrojë gjatë në vendin ku dalin fëmijët.

14 Unë do t’i shpengoj nga pushteti i Sheolit, do t’i shpëtoj nga vdekja. O vdekje, unë do të jem murtaja jote. O Sheol, unë do të jem shkatërrimi yt. Pendimi është fshehur nga sytë e mi.

15 Edhe në rast se është frytdhënës midis vëllezërve të tij, do të vijë nga shkretëtira era e lindjes, do të ngrihet nga shkretëtira era e Zotit, atëherë burimi i tij do të thahet, gurra e tij do të shterojë. Ai do të plaçkitë thesarin e çdo ene të çmuar.

16 Samaria do të shkretohet, sepse ka ngritur krye kundër Perëndisë të saj. Do të bien nga shpata; fëmijët e tyre do të bëhen copë-copë dhe grave të tyre me barrë do t’u çajnë barkun".

14 O Izrael, kthehu tek Zoti, Perëndia yt, sepse ke rënë poshtë për shkak të paudhësisë sate.

Merrni me vete disa fjalë dhe kthehuni tek Zoti. I thoni: "Largo çfarëdo paudhësi dhe prano atë që është e mirë, dhe ne do të ofrojmë flijimet e buzëve tona.

Asiria nuk do të na shpëtojë, nuk do të hipim më mbi kuaj dhe nuk do t’i themi më veprës së duarve tona: "Ti je perëndia ynë," sepse pranë teje jetimi gjen dhemshuri".

"Unë do të shëroj shthurjen e tyre, do t’i dua shumë, sepse zemërimi im u tërhoq prej tyre.

Do të jem si vesa për Izraelin; dhe ai do të lulëzojë si zambaku dhe do t’i zgjatë rrënjët e tij në thellësi si kedrat e Libanit.

Degët e tij do të zgjaten, bukuria e tij do të jetë si ajo e ullirit, aroma e tij do të jetë si ajo e Libanit.

Ata që jetojnë në hijen e tij do të kthehen dhe do të rigjallërohen si gruri, do të lulëzojnë si hardhia dhe do të jenë të famshëm si vera e Libanit.

Efraimi do të thotë: "Çfarë më lidh më me idhujt?". Unë do ta kënaq dhe do të kujdesem për të. Unë jam si një selvi përherë e blertë; fryti yt vjen te unë".

Kush është i urtë, t’u kushtojë kujdes këtyre gjërave. Kush ka mend le t’i kuptoje ato. Sepse rrugët e Zotit janë të drejta; të drejtët do të ecin nëpër to, por shkelësit do të rrëzohen.

Pas këtyre gjërave, pashë dhe ja, një derë u hap në qiell dhe zëri i parë që kisha dëgjuar të fliste me mua si bori, tha: “Ngjitu këtu dhe do të të tregoj gjërat që duhet të ndodhin pas këtyre gjërave.”

Dhe menjëherë erdha në frymë; dhe ja, një fron ishte në qiell dhe mbi fron rrinte një i ulur.

Dhe ai që ishte ulur nga pamja i ngjante një guri diaspri dhe sardi; dhe rreth fronit ishte një ylber që i ngjante smeraldit.

Dhe rreth e qark fronit ishin njëzet e katër frone, dhe mbi frone pashë ndenjur njëzet e katër pleq të veshur me petka të bardha; dhe mbi kryet e tyre kishin kurora:

dhe nga froni shpërthenin vetëtima, bubullima dhe zëra; dhe përpara fronit ishin shtatë llamba të ndezura, që janë të shtatë Frymërat e Perëndisë.

Dhe përpara fronit ishte si një det i qelqtë që i ngjante kristalit, dhe në mes të fronit dhe përreth fronit katër kafshë, që ishin plot me sy përpara dhe prapa.

Qenia e parë e gjallë ishte e ngjashme me një luan, edhe qenia e dytë e gjallë e ngjashme me një viç, edhe qenia e tretë e gjallë kishte fytyrë si të njeriut, edhe e katërta ishte e ngjashme me një shqiponjë në fluturim.

Edhe të katër qeniet e gjalla kishin secila nga gjashtë krahë përqark, edhe përbrenda ishin plot me sy; dhe nuk pushojnë kurrë, as ditë as natë, duke thënë: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Plotfuqishmi, që ishte, që është dhe që do të vijë!.”

Sa herë që qeniet e gjalla i japin lavdi, nder e të falenderim atij që rri ulur mbi fron, atij që rron në shekuj të shekujve,

10 të njëzet e katër pleq bien përmbys përpara atij që rri mbi fron dhe adhurojnë atë që jeton në shekuj të shekujve dhe i hedhin kurorat e tyre përpara fronit, duke thënë:

11 “Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjëra, dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan.”