A A A A A
Bible Book List

Zanafilla 8-11Albanian Bible (ALB)

Pastaj Perëndisë iu kujtua Noeu, të gjitha gjallesat dhe tërë bagëtia që ishte me të në arkë; dhe Perëndia bëri që të fryjë një erë mbi tokë dhe ujërat e ulën lartësinë e tyre.

Burimet e humnerës dhe kataraktet e qiellit u mbyllën dhe shiu nga qielli pushoi.

Dhe ujërat vazhduan të tërhiqeshin nga toka; dhe mbas njëqind e pesëdhjetë ditësh ishin pakësuar.

Në muajin e shtatë, ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, arka u ndal në malet e Araratit.

Dhe ujërat vazhduan të pakësohen deri në muajin e dhjetë. Në muajin e dhjetë, ditën e parë të muajit, u dukën majat e maleve.

Kështu, mbas dyzet ditësh, ndodhi që Noeu hapi dritaren që kishte bërë në arkë,

dhe nisi jashtë korbin, që vazhdoi të shkojë para dhe prapa, deri sa u thanë ujërat mbi tokë.

Pastaj lëshoi pëllumbin për të parë në se ujërat ishin pakësuar mbi sipërfaqen e tokës.

Por pëllumbi nuk gjeti dot vendin ku të mbështeste këmbën e tij dhe u kthye përsëri në arkë, sepse kishte ende ujëra mbi sipërfaqen e tërë tokës; dhe ai shtriu dorën, e kapi dhe e tërhoqi brenda arkës.

10 Priti atëherë shtatë ditë të tjera, pastaj e dërgoi përsëri pëllumbin jashtë arkës.

11 Dhe pëllumbi u kthye tek ai aty nga mbrëmja; dhe ja, ai kishte në sqep një gjethe ulliri të këputur, të njomë; kështu Noeu kuptoi se ujërat ishin tërhequr nga toka.

12 Atëherë priti shtatë ditë të tjera, pastaj e lëshoi jashtë pëllumbin, por ky nuk u kthye më tek ai.

13 Në vitin e gjashtëqindenjëtë të Noeut, gjatë muajit të parë, në ditën e parë të muajit, ujërat ishin tharë mbi tokë; dhe Noeu e zbuloi arkën, vështroi dhe ja që sipërfaqja e tokës ishte e thatë.

14 Dhe kështu në muajin e dytë, në ditën e njëzet e shtatë të tij, toka ishte e thatë.

15 Atëherë Perëndia i foli Noeut, duke thënë:

16 "Dil nga arka ti, gruaja jote, bijtë e tu dhe gratë e bijve të tu bashkë me ty.

17 Nxirr me vete tërë kafshët që janë bashkë me ty, të çdo mishi që të jenë: zogj, bagëti dhe tërë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokë, me qëllim që të rriten shumë mbi tokë dhe të jenë pjellorë e të shumohen mbi tokë".

18 Kështu Noeu doli me bijtë e tij, me gruan e tij dhe me gratë e bijve të tij.

19 Të gjitha kafshët, të gjithë rrëshqanorët, të gjithë zogjtë, gjthçka lëviz mbi tokë, simbas familjeve të tyre, dolën nga arka.

20 Atëherë Noeu ndërtoi një altar për Zotin, mori nga çdo lloj kafshësh dhe zogjsh të pastër dhe ofroi fli mbi altarin.

21 Dhe Zoti ndjeu një erë të këndshme dhe ai tha në zemër të vet: "Unë nuk do ta mallkoj më tokën për shkak të njeriut, sepse synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij; dhe nuk do të godas më çdo gjallesë, siç kam bërë.

22 Deri sa të jetë toka, nuk do të pushojnë kurrë së ekzistuari mbjellja dhe korrja, të ftohtit dhe të nxehtit, vera dhe dimri, dita dhe nata.

Pastaj Perëndia bekoi Noeun dhe bijtë e tij dhe u tha atyre: "Qofshi frytdhënës, shumëzoheni dhe mbusheni tokën.

Dhe frika dhe tmerri juaj do të ushtrohet mbi të gjitha kafshët e tokës, mbi të gjithë zogjtë e qiellit, mbi gjithçka që lëviz mbi tokë, si edhe mbi të gjithë peshqit e detit. Ata janë lënë në pushtetin tuaj.

Çdo gjë që lëviz dhe ka jetë do t’ju shërbejë si ushqim; unë ju jap tërë këto gjëra; ju jap edhe barin e gjelbër;

por nuk do ta hani mishin me gjallërinë e tij, domethënë me gjakun e tij.

Unë do të kërkoj sigurisht llogari për gjakun e jetëve tuaja dhe këtë do t’ia kërkoj çdo kafshe dhe njeriu. Do t’i kërkoj llogari për jetën e njeriut dorës së çdo vëllai të njeriut.

Cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri, sepse Perëndia e ka krijuar njeriun simbas shëmbëlltyrës së tij.

Ju, pra, jini frytdhënës dhe shumëzohuni; rrituni me të madhe në tokë dhe shumohuni në të".

Pastaj Perëndia u foli Noeut dhe bijve të tij që ishin bashkë me të, duke thënë:

"Sa për mua, unë caktoj besëlidhjen time me ju dhe me brezin që vjen pas jush,

10 dhe me gjithë gjallesat që janë me ju: zogj, bagëti dhe tërë kafshët e tokës që janë me ju, duke filluar nga tërë ata që kanë dalë nga arka dhe deri te tërë kafshët e tokës.

11 Unë e caktoj besëlidhjen time me ju: asnjë lloj mishi nuk do të shfaroset më nga ujërat e përmbytjes, dhe nuk do të ketë më përmbytje për të shkatërruar tokën".

12 Pastaj Perëndia tha: "Kjo është shenja e besëlidhjes që unë përfundoj midis meje dhe jush, me të gjitha qeniet e gjalla që janë me ju, me të gjithë brezat e ardhshëm.

13 Unë e vendos ylberin tim në një re, dhe do të shërbejë si shenjë për besëlidhjen e përfunduar midis meje dhe tokës.

14 Dhe kur të sjell re mbi tokën, do të ndodhë që harku të shfaqet në retë;

15 dhe unë do të kujtohem për besëlidhjen time midis meje dhe jush si dhe me çdo gjallesë të çfarëdo lloji mishi, dhe ujërat nuk do të shndërrohen më në një përmbytje për të shkatërruar çfarëdo lloj mishi.

16 Harku, pra, do të ndodhet në retë dhe unë do ta shikoj për të kujtuar besëlidhjen e përjetshme midis Perëndisë dhe çdo gjallese të çfarëdo mishi që ndodhet mbi tokë".

17 Dhe Perëndia i tha Noeut: "Kjo është shenja e besëlidhjes që unë kam caktuar midis meje dhe çfarëdo mishi që është mbi tokë".

18 Dhe bijtë e Noeut që dolën nga arka qenë Semi, Kami dhe Jafeti; Kami është babai i Kanaanit.

19 Këta janë tre bijtë e Noeut, dhe ata populluan tërë tokën.

20 Më vonë Noeu, që ishte bujk, filloi të mbjellë një vresht;

21 dhe piu verë e u deh, dhe u zhvesh në mes të çadrës së tij.

22 Dhe Kami, i ati i Kanaanit, pa babanë e tij lakuriq dhe vajti t’ua thotë vëllezërve të tij që ndodheshin jashtë.

23 Por Semi dhe Jafeti muarrën një mantel, e hodhën mbi shpatullat e tyre dhe, duke ecur së prapthi, mbuluan lakuriqësinë e babait të tyre; dhe, me qënë se fytyrat e tyre ishin kthyer nga ana tjetër, ata nuk e panë lakuriqësinë e babait të tyre.

24 Kur Noeu u zgjua nga dehja e tij, mësoi atë që i kishte bërë i biri më i vogël, dhe tha:

25 "I mallkuar qoftë Kanaani! Ai qoftë shërbyesi i shërbëtorëve të vëllezërve të tij!".

26 Pastaj tha: "I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Semit, dhe Kanaani të jetë shërbëtori i tij.

27 Perëndia ta rritë Jafetin dhe ky të banojë në çadrat e Semit; Kanaani qoftë shërbyesi i tij!".

28 Mbas përmbytjes, Noeu jetoi treqind e pesëdhjetë vjet.

29 Kështu Noeu jetoi gjithsejt nëntëqind e pesëdhjetë vjet; pastaj vdiq.

10 Këta janë pasardhësit e bijve të Noeut: Semit, Kamit dhe Jafetit; mbas përmbytjes, atyre u lindën fëmijë.

Jafeti pati si bij: Gomerin, Magogun, Madainin, Javanin, Tubalin, Meshekun dhe Tirasin.

Bijtë e Gomerit qenë: Ashkenazi, Rifathi dhe Togarmahu.

Bijtë e Javanit qenë: Elishami, Tarshishi, Kitimi dhe Dodanimi.

Prej tyre rrjedhin popujt e shpërndarë në ishujt e kombeve, në vendet e tyre të ndryshme, secili simbas gjuhës së vet, simbas familjeve të tyre dhe kombeve të tyre.

Bijtë e Kamit qenë: Kushi, Mitsraimi, Puti dhe Kanaani.

Bijtë e Kushit qenë: Seba, Havilahu, Sabtahu, Raamahu dhe Sabtekahu; dhe bijtë e Raamahut qenë: Sheba dhe Dedani.

Kushit i lindi Nimrodi, që filloi të jetë një njeri i fuqishëm mbi tokë.

Ai qe një gjahtar i fuqishëm para Zotit; prandaj thuhet: "Si Nimrodi, gjahtari i fuqishëm para Zotit".

10 Dhe fillimi i mbretërimit të tij qe Babeli, Ereku, Akadi dhe Kalmehu në vendin e Shinarit.

11 Nga ky vend shkoi në Asiri dhe ndërtoi Ninivën, Rehoboth-Irin dhe Kalahun;

12 midis Ninivës dhe Kalahut ndërtoi Resenin (që është qyteti i madh).

13 Mitsraimit i lindën Ludimët, Ananimët, Lehabimët, Nuftuhimët,

14 Pathrusimët, Kasluhimët (prej të cilëve dolën Filistejtë) dhe Kaftorimët.

15 Kanaanit i lindi Sidoni, i parëlinduri i tij, dhe Heti,

16 dhe Gebusejtë, Amorejtë, Girgasejtë,

17 Hivejtë, Arkejtë, Sinejtë,

18 Arvadejtë, Cemarejtë dhe Hamathejtë. Pastaj familjet e Kanaanëve u shpërndanë.

19 Dhe kufijtë e Kanaanëve shkuan nga Sidoni, në drejtim të Gerarit, deri në Gaza; dhe në drejtim të Sodomës, Gomorës, Admës dhe Ceboimoit deri në Lesha.

20 Këta janë bijtë e Kamit, simbas familjeve të tyre, simbas gjuhëve të tyre, në vendet e tyre, në kombet e tyre.

21 Edhe Semit, babai i të gjithë fëmijëve të Eberit dhe vëlla madhor i Jafetit, i lindën bij.

22 Bijtë e Semit qenë: Elami, Asuri, Arpakshadi, Ludi dhe Arami.

23 Bijtë e Aramit qenë: Uzi, Huli, Getheri dhe Mashi.

24 Nga Arpakshadi lindi Shelahu dhe nga Shelahu Eberi.

25 Eberit i lindën dy bij; emri i njërit prej tyre ishte Peleg, sepse në ditët e tij toka u nda, dhe emri i të vëllait ishte Joktan.

26 Nga Joktani lindën Almodadi, Shelefi, Hatsarmavethi dhe Jerahu,

27 Hadorami, Uzali, Diklahu,

28 Obali, Abimaeli, Sheba,

29 Ofiri, Havilahu dhe Jobabi. Tërë këta qenë bij të Joktanit.

30 Dhe vendbanimi i tyre qe mali lindor, nga Mesha deri në Sefar.

31 Këta janë bijtë e Semit, simbas familjeve të tyre, simbas gjuhëve të tyre, në vendet e tyre simbas kombëve të tyre.

32 Këto janë familjet e bijve të Noeut, simbas brezave të tyre, në kombet e tyre; dhe prej tyre dolën kombet që u shpërndanë në tokë mbas përmbytjes.

11 Por tërë toka fliste të njëjtën gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë.

Dhe ndodhi që, ndërsa po zhvendoseshin në drejtim të jugut, ata gjetën një fushë në vendin e Shinarit dhe u vendosën atje.

Dhe i thanë njëri tjetrit: "O burra, të bëjmë tulla dhe t’i pjekim me zjarr!". Dhe përdorën tulla në vend të gurëve dhe bitum në vend të llaçit.

Dhe thanë: "O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell, dhe t’i bëjmë një emër vetes që të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut".

Por Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njerëzve ishin duke ndërtuar.

Dhe Zoti tha: "Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t’i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë.

O burra, të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që njëri të mos kuptojë të folurën e tjetrit".

Kështu Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin.

Prandaj këtij vendi iu dha emri i Babelit, sepse Zoti aty ngatërroi gjuhën e tërë dheut dhe i shpërndau mbi tërë faqen e dheut.

10 Këta janë pasardhësit e Semit. Në moshën njëqind vjeç Semit i lindi Arpakshadi, pikërisht dy vjet pas përmbytjes.

11 Mbas lindjes të Arpakshadit, Semi jetoi pesëqind vjet dhe i lindën bij dhe bija.

12 Arpakshadi jetoi tridhjetë e pesë vjet dhe i lindi Shelahu.

13 Mbas lindjes së Shelahut, Arpakshadi jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija.

14 Shelahu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Eberi.

15 Mbas lindjes së Eberit, Shelahu jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija.

16 Eberi jetoi tridhjetë e katër vjet dhe lindi Pelegu.

17 Mbas lindjes së Pelegut, Eberi jetoi katërqind e tridhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija.

18 Pelegu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Reu.

19 Mbas lindjes të Reut, Pelegu jetoi dyqind e nëntë vjet dhe i lindën bij dhe bija.

20 Reu jetoi tridhjetë e dy vjet dhe i lindi Serugu.

21 Mbas lindjes të Serugut, Reu jetoi dyqind e shtatë vjet dhe i lindën bij dhe bija.

22 Serugu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Nahori;

23 mbas lindjes së Nahorit, Serugu jetoi dyqind vjet dhe i lindën bij dhe bija.

24 Nahori jetoi njëzet e nëntë vjet dhe i lindi Terahu;

25 mbas lindjes së Terahut, Nahori jetoi njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija.

26 Terahu jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Abrami, Nahori dhe Harani.

27 Këta janë pasardhësit e Terahut. Terahut i lindi Abrami, Nahori dhe Harani; dhe Haranit i lindi Loti.

28 Harani vdiq në prani të Terahut, babait të tij, në vendlindjen e tij, në Ur të Kaldeasve.

29 Dhe Abrami dhe Nahori morën gra: emri i gruas së Abramit ishte Saraj dhe emri i gruas së Nahorit ishte Milkah, e bija e Haranit, i ati i Milkahut dhe i ati i Iskahut.

30 Por Saraj ishte shterpë, nuk kishte fëmijë.

31 Pastaj Terahu mori të birin Abram dhe Lotin, të birin e Haranit, domethënë djali i të birit, dhe Sarajn nusen e tij, gruaja e djalit të tij Abram, dhe dolën bashkë nga Ur i Kaldeasve për të vajtur në vendin e Kanaanëve; por kur arritën në Haran, ata u vendosën aty.

32 Terahu jetoi dyqind e pesë vjet, pastaj Terahu vdiq në Haran.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes