Add parallel Print Page Options

43 Por zija ishte e madhe në vend;

dhe kur mbaruan së ngrëni grurin që kishin sjellë nga Egjipti, i ati u tha atyre: "Kthehuni për të na blerë pak ushqime".

Por Juda iu përgjegj duke thënë: "Ai njeri na ka paralajmëruar haptas duke thënë: "Nuk keni për ta parë fytyrën time, në qoftë se vëllai juaj nuk do të jetë me ju".

Në qoftë se ti e nis vëllanë tonë me ne, ne do të zbresim dhe do të të blejmë ushqime;

por në rast se nuk e nis, ne nuk kemi për të zbritur, sepse ai njeri na tha: "Nuk keni për ta parë fytyrën time, në rast se vëllai juaj nuk do të jetë me ju"".

Atëherë Izraeli tha: "Pse më dhatë këtë dhembje duke i thënë atij njeriu që kishit edhe një vëlla?".

Ata iu përgjigjën: "Ai njeri na pyeti me shumë kujdes për ne dhe farefisin tonë, duke thënë: "Gjallë është ende ati juaj? Keni ndonjë vëlla tjetër?". Dhe ne u përgjigjëm në bazë të këtyre pyetjeve të tij. Ku të na shkonte nga mendja që ai do të na thoshte: "Silleni këtu vëllanë tuaj"?".

Pastaj Juda i tha Izraelit, atit të tij: "Lëre fëmijën të vijë me mua, dhe do të çohemi dhe do të shkojmë në mënyrë që të rrojmë dhe jo të vdesim, si ne ashtu dhe ti e të vegjëlit tanë.

Unë bëhem garant për të; do t’i kërkosh llogari dorës sime për atë. Në rast se nuk e rikthej dhe nuk e vë para teje, do të jem fajtor para teje për gjithnjë.

10 Po të mos ishim vonuar, në këtë orë do të ishim kthyer për të dytën herë".

11 Atëherë Izraeli, ati i tyre, u tha atyre: "Po të jetë ashtu, veproni në këtë mënyrë: merrni në trastat tuaja disa nga prodhimet më të mira të vendit dhe i çoni atij njeriu një dhuratë: pak balsam, pak mjaltë, disa aroma e mirrë, fistikë dhe bajame.

12 Merrni me vete dyfishin e parave dhe kthejani paratë që ju vunë në grykën e trastave tuaja, ndofta ka qenë një gabim.

13 Merrni edhe vëllanë tuaj, dhe çohuni dhe kthehuni tek ai njeri;

14 dhe Perëndia i plotfuqishëm t’ju bëjë të gjeni hir para atij njeriu, kështu që ai të lirojë vëllanë tjetër tuajin dhe Beniaminin. Sa për mua, po të jetë se duhet të mbetem pa bijtë e mi, ashtu qoftë!".

15 Ata, pra, morën me vete dhuratën si dhe dyfishin e parave dhe Beniaminin; u ngritën dhe zbritën në Egjipt dhe u paraqitën para Jozefit.

16 Kur Jozefi pa Beniaminin bashkë me ta, i tha kryeshërbëtorit të shtëpisë së tij: "Çoji këta njerëz në shtëpi, ther një kafshë dhe përgatit një banket, sepse ata do të hanë drekë bashkë me mua".

17 Dhe ai bëri ashtu siç e urdhëroi Jozefi dhe i çoi në shtëpinë e Jozefit.

18 Por ata u trembën, për shkak se i kishin çuar në shtëpi të Jozefit dhe thanë: "Na sollën këtu për shkak të atyre parave që na u vunë në trastat të parën herë, për të gjetur një shkas kundër nesh, për t’u sulur mbi ne dhe për të na zënë skllevër bashkë me gomarët tonë".

19 Pasi iu afruan kryeshërbëtorit të shtëpisë së Jozefit, folën me të te dera e shtëpisë dhe thanë:

20 "Zotëria im, ne zbritëm në të vërtetë herën e parë këtu për të blerë ushqime;

21 dhe ndodhi që, kur arritëm në vendin ku kaluam natën, hapëm trastat dhe, ja, paratë e secilit prej nesh ndodheshin në grykë të trastës së vet; paratë tona me peshën e tyre të saktë; tani i kemi risjellë me vete.

22 Dhe kemi sjellë me vete para të tjera për të blerë ushqime; ne nuk e dimë kush mund t’i ketë vënë paratë tona në trastat tona".

23 Por ai tha: "Qetësohuni, mos u trembni: Perëndia juaj dhe Perëndia e atit tuaj ka vënë një thesar në trastat tuaja. Unë i pata paratë tuaja". Pastaj u solli Simeonin.

24 Ai njeri i futi në shtëpinë e Jozefit, u dha ujë që të lanin këmbët dhe ushqim për gomarët e tyre.

25 Atëherë ata përgatitën dhuratën, duke pritur që Jozefi të vinte në mesditë, sepse kishin dëgjuar që do të rrinin për të ngrënë në atë vend.

26 Kur Jozefi arriti në shtëpi, ata i paraqitën dhuratën që kishin sjellë me vete në shtëpi, dhe u përkulën para tij deri në tokë.

27 Ai i pyeti si ishin dhe tha: "Ati juaj, për të cilin më keni folur, a është mirë? Éshtë ende gjallë?".

28 Ata u përgjegjën: "Shërbëtori yt, ati ynë, është mirë; jeton ende". Dhe e nderuan duke u përkulur.

29 Pastaj Jozefi ngriti sytë, pa vëllanë e tij Beniaminin, bir i nënës së tij, dhe tha: "Ky është vëllai juaj më i vogël për të cilin më folët?". Dhe shtoi: "Perëndia të ndihmoftë, biri im!".

30 Atëherë Jozefi nxitoi të dalë jashtë, sepse ishte mallëngjyer thellë për shkak të vëllait të tij, dhe kërkonte vend ku të qante. Hyri kështu në dhomën e tij dhe aty qau.

31 Pastaj lau fytyrën dhe doli; dhe duke i dhënë zemër vetes, tha: Shtrojeni drekënn".

32 Dreka u shtrua veçmas për të, veçmas për ata dhe për Egjiptasit që hanin veçmas nga ai, sepse Egjiptasit nuk mund të hanin bashkë me Hebrejtë; kjo do të ishte një gjë e neveritshme për Egjiptasit.

33 Kështu ata u ulën përpara tij: i parëlinduri simbas së drejtës së tij të parëbirnisë dhe më i riu simbas moshës së tij; dhe e shikonin njëri-tjetrin me habi.

34 Dhe Jozefi urdhëroi që t’u sillnin racione nga tryeza e vet; por racioni i Beniaminit ishte pesë herë më i madh nga ai i secilit prej tyre. Dhe pinë dhe u gëzuan me të.

44 Jozefi i dha këtë urdhër kryeshërbëtorit të shtëpisë së tij: "Mbushi trastat e këtyre njerëzve me aq ushqime sa mund të mbajnë dhe vëri paratë e secilit në grykën e çdo traste.

Përveç kësaj vëre kupën time, kupën prej argjëndi, në grykën e trastës të më të riut, bashkë me paratë e grurit të tij". Dhe ai bëri ashtu siç i tha Jozefi.

Në mëngjes, sa u bë ditë, i nisën ata njerëz me gomarët e tyre.

Sapo kishin dalë nga qyteti dhe nuk ishin akoma larg, kur Jozefi i tha kryeshërbëtorit të shtëpisë së tij: "Çohu, ndiqi ata njerëz dhe kur t’i kesh arritur, thuaju atyre: "Pse e shpërblyet të mirën me të keqe?

A nuk është ajo kupa me të cilën pi zotëria im dhe që e përdor për të parathënë të ardhmen? Keni vepruar keq duke u sjellë kështu"".

Ai i arriti ata dhe u tha këto fjalë.

Atëherë ata iu përgjegjën: "Pse zotëria im na drejton fjalë si këto? Shërbyesit e tu duhet t’i shmangen një qëndrimi të tillë!

Ja, pra, ne të kemi rikthyer nga vendi i Kanaanit paratë që kishim gjetur në grykën e trastave tona; si mund të vidhnim argjend ose flori nga shtëpia e zotërisë tënd?

Ai prej shërbëtorëve të tu të cilit do t’i gjendet kupa, të dënohet me vdekje; edhe gjithashtu ne do të bëhemi skllevër të zotërisë tënd".

10 Ai tha: "Mirë, pra, le të bëhet si thoni ju: ai të cilit do t’i gjendet kupa do të bëhet skllavi im dhe ju do të jeni të pafaj".

11 Kështu secili prej tyre nxitoi të ulë për tokë trastën e vet dhe e hapi.

12 Dhe kryeshërbëtori i kontrolloi, duke filluar nga më i moshuari dhe duke mbaruar me më të riun; dhe kupa u gjet në thesin e Beniaminit.

13 Atëherë ata i shqyen rrobat e tyre, ringarkuan secili gomarin e vet dhe u kthyen në qytet.

14 Juda dhe vëllezërit e tij arritën në shtëpinë e Jozefit, që gjendej akoma aty, dhe u shtrinë për tokë para tij.

15 Dhe Jozefi u tha atyre: "Çfarë veprimi është ky që keni bërë? Nuk e dini që një njeri si unë është në gjëndje të parathotë të ardhmen?".

16 Juda u përgjegj: "Ç’do t’i themi zotërisë tim? Çfarë fjalë do të përdorim ose si do të mund të justifikohemi? Perëndia ka rigjetur paudhësinë e shërbëtorëve të tu. Ja, jemi skllevër të zotërisë tim, si ne ashtu edhe ai në dorën e të cilit u gjet kupa".

17 Por Jozefi tha: "Larg meje një veprim i tillë! Njeriu, në dorën e të cilit u gjet kupa, do të jetë skllavi im; sa për ju, kthehuni në paqe tek ati juaj".

18 Atëherë Juda iu afrua Jozefit dhe i tha: "Të lutem, zotëria im, lejoje shërbëtorin tënd që t’i thotë një fjalë zotërisë tim, dhe mos u zemëro me shërbëtorin tënd, sepse ti je si Faraoni.

19 Zotëria im i pyeti shërbëtorët e tij duke thënë: "A keni ju baba apo vëlla?".

20 Dhe ne iu përgjegjëm zotërisë tim: "Kemi një baba që është plak me një bir të ri, që i ka lindur në pleqëri; i vëllai ka vdekur, kështu ai ka mbetur i vetmi bir i nënës së tij dhe i ati e do".

21 Atëherë ti u the shërbëtorëve të tu: "Sillmani këtu që të mund ta shoh me sytë e mi".

22 Dhe ne i thamë zotërisë tim: "Fëmija nuk mund ta lërë atin e tij, sepse po të duhej ta linte, i ati do të vdiste".

23 Por ti u the shërbëtorëve të tu: "Në rast se vëllai juaj më i ri nuk zbret bashkë me ju, ju nuk do ta shihni më fytyrën time".

24 Kështu që kur u ngjitëm përsëri te shërbëtori yt, ati im, i treguam fjalët e zotërisë tim.

25 Atëherë ati ynë tha: "Kthehuni të na blini pak ushqime".

26 Ne u përgjegjëm: "Nuk mund të zbresim atje poshtë; do të zbresim vetëm në rast se vjen me ne vëllai ynë më i vogël; sepse nuk mund ta shohim fytyrën e atij njeriu po të jetë se vëllai ynë më i vogël nuk është me ne".

27 Dhe shërbëtori yt, ati ynë, na u përgjegj: "Ju e dini që gruaja ime më lindi dy bij;

28 njëri prej tyre më la dhe unë i thashë: Me siguri ai është bërë copë e çikë dhe nuk e kam parë më qysh atëherë;

29 dhe po të ma hiqni edhe këtë dhe i ndodh ndonjë fatkeqësi, ju do të kallni në varr pleqërinë time të dhembshme".

30 Kështu, pra, kur të arrij te shërbëtori yt, ati im, në qoftë se fëmija nuk është me ne, sepse jeta e tij është e lidhur me atë të fëmijës,

31 do të ndodhë që, sa të shohë që fëmija nuk është me ne, ai ka për të vdekur; dhe shërbëtorët e tu do ta kenë kallur në varr pleqërinë e shërbëtorit tënd, të atit tonë.

32 Tani, me qenë se shërbëtori yt është bërë dorëzanë për fëmijën pranë atit tim dhe i ka thënë: "Në rast se nuk do ta rikthej do të jem për gjithnjë fajtor ndaj atit tim,"

33 lejo, pra, tani që shërbëtori yt të mbetet skllav i zotërisë tim në vend të fëmijës, dhe që fëmija të kthehet me vëllezërit e tij.

34 Sepse si mund të rikthehem tek ati im në qoftë se fëmija nuk është me mua? Ah, mos e pafsha dhembjen që do të pushtonte atin tim!".

45 Atëherë Jozefi nuk e përmbajti dot më veten para tërë të pranishmëve dhe briti: "Nxirrini jashtë të gjithë nga prania ime!". Kështu nuk mbeti asnjëri me Jozefin kur ai u tregoi vëllezërve të tij se kush ishte.

Dhe qau aq fort sa që e dëgjuan edhe vet Egjiptasit, dhe ky lajm arriti edhe në shtëpinë e Faraonit.

Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Unë jam Jozefi, a është ende gjallë ati im?". Por vëllezërit e tij nuk mund t’i përgjigjeshin, sepse ishin të tronditur thellë në praninë e tij.

Atëherë Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Afrohuni, pra, tek unë!". Ata iu afruan dhe ai u tha: "Unë jam Jozefi, vëllai juaj, që ju e shitët që ta çonin në Egjipt.

Por tani mos u trishtoni dhe mos t’ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu poshtë, sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj.

Në fakt u bënë dy vjet që ra zija e bukës në vend; dhe do të ketë pesë vjet të tjera gjatë të cilave as do të lërohet, as do të korret.

Por Perëndia më ka dërguar para jush, me qëllim që të ruhet diçka mbi tokë dhe për t’ju shpëtuar jetën me një çlirim të madh.

Nuk jeni ju, pra, që më dërguat këtu, por është Perëndia; ai më caktoi si atë i Faraonit, si zot i krejt shtëpisë së tij dhe si qeveritar i tërë vendit të Egjiptit.

Nxitoni të riktheheni tek ati im dhe i thoni: "Kështu thotë biri yt Jozefi: Perëndia më ka caktuar si zot i gjithë Egjiptit; zbrit tek unë, mos u vono;

10 ti do të banosh në vendin e Goshenit dhe do jesh afër meje; ti dhe bijtë e tu, bijtë e bijve të tu, kopetë e bagëtive të imta e të trasha dhe gjithçka ti zotëron.

11 Dhe atje unë do të të ushqej, sepse do të ketë edhe pesë vjet të tjera zije, me qëllim që ti të mos katandisesh në mjerim: ti, familja jote dhe gjithçka zotëron".

12 Dhe ja, sytë tuaja dhe sytë e vëllait tim Beniaminit shohin që është goja ime që ju flet.

13 Tregojani, pra, atit tim tërë lavdinë time këtu në Egjipt dhe gjithçka patë, shpejtoni ta sillni atin tim këtu".

14 Pastaj iu hodh në qafë vëllait të tij Beniamin dhe qau, dhe Beniamini qau i shtrënguar në qafën e tij.

15 Ai puthi gjithashtu tërë vëllezërit e tij dhe qau i shtrënguar me ta. Pastaj vëllezërit e tij filluan të flasin me të.

16 Jehona e kësaj ngjarjeje u përhap në shtëpinë e Faraonit dhe njerëzit thanë: "Kanë ardhur vëllezërit e Jozefit". Kjo i pëlqeu Faraonit dhe shërbëtorëve të tij.

17 Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Thuaju vëllezërve të tu: "Bëni këtë: Ngarkoni kafshët tuaja dhe shkoni; kthehuni në vendin e Kanaanit.

18 Pastaj merrni atin tuaj dhe familjet tuaja, dhe ejani tek unë; unë do t’ju jap më të mirat e vendit të Egjiptit dhe do të hani prodhimet më të zgjedhura të vendit".

19 Ti ke urdhërin t’u thuash atyre: "Bëni këtë: Merrni me vete nga vendi i Egjiptit qerre për të vegjëlit tuaj dhe për gratë tuaja; merrni atin tuaj dha ejani.

20 Dhe mos u shqetësoni për orenditë shtëpiake, sepse sendet më të mira që ka Egjipti do të jenë tuajat"".

21 Bijtë e Izraelit vepruan kështu, dhe Jozefi u dha atyre qerre, simbas urdhërit të Faraonit, si edhe ushqime për udhëtimin.

22 Të gjithëve u dha një palë rroba për ndërresë për secilin, por Beniaminit i dha treqind sikla argjendi dhe pesë ndërresa veshmbathje;

23 atit të tij i dërgoi: dhjetë gomarë të ngarkuar me gjërat më të mira të Egjiptit, dhjetë gomarica të ngarkuara me grurë, bukë dhe ushqime për atin e tij gjatë udhëtimit.

24 Kështu i nisi vëllezërit e tij dhe, ndërsa ata po iknin, u tha: "Mos u grindni rrugës".

25 Atëherë ata u ngjitën përsëri nga Egjipti dhe arritën në vendin e Kanaanit te Jakobi, ati i tyre.

26 Dhe i kallëzuan gjithçka, duke thënë: "Jozefi është ende gjallë dhe është qeveritari i gjithë shtetit të Egjiptit". Por zemra e atij nuk iu ngroh, sepse nuk u besonte atyre.

27 Po kur ata i treguan tërë fjalët që u kishte thënë Jozefi dhe kur pa qerret që Jozefi kishte dërguar për ta marrë atë, atëherë shpirti i Jakobit atit të tyre, u ringjall

28 dhe Izraeli tha: "Mjaft; djali im Jozefi është ende gjallë; unë do të shkoj ta shoh para se të vdes".

24 Por farisenjtë, kur e dëgjuan këtë, thanë: “Ky i dëbon demonët vetëm me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve.”

25 Dhe Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, u tha: “Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit; dhe çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë.

26 Atëherë, në qoftë se Satani dëbon Satanë, ai është përçarë në vetvete, dhe si mund të qëndrojë mbretëria e tij?

27 Dhe në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebubit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.

28 Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.

29 Ose, si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fuqishmit dhe t’i grabisë pasurinë, po të mos e ketë lidhur më parë të fuqishmin? Vetëm atëherë ai do të mund t’ia plaçkisë shtëpinë.

30 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.

31 Prandaj unë po ju them: Çdo mëkat dhe blasfemi do t’u falet njerëzve; por blasfemia kundër Frymës nuk do t’u falet atyre.

32 Dhe kushdo që flet kundër Birit të njeriut do të falet; por ai që flet kundër Frymës së Shenjtë nuk do të falet as në këtë botë as në atë të ardhme.”

33 “Ose bëjeni të mirë pemën dhe fryti i saj do të jetë i mirë, ose bëjeni të keqe pemën dhe fryti i saj do të jetë i keq; sepse pema njihet nga fryti.

34 O pjellë nepërkash! Si mund të flisni mirë, kur jeni të këqij? Sepse ç’ka zemra qet goja.

35 Njeriu i mirë nga thesari i mirë i zemrës nxjerr gjëra të mira; por njeriu i keq nxjerr gjëra të këqija nga thesari i tij i keq.

36 Por unë po ju them se ditën e gjyqit njërëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë.

37 Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh, dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh.”

38 Atëherë disa skribë dhe farisenj e pyetën duke thënë: “Mësues, ne duam të shohim ndonjë shenjë prej teje.”

39 Por ai duke iu përgjigjur u tha atyre: “Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t’i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.

40 Në fakt ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës.

41 Banorët e Ninivit do të ringjallen në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan me predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është një më i madh se Jona.

42 Mbretëresha e jugut do të ringjallet në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji më i largët i tokës për të dëgjuar diturinë e Salomonit; dhe ja, këtu është një më i madh se Salomoni.

43 Tani kur fryma e ndyrë ka dalë nga një njeri, endet nëpër vende të thata, duke kërkuar qetësi, por nuk e gjen.

44 Atëherë thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time, nga kam dalë"; po kur arrin e gjen të zbrazët, të pastruar dhe të zbukuruar;

45 atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjera më të liga se ai, të cilët hyjnë dhe banojnë aty; kështu gjendja e fundit e këtij njeriut bëhet më e keqe nga e mëparshmja. Kështu do t’i ndodhë edhe këtij brezi të mbrapshtë.”

46 Ndërsa ai vazhdonte t’u fliste turmave, ja nëna e tij dhe vëllezërit e tij po rrinin jashtë dhe kërkonin të flisnin me të.

47 Dhe dikush i tha: “Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të flasin me ty.”

48 Por ai duke iu përgjigjur, i tha atij që e kishte lajmëruar: “Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?.”

49 E shtriu dorën e vet drejt dishepujve të vet dhe tha: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.

50 Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë.”

Read full chapter